E enjte, 25.04.2024, 04:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Armela Hysi: Të shuajm mallin për Ndoc Gjetjën

E merkure, 05.06.2013, 09:05 PM


Të shuajm mallin për Ndoc Gjetjën me poezitë e tij

- 3  vjetë pa Ndocin -

Nga Armela Hysi

Nga të gjitha shprehjet, epitetet, titujt a nderimet që i janë bërë gjatë tërë jetës së tij poetit të madh shqiptar Ndoc Gjetja, për mua më i dashuri dhe që më pëlqen ta përdor më shpesh, për z. Gjetja është Krishti i Poezisë Shqiptare. Nuk e di, veç se me hamëndësi, si filloi të përdoret ky paralelizëm. As se si mund ta përdor gjithsecili, disi për pamjen, për karakterin e përulur me gjithë barrën e mençurisë dhe talentit që mbarte aq natyrshëm, për vetë njehsimin biblik që bënte me jetën e tij, vetë Ndoci, për poezinë e tij aq shpirtërore, për vargun e poetit njerëzit i doja si krisht, e të tjera të ngjashme; por kush e ka njohur poetin dhe njeriun tejet të  madh nuk mund të mos e kuptoje se është kaq i përshtatshëm, kaq i drejt ky epitet hyjnor. Ndoc Gjetja është një nga njerzit më fisnik që kam patur nderin dhe fatin të njoh në jetën time dhe këtë fisnikëri e jepte kaq me bujari tek të gjithë, sa që të bënte përshtypje kjo madhështi thjeshtësie – po huazoj një nga shprehjet më të bukura që ka përdorur miku i tij i ngusht dhe i dashur, letrari dhe intelektuali i njohur z. Kujtim Dashi në librin e tij Thellësia e Madhështisë, Poetit dhe Njeriut NDOC GJETJA (Tiranë 2004). Por atë që të bënte vërtetë më shumë përshtypje se të takosh një njeri kaq të paqtë, fisnikë e të thjeshtë, në një kohë kaq të çartur, është se ai këtë e kishte natyrën e tij të vetë-pavetëdijëshme. Ishte i tillë dhe vazhdonte të ishte i tillë, pa sforco dhe padashur të ndryshojë. I ngjante Sokratit grek të Epokës së Artë në të gjithë atë mençuri që mbarte dhe jepte kudo, nga ana njerëzore, nga ana poetike, filozofike e shpirtërore; por dhe naivitetit në lidhje me interesat personale, sepse mendonte se njeriu duhet t’ja kushtoi jetën të mirës së përgjithëshme dhe vepronte pa hezitim, por ajo që e lidhte kaq shumë me figurën hyjnore të Krishtit, qe dashuria e sinqert e njeriut Ndoc, për njerëzit e tjerë, për bashkëqytetarët, për shpirtrat.

Për Ndocin poet, padyshim që është shkruar mjaft, s’kishte se si të ndodhte e kundërta, megjithëse jam sigurisht e mendimit se jo mjaftueshëm, por duke mos dashur të zgjatem në këtë shënim që është vetëm për të përkujtuar poezitë që na shoqërojnë këto tre vjetë që vetë Ndoci gjendet në Olimpin qiellor të poezisë - ndoshta bashkë me Podrimjën e madh, po shtoj se vetëm tek gjenijtë e çdo zhanri vihet re një njehsim kaq i madh i asaj çka bëjnë, me atë çka janë. E gjithë kjo fisnikëri dhe dashuri hyjnore dhe e qetë dhe e sinqertë, përcillet kaq vërtetësisht në poezinë e Gjetjës, me shije të papërsëritshme artistike, jo vetëm si mjeshtër i vargut dhe gjetjes, apo bërjes së fjalës, por edhe me një ritëm poetik të mirfilltë që e transmeton tek lexuesit thjesht magjishëm dhe është sikur sheh vetë poetin, prandaj dhe Visar Zhiti poeti i njohur dhe i vlerësuar, shpreh aq bukur, atë që e mendojmë kështu të gjithë “Unë te poezia e Ndocit e te njeriu Ndoc Gjetja nuk gjej asnjë ndryshim, përkundrazi. Te Ndoci shoh poezinë, te poezia shoh Ndocin”. Aty ku e shohim ne të gjithë, e do e shohin brezat.

Qershor 2013

 

 

AUTOPORTRET

 

Vendbanimi:

Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.

Profesioni:

Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre

Gjendja sociale:

Mbetje teknologjike e administratës shtetërore

se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.

Gjatësia:

E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar

Pesha:

Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.

Shenja të veçanta:

Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë

dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.

Sytë:

Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.

Ngjyra:

E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.

Titujt:

I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.

Bindjet:

Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu.

Antipatitë:

Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu

Simpatitë:

Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançes dhe Buda.

Frikërat:

Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.

Besimi:

Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.

Pasuria:

Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.

 

 

YLLI IM NUK NDIZET MË

 

O vajzë që të njoha në jetë kaq vonë!

Ti gjithë qenien time e bëre lëmsh,

ti më ktheve shumë prapa në kohë

ti më zbrite një tridhjetëvjetsh.

 

Në vitin kur ti ke ardhur në jetë

në botën time sapo hynte femra,

e sheh ç’hon kohe kemi ndërmjet

vogëlushja ime e madhe sa ëndrra?

 

Më kot shpenzova pas një Dulqinje

gjithë jetën time si Don Kishoti,

dhe tash më shfaqesh krejt papritur

si një tallje nga vetë Zoti.

 

Sa herë ta ndiej frymëmarrjen afër,

humbas në qiellin magjik të syve

dhe befas përmendem e bie ashpër

te rëndomësitë e jetës sime.

 

Ti vjen dhe ikën dhe mbetesh ëndërr

se ylli im nuk ndizet më

me muzgun e moshës jam mbështjellë

dhe ndihem i lodhur e dua... të flë.

 

 

PLEQËRISHTE

 

Më në fund u plakëm grua,

siç e sheh dhe vetë

me thinja të bardha e rrudha

na mbushi kohë e sertë.

 

Dhe shëtitjet i rralluam

nëpër dhomë vijmë përqark,

dhe në vend të tyre shtuam

kollën dhe kafenë me pak.

 

Sa më ka marrë malli, grua

të zemërohem qoftë dhe kot,

si dikur atje tek udha

kur të shihja me një shok.

 

Ne kemi vite që pasqyrën

e përdorim shumë rrallë

se kemi sytë e njëri-tjetrit

fytyrat tona për t’i parë.

 

 

KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA

 

Kur fillova nga pak të vdisja

mbaj mend, ka qenë e enjte

vetëm ty pranë të kisha

rrije në këmbë dhe heshtje.

 

Në sytë e tu binte borë,

në fytyrë të fryu Veriu,

unë te brinjët vura dorën

ndjeva zemrën që mërdhiu.

 

Mbaj mend si e hape derën

si e tërhoqe pas dhe ike,

në palcë të ëndrrës ndjeva therrje

që më vonë m’u bë kronike.

 

Që ta marr pakëz veten,

vazhdimisht më sjellin njerëzit

reçel të ëmbël buzëqeshjesh

dhe ca pako me ngushëllime.

 

Përherë i lë në tryezë pa hapur

kompostot me lëng entusiazmi,

e nuk i prek me dorë fare

pjatat plot me optimizëm.

 

Ah, e humba krejt oreksin

nga ky virus shpirtëror i dhembjes,

me zor flas e me zor qeshi

më kot rri në tryezë të jetës.

 

 

PUTHJA

 

Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja

Ndodhin në mesin e rrugëssë madhe

Po ajo më njerëzorja

Më e madhërishmja, më hyjnorja

 

Puthja

Ka mbetur ilegale.

 

 

FUNDI I PRITJES

 

Të shtunë piva shtatë kokrra valium

që të zgjohem vetëm të hënë,

se desha të dielën pa ty ta humb

 

për ta kaluar sikur s’ka qenë.

Po, ja, e hëna e shumëpritur erdhi

e vonoi të ikë gati një shekull.

Si të shpëtoj tani i shkreti

nga kjo torturë që quhet Nesër?

 

Dhe gjithë e marta u shtri mbi mua

si oktapod me këmbë të ngrira

ah, pres të më vijë e mërkura

të më clirohet pakëz fryma.

 

E mërkura më erdhi e iku

më gjeti e më la pa ty,

e enjtja zvarritej porsi kërmilli

e premtja më solli vetëm shi.

 

Edhe e shtuna m’u var në shpirt

si një kornizë pa pikturë,

shpresës që ti do vish një ditë

tani po i vë përsipër një gur.

 

 

KATËR QIRINJ

 

Një dhembshuri e thellë e një mall i heshtur

për ëndrrat e mërdhira nën pelerinë vetmie

më shtynë sonte të ndez katër qirinj të vegjël

përpara altarit të shenjtë të zemrës sime.

 

Të parin e ndeza për takimin tonë të parë,

të dytin e ndeza për të papërsëritshmen puthje,

të tretin e ndeza për çastet e paharruara të prehjes

në parajsën tënde të gjirit dhe të supeve.

 

Të katëritn e ndeza gabimisht e dashur

sepse ndoshta gabimisht u deshëm

ose ndoshta gabimisht u ndamë

pa e ditur përse nuk do të vdesim bashkë.

 

 

NJËSHIT

 

Në rendin e pafund të numrave të plotë

matematikisht ti je më i vogli në botë

por papritur u bëre kaq tepër i madh

në sajë të zerove që të shkojnë pas.

 

 

POETI

 

Në çastin kur fjalën e zuri nën vete numri

Shpirtin filloi të mos e nxinte trupi,

Dhe plasi palca e jetës me një klithje të fortë

Dhe doli nga e çara poeti i parë në botë.

 

Ai gabimisht nuk lindi që të lëpijë me vargje

Çizmet e të mëdhenjve e copëzat e mecenatëve,

Dhe gabimisht nuk rron e gabimisht s’do të vdesë

Me prapanicën mbi karrigen e karrierës.

 

Ai erdhi që të kryejë porosinë e madhe të shpirtit

Me alkiminë e fjalës të shkrijë gurët e Sizifit,

Ai është heshtja e rëndë që do të mbytet me fjalë,

Ai është lufta e dritës me të kundërtën e saj.

 

Ai është boshti i Qenies që kërkon të mbushet,

Ai është faqja e virgjër që dëshiron të puthet,

Ai është çasti i ri që nuk përsëritet kurrë,

Ai është plak, fëmijë, grua, djalë dhe burrë.

 

Ai është shurdhëria e verbër që kërkon veshë dhe sy

Ai është malli yt për mua dhe malli im për ty,

Ai është vera në dimër dhe pranvera në vjeshtë,

Ai është ai që s’e dimë kush është.

 

 

DIALOG

 

-           Vogëlush ,

Më duket sikur ti më ikën larg

Kur të kam në gjumë.

 

-           Babi, dhe ti mua më lë

Dhe më ikën larg

Megjithëse je këtu

Kur shkruan.

 

 

SHKALLËT

 

O ç’mrekulli

Do të ishte ngjitja

Po të mos përdoreshin

Shkallët!

 

 

EPITAF

 

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja

i cili pati ardhur gabimisht në botë,

ai nga vetja e tepruar nxirrte vjersha

dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

 

Kur pa që ëndrra kalkulohej në kompjuter,

kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe,

kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje,

zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

 

Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit

të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes

... Pastaj e përcollën te banesa e fundit

te vila dymetërshe e ullishtes së Grykëzezës.*

 

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur

e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”...

Mos kërkoni të dini për të më tepër

se iku sikur të mos kishte qenë.

 

*me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës në varjant të mëparshëm(shën. im)

 

poezitë e këtij cikli janë shkëputur nga librat e Ndoc Gjetjas

1-         RREZATIM   (1971)

2-        SHQIPONJA RREH KRAHËT  (1975)

3-        QËNDRESA  (1977)

4-        E PËRDITSHME  (1982)

5-        ÇASTE  (1984)

6-        POEZIA SHQIPE – 35 – KOLANA  (1987)

7-        KTHIMET  (1991)

8-        DHJATA IME  (1998)

9-        BIRI I NJERIUT  (2004)

 



(Vota: 172 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora