E shtune, 20.04.2024, 12:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Degët e lisit tok me trungun

E merkure, 05.06.2013, 07:07 PM


DEGËT E LISIT TOK ME TRUNGUN

-Ese-

Nga Ejup CERAJA

1

Letërsia është: "Një nga format e ndërgjegjes shoqërore, lloj i artit që pasqyron jenën nëpërmjet figurave artistike të krijuara me anën e fjalës, duke shprehur një qëndrim ideor e emocional të caktuar…"1) Duke u mbështetur në këtë përfundim kuptojmë se shkrimtarët, në veprat e tyre, qofshin ato në poezi, në prozë apo në dramaturgji përshkruajnë rrethanat shoqërore të një periudhe të caktuar kohore, kur ata i vejnë ngjarjet e veprave të tyre. Shkrimtarët, në veprat e tyre letrare, përmes rrëfimit artistik, mëtojnë ta pasqyrojnë jetën reale nëpërmes tipizimeve e përgjithësimeve. Dhe, duke e pasqyruar jetën asisoj, ata japin edhe bindjet, dëshirat dhe pasionet e veta si pjesëmarrës, të themi shprehimisht, në to. Të gjitha këto, siç e theksuam më lart, shkrimtarët i arrijnë nëpërmes gjinive dhe llojeve të ndryshme letrare.

Letërsinë në përgjithësi, të themi kushtimisht, mund ta krahasojmë me një lis të madh e të degëzuar si qiri të drejtë. Dhe, ashtu si degët e atij lisi, që rritën tok me trungun, nga të gjitha anët dhe ngjitën palë-palë njëra mbi tjetrën deri në majë të tij, ashtu edhe shkrimtarët, them, nuk e zënë të njëjtin vend në "trungun letrar", po zënë vende të ndryshme që nga fillimi gjer në majë të tij... Pra, një renditje e tillë e shkrimtarëve në atë “trung letrar”, i ngjason renditjes së degëve vertikale në trupin e atij lisi. Pse? Sepse si degët e lisit, që për kah renditja dhe për nga madhësia e tyre s’e zënë të njëjtën pozitë (vend) në trungun e atij lisi se, asnjë degë nuk është plotësisht identike me tjetrën, po ashtu edhe shkrimtarët në "trungun letrar", që quhet letërsi, nuk e zënë të njëjtën vend, nuk e kanë të njëjtën vlerë as cilësore, as sasiore. Kjo do të thotë se shkrimtarët zënë vende të caktuara në "trungun letrar" nga fillimi deri në maje, më shumë sipas cilësisë krijuese letrare-artistike, se sa sipas sasisë...

Është i pajustifikueshëm mendimi që të gjithë shkrimtarët duhet të jenë të të njëjtit nivel artistik, cilësor e sasior. Se, si të gjitha degët e lisit, të mëdha a të vogla, më të dendura e më të rralla, më të gjelbra a më të zbehta, më të shkurtra a më të gjata, më ulët në trung apo më afër majës..., që e përbëjnë strukturën e drurit që quhet lis, ashtu edhe shkrimtarët me krijimtarinë e tyre artistike, të mëdhenj a të vegjël, të moshuar apo të rinj, të njërës apo të gjinisë tjetër e përbëjnë tërësinë e "trungut letrar" që quhet letërsi…

 

2

Pjesë e pandashme e këtij "trungu letrar” është edhe letërsia për fëmijë. Madje, do të thosha shprehimisht, se letërsisë për fëmijë i takon renditja në pjesën e sipërme të atij  "trungu letrar”...

- Pse mund të thuhet kështu?...

- Mund të thuhet kështu jo për nivelin më të lartë artistik, as për sasi e cilësi, po për nivelin më të ndjeshëm dhe më të "holluar" si pjesa më e re e tërësisë së "trungut letrar”... Për rrjedhat e letërsisë për fëmijë (e kam fjalën, kryesisht, për letërsinë shqipe për fëmijë këtu ndër ne...) krijues dhe studiues të ndryshëm kanë shfaqur mendimet e tyre rreth kësaj letërsie. Këtu po i citojmë dy-tri mendime të dy prej tyre:

"Nuk është i vogël numri i krijuesve që kanë deklaruar se shumë më vështirë e kanë të shkruajnë për fëmijë se  sa për të rritur. Edhe unë mendoj kështu… Pse? Sepse në letërsinë për fëmijë shkrimtari nuk mund ta hedhë hapin pa e planifikuar që më parë gjatësinë e tij, vendin ku shkel dhe peshën e vet me të cilën rëndon…"2)

Ose:

“Nuk kanë thënë kot, se letërsia që u kushtohet fëmijëve është lloji më i vështirë i krijimtarisë. Ka shumë arsye, por ajo kryesorja, më thotë mendja, është si të komunikojë i rrituri me botën e fëmijës në mënyrë të natyrshme.”3)

Pra, siç shihet nga këto përfundime të drejta e domethënëse, kuptojmë se të shkruash për fëmijë duhesh të kesh masë, të themi, “milimetrike” që do të thotë as më shumë dhe as më pak se sa e përthekon aftësia përvetësuese e lexuesve fëmijë. Këtë masë “milimetrike”, në shkrimet artistike për fëmijë, vetë shkrimtari për fëmijë e mban në dorë. Se sa e si duhet shkruar për fëmijë, je t’i vetë poet, prozator a dramaturg që e cakton - do të thoshte Lasgushi.

Fëmijët janë krijesa të ndjeshme në rritje e në formim. Andaj po u teprua në shkrimet artistike për ta, kapaciteti njohës i tyre nuk do të mund ta përthekojë tërë atë që u ofrohet. Dhe, në vend që të përfitojnë nga ajo që u ofrohet, ata mund të kenë ca hutime, për të mos thënë ngecje. Ndërsa po u la gjë mangët në shkrimet artistike për ta, prapë kapaciteti përvetësues i tyre nuk do të ketë aftësi për ta plotësuar atë mangësi në imagjinatën e tyre prej fëmije dhe... "Kjo do të thotë se edhe vepra letrare është një organizëm i gjallë, që rritet e zvogëlohet, tkurret e bymehet, pasurohet e varfërohet, në vartësi nga vetë ne, nga shija jonë, nga ajo që shprehet, që thuhet në te, në një mënyrë a në një tjetër…"4)

Kështu letërsia për fëmijë, të themi shprehimisht, është motra e vogël e letërsisë për të rritur. Edhe nëse në lloje dhe gjini shkojnë pothuaj se paralel njëra me tjetrën, ato, megjithatë, ndryshojnë. Dallimet, përpos në sasi, hasën veçanërisht në mënyrën e të shprehurit...

- Pse mund të thuhet kështu?...

- Mund të thuhet kështu sepse shkrimtari i letërsisë për të rritur, veçan në prozë, të themi kushtimisht, rendit ngjarje a ndodhi..., duke e mbushur veprën e vet me përshkrime e figura stilistike, pa u merakosur edhe aq se do ta rëndojë trurin e lexuesit me atë që shkruan. Ndërsa kur vepra është në poezi ai i shpreh ndjenjat e veta më sublime, sidomos nëse poezia i takon gjinisë lirike. Kurse shkrimtari (poeti) që shkruan për fëmijë është, të themi shprehimisht, i privuar nga një privilegj e tillë.

- Pse?...

- Sepse shkrimtari (poeti) që shkruan për fëmijë, të shprehemi me një nocion ca më të zgjeruar nga jeta e përditshme, duhet të ketë kujdes për atë që shkruan si një njeri i zbathur, që ec nëpër një livadh të kositur rishtas, apo nëpër një stërnishtë të sapokorrur. Pra, siç duhet të ketë kujdes ai i zbathur që të mos theret, ashtu duhet të ketë kujdes shkrimtari për fëmijë që të mos e rëndoi, në shkrimet e tij, aftësinë thithëse (përvetësuese) të fëmijëve për të cilët shkruan. Kështu ai është i shtrënguar që t’i bëjë hapat me masën, siç e theksuam më lart, “milimetrike”, në aspektin e madhësisë së tyre, në njërën anë dhe të ketë kujdes se sa do të rëndojë pesha e atyre hapave  krijues, në anën tjetër. Këndej shkrimtari (poeti) që shkruan për fëmijë nuk mund t’ia lejojë veti që ta “rëndojë” tekstin (shkrimin) me figura të ndryshme stilistike, për t’i dhënë fuqi artistike shkrimit (librit) të vet dedikuar fëmijëve. Se, në vend të efektit pozitiv shkrimi (libri) i tij do ta bëjë (ndoshta) të kundërtën...

Pra, si letërsia për të rritur, ashtu edhe letërsia për fëmijë janë pjesë të pandashme të këtij "trungu" letrar që quhet letërsi. Ato e plotësojnë dhe e begatojnë njëra-tjetrën dhe ngjitën drejt majës më të lartë të "trungut letrar”. Sado që në art, në përgjithësi e në artin letrar, në veçanti them se nuk ka “tavan”…

_____________

1) F. GJ. S. SH. - "RILINDJA" Prishtinë - 1981, faqe 969,

2) Dr. Agim DEVA: "Arti për fëmijë pa porosinë e vet nuk është art", "Koha ditore", 22 korrik 2000,

3) Dr. Emin Kabashi: Malli dhe dashuria për shkollën në faqet  e një romani, - vlerësim...

4) Dr. Agim DEVA: po aty.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora