E shtune, 20.04.2024, 03:53 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: ''Vëllazëria'' turke në Samitin e Ohrit!

E marte, 04.06.2013, 10:17 PM


''Vëllazëria'' turke në Samitin e Ohrit!

Nga Arbana Xharra

Angazhimit të shprehur të politikës së jashtme të Turqisë karshi politikave shqiptare e sidomos atyre të Kosovës po i hapen dyert nga skena politike shqiptare secilën herë e më tepër. Propagandat e shpeshta të “vëllazërisë” shqiptaro-turke janë përafruar nga të dy kryeministrat Rexhep Taip Erdogan dhe Hashim Thaçi. Ato janë mishëruar edhe më shumë me dhënien e aseteve kyçe që ua ka bërë familjarëve të Erdoganit qeveria e Kosovës.

Derisa në vitet e fundit, është duke u rritur tendenca me të madhe e Erdoganit për të shtrirë ndikimin e tij politik përmes marrjes në duar të ekonomisë në shtetet e Ballkanit, mentaliteti në Kosovë është duke e pranuar me lehtësi frymën erdoganiane. Përpjekja e tij dinake, i cili bën gjëja në krah të politikave shqiptare me deklarata qesharake kundër Serbisë, doli në pah ditë më parë, kur u rreshtua krah shteteve të cilat nuk reaguan edhe pse ftesa nuk iu bë presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo ngjarje reflektoi qëndrimet politike të 10 shteteve që ishin të ftuara për të marrë pjesë në këtë Samit në mesin e të cilave ishte edhe Turqia. Anashkalimi i Kosovës në këtë Samit, nxiti reagime të disa vendeve të cilat i dhanë mësim të mirë Maqedonisë, se Kosova është faktor i rëndësishëm i marrëdhënieve politike rajonale.

Ishte befasues refuzimi i pjesëmarrjes nga Kroacia, Sllovenia të cilat bashkë me Shqipërinë e thanë qartë se nuk do të marrin pjesë për shkak se Kosova nuk ishte ftuar.Ky reagim sidomos i Kroacisë e hodhi në ujë planin e presidentit të Maqedonisë, George Ivanov, për të cilin ka mjaftuar të mos i prishet disponimi i Serbisë me prezencën e Kosovës në Samitin e shefave të vendeve të përfshira në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që ishte planifikuar të mbahej në Ohër më 1 qershor.

Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ua bëri më dije se Kroacia mbetet e përkushtuar ndaj politikës së bashkëpunimit rajonal, solidarizimit dhe mbështetjen e plotë për të gjitha vendet e rajonit. Në këtë Samit do të merrte pjesë edhe komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, por Samiti dështoi kur edhe refuzuan pjesëmarrjen edhe Greqia me Bullgarinë. Në gjithë këto reagime të ashpra rreth pjesëmarrjes në këtë Samit, nuk bëri zë Turqia. Përjashtimi degradues i Kosovës, nuk pati rëndësi për Turqinë “vëllazërore” e cila nuk bëri përpjekje që t’i japë mësim Maqedonisë së kush janë aleatët e Kosovës.

Kjo ngjarje e para pak ditëve ishte vetëm një shembull i cili tregon politikën reale të Turqisë ndaj Kosovës dhe zhvesh qasjen erdoganiane, ndërkohë që në krah të Kosovës i dolën shtete tashmë anëtare të BE-së. Kjo ngjarje mori vëmendjen e mosftesës së presidentes, derisa me dinakëri Turqia u përpoq që fshehurazi të nxirret nga kjo situatë për të mos prishur “terezinë” e qëllimeve të saj politiko-ekonomike.

Turqia qysh vitin e kaluar propozoi që të krijohet asambleja parlamentare e shteteve të Ballkanit e cila u pa në përpjekje për të krijuar ngrirje të proceseve integruese të shteteve që janë në pritje të futjes në BE. Në të njëjtën kohë, politikat e BE-së i kanë bërë me dije vendeve që duan të integrohen që të mos i afrohen shumë Turqisë.

Por, politika shqiptare krahëhapur i ka mundësuar Turqisë që të pushtojë dalëngadalë ekonominë përmes tenderëve dhe projekteve të mëdha. Kryeministri Erdogan edhe më tej ka autoritet dhe shtrin me lehtësi ndikimin e tij në këto dy vende. Samiti i Ohrit duhet të jetë mësim për shqiptarët se strategjia gjeopolitike e Turqisë për Ballkanin ndryshon nga “vëllazëria” e Turqisë për shqiptarët.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora