E enjte, 25.04.2024, 06:56 PM (GMT+1)

Mendime

Kristo Frasheri: Romani i Ben Blushit dhe vleresimet e "analisteve" qe nuk e kane lexuar

E merkure, 14.05.2008, 06:00 PM


Kristo Frasheri
Romani i Ben Blushit dhe vleresimet e "analisteve" qe nuk e kane lexuar
 
Nga Kristo Frasheri

Ka disa ditë që ka dalë në qarkullim romani i Ben Blushit me titull "Të jetosh në ishull", prej 30 kapitujsh dhe 407 faqesh. Është një nga romanet e rrallë që ka shkaktuar debat nga lexuesit, në shtyp dhe në media, fill pas daljes në qarkullim. Është një rast akoma më i rrallë që një vepër letrare ka nxitur debat edhe nga analistët që ende nuk e kanë lexuar. Këtë e kanë pohuar vetë shumë nga pjesëmarrësit e debatit të cilët e kanë nisur vlerësimin e tyre duke pohuar: Romanin ende nuk e kam lexuar, megjithatë do të jap disa vlerësime.
Arsyeja? Arsyeja e debatit duhet kërkuar te tema që romani trajton dhe te reklamimi që i është bërë që në kopertinë si një "roman befasues i Ben Blushit, i cili vjen në letërsi nga politika". Veç kësaj, thuhet aty, duhet kërkuar edhe tema që trajton, temë e cila është marrë "nga një periudhë jo fort e njohur e historisë së Shqipërisë. Fabula, vazhdon prezantimi i romanit, shtrihet në gati katër shekuj duke sjellë në letërsinë shqipe, personazhe të njohur, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme e, në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga Librat e Shenjtë".
Kur ne, historianët, i lexojmë këto vlerësime, në adresë të një romani i cili, sipas botuesit, trajton historinë katërshekullore të Shqipërisë, kur dëgjon se autori i ka njohur deri "në imtësi" doket, zakonet, traditat, organizimin e jetës së përditshme dhe kur na thuhet se e ka parë në një dritë të re figurën e Skënderbet, familjen Komneni, Ali Pashë Tepelenën, historinë e Voskopojës e të tjera, e të tjera - nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta lëmë, siç thoshte Fan Noli, penën në qilar, mbasi s'paska më nevojë historia e Shqipërisë për ndriçim të mëtejshëm.
Po le t'i lëmë shakatë! Romani "Të jetosh në ishull" nëse trajton katër shekuj histori nuk është më roman, mbasi tregimi letrar duhet të trajtojë një temë të përcaktuar në kohë dhe në hapësirë. Sigurisht, ai nuk është as një vepër historike, mbasi ka që nga fillimi e deri në fund trill apo imagjinatë me veshje letrare. Pavarësisht nga kjo "Të jetosh në ishull" me autor Ben Blushin, është një vepër tërheqëse, me një stil tregimtar të këndshëm, e cila lexohet me kënaqësi dhe me kureshtje. Megjithatë, ajo mbetet një vepër letrare, me në bosht ngjarje historike.
Letërsia botërore njeh dy lloj veprash letrare me tematikë historike: vepra letrare që vërtiten rreth një personaliteti të njohur historik dhe e dyta vepra letrare që trajtojnë një trill me taban historik. Të dy këto gjini kanë dhënë mjeshtra të talentuar pa ngatërruar njëra tjetrën. Shekspiri (W. Shakespeare) na ka dhënë një Jul Çezar, ashtu siç e njeh historia. Për të respektuar portretin historik të Çezarit biografët thonë se Shekspiri studioi një mori burimesh historike, jo vetëm për të na dhënë Çezar historik, por edhe personazhet kryesore të dramës, një Mark Anton historik, një Brut historik e një Kas historik. Shumica e fjalëve që Shekspiri u ka atribuar personazheve dihet se janë krijesa letrare, por krijesa të tilla që nuk e shtrembërojnë as ambjentin historik, as portretin historik të protagonistëve të dramës. Po ashtu shkrimtari i madh gjerman Stefan Cwaig në biografitë e tij kushtuar Maria Stuartës apo Maria Antuanetës ka respektuar personalitetet femërore dhe portretet politike të këtyre dy grave të famshme. Ai ka respektuar gjithashtu ambjentin historik dhe rrjedhën e ngjarjeve të kohës së tyre. Ai na ka dhënë gjithashtu edhe botën e tyre shpirtërore, mendimet që bluanin në kokat e tyre, jetën e tyre intime dhe aspiratat e tyre politike, të cilat nuk ndeshen ose mezi ndeshen në burimet dokumentare, por që janë të besueshme për karakterin e tyre. Pikërisht për këto arsye veprat e tyre dhe vepra të tjera të ngjashme me to, pavarësisht se nuk janë pikë për pikë të dokumentuara me burime historike, ato janë vepra letrare të vyera.
Përkundrazi, në veprat letrare me taban historik autori trajton personalitete dhe ngjarje johistorike, por që i përshtaten ambjentit historik, zakoneve, mentaliteteve deri te veshjeve të kohës. Ndër veprat e tij letrare shkrimtari i madh rus Leon Tolstoi ka një tregim historik mbi bashkësitë e hershme të krishtera, të cilin ai e ka ndërtuar duke respektuar njohuritë që ka historia mbi këtë periudhë. Po ashtu shkrimtari skocez Walter Scott në tregimin e tij "Ivanhoe" e ka përshkruar jetën mesjetare të atdheut të vet gjatë luftave midis tre kombësive - bretonëve, saksonëve dhe normandëve, që ndodhën në shek. XII, me aq vërtetësi dhe portretin e mbretit Rikard-Zemërluani me aq qartësi, saqë me shtjellimin e vet letrar, vepra e tij ndihmon lexuesit ta përfytyrojnë më mire sesa nga trajtimet historike realitetin e Anglisë feudale të shek. XII. Madje kërkesa për të pasqyruar tabanin historik të gjinive letrare historike shkon deri te respektimi i veshjeve të protagonistëve. Kur para një shekulli një regjisor austriak e paraqiti në skenë Jul Çezarin e Shekspirit të veshur me frak, shfaqja dështoi plotësisht. Shkak i dështimit nuk qe interpretimi i aktorëve, por rrebeshi i kritikave ndaj veshjeve të protagonistëve.
Ne prisnim që "analistët" në vlerësimet që ata dhanë në faqet e shtypit, apo në tryezat televizive të përqëndroheshin në vlerat letrare të veprës së Ben Blushit. Përkundrazi, pothuajse të gjithë u hallakatën në faktorët që përcaktuan përhapjen e islamizmit ndër shqiptarët. Kjo për arsye se, me dashje ose pa dashje, autori ka krijuar te lexuesi përshtypjen se gjatë sundimit osman, Shqipëria ka jetuar si një ishull, për shkak të përhapjes së fesë islame ndër shqiptarët. Ata harrojnë se kemi të bëjmë me një vepër letrare dhe se autori i një vepre letrare ka liri të plotë ta vendosë ngjarjen ku të dojë dhe personazhet si të dëshirojë. Tregimtari frëng Jules Verne (Zhyl Vern) ka përshkruar udhëtime imagjinare si për shembull në tregimet "Nga toka në hënë", ose "Njëzetmijë lega nën det", ose "Rreth botës në 80 ditë" e të tjera, pa lëvizur nga Franca, pra pa vajtur në Hënë, pa u zhytur në fund të oqeanit dhe pa udhëtuar rreth botës. Megjithatë askush nuk e ka kritikuar Zhyl Vernin dhe askush nuk e ka penguar atë që ai të bëhet një shkrimtar i famshëm në shkallë planetare. Përse? Pikërisht sepse kemi të bëjmë me një vepër letrare dhe jo me një trajtesë historike apo shkencore.
Ç'është më e keqja në debatet që u zhvilluan rreth romanit të B. Blushit vihen re dy difekte serioze, të cilat është e domosdoshme të vihen në dukje, sepse po bëhen rrugë. E para, shumica e diskutantëve të pajisur me kartvizitën e analistit, pohuan se nuk e kishin lexuar fare romanin "Të jetosh në ishull". Deri disa kohë më parë ky guxim për të diskutuar mbi një vepër pa e lexuar vihej re vetëm në ditën ceremoniale të promovimit të saj. Aty thuhej "veprën nuk e kam lexuar, por do të them dy fjalë për të". Të paktën në të tilla takime, fjalët i merrte era dhe nuk linin gjurmë, veçse në buzëqeshjen ironike të të pranishmëve brenda në sallë. Por të dalësh në shtyp, domethënë të lësh gjurmë se ke kurajë të flasësh për një vepër pa e lexuar, gjë që do të thotë se ke (nuk di si ta quaj) të paktën papjekuri. Kjo nuk i shkon për shtat sidomos një historiani, si p.sh. Beqir Meta, i cili e fillon debatin e vet si qëmoti në mbledhjet e rretheve letrare "realisht nuk e kam lexuar këtë roman. Nuk kam pasur mundësi, por mund të gjykoj në përgjithësi".
E dyta, ka të bëjë me disa "analistë" të cilët kujtojnë se janë historianë, pavarësisht se ndoshta nuk e dinë se ku banon historia. Kjo është një sëmundje shumë e përhapur tek ne. Për shumëkënd historia është një dituri jetime, është një shkencë që mund ta përvetësosh në vatrën familjare dhe ta pasurosh në tryezat e kafeneve. Sipas këtij mentaliteti, vendi s'ka nevojë as për Fakultet të Historisë, as për Institut të Historisë, as për studime shkencore historike. "Jemi në demokraci - thonë - dhe kemi pikëpamjen tonë për ngjarje historike". Në debatin që u organizua nga gazeta "Tirana observer" më datë 30 prill 2008, drejtori i stacionit televiziv "Ora", Alfred Peza, ish-kryeredaktor i disa gazetave të kryeqytetit, tha se "feja myslimane u përhap në Shqipëri nga Perandoria Osmane, ashtu siç u përhap dhe feja e krishterë nga Perandoria Romake". Duket se ai nuk e di se fenë e krishterë nuk e përhapi Perandoria Romake, se feja e krishterë u përhap si një lëvizje kontestatore kundër Perandorisë Romake, se Perandoria Romake e luftoi egërsisht fenë e krishterë për tre shekuj me radhë, se feja e krishterë triumfoi pasi militantët e saj të parë, duke filluar nga vetë Krishti, u kryqëzuan, u persekutuan, u burgosën dhe se feja e krishterë fitoi të drejtën e qytetarisë vetëm në vitin 313 të erës sonë. A. Peza thotë se "Ahmet Zogut i duhet njohur merita e madhe e ndarjes së shtetit nga feja". Por ky pohim nuk pasqyron të vërtetën. Kur Zogu erdhi në pushtet e gjeti shtetin shqiptar të ndarë nga feja. Për të parën herë shtetin shqiptar e ndau nga feja Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912. Ndarjen e shtetit shqiptar nga feja e ripohoi Kuvendi Kombëtar i Lushnjës më 29 janar 1920. Për të tretën herë shtetin shqiptar e ndau nga feja qeveria demokratike e Fan Nolit më 17 qershor 1924. Ahmet Zogu nuk bëri gjë tjetër veçse eci në trasenë e shtruar nga parardhësit e tij. Tjetër dëshmi që tregon njohuri të cekta të analistit A. Peza për historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë, është pohimi i tij se Ali Pashë Tepelena "krijoi një nga shtetet më të fuqishme të asaj periudhe, pothuajse në kërthizën e Perandorisë Osmane". Dihet se Pashallëku i Janinës i Ali Pashë Tepelenës nuk ndodhej në "kërthizë" por në periferinë ekstreme të Perandorisë Osmane, kurse në kërthizën e saj ishte Anadolli. Më tej A. Peza kritikon Ramiz Alinë, i cili pas vdekjes së Enver Hoxhës ka thënë: "Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim". Për të rrëzuar këtë pikëpamje ai sjell si shembull thirrjet e lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!" Ç'do të thotë kjo? Pa dyshim kjo do të thotë se studentët kërkonin me të drejtë që Shqipërinë ta bënin Evropë, meqënëse ajo, sipas tyre, nuk ishte ende Evropë, pra as Lindje, as Perëndim.
Natyrisht pati edhe debete nga analistë që e kanë lexuar romanin e B. Blushit. Megjithatë, ndonjëri prej tyre nuk qëllon në shenjë. Pavarësisht nga kjo, përderisa e ka lexuar, ai gëzon të drejtën të japë gjykime dhe vlerësime. Të flasësh si flet p.sh. Edlira Gjoni kur thotë se "romakët sollën katolicizmin", ose kur pohon se B. Blushi "i thurr lavde ortodoksisë me të njëjtat nota që shpërfill islamizmin", do të thotë të shesësh broçkulla, kurse të thuash që "Blushi e ka lidhur fatkeqësisht thelbin e romanit me ortodoksinë greke…dhe e zhvesh shqiptarizmin nga çdo shenjë e injektuar e islamizmit", do të thotë të tregosh ligësi. Megjithatë nuk mund të kalohet pa thënë se ka raste kur analisti e ka lexuar veprën dhe jep gjykime letrare, të cilat duhet të merren në konsideratë. P.sh. Arta Marku thotë me të drejtë se "Të jetosh në ishull" nuk është histori. Po ta marrësh si histori, nënvizon ajo, vepra e B. Blushit do të rrëzohet si një kështjellë në rërë. Por edhe si vepër letrare ajo mendon se romani përfaqëson një "hapësirë të vakët letrare dhe kulturore shqiptare". Kjo, përfundon ajo, dhe jo historia që ajo përmban "është vlera e vërtetë e romanit".
Unë jam historian dhe nuk kam për qëllim as ta mbroj, as ta kritikoj brendinë e romanit të B. Blushit, mbasi ai është një vepër letrare. Pyes veten se kur do të vijë ajo ditë kur analistët tanë të kulturuar, të pajisur me diploma, të binden se dhe historiografia është një shkencë si gjithë të tjerat, se kjo dije nuk është një kostum që mund ta blesh në Pazar qoftë edhe me mijëra euro, por një shkencë që mund ta përvetësosh fillimisht si manual në fakultet, kurse si shkencë të vërtetë mund ta zotërosh vetëm pasi të lodhesh për vite të tëra duke lexuar në shtëpi, duke studiuar në biblioteka, duke hulumtuar në arkiva dhe duke debatuar me kolegë. Ky deficit vihet re dhe në tërë ata analistë që siç thoshte Fan Noli, kanë si njohuri historike hirrë dhe jo gjalpë.
Sidoqoftë në këtë roman është respektuar vetëm njëra nga dy kërkesat e fabulës: hapësira, pra vendi ku ajo zhvillohet, e cila lokalizohet në Shqipërinë e Jugut. Por kërkesa tjetër, koha, është konfuze, madje e stërgjatur, si rrjedhim jo historike. Romani përderisa nis me një personazh imagjinar të një kohe, edhe pse jo fort mirë të përcaktuar, me debatin midis imamit dhe Ibrahimit dhe mbasi imami e pranon konvertimin e fshatarit të krishterë në fenë islame, puna e donte që gjithë ngjarja të shtjellohet në kohën dhe në hapësirën e personazhit qëndror të romanit për të na bindur përse ky fenomen mori përmasa të mëdha dhe në ç'kohë ndodhi ky konvertim masiv i shqiptarëve. Romanit nuk i mungojnë pasaktësitë historike. P.sh. të drejtën për të pranuar kthimin e një jo myslimani në fenë islame nuk e kishte imami, i cili ishte vetëm predikator i fesë, por kadiu i Zyrës së Sheries. Por meqënëse është vepër letrare, nuk dua të ndalem me pasaktësitë faktologjike që ka romani. Megjithatë, nuk është keq që edhe në një vepër letrare saktësitë faktologjike të kësaj natyre të respektohen. Analisti Pirro Misha për shembull u përpoq të na bindë me një mendim që ka dhënë Mehdi Frashëri. Nuk dua të hedh poshtë njohuritë që kishte Mehdi Frashëri për fenë islame dhe për historinë osmane, por përderisa ai nuk na ka dhënë një trajtesë shkencore mbi historinë fetare të islamit në Shqipëri, qoftë edhe si atë që na ka dhënë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, pikëpamjet e tij gjithsesi nuk përbëjnë argumente. Ndoshta autori i romanit dhe ca më tepër analistët e tij shkasin në të tilla pasaktësi, meqënëse deri sot historia fetare e Shqipërisë nuk është zbardhur në ndonjë punim shkencor. Veçse duhet patur parasysh se tjetër është ta trajtosh historinë fetare të Shqipërisë në bazë të kritereve shkencore, dhe tjetër është të kesh opinione mbi historinë e feve.
Ca më tepër, për përhapjen e fesë islame në Shqipëri ende nuk ka një traktat shkencor shterues të mbështetur mbi burime dokumentare historike. Ato që janë shkruar deri sot për fillimet e islamizmit në Shqipëri duhet të konsiderohen vetëm si orvatjet e para për të ndriçuar kohën dhe shkaqet e këtij fenomeni. Nuk mungojnë shkrime me pikëpamje mbi kohën kur filloi islamizimi i shqiptarëve dhe me arsyet e apostazisë së tyre nga krishterimi në islamizëm. Por autorët e këtyre shkrimeve janë kufizuar vetëm me shfaqjen e pikëpamjeve, të gjykimeve apo të vlerësimeve pa u mbështetur në burime dokumentare dhe pa u shoqëruar me argumente objektive, për këtë arsye ato mbeten pikëpamje dhe nuk hyjnë në fushën e historiografisë shkencore. Në këtë drejtim kontribut kanë dhënë Faik Konica 1938, Kristo Frashëri 1959, Tajar Zavalani 1966, Selami Pulaha 1974 dhe Ferit Duka 2002. Ndërkohë nuk mungojnë punime, si p.sh. ato të Nexhat Ibrahimit (Kontaktet e para të islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane, 1997; Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, 1998; Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar, 2003) dhe ai i Ali Bashës (Islami në Shqipëri gjatë shekujve, 2000), të cilët janë të ngarkuara me paragjykime islamike aq të theksuara, sa në to pohohet pa patur asnjë mbështetje dokumentare se shumica e shqiptarëve apo e iliro-shqiptarëve, siç shprehen në to, para se të përqafonin krishterimin kanë përqafuar që në shek. IX fenë islame. Natyrisht me të tilla teza këto punime kanë dëmtuar vetveten dhe as që mund të renditen në kategorinë e punimeve shkencore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për punime të trajtuara nga paragjykime fetare të krishtera.
Përfundimisht, para historianëve mbetet si detyrë themelore trajtimi i Historisë Fetare të Shqipërisë, i mbështetur mbi burime historike dokumentare, i trajtuar me metodikë studimore shkencore dhe i përpunuar pa paragjykime fetare, të cilatdo besimi apo riti. Shpresoj se autori i këtij shkrimi do të çojë së shpejti në shtyp Historinë Fetare të Shqipërisë, me përpjekje për të hartuar, me sa ka pasur mundësi, me këto kritere.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora