E marte, 16.04.2024, 02:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Drita Lushi: ''Siç më the ti''

E marte, 04.06.2013, 08:49 PM


Mbi librin  - “SIÇ MË THE TI”- të  Shefqet Sulminës

NGA DRITA LUSHI

Pas “KITARA E DASHURISË” që më ra në dorë para pak muajsh(i cili nuk është i vetmi libër  i këtij autori),libri tjetër “SIC MË THE TI” është një surprizë e bukur për mua si  bashkëredaktore, por mbi të gjitha për lexuesin shqiptar.

Dalë nga shtypi para dy javësh ai është një prurje pranverore që të flladit me ngjyrat e vargut e larminë e tematikave.

Kur nis të lexosh poezinë e Shefqetit të duket se sheh përballë dhe “atë”, personazhin imagjinar poetik të cilin ai e krijon në varësi të poezive, dhe që,aq bukur na ndihmon për të shijuar bukurinë e tyre.

Poezitë e tij nuk janë standarte, thjesht një rimë fikse apo varg i lirë.

Unë personalisht mendoj që një poet apo krijues, duhet të “thyejë” ndonjëherë disa rregulla standarte, e mund të mos u përmbahet rimimeve fikse abab,aabb abba.

Si mund të shprehet bukur e lirshem nëse rigorozisht do numuronte rrokjet?Bota dhe fjala poetike vetiu duhet ti “ndryshojë” disa rregulla, te cilat pranohen në poezi të bukura.

Nuk jam e parimit, ose të përkrah atë, që njerëzit thonë shpesh: ”Rregullat, janë bërë per tu thyer”

Jo!

Une mendoj, që rregullat i bëjne njerëzit,dhe po ata mund t’i ndryshojnë.

Veç  poezisë dhe personazhit  të krijuar poetikisht nga Sulmina, shpesh gjejmë dhe një personazh të tretë, në natyrë, i cili mund të jetë deti, pylli, hëna apo një stol në park, të cilat ai i vë në funksion të poezisë.

Ai nuk zbukuron fjalën, por thotë c’ka ndjen në vargjet e tij.

Ndoshta spontaniteti dhe thjeshtësia e shprehjes i japin formë e bukuri, poezive të Sulminës.

Ato nuk janë te lodhëshme, të mbingarkuara  metaforikisht,dhe si të tilla, nuk e fusin lexuesin nëpër lodhje e stërlexime.

Ato lexohen, kuptohen, ndjehen dhe pëlqehen në moment.

Poezitë e tij janë çaste, të shkruara në pak kohë, janë ndjenja, ngacmime, të cilat poeti nuk i lë të “ikin” por i ndërton bukur në  vargje. Çdo gjë që memorja e shpirti fotografon ai  i  stampon në poezi e aq më shume në libër, si pasuria e vetme që ngelet përjetë për një njeri të ndjeshëm.

Ai, Atdheun e sheh si një grua të bukur dhe i drejtohet:

“Fytyrën kam përpara syrit tënd,

dhe dua ti kreh flokët.

Mos mi mbyll sytë,

mos, deti im!

Ndryshe më humb shëmbëllimi,

sa s’gjej dot veten,

dhe rroj për të tjerë”

Sa ndjeshëm e me mall i këndon Ai Atdheut, të bën ta duash më shumë dheun ku rron.

Poezia e tij, është jeta e përditëshme, orët që jetojmë, ndijimet, ndjesitë, ndjenjat dhe çdo gjë që na shoqeron ne qeniet njerëzore.

“Gruaja, nuk shkoi në punë,

i qe këputur një kopsë e fustanit.

Sapo ia qepa një kopsë,

tani po gatuan për darkë.

Janë gjëra të përditëshme që ndodhin,

një djalë dhe një vajzë…”

Mjaft poezi të tij, përshkohen nga një fill i hollë humori, e të vjen vetiu gazi në buzë.

Ja, kaq natyrshëm e thjeshtë vijnë poezitë e tij, por të ngelen në mendje pikërisht për këtë, e pëlqehen pikërisht, po për këtë.

Tematikat e tij janë të larmishme, e spontane.

Një tingull muzike apo një këngë ështe shtytje, që ai të shkruajë poezi aq të bukura, dhe ke dëshirë ti rilexosh për së dyti.

 

“OMAR AKRAM”

 

“Tani  brenda meje ka heshtje dhe pak mendime,

aq sa po të të  telefonoj ty,

do të trembesh.

Ndërsa dëgjoj branët e Omar Akramit,

që ti më solle mbrëmë për pranverën,

më duket aq e tepërt të të them se ndjehem vetem.

E ndërsa ti pothuaj  je larg,

unë ndiej hapat e tu dhe godas ca shkronja,

dhe kështu kot së koti, nis një varg.

Gota e ujit rri përgjysmë mbi tavolinë dhe letër,

Tik-tak,ti derën shtyn befas ngadalë…

Omar Akram…!”

Ndërsa ecën nder vargjet e lira të Sulminës, herë ndesh “Komitë”, apo “Burrë prej bore”dhe  “Ja pse”  “Hijet” “Flas-in me valët për Ty”.

Poeti nuk rri pa ironizuar dhe klasën politike, si në poezinë :”Ja pse”

“Që të flasësh me botën që të rrethon,

duhet të hash dy mëngjese,

dy dreka,

dy darka.

 

Ja pse politikanet janë të dhjamosur

në zemër

në bark

dhe në kokë

ja pse njerëzit  shndërrohen

të gjithë në politikanë

pa pasur gjë në kokë”

 

Edhe në poezinë,”Kohë migjeni”, poeti aq bukur fshikullon kohën në të cilën  jetojmë;

“Ështe kohë Migjeni

me syze e taka te larta,

me tramë të mbushur

dhe të shpejtë,

ështe kohë brehti

dhe kohë me gisht majtas dhe djathtas

dhe një në mes…”

 

Anafora e përdorur në disa poezi të Sulminës u jep atyre kërshëri, dhe tërheqje të vëmendjes së lexuesit:

Psh:

“Do që ti flas detit për ty?

Do që ti them se je e dashura e poetit?

Do që t’i them valëve që të të duan?

Do që në këmbet e tua ta bie bregun?

 

Do që të të veshë peneli i pranverës?

Do që të të marrë era e të të mbaje në duar?

Do që të bëhesh një pulëbardhë e gëzuar?

Do që të puthesh me qiellin, diellin dhe mua?

 

Do që të bëj për ty cfarë ti të duash?

Do që të bëj për ty çfarë do ti që të jesh?

Do që të jesh poezia më e bukur që shkruaj?

Do që të më bësh mua vërtet poet?”

Ne tërësinë dhe thjeshtësinë e poezive të Sulminës, shfaqet virgjëria dhe origjinaliteti poetik, mjaft i lakmueshëm  në këtë kohe ku nuk mungojnë përsëritjet dhe rënia në monotoni e poezive të autorëve të ndryshëm. Në këtë poezi, ke ç’gjen, ç’lexon dhe mbi të gjitha merr kënaqësinë e leximit të diçkaje të bukur që të ngelet në kujtesë.

 

Drita Lushi

Qershor 2013

Shqipëri.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora