E merkure, 24.04.2024, 07:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Prej Athinës së zezë të Roma e zezë

E hene, 03.06.2013, 06:06 PM


PREJ “ATHINËS SË ZEZË” TE “ROMA E ZEZË”

Naim Laçej, TANAGRA (Historia e genit dhe e gjuhës), Lezhë, 2012, f. 420.

Nga Begzad Baliu

Të nderuar Zonja e Zotërinj!

Dy dekadat e fundit, letrat shqipe në fushë të historisë po ballafaqohen me një varg çështjesh teorike e metodologjike të trajtimit të historisë kombëtare, politike dhe strategjike të shtruarjes së disa prej periudhave të saj, si dhe nacionale e rajonale të përfaqësimit të saj në kontekstin e trajtimit të tyre në tekstet e studiuesve të rajonit dhe asaj ndërkombëtare.

Për më tej vetëm viteve të fundit ne po ndeshemi me përpjekje të individëve, grupeve a institucioneve të shumta, që historisë kombëtare shqiptare dhe personaliteteve a periudhave të caktuara, t’iu japin frymë tjetër nga ajo që ka pasur deri më tash. Fjala është për përpjekjen që pasurisë sonë orientale t’i përcaktohet karakteri perandorak, ndërsa fytyra jonë europiane të identifikohet me çdo kusht me përkatësinë katolike. Fjalën e kemi për përpjekjet individuale të disa prej historianëve a publicistëve dhe më në fund edhe prej disa politikëbërësve që të rehabilitojnë struktura dhe individë të jetës sonë kombëtare: mbretër a diktatorë qofshin ata. Fjalën më në fund e kemi për prirjen individuale të disa historianëve a institucioneve vendore dhe sidomos ndërkombëtare për të përmbysur konceptet teorike dhe ndjenjat kombëtare ndaj së kaluarës sonë, përkatësisht përpjekjen për të përmbysur kultet nacionale për të kaluarën tonë (Skënderbeun dhe origjinën ilire), mbi të cilat ne kemi ndërtuar dy shekujt e fundit: gjuhën, identitetin, lirinë dhe institucionet kombëtare. Në këtë rrjedhë, nuk mund të përjashtohet as përmbysja që dy dekadave të fundit kemi shkaktuar me letërsinë e popullarizuar, ku temat për origjinën tonë gati sa nuk i kanë shpërfytyruar edhe faqet e teksteve shkollore.

Sot mund të thuhet se veprën që po e përurojmë nuk përfaqëson një linjë të tillë sepse ajo del jashtë këtyre periudhave, por unë dëshiroj të konstatoj që në fillim se vepra që po e përurojmë nuk del jashtë këtyre konteksteve, përkundrazi, veçantia e kësaj vepre qëndron në faktin se ajo del jashtë modelit popullarizues dhe përvojës sonë akademike, prandaj pikërisht për këtë arsye kjo vepër paraqet modelin e synimeve të reja akademike më parë se sa shembullin individual. Studiuesi ynë, me veprën e tij më parë se çështjet tematike i ka vendosur prioritet të tij shkollat teorike, përkatësisht një qasje tjetër metodologjike që po nxjerr krye në shkencën e historisë dhe jo vetëm të saj.

Vepra e mjeshtrit tonë Naim Laçej, Tanagra (Historia e genit dhe e gjuhës), është përpjekja e parë jona për t’iu përgjigjur një shkolle të re në dijen universale të shfaqur nga studiuesi i përmasave planetare Martin Bernali, madje jo vetëm duke u hedhur në përkrahjen a plotësimin e tij, por edhe duke e lëvizur atë nga e ashtuquajtura “Athinë e zezë”, në një përmasë tjetër, në “Romën e zezë”. Me këtë vepër përmasa kritike e shkollës indoevropiane nga Martin Bernali, që do të thotë se kritika e trashëgimisë greko-romake, si shtresë e trashëgimisë së vetme europiane të shekullit XVIII-XX, merr përgjigjen e plotë.

Vepra e studiuesit Naim Laçej, Tanagra (Historia e genit dhe e gjuhës), përbën një vëllim prej shtatë studimesh të karakterit të mbyllur, të cilat mund të lexohen si shtatë monografi, por që në tërësinë e saj është një monografi me përmasa kohore dhe hapësinore të hapura. Brenda saj janë botuar studimet Epirotët, Dryopët, Korkyrasit, Dardanët, Tanagra, Liburnët, dhe Omphalos. Në shikim të parë kapitujt e këtij vëllimi të ngjajnë në kapituj tematikë për probleme të cilat i kemi mësuar edhe më parë në Historinë e popullit shqiptar, por në të vërtetë, në të gjitha rastet ato tejkalojnë përmasat historike të njohjes krahinore a mitike të tyre. Në këtë vëllim ato ndërtohen si një tërësi metodologjike, si një strukturë e konceptuar mbi një model të përhershëm të hulumtimit, sado informacione mitike qofshin ato.

Vepra të tilla janë bërë përpjekje për t’u shkruar edhe më parë në studimet albanologjike, por asnjëherë si vëllime të sistemuara dhe të përpunuara mbi mitet a tekstet e njohura si letërsi greko-romake. Vepra të tilla janë shkruar dhe janë respektuar në mendimin shkencor kur janë diskutuar periudhat e errëta historike greke a romake, por pa të drejtë janë shpërfytyruar dhe janë injoruar kur është diskutuar e kaluara po kaq e errët e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore shqiptare. Vepra të tilla në studimet albanologjike janë shkruar nga studiues vendorë apo të huaj, prej fillimeve të saj, e kjo do të thotë që me fillimet shkencore të arbëreshëve të Italisë, por horizonti i pritjes së tyre në dijen shqiptare të shekullit XX ka qenë modest dhe i identifikuar kryesisht me termin letërsi romantiket, si dhe pa vendin e tyre të duhur në mendimin kritik shkencor. Për më tej, vepra të tilla janë shkruar kur e kur në mënyrë fragmentare, duke theksuar veçori të caktuara të një fenomeni historik, gjeografik, etnografik apo kryesisht gjuhësor, por asnjëherë si një tërësi e trashëgimisë sonë historike dhe gjuhësore. Asnjëherë nuk kemi pasur rastin të lexojmë një vepër me përmasa të tilla të plota, të ndërtuar mbi parime të literaturës mitike apo letrare, por duke ruajtur me besnikëri përmasën historike të tyre, si dhe duke i shoqëruar ato edhe me përbërës të tjerë kritikë të literaturës së kohës apo mendimit bashkëkohor.

Autori i kësaj vepre sjelljen tonë ndaj trashëgimisë e quan indiferentizëm. Me të drejtë mbase. Sado indiferenca vjen edhe si rezultat i ngritjes së mendimit kritik shkencor në jetën e një populli, indiferentizmi ynë ka edhe përmasa të tjera: përmasën e paskajshme të dembelisë orientale dhe përmasën donkishoteske të mentalitetit  mesjetar europian. E megjithatë, kur kthejmë kokën prapa dhe shohim sesa kemi bërë nuk kemi si të mos shqetësohemi për trashëgiminë tonë. Edhe ato pak dokumente të periudhës së mesjetës, janë veç se zbulime të rastit nga historianë të huaj, ndërkohë që dhjetëra e qindra arkiva të përmasave botërore, rajonale dhe shtetërore nuk e kanë provuar dorën tonë, frymën tonë, shpalosjen e dokumenteve të tyre nga studiuesi jonë, leximin e mendimit kritik të tyre nga syri jonë. A është kjo arsyeja pse studiuesi ynë, historisë së kësaj periudhe i qaset mbi letërsinë e shkruar dhe atë mitike, jo si një trashëgimi greko-romake, po si një trashëgimi mesdhetare e prapaskenës jug-perëndimore, ndryshe nga Bernali, i cili asaj ia atribuonte prapaskenën jug-lindore.

Dëshiroj të theksoj se si nga shkolla historiko-gjuhësore indoeuropianëve ashtu edhe nga teoria e  Bernalit trashëgimia antike e shqiptarëve ka gjetur mjaft hapësirë dhe do të gjejë edhe në teorinë e zhvendosur të tij në këtë botim të studiuesit Naim Laçej. Nëse në rastin e parë ajo është provuar nga studiuesit më të shquar të tre shekujve të fundit dhe shqipja është radhitur në dymbëdhjetë gjuhët kryesore të Familjes së madhe indoevropiane; në shkollën antisemitiste dhe antiracore, sikur do te donte ta quante Bernali, trashëgimia shqiptare do të merrte atë shtresë Lindore, të cilën unë e kam konceptuar me shtyrjen shekullore të Eposit të kreshnikëve, përkatësisht Këngëve legjendare nga Mesjeta në trashëgiminë e hershme paraindoeuropiane mesdhetare. Në këtë rrjedh shqipja sigurisht do të asimilonte pasurinë leksikore të shtresës së parë të njohur si trashëgimi e marrëdhënieve mes greqishtes së vjetër dhe ilirishtes, por që këtu shtrihet në trashëgiminë e përbashkët të adstratit pellazgjik dhe merr përmasa të tjera të zhvendosjes jo vetëm të historisë po edhe të shtresimeve gjuhësore.

Arsyet e një sinteze të tillë këtu dalin të plota jo vetëm për shkak se autori i tyre, si edhe shumë paraardhës të këtyre kërkimeve pretendojnë trashëgiminë shqiptare të Mesdheut, po se struktura e kërkimit dhe literatura mbështetëse e këtyre kërkimeve është sistematike, e plotë dhe e konsultuar në mënyrë kritike. Lexuesi i sotëm i studimeve albanologjike mund të mos pajtohet me shumë koncepte të autorit dhe madje me konstatime të tij në aspektin shkencor, por nuk mund ta përjashtojë atë apriori, sikur mund të përjashtojë botime të llojit ala Katapano, Majani apo edhe Falaci, të cilat shpeshherë dokumentet dhe përbërësit gjuhësorë e kohorë të tyre, nga faqja në faqe, i lexojnë pas dëshirës së tyre.

Kërkim dhe arsyetimi i studiuesit Naim Laçej në këtë vepër është total, tepër përimtues, sistematik dhe arsyetues, në formatimin Perëndimor të fytyrës së trashëgimisë pellazgjike, e kjo do të thotë edhe fytyrës europiane të trashëgimisë sonë.

Kjo është edhe arsyeja pse këtë vepër në letrat shqipe mund ta krahasojmë me përgjigjen më të mirë që i është dhënë jo vetëm indiferencës sonë në fushë të albanologjisë po edhe mendimit të ri të shkollës së Bernalit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora