E shtune, 20.04.2024, 09:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Identiteti i gjinisë asnjanëse (VIII)

E hene, 03.06.2013, 08:52 PM


RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPE

Nga Dr. Nuhi Veselaj

VIII. Anashkalimi  i vlerave reale të asnjanësit

në shqipen e sotme  letrare pasojë e

veprimeve të nxituara, APO JO?

Arritëm në kreun e gjashtë të këtij punimi dhe nuk dimë se e kemi gjetur apo jo, përgjigjen e plotë dhe të duhur në pyetjen pse lindi ky farë keqkuptimi ndaj asnjanësve të paranyjëzuar që nga vitet e ’50 deri nga vitet e ’90-a të shekullit të kaluar dhe që në njëfarë mënyre pasojat e një veprimi të tillë ndihen edhe sot?

 

Ne, siç po shihet nga titulli i këtij kreu, kemi bindjen personale se një dukuri e tillë e anashkalimit të vlerave të asnjanësit, është shfaqur, si të thuash, subjektivisht dhe ishte kryesisht pasojë e konstatimeve të nxituara të standardologëve tanë të kohës  Po si dhe pse ndodhi kështu? Si u formëzua dhe si u sendërtua një qëndrim i tillë? Mos vallë, atëbotë, nuk njiheshin mirë  vlerat reale të emrave të kësaj gjinie apo jo?

 

Sidoqoftë, pyetjeve të saposhtruara lidhur me këtë mbase më mirë mund t’i përgjigjeshin standardistët e atyre viteve dhe pasuesit e tyre sot, nëse mendojnë esëll megjithatë, neve situata e trajtimit të temës ose vetë përmbajtja e titullit që u vumë këtij kreu na imponon që të shprehim mendimin tonë rreth kësaj çështjeje, ashtu siç na merr mendja, madje qoftë edhe guximtarisht.

 

Natyrisht, e do puna, të tregojmë se ku e mbështesin mendimin tonë, në cilat fakte?

Këtu, pra, pa hyrë thellë në pyllin ende të pashkelur mirë të çështjes përkatëse në shqyrtim, ne përgjigjen tonë e  mbështesim në këta tre faktorë:

së pari, në reagimin e E. Xhuvanit, të viteve të ’50-a;

së dyti, në zëvendësimi i asnjanësit  prejpjesor të paranyjëzuar me trajta foljore në fjalorin tonë shpjegues FGJSSH të vitit 1980 dhe

së treti, do të ndalemi rreth një konstatimi të nxituar, paksa kundërthënës të prof A. Kostallarit.

 

Të shohim tani radhazi pak më në hollësi rreth përmbajtjeve të fakteve të sapocekura prej nesh lidhur me temën në shqyrtim

 

1)  Çka mësojmë nga reagimi i prof. A. Xhuvanit

 

Prof. Aleksandër Xhuvani, nga fundi i viteve ‘50 të shekullit të kaluar, duke mos e pëlqyer zëvendësimin e trajtave të asnjanësve si: të ecurit, të ngrënët, të qepurit, të ngrirët, të priturit, të fjeturit që bëheshin me emrat e prejardhur me -je: ecje, ngrënie, qepje, ngrirje, pritje, fjetje, pati reaguar, mjaft fuqishëm, ku veç tjerash pati theksuar si vijon:

 

“Duket faqezi se asht ba nji përdorim i tepërm i emnavet abstraktë me prapashtesa e sidomos me prapashtesën -je, tue nxjerrë jashtë emrat prejpjesorë të gjinisë asnjanëse“ dhe më tej konstatonte se kjo dukuri kishte ardhur ”nga gjuha e shkrimit e më fort ajo e shtypit të përditshëm, e cila ka marrë nji tendencë theksuese në të përdorunit e emrave abstraktë me -je dhe kjo vjen jo nga shtjellimi historik i gjuhës sesa nga influenca e gjuhëve të hueja neolatine ose sllave, qofshin këto nga të cilat përkthejnë e në të cilat zotëron ky proces i konstruktit sintetik të frazës me emra sufiksorë”. (Shih: Aleksandër Xhuvani, Vepra I, Tiranë 1980, f. 173.)

 

Kështu nga ky reagim shpjegues meditues, kuptojmë faktin se dukuria e zëvendësimit të asnjanësve të paranyjëzuar me emra prapashtesorë nuk ishte pasojë e “shtjellimit historik”, d.m.th. nga evoluimi i brendshëm i gjuhës sonë, po vinte nga ndikimi i jashtëm, d,m,th, nga ndikimi i gjuhëve të huaja në gjuhën e shtypit, (pra nga gjuha e përkthimit), ndikim ky formal subjektiv i gazetarëve pa përgatitje të duhur gjuhësore ose siç del nga shpjegimi i tij, se përkthyesit e gazetarët nuk e njihnin aq mirë natyrën e gjuhës popullore dhe kështu të ndikuar nga gjuhët e huaja përkatëse dhënëse këta fusnin në përdorim pa kriter emrat sintetikë, me prapashtesim, ndërsa asnjanësit (prejpjesorë e prejmbiemërorë) i anashkalonin, vetëm pse ata ishin analitikë, d.m.th. të parashoqëruar me nyjën e përparme që nuk i kishin ashtu barasvlerësit përkatës gjuhët e huaja, sllave e neolatine.

Pra, mendimi i prof. A. Xhuvanit nënkuptohet se anashkalimi me tepri i asnjanësve të paranyjëzuar bëhej, ngase nuk njihej sa duhej vlera e asnjanësve dhe për këtë shkak në gjuhën e gazetave e të përkthimit nuk përfillej natyra e gjuhës shqipe.

Si duket reagimi i prof, A. Xhuvanit nuk e pati ndikim e jehonë të duhur në atë kohë, jo vetëm te gazetarët e përkthyesit, por as tek standardologët e kohës, sepse anashkalimi i trajtave të asnjanësve, jo vetëm nuk u frenua, por përkundrazi, ndërkohë u përkrah, jo vetëm nga masmedia, por edhe nga njerëzit autoritarë të institucioneve shoqërore-shtetërore të kohës, përkatësisht nuk u mbështet kërkesa e prof. A. Xhuvanit as nga kuadrat gjuhësorë që aktivisht punonin ose që kryesonin a udhëheqnin veprime lidhur me procesin e konsolidimit, më drejt të njëzimit të normës së shqipes letrare në atë periudhë me plot sfida. Kur themi kështu kemi parasysh hartimin e teksteve shkollore e shkencore të asaj periudhe e më vonë që ndërlidhet me periudhën organizuese të ngutshme dirigjuese para e pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), kur prof. A. Xhuvani fizikisht nuk ishte më.

 

 

2)  Pasojat nga zëvendësimi i asnjanësit prejpjesor me trajta

foljore në FGjSSh (1980)

 

Si fakt a veprim tjetër me rëndësi me të cilin për pasojë u degraduan  nga përdorimi asnjanësit e paranyjëzuar, sidomos ata prejpjesorë, përveç zëvendësimit me trajta të emrave të prejardhur me prapashtesim asnjanësit prejpjesorë me -im, -je, ku duhej e ku nuk duhej, po përmendim edhe faktin se në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1980), në vend të asnjanësit që praktikohej në Fjalorin e gjuhës shqipe (1954) në mbi 1000 raste për shpjegimin e kuptimit të prejpjesorëve edhe të emrave përgjithësisht, tashti në fjalorin shpjegues normativ (1980), nuk përdorej më, sepse  në vend të tij futet në përdorim një shprehje tjetër me folje. Konkretisht në këtë formulim të ri. prejpjesori përkatës me prapashtesën -im ose -je shpjegohet jo me sinonimin në trajtën përkatëse të asnjanësit, po me tekstin sqarues: kuptimi sipas + folja përkatëse  (nga e cila shënohet veta I njëjës  e dëftores (veprore dhe pësore).

Në mënyrë që lexuesi ta ketë më lehtë me e kuptue këtë ndryshim formulimi dhe veprimi, po japim në vijim 5-6 shembuj nga të dy burimet, për të njëjtën fjalë, ku shihet se si është bërë konkretisht zëvendësimi i asnjanësit nga trajtat përkatëse foljore:

 

1 Në FGJSH 1954:

GUFIM – të gufuarit

ARNIM - t’arnuarit.

BLERJE -  veprimi i të  blerit.

GDHENDJE -të gdhendurit.

MBYTJE - të mbyturit.

PRITJE- të priturit.

PËRMIRËSIM - të përmirësuarit, të sjellët  në një gjendje më të

mirë.

2. Në FGJSSH 1980:

GUFIM – 1. Veprimi sipas kuptimit të foljeve gufoj, gufohet.

2. Pjesë e fryrë a e ngritur e diçkaje.

ARNIM - Veprimi sipas kuptimit të foljeve arnoj, arnohem.

BLERJE - Veprimi sipas kuptimit të foljeve blej blihem.

GDHENDJE - veprimi sipas kuptimit të foljeve gdhend gdhendem

MBYTJE - Veprimi sipas kuptimit të foljeve mbyt mbytem.

PRITJE - Veprimi sipas kuptimeve të foljeve  pres II pritem II.

PËRMIRËSIM 1. Veprimi dhe gjendja sipas foljeve përmirësoj

përmirësohem. 2. Tërësia e ndërtimeve, ndreqjeve.

 

Për mendimin tonë formulimi në FGJSSH (1980, pa e kontestuar zgjidhjen e tillë sinonimike ndoshta më atraktive, e cila nuk duket se është aq shumë i qëlluar semantikisht sa ta zhvlerësonte a ta rrëzonte tërësisht si të pa vlerë formulimin me asnjanësin nga FGJSH (1954). Sigurisht zëvendësimi i tillë kërkon sqarim. Lidhur me këtë mund të shtrohet pyetja: Është marrë parasysh fakti, apo jo, se nga veprimi i kuptimit të foljes  nuk del vetëm kuptimi i veprimit a i gjendjes së  emrave me -im e -je, por edhe ai i gjendjes në raste, por sidomos edhe i rezultatit të veprimit etj, por edhe i prejfoljorëve të tjerë, siç janë prejpjesorët pandajshtesorë, asnjanësi prejpjesorë e prejmbiemërorë me -esë, -si, shmëri  etj., pastaj femërori me paranyjëzim, ai me prapavajtje e të tjerë!? Madje, mund të kërkohet sqarim pse të dyja trajtat diatezore (veprore e joveprore) emërtohen në shumës si me qenë dy folje?! Krahaso tekstin: Veprimi sipas foljeve...(?)  Po ashtu mund të shtrohet pyetja, edhe pse del përgjigjja e qartë: Një veprim i tillë i zëvendësimit sa la rrjedhojë në pasivizimin e asnjanësit, pasi është fjala për mbi 1000 raste?!

Sidoqoftë, sigurisht pyetjet e tilla hapin diskutim, por për mendimin tonë, assesi,  nuk insistojm; të vënët në dyshim ligjshmërinë e mënyrës së tillë të formulimit. Madje as që mendojmë se gjithsesi duhet kërkuar rishikimi e një përdorimi të tillë sinonimik. Qëllimi ynë është të konstatohet se edhe ky fakt, përveç zëvendësimeve pjesërisht arbitrare, do të ketë ndikuar në një mase jo të vogël në pasivizimin e emrave të paranyjëzuar të gjinisë asnjanëse. Pra, zvogëlimi i numrit të asnjanësve në Fjalorin normativ (1980), do të ketë ndikuar që edhe në kontekste të tjera asnjanësi në fjalë të mos e ketë tretmanin e duhur. Për mendimin tonë lidhur me këtë rast-veprim është dashur të jepet sqarimi i duhur, ngase mungesa e një shpjegimi a trajtimi të tillë mendojmë se ka lënë pasoja të konsiderueshme që nuk janë të pavërejtshme edhe sot.

 

Po e sqarojmë kalimthi edhe një fakt tjetër. Edhe në Fjalorin e M. Elezit është praktikuar një zëvendësim i tillë i asnjanësit, sepse edhe aty prejpjesori shpjegohet me foljen përkatëse, por jo me të tashmen e dëftores, po me trajtën e paskajores së mirëfilltë. Në të vërtetë asnjanësi prejmbiemërorë shpjegohet me formulimin “emërzimi sipas + mbiemri përkatës, ndërsa prejpjesorët (edhe asnjanësi) sqarohen me formulimin “veprimi sipas +  infinitivi: me + pjesore, d.m.th. shpjegimi bëhet sipas trajtës së paskajores së mirëfilltë, zakonisht edhe këtu me të dyja format diatezore (veprore e pësore), si p.sh:

Grizatje  f.- Veprimi sipas me grizatë me u grizatë

Të grizaturit as. Veprimi sipas me grizatë, me u grizatë; grizatje

ose

Çermim m. Veprimi sipas  me çermue, me u çermue.

Të çermuarit as  Veprimi sipas me çermue, me u çermue, çermim.

 

Pra, M. Elezi, të dy prejpjesorët sinonimikë abstraktë i shënon veç e veç. Asnjanësin dhe të prejardhurin me -im ose -je i shpjegon njësoj me paskajore, por pas shpjegimit të kuptimit të asnjanësit e shton sinonimin e prapashtesorit me -im ose -je, duke i dhënë kështu njëfarë përparësie prejpjesorit përkatës prapashtesor, ndërsa dy trajtat e foljes nuk i emërton në shumës dhe nuk e përmend fare fjalën folje në togfjalësh:  Pra jo Veprimi sipas foljes a foljeve që praktikohet në Fjalorin e Akademisë (FGjSSh 1980, përkatësisht FSHS (1984, 2006), por vetëm Veprimi sipas + paskajorja e mirëfilltë.

 

Sidoqoftë, pa marrë parasysh faktin se nuk e kontestojmë një zgjidhje tillë me trajtën a trajtat përkatës të foljes a të foljeve, që praktikohet në fjalorin përshkrues normativ, mund të themi se një dukuri e tillë nuk ka ngjarë nga evoluimi i brendshëm i formave të asnjanësit të paranyjëzuar, por nga të shpikurit të një mënyre të re të të shprehurit sinonimik, nga hartuesit fjalorit normativ shpjegues të gjuhës shqipe, sigurisht me bindje se kjo mënyrë është zgjidhje më e mirë se shpjegimi me asnjanës.

 

 

3) Rreth një  konstatimi të nxituar kundërthënës

të prof. A. Kostallarit

 

Arkitekti, i pari me emër e mbiemër, ndër hartuesit e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), prof Androkli Kostallari, pothuajse pas 20 vjet distance nga reagimi i prof. A. Xhuvanit, përkatësisht pas afro 30 vjetësh pas botimit të FGjSh (1954), lidhur me asnjanësit riparaqet mendimin e vet, duke parashtruar këtë rast edhe të dhëna me interes, të cilat mund të shërbejnë e të shfrytëzohen edhe si përgjigje edhe për çështjen e shtruar prej nesh, ndonëse ne, siç shihet nga formulimi i nëntitullit e quajtëm konstatim të nxituar kundërthënës.

Në të vërtetë, paraqitja e diskutueshme e prof. A. Kostallarit ka ndodhur më 1989, pothuajse 10 vjet pas botimit të FGjSSh (1980), ku asnjanësi, vërtet, kishte përfaqësim jo të plotë, të diskutueshëm si nga pikëpamja numerike ashtu edhe nga ajo përmbajtësore.  Sido që të jetë, ja tani inserti integral lidhur me çështjen e asnjanësve i nxjerrë nga  një punim mjaft i gjatë i prof. A.Kostallarit:

 

“Në shqipen e sotme letrare nuk mund të flitet më për emra asnjanës të panyjshëm si kategori e gjallë leksiko-gramatikore. Struktura morfologjike e gjuhës sonë letrare njeh vetëm tipin e paranyjëzuar të emrave asnjanës si tip veprues (emrat prejpjesorë të tipit: të hyrët, të ngrënët, të menduarit dhe emrat prejmbiemërorë të tipit: të bardhët, të kuqtë, të zitë, të ftohtët. Kalimi i emrave asnjanës (të panyjshëm, d.m.th. i emrave asnjanës të vjetër të mirëfilltë të shqipes) si ballë, brumë, grurë, ujë etj. në njërën anë në klasat e emrave mashkullorë e ka thjeshtëzuar më tej strukturën morfologjike të shqipes së sotme letrare. Po edhe emrat asnjanës të paranyjëzuar nga pikëpamja morfosintaksore sot paraqiten si kategori gjsmasnjanëse gjysmëmashkullore (p.sh. thuhet të ftohtët e dimrit. E duron të ftohtët. Ka marrë të ftohtë. por të ftohtë i madh, jo madh. E kaluam të ftohtin e madh etj.) Kjo lidhet në radhë të parë jo me humbjen pothuajse plotësisht  të gjinisë asnjanëse të fjalëve përcaktues (të mbiemrave, të përemrave dëftorë e pronorë), por me vetë rrudhjen a shuarjen e  kategorisë së asnjanësit tek emrat e shqipes, dukuri që ka sjellë pasojat e veta në gjithë sistemin emëror, pra edhe tek mbiemrat, numërorët e përemrat. Kjo dukuri ka nevojë të sqarohet më tej me studime të veçanta, duke iu nënshtruar një analize të thelluar shkencore. Në përgjithësi mund të thuhet se me shuarjen e asnjanësit në fushën e emrave të mirëfilltë të shqipes është krijuar sot në gjuhën letrare një sistem i ri gjinisor me ndarje pothuajse dihotimike, në emra mashkullorë e femërorë”. (Shih: Studime mbi leksikun...III, Tiranë 1989 f. 54-55.)

 

Të vihet re se nga ky tekst i shkurtër i prof. A. Kostallarit, i cili në shikim të parë sipërfaqësor të lë përshtypje se mund të merret si shembull se si me pak fjalë mund të thuhet shumë, por kur hyn në brendi të tij fiton bindjen se aty janë shprehur vërtet konstatime, si të thuash, të përziera, disa të mbështetura mirë, por njëherazi edhe konstatime disi të nxituara kundërthënëse dhe si të tilla dalin edhe të diskutueshme ose jo aq të qëndrueshme.

Ne, pak si tërthorazi, por edhe drejtpërdrejt në konstatimet e tij, shohim çështje kundërthënëse, prandaj kërkojmë nga lexuesi që paraprakisht të përgatitet për t’i vlerësuar sa më drejt këto dy çështje të diskutueshme:

e para, në këtë paraqitje të prof. A. Kostallarit ka apo jo vërtet kundërthënie jo vetëm brenda këtij teksti, por edhe në krahasim me konstatimet e mëparshme të parashtruara ose të miratuara prej tij dhe

e dyta, një qëndrim i tillë, edhe pse paksa i përmjegullt, sa ishte ndikues tek kuadrot pasues ose keqkuptues të mësimeve të tij dhe ato pasoja rreth pasivizimi të asnjanësve a ndjehen ende sot, apo jo, në shqipen e sotme letrare nga mbrojtësit fanatikë të normës së shqipes së sotme letrare?

 

Në vazhdim, po shfaqim, pra, ndonjë vlerësim tonin, siç thuhet: për e kundër.

Së pari po përmendim faktin se nga ai insert si anë pozitive parimore që s’mund të mohohet dot, po theksojmë kërkesë-porosinë e autorit, shumë me vend, që dukuritë rreth asnjanësve  patjetër duhet t’i shtrohen një analize të thellë shkencore. Me një kërkesë të tillë, si të thuash, ai e pranon se kjo temë atbotë nuk dilte e trajtuar mirë, andaj lë vend të vëzhgohet me qëndrim  kritik ose  të verifikohet edhe qëndrueshmëria e konstatimeve të tij.

 

Së dyti, po shprehim rezervën tonë, në disa pika e nënpika, rreth disa mendimeve të paraqitura në atë tekst:

 

E para, që në fillim po theksojmë se konstatimin e tij se: “në gjuhën e sotme letrare nuk mund të flitet më për emra asnjanës të panyjshëm si kategori e gjallë leksiko-gramatikore”, kemi vetëm një dozë të vogël rezerve, sepse na duket se ai qëndrim mund të kuptohet si fort kategorik, ngase edhe gjuha e sotme letrare, kuptohet në domen të ngushtë ka emra asnjanës të ndërlidhur me fjalë e fraza të gjalla, të cilat janë të pazëvendësueshmedhe si të tilla gjithsesi janë të pranueshme edhe për standardin. Ne kemi e trajtuar sadopak këtë çështje, ndërsa këtu po e shtojmë vetëm një rast. Bie fjala te kjo fjali – periudhë:

: Me e la kryet me ujët të ftohtë, mendja e zemra të ndiejnë të ngrohtë(!).

Emrat kryet dhe ujët janë asnjanës të paparanyjëzuar nga emrat e mirëfilltë,të pranuar nga standardi, madje edhe fjala mendja mendtë mund të konsiderohet se ende mund të ruajë ndonjë gjurmë a element të emrit asnjanës të paparanyjëzuar dhe siç dihet këto fjalë, jo vetëm në këtë fjali, por edhe në të tjera, janë të gjalla ashtu siç gjallërojnë edhe disa shprehje frazeologjike e idioma me emra në gjininë asnjanëse që e kanë bekimin e standardit.

 

E dyta, te konstatimi tjetër, kur pranon autori se “emrat asnjanës të paranyjëzuar nga pikëpamja morfosintaksore, sot paraqiten jo me humbjen tërësisht të gjinisë, por si kategori gjysmasnjanëse gjysmëmashkullore”, nuk mund të quhet mendim i pambështetur, madje nuk mund të kundërshtohet as konstatimi tjetër kur kjo ndërlidhet jo me humbjen pothuajse plotësisht të gjinisë asnjanëse të fjalëve përcaktuese (mbiemrave e të përemrave dëftorë e pronorë), po ashtu  nuk shprehim aq  rezervë as me vetë rrudhjen, siç e thotë autori, kur kemi të bëjmë me ndonjë nënfushë semantike, por e quajmë konstatim shumë të diskutueshëm ose të pa menduar mirë kur shprehet en bloc për shuarjen e kategorisë së asnjanësit tek emrat e shqipes.  Pra, ky konstatim na duket i nxituar dhe kundërthënës sepse këtu, thuajse harrohet ajo që është thënë dy tre rreshta më sipër nga vetë autori se paranyjëzorët (prepjesorët e prejmbiemërorët) quhen siç janë; në të vërtetë, dy tipa veprues. Po këtë konstatim rreth tipave veprues e neutralizon edhe më keq në përfundim të insertit, se “me shuarjen e asnjanësit në fushën e emrave të mirëfilltë të shqipes është krijuar sot në gjuhën letrare një sistem i ri gjinisor me ndarje pothuajse dihotimike, në emra mashkullorë e femërorë, duke përjashtuar, apo jo, ose duke mos e përmendur fare lakimin IV, të emrave të gjuhës shqipe, lakim ky që u kushtohet pikërisht dy tipave veprues të asnjanësve të paranyjëzuar:  prejpjesorëve, tipi të folurit dhe prejmbiemërorëve, tipi të ftohtët. (Shih Gramatikën e Akademisë – morfologjia f 117-118.)

Pra, kjo dihotimi si sistem a mund të quhet si e tillë, si punë e mbaruar (!?), siç e thotë ai, “jo me zhdukjen” po “me shuarjen e asnjanësit si kategori e gjallë”, apo jo, kur anashkalohen dy tipat prodhues e veprues(?!).

Në kundërshtim me pjesën e mendimin kategorik të prof. A. Kostallarit rreth shuarjes së asnjanësiit, sidomos atij prejpjesor në shqipen standarde, shprehet edhe studiuesja Rosana Rushiti. Në të vërtetë, kjo studiuese, ndonëse nuk e sheh problemin plotësisht me qartësinë e duhur, siç e kemi interpretuar ne, megjithatë nuk bën keq, po bën shumë mirë, kur  konstaton se “ka raste, që emri prejfoljor (asnjanësi prejpjesor i paranyjëzuar n.v.) i cili e ka më të theksuar kuptimin e procesit është i pazëvendësueshëm”, sepse, sipas saj, emrat prejfoljorë prapashtesorë janë përgjithësuar me kuptimin e rezultatit të veprimit. (Vepra e cit.  f. 365.)

Pra, kur koncepti del i pazëvendësueshëm me fjalë të tjera, atëherë vërtet s’mund të bëhet fjalë për “shuarjen e gjinisë asnjanëse tek emrat e shqipes”?! as në perspektivë,  sigurisht, jo, siç.i del  prof..A. Kostallarit!

 

E treta, kemi vërejtje edhe rreth shembullit ilustrues të cekur aty: të ftohtë i madh ndaj të ftohtët madh, ku atakohet struktura vetëm një shembull nga tipi i asnjanësve prejmbiemërorë e jo edhe ata prepjesorë, që profesori edhe këtu del kundërthënës, sepse ai  kur përmend  shuarjen  ose zhdukjen (!) ka parysh , apo jo, të gjithë tipat e asnjanësve, andaj lidhur me këtë shembull vërejtjet tona po i shprehim në vijim në këto katër nënpika:

 

1. Një shembull i vetëm, (një) të ftohtë i madh ndaj (një) të ftohtë të madh, siç dihet nuk mjafton për t’u kualifikuar një dukuri e tillë si përgjithësuese (së paku jo edhe për prejpjesorët) ose të konsiderohet si një punë e thënë e bërë për  të gjithë asnjanësit prejmbiemërorë), përkatësisht, nuk mjafton që të shpallet kategoria e asnjanësit si një kategori jo e gjallë, apo e shuar menjëherë ose e dalë kohe evolucionisht, kur në shqipe ende gjallërojnë katër tipa asnjanësish.

2. Ç’është e drejta, njëjësi i mbiemrit të emërzuar mashkullor, siç e pamë më sipër, ndonëse i specifikuar a i rezervuar vetëm për emërtimin e njerëzve ose të ndonjë dukurie a një gjësendi konkret mund të jetë dëgjuar si e thënë spontanisht nga ndokush edhe në domen tjetër, si: njeri i ftohtë / i ftohti (njeri), përkatësisht  (na erdhi) dimni i ftohtë / i ftohti dimën (na erdhi), i ftofti i madh na ngriu, por gjithnjë thuhet të ftohtët e dimnit është i rrezikshëm. Pra  nuk është jashtë logjikes gjuhësore prirja që mund të dëgjohet e shprehur në të dyja trajtat, si b.f. në fjalitë vijuese të tipit:

1) Nga të ftohtët e madh të dimrit qenë ngrirë edhe njerëz rrugës(!).

2) I ftohti i madh i këtij dimri ka ngrirë edhe njerëz rrugës(?).

Emri të ftohtët i fjalisë së parë gjithsesi është emër asnjanës në numrin njëjës,, shpreh kuptim të përgjithshëm të fushës abstrakte, gramatikisht e normativisht është trajtë e rregullt, i takon lakimit të katërt. Ndërkaq, emri tjetër me të njëjtën rrënjor, në trajtën  i ftohti (i këtij dimri) është emër i gjinisë mashkullore, po në numrin njëjës, po shpreh një dukuri gjithsesi më konkrete dhe jo përgjithësuese abstrakte si rasti i mëparshëm, normativisht ende, si me thënë, semantikisht nuk e ka mbështetje të plotë normëzuese, ngase është krijim spontan.

Pra, shprehje të tilla mund të jenë dëgjuar edhe në kohën e prof. Kostallarit, siç mund të dëgjohet edhe sot, po kjo nuk do të thotë se rasti spontan me koncept konkret rrezikon zhdukjen e  trajtës së asnjanësit me koncept abstrakt, sepse sipas studimit që bëmë të dyja  rastet të ftohtët e madh, emër i gjinisë asnjanëse dhe i ftohti i madh emër i gjinisë mashkullore, mund të bashkëjetojnë fare natyrshëm në kontekste të caktuara, ngase i kanë të specifikuar nënfushat semantike. Gjithsesi, ndërsa tofjalëshi i ftohti i këtij dimni, mund të zëvendësohet me sinonimin: acari i këtij dimni, tofgalëshi të ftohtët si dukuri  nuk mund të zëvendësohet dot, ngase nënfusha e asnjanësit si koncept abstrakt mbetet e pambuluar, siç është argumentuar më përpara, po në këtë punim. Edhe këtë fakt duhet ta ketë parasysh standardologu i sotëm. Pra standardologu, për të ruajtur stukturën mozaike të gjallë, ngase ruajtja e tillë është me interes, duhet të tërheq vërejtjen që trajta i ftohti mos të përdoret për kuptime ideshë abstrakte, kur për atë nocion tashmë është e normëzuar trajta të ftohtët, po nëse del e nevojshme edhe trajta i ftohti, nuk përjashtohet të mos pëdoret për nënfusha të tjera semantike që karakterizohen me elemente të qarta konkretësie.

Me fjalë të tjera, ne mendojmë se rastet e tillë edhe në tregofshin prirje nuk duhet të na shqetësojnë fare, ngase edhe në këto raste nuk duket se do të ketë zhdukje po bashkëjetesë trajtash, siç u cek më sipër.

Së këtejme, trajta e asnjanësit, tipi: të ftohtët, si koncept gjithsesi mbetet në nënfushë të përgjithshësuese abstrakte, ndërsa trajta, ta quajmë të re, i ftohti i gjinisë mashkullore shpreh një si koncept, pak a shumë insdividualizues, jo abstrakt, po gjithsesi të ndërlidhur me konkretizim.. Pra dallimi i tillë nëse sqarohet mirë gramatikisht raporti abstraktizim / konkretizim, atëherë me siguri, nuk do të ketë zhdukje, po pasurim strukturash sinonmike gjuhësore.

Ne u ndalëm paksa më gjatë rrerth kësaj dukurie që syri i mprehtë i profesor Kostallarit e ka hetuar mirë, por ai në paraqitje nuk del fort i qartë. Themi kështu se pikëprisht ky shembull të ftohtët , siç u cek, është shënuar në Gramatikën e Akademisë (f. 160), si rast përfaqësues që duhet ruajtur nga rreziku i zhdukjes nga ndonjë trajtë spontane antinormë ose sinonimike, apo jo?!

Me fjalë të tjera më mirë do të ishte për studiuesit të merrej ndonjë shembull tjetër i diskutueshëm që t’i përgjigjej më mirë dukurisë së caktuar kundër normëzimit të sotëm, nëse vërtet ekziston, por sidoqoftë raporti abstraksion/konkretizim duhet pasur parasysh edhe në analiza të kësaj natyre.

3. Në të vërtetë, po në vazhdë të asaj që u cek më sipër, po shtojmë paksa se mund të dëgjohet e të thuhet normalisht të ftohtët e madh si dhe të ftohtit e madh, ashtu si të ecurit e drejtë dhe të ecurët e drejtë,  por për ne ka rëndësi se masivisht nuk po thuhet  i ftohtë i madh a i ftohti i madh, përkatësisht i ecuri i drejtë ose e ecura e drejtë, por po përdoret e po shqiptohet normalisht nyja e përparme, të ecurit, të ftohtët, e cila (nyja e përparme) që është karakteristikë e parë a  pjesë e pandarë e asnjanësit në njëjësin e pashquar e të shquar të emërores (e të kallëzore) po respektohet, pothuaj denjësisht në vazhdimësi në kontekste përkatëse.

Siç dihet, nyja e përparme në gjuhën tonë kryen dy funksione edhe si formant fjalëformues edhe si element gramatikor, dhe si e tillë (nyja e përparme) del e qëndrueshme, pikërisht si karakteristikë a pjesë përbërëse e pandarë e asnjanësit të paranyjëzuar.

Ç’është e vërteta, në dobi të zgjidhjes së çështjes së prekur nga prof. A. Kostallari, po sjellim disa shembuj nga gjuha e thjeshtë popullore, ku të ftohtët del me nyjë-mbaresën shquese -it, por nyja e përparme e emrit kryesisht del e qëndrueshme, siç janë këto shprehje popullore nga trevat e Veriut:

 

T’ftoftin kodra e përcjell e lugu e mbledh. T’ftoftit e hjek t’ftoftin me t’ftoftë. T’ftoftit e ka fajin e brymës po i jet dami. T’ftoftit edhe bryma e shkretë, s’i lenë laknat tona me rritë krye si donë vetë. T’ftoftit t’nishkon, fjala t’shiton. (Shih: D. Bajraktari, Fjalë të urta dhe thënie popullore shqipe, Prishtinë, 1994, f. 517.)

 

Të vihet re se te shembujt e tillë, sidoqoftë nyja e përparme si karakteristikë e veçantë e asnjanësit të paranyjëzuar, është stabile, pra edhe në viset veriore ashtu si edhe në ato jugore, andaj siç u tha, përherë në të gjitha situatat ajo kryesisht po del e qëndrueshme. Sidoqoftë, nëse spontanisht në të folur të shkujdesur nga individë të caktuar mund të dalë edhe ndonjë fjalë a shprehje, kur nyja e përparme del e konvertuar në i, ose përzihet ndonjë trajtë lakimi me paradigat e emrit në gjininë mashkullore, kjo nuk mund të godasë rregullën gramatikore në fuqi, e cila e mbron strukturën e asnjanësit me nyjën e  përparme dhe me të prapmen -t(ë). Fundja, ky rast nuk mund të krahasohet me dukurinë e rrudhjes, madje as me atë të bashkëjetës, siç ka ngjarë me asnjanësit e mirëfilltë emëror si b.f. ujtë  ndaj  ujë-i ujrat.

Në të vërtetë, edhe kjo dukuri lypset ndjekur, por përgjithësimi prej një përftimi të rastit nuk është për me u pranue si fakt ose për t’u përgjithësuar si prirje ose arsye për ndryshim rregullash leksiko-gramatikore.

4. Edhe nga shembujt e tjerë që do t’i sjellim më poshtë sa për ilustrim (prejmbiemërorë e prejpjesorë), një konvertim i tillë (të/i) siç e kemi trajtuar edhe më përpara në këtë punim dhe siç do ta sprovojmë tani, në dy versionet e mundshme  rindërtuese, del i pa qëndrueshëm, si p.sh.:

a) Ata kishin një të bardhë (të ngrohtë, të ecur, të folur, të buzëqeshur etj.) joshës ose Të bardhët (të  ngrohtët  të ecurit, të folurit, të buzëqeshurit) e tyre ishte joshës.. Pra jo i bardhë-i apo  e bardha e tyre po një të  bardhë /të bardhët.

b) E kishte përvetësuar mirë artin e të shkruarit (të folurit, të recituarit, të  gatuarit etj.) ose E kishte përvetësuar mirë të shkruarit (të folurit, të ecurit,  të recituarit, të gatuarit etj. ) si art. e kështu me radhë.

c) Fenomeni i të ftohtit (të folurit, të aguarit, të dridhurit, të kollituri etj.) është i njohur prej nesh  ose  Të ftohtët (të folurit, të aguarit, të dridhurit, të kollituri etj.) si  fenomen është i njohur prej nesh.

ç)  Mënyra e të kënduarit (të vallezuarit, të  kërcyerit, të luhaturit, të kollituri etj.) ishte karakteristikë e veçantë për ta ose Të kënduarit (të vallezuarit, të kërcyerit, të luhaturit, të stolisurit etj) si mënyrë, ishte karakteristikë e veçantë për ta.

Siç po shihet prof. Kostallari nuk e zë në gojë fare asnjanësin e tipit ablatival, sepse atbotë e sot,  ende nuk cilësohej qartë si tip i veçantë.

 

Pra, për të gjitha këto arsye të cekura në katër pikat e nënpikat përkatëse konstatimi i prof. A. Kostallarit u quajt kundërthënës ose paksa  i nxituar.

Fundi i fundit, për ne nuk është aq kontestues fakti nëse ndodh ndonjë rast që asnjanësi prembiemër të konvertohet në emër të nyjshëm mashkullor ose nëse lakimi i katërt, ku përfshihen asnjanësit e nyjshëm mund të inkorporohet brenda lakimit të emrave të gjinisë maashkullore me vërejtje si rast i veçantë. Për ne e rëndëshme është se asnjanësit e paranyjëzuar nuk i shtrohen as zhdukjes, as shuarjes, madje as rrudhjes, sepse e kanë temën e qartë motivuese fjalëformuese, e kanë të specifikuar nënfushën semantike që e mbulojnë dhe paraqiten aktivë e produktivë në jetën gjuhësore, ashtu si edhe asnjanësi ablatival, të cilët paraqiten të motivuar edhe nga mënyra fjalëndërtuese  me së- dhe fundoren -i ose –u karakteristike të emrit  të pashquar të rasës rrjedhore dhe si të tillë, edhe pse në formën e ngurëzuar kanë mundësi shumimi për nënfushat e caktuara gramatiko-semantike ku përdoren.

 

 

Sipërfundim

 

Nga sa u tha në këtë krye mund të nxjerrim si përfundim se në realitetin tonë gjuhësor zëvendësimi me sinonimikë të tjerë nën ndikimin e gjuhëve të huaja që ceket në reagimin e prof A. Xhuvanit, as zëvendësimi  i konceptit përkatës të asnjanësit me forma të tjera, siç ishte rasti në fjalorin shpjegues të shqipes letrare, madje as konvertimi i asnjanësve në gjini të tjera, nuk mund t’i kenë dëmtuar asnjanësit e shqipes sa të përçmohet ose të tronditet ekzistenca e tyre. Në të vërtetë, me tejkalimin e sprovave në fjalë asnjanësi tregoi forcën e identitetit të vet, sepse përkundër të gjitha këtyre sfidave vitaliteti i asnjanësve të paranyjëzuar assesi nuk ka shënuar jo vetëm zhdukje, po as tkurrje, përkundrazi, kur kemi parasysh nënfushën e qartë semantike që e mbulon, kemi  rritje numri të asnjanësve të tillë në standardin e sotëm gjuhësor.

Së këtejmi, po përsërisim, meqë asnjëra nga tri-katër faktet e sipërpërmendura, as ndikimi i gjuhëve a i konstrukteve lë huaja, as zëvendësimi me sinonimet përkatëse që nga Rilindja e këndej, as zëvendësimi i koncepteve të asnjanësit me format foljore, madje as supozimi i konvertimit në gjininë tjetër, nuk kishin mbështetje të forta e të përligjura evolucionore, anashkalimi i emrave të gjinisë asnjanëse në burimet e caktuara normëzuese mund të quhet si veprim arbitrar e me pasoja i shkaktuar nga keqkuptimi normëvënësve përkatës.

Fundja, siç u cek më sipër, standardologët tanë të sotëm nuk duhet të bien pre e prirjes së tejdukshme që treguesit anësorë të asnjanësit pothuajse tërësisht janë shpërbërë, duke kaluar në gjininë mashkullore (përemra, mbiemrat e numërorët) e vërtetë kjo e padiskutueshme, por në radhë të parë duhet ta shikojnë interesin e shqipes si sistem, sidomos përplotninë e strukturave të shqipes standarde, sistem ky i ravijëzuar sipas stileve funksionale, jo vetëm për sot e për nesër, por edhe për pasnesër e deri në pa kufi.

Të jemi më të qartë, duke pasur parasysh nyjën e përparme karakteristike të asnjanësit të paranyjëzuar si dhe nënfushën e qartë semantike që mbulojnë emrat e tillë në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit, atëherë kategoria e tillë emërore duhet ta merret, si me thënë, në mbrojtje, në mënyrë që mos të ndodhin në të ardhshmen  përçmime të trajtave të tilla, siç kanë ndodhur në etapën nga vitet ’50 –’90 të shekullit të kaluar), periudhë kjo e diskutueshme, pasojat e të cilave po ndihen ndjeshëm edhe aktualisht.

Në këtë kontekst po ripërmendim për të mirë hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe 2006, të cilët kanë futur në standard numër të konsiderueshëm të asnjanësve dhe ky veprim i tyre le të shërbejë jo si gjest, po si shembull i mirë që edhe standardologët e tjerë të ndjekin të njëjtën rrugë, duke e vlerësuar drejt edhe rolin e emrave asnjanës dhe përdorimin e tyre në burimet  përkatëse normative të gjuhës shqipe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora