E enjte, 25.04.2024, 01:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Në vrap të heshtur të dëshirës

E hene, 03.06.2013, 07:05 PM


NË VRAP TË HESHTUR TË DËSHIRËS

 

NGA QAZIM SHEHU

 

Në vrap të heshtur të dëshirës,

Ti rri si gonxhe,

Shpërthen fletët prej së mirës

Joshëse.

 

Rri dhe rrinë pranë teje

Dhjetra lakmitarë bezdisës

Si ca re të murrme pranë diellit,

Kur retë i afrohen tinëz.

 

Por në vrap të heshtur të dëshirës

Kaq e beftë si një rreze,

Ia çan fytyrën errësirës

Si një thikë çan një beze.

 

Dhe ik e ik e diku ndal

Në vrap të heshtur të dëshirës,

Askush s`të afrohet se ai vrap,

I ikën lakmimit bezdisës…

 

 

ZBULIMI

 

U zbulua gjithçka e s`mbeti gjë pa zbuluar,

Vetëm zemra ca shenja nuk i shfaqi kurrë,

Si toka që nuk shfaq ç`ka grumbulluar

Diamante e perla , në thellësi qëkur.

 

Kërko e vritu për diamantet e saj

Kërko thellësive me sondë danteske,

Dhe ja ku shpërthejnë fontanat e naftës,

Dhe pastaj luftrat që nisin plot ethe.

 

Veç shenjat e zemrës mbeten përherë,

Gjithnjë të pazbuluara, mister, tmerr,

Miliona sonda vështrimesh në erë,

Digjen në koracën e saj të butë,

Në delirin plot vrer…

 

 

SHËN NAUM

 

Në kodër, manastiri,

Sikur ka dalë nga liqeni,

Një kurorë prej floriri.

Shën Naum,

Ata të shitën,

Të lanë matanë,

Gjer këtu zogjtë krakëritën,

Pastaj hijen e përgjakur

Në liqen lanë.

Aq i fajshëm ndihem,

Shën Naum

Sa më duket se firmën

Për ty,

E hodha unë…

 

 

YJET PIKËLLOHEN HESHTUR

 

Yjet pikëllohen fshehtas,

Si gratë s`e tregojnë pikëllimin,

Drita e tyre bie mbi detra

Për thellësitë digjet.

 

Digju e pikëllohu gjithnjë,

Pikëllohu e mbarohu nga pak,

Me ta, kjo botë dritën lë,

Errësira i afrohet në prag.

 

Si gratë që janë lodhur nga mirësitë,

Forcë nuk kanë më të jepen,

Duke u ngjarë yjeve plot dritë

Që duke ndriçuar djegin veten?....

 

 

VIJA

 

Një vijë e zakonshme e gjirit,

Është një vijë fati,

Një rreze përcëllimtare dielli,

Në fytyrën e të burgosurit,

Me mungesë shtrati.

 

Një vijë e mundur, kufi i thyer,

Dhe e pamundur si një kufi,

Nëse do mundesh për ta kapërcyer,

Bie në klon, korent të zi…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora