E shtune, 20.04.2024, 02:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Agim Mato: Udhëtimet e mëdha fillojnë nga shpirti

E diele, 02.06.2013, 11:56 AM


AGIM MATO

 

LUNDRIMET E MËDHA FILLOJNË NGA SHPIRTI

 

Përpiqem të gjej rrënjët e dëshpërimit

ku është mpleksur spiranca e lundrimeve të tua.

Hetoj ujrat e kaltërta të syve të tu,

llokoçitjen e halave të qerpikëve, si shelgje lotues,

ku frika ka ngritur folezat e një dyshimi.

 

O brishtësi e trembur, o turbullim miturak,

O trumcak i urritur për një gllënkë qiell,

mos e lerë dritën tënde të përpëlitet nga terri,

mos e lerë shikimin të më pyesë me këmbëngulje

për dramën e një udhëtimi të ndërprerë

që mendon se luhet brënda teje.

 

Ç’ dramë? – të them unë. Pa shikomë, bija ime,

nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e fatit?

A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim

dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e para?

Çfarë mendon se ke humbur

kur ende nuk ke mësuar

t’i nderësh pëlhurat e tua për udhëtimet e largëta?

 

Ku i ke pajimet dhe kalkulimet e trurit?

Në ç’palestër i stërvit ëndërrat e tua?

Në ç’liman pret të të brohorasin për finishin?

 

Vërtet nuk e di, bija ime, se lundrimet e mëdha fillojnë

 nga shpirti?

 

JAM PREJ LOTI

 

Jam prej loti. Jam vetëm një spitharë që gdhëndin

dallgët mbi  shkëmbinjtë  detarë për të depozituar

e përtharë shëllirën e ofshamave të tyre.

Një shtyllë kripe e ngulitur mbi dhimbjet jam.

Mos shikoni lodrën e dritës

që përthyhet në kristalet e klorurit të natriumit. Ato nuk

       janë shkëlqimi im.

 

Lotin kam.

Të rritur brënda vetes

vit pas viti,

dert pas derti. Lotin

që pak dinë ta shohin,

që pak dinë ta kuptojnë atë gur të çmuar të urtësisë dhe

                   durimit të madh.

 

 

TË FALËNDEROJ QË EKZISTON

 

Kur erdhe ti

çuditërisht u  terratisën

perënditë e rreme

që vërtiten rrotull njeriut.

 

Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.

 

Nuk e dija që ekzistonte ai dritësim i syve të tu

që përshkëndiste mijëra nuanca të kaltra rreth e rrotull.

U frenua verbimi brënda meje

dhe një puhizë e lehtë ëndërre

filloi të shtyjë dy vela të bardha

për të mbërritur në farin e vetmuar

ku rroja si një eremit deti

i harruar nga lutjet dhe blasfemitë e të tjerëve.

Drita që solle papritur ma trembi vetminë

dhe, i pamësuar me të, nuk guxova 

të rri gjatë përballë teje,

që të mos vuaja.  Pyesja hijen time

prej Heminguei

dhe ajo bëhej më memece se unë.

 

Tani të falënderoj që ekziston.

 

Maj 2013 

 

 

ERA E AKULLNAJAVE

 

Askush nuk e mban mënd  kohën kur nisi ai breshër 
                                                                        i rrëmbyer

sikur makina vetshkarkuese 
të shkarkonin zhavor

mbi taracat e dëndura të qyteteve.

 

Ç’ti kishte ndodhur aksit të dheut?

Në ç’drejtim filloi të ecte koha?

 

Përpiqeshim të hapnim dyert

dhe e kuptuam se ishim të bllokuar brënda apartamenteve

si brënda piramidave të faraonëve.

 

Atëhere u sulëm të dilnim nga dritaret

duke rrëshqitur mbi rruzujt e breshërit

dhe me brritma kërkonim ekuilibrin e humbur.

Një diell i ftohtë fosfori u shfaq i ngrirë sipër nesh

sikur ta ketë flakur në qiell

me spazma, nga gryka e vet,

një vullkan i akullt.

 

Cila perëndi mori hakën e miteve

dhe e shndërroi botën në një lodër kibernetike?

 

Sa shekuj do të na duhen

që të mbërrijmë në stinët e dikurshme?

 

Si do ta rikthejmë drejtpeshimin tonë?

 

2013

 

 

LAVDIA

 

Ecën si i dalë prej intervistave.

 

Një autograf i shkëlqen

si një mikrofon mizë

i harruar te jaka e xhaketës.

 

Baloni i një buzëqeshje

i përhumb shikimin.

 

Edhe kur bie të flerë,

qenia e tij lundron

pa e fikur dritën e saj.

Krevati shndërrohet në një anije

me velat e çarçafëve që i fryn lavdia.

 

Zbret në kohë të tjera.

 

Beson se rastësisht

fati e hodhi midis nesh.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora