E enjte, 28.03.2024, 05:21 PM (GMT)

Kulturë

Aleksandër Lalo kompozitori rebel, pa asnjë titull

E shtune, 01.06.2013, 03:10 PM


“Një milion shqiptarë” janë shpallur “Mjeshtër i Madh”, Aleksandër Lalo s’ka marrë një fletë-Lavdërimi

Aleksandër Lalo kompozitori rebel, pa asnjë titull

Margës,bashkëshortes, më vinte turp t’i propozoja

Nga Albert ZHOLI

Në sallën e orkestrës Simfonike të RTSH-së, këto ditë u shfaq filmi dokumentar “Lalo” me rastin e 65-vjetorit të kompozitorit të madh. Në këtë organizim kishte mjaft këngëtarë, instrumentistë, kompozitor, aktorë, gazetarë miq dhe të afërm të kompozitorit. Një film i realizuar me mjaft kujdes nga gazetarja dhe skenaristja Elona Paja. Në këtë takim –shfaqe e morën fjalën shumë personalitete të artit dhe të kulturës të cilët vlerësuan punën e Lalos dhe pse nga shteti ky kompozitor është lënë në heshtje, dhe nuk ka marrë asnjë vlerësim moral institucional.

Petrit Ruka-poet, skenarist

Të gjithë e dimë e kujtohemi ta themi ndonjëherë “që një Zot e di se çdo të ishte bota pa muzikën!”.  “Kur kthehen dallëndyshet”, është  një nga krijimet e mrekullueshme më të fundit të kompozitorit tonë  Aleksandër Lalo dhe që vjen sot si një dhuratë e veçantë  e Kuartetit të Harqeve të RTSH, të udhëhequra  nga  një virtuoz  si miku ynë i përbashkët Aristidh Prosi. Sot është një ditë dhuratash të tilla simbolike dhe një natë mirënjohjeje për një njeri, që tërë jetën na ka dhënë muzikë të bukur dhe që quhet Aleksandër Lalo, i cili po feston përvjetorin e tij të 65- të  të një jete të pasur artistike.  U gëzova shumë kur mora vesh që një vajzë e re dhe e talentuar, punonjëse e Radio Televizionit Shqiptar, Elona Pajo, kishte ndërmarrë iniciativën për t’i bërë një dokumentar, Sandrit tonë, por u gëzova akoma më shumë, kur mësova se kish patur mbështetjen e drejtorit të përgjithshëm të këtij Televizioni zotit Petrit Beci dhe të drejtoreshës  së Televizionit Mirela Oktrova, të cilit dua t’i falënderoj thjesht me atributin e një qytetari dhe të një artisti.  Aleksandër Lalo e ka merituar prej kohësh një nderim të tillë dhe mbase jemi të vonuar, por më mirë vonë se sa kurrë. Pa e tepruar aspak është një emër i madh i botës muzikore shqiptare, një talent i vulosur që ka dëshminë e shpirtit të tij kudo, në këtë Televizion nëpër dhjetëra festivale, në filmin shqiptar dhe në qindra e qindra këngë të njohura në mbarë Shqipërinë.  I talentuar, me një muzikë që kullon shpirtin e tij delikat dhe elegant, i paparashikueshëm dhe rebel, fëmijë dhe befasues në jetë dhe në krijimtari, Pikërisht këto  tha Elona Pajo në këtë dokumentar të bukur. Është një vepër  e bërë pa bujë, ashtu si ç i bën dashuria e vërtetë për artin, një dokumentar që nuk ka tronditur buxhetin e Televizionit, se nuk ka patur fare buxhet, por dashuri, i bërë me një ekip fare modest, që thyen parashiket e luksit që kërkon përgatitja e një filmi. Sekreti është i thjeshtë. Elona ka vënë zemrën e vet në këtë vepër, të sajin dhe të operatorit Fatmir Halipaj e të montazhierit  Fatmir Allkaj që kanë punuar me kaq dashuri dhe mjeshtëri profesionale. Maestro, je tepër i ri që të na krijosh nostalgji me moshën tënde, por tepër i moçëm dhe i dashur për të na krijuar mirënjohje dhe nderim në një rast si ky i sotmi ku jemi mbledhur të të urojmë plot gjëra, që  nuk thuhen shkurt dhe që nga halli i përmbledhim në një faleminderit të madhe.

Tinka Kurti

Unë Sandrin e kam komshi dhe shkojmë e vijmë shumë tek njeri tjetri. Tek ai unë kam parë njeriu e lidhur shumë pas artit, muzikës, ka një respekt të vë çantë për aktorët, por dhe një njeri mjaft familjar. Unë kam 18 vjet që njihem me të, qysh kur erdha në Tiranë në vitin 1985 dhe shtëpitë na rastisën afër. Unë kam lozur në disa filma, ku Sandri ka bërë muzikën dhe mund të them se muzika e tij është e papërsëritshme. Është një muzikë e bukur që i ka bërë edhe më të bukur filmat në të cilat janë vendosur.  Mbaj mend që kur do luaja filmin “Dimri i fundit” dhe pashë dy  çuna të rinj që më prisnin tek dera e Kinostudios  të cilët do të ishin si regjisor thashë me vete “Bboboo.  çfarë filmi do bëjnë këta?”. Por kur filloi filmi, kur u vendos muzika e Sandrit atëherë u magjepsa. I thashë vetes sa keq ke gabuar për këta njerëz.  Unë kam shumë mike bashkëshorten e Sandrit, ata nuk më lenë kurrë pa më marrë me vete kudo që shkojnë. Në  çdo vend ku shkel Sandri do të krijoj muzikë të re, pasi  çdo fshat, qytet, shtet ku ai lëviz, i japin energji krijuese. Dhe Sandrin se ka lavdëruar asnjë dhe pse ka bërë kaq shumë për muzikën shqiptare.

David Tukiçi

Aleksandër Lalo është një kompozitor tipik, një kompozitor i vërtetë, pasi shkruan sepse ja do zemra. Është një profesionist, pasi asnjëherë se le krijimtarinë të ecë me hope, pasi e din që n.q.s nuk do të krijosh, do ngelesh në vend, pasi bota ecën para. Kohët e fundit Lalo i është afruar shumë Orkestrës Simfonike të RTSH-së, dhe ky afrim ka bërë që ai të shkruaj disa vepra simfonike me një tharm tepër specifik. Pra tashmë ai ka kaluar në një hop të ri cilësor, nga muzika e lehtë në muzikën Simfonike që është një gjini më e vështirë e të krijuarit ku tashmë ndihet talenti i tij edhe në këtë fushë. Krijimet simfonike e tregojnë atë më të pjekur, më vizionar dhe me këtë talent ai mbetet një ndër apostujt e krijuesve të muzikës shqiptare.

Elona Paja, regjisore dhe skenariste e filmit “Lalo”

Ideja për realizimin e këtij filmi dokumentar për Aleksandër Lalon, nuk erdhi rastësisht. Unë kam bërë dhe punë të tjera me të, pasi në shumë filma dokumentarë ai më ka bërë muzikën dhe më është përgjigjur me shumë dashamirësi dhe korrektësi. Kur më tha ase së shpejti do të mbushte 65-vjeç menjëherë më lindi ideja për filmin. Por duhet të kihet parasysh se filmi do të realizohej pa asnjë buxhet, por vetëm me bashkëpunimin tonë, duke na vënë në dispozicion vetëm aparaturat e TVSH. Megjithë ngarkesën e madhe që kisha këtë film e realizova jashtë orarit të punës. Ajo që më ka vështirësuar punën mbetet tipi i vështirë i Lalos. Ai është maniak dhe shumë grindavec për punën. Dëshiron që  çdo gjë të vejë sahat, sinkron, edhe kur ka vështirësi. Ai mbetet një burrë i pa zbutur, shumë kryeneç, sepse si mbushet mendja kollaj kur e kundërshtojnë. Por dhe unë nuk u mposhta, e kundërshtoja sa ai dorëzohej duke më thënë ne të dy kemi një kokë.

Osman Mula, regjisor, instrumentist

Unë jam njohur herët me Aleksandër Lalon, që në vitet 1970, kur ishim të dy studentë në Konservator dhe ai mori përsipër të organizonte tre Festivale të rinisë studentore. Këto tre Festivale 1970-71-72-73. Ato  Festivale ishin model, ku Sandri ishte dirigjent dhe organizator. Ishte një orkestër e madhe, ku dominonte xhazi ndërsa unë isha me saksofon.  Në atë Festival kënduan Justina Aliaj, Fran çesk Radi, etj…Këtu janë kënduar për herë të parë kënga “Biçikleta” e shumë këngë të tjera që u bënë shumë popullore në atë kohë. Më vonë me të kam punuar në RTSH ku ai ka qenë redaktor muzike. Por jeta e tij ka pasur shumë peripeci, pasi pas Festivalit të 11 atë e kanë  çuar në Kukës si të dënuar. Në këtë Festival ai bëri një orkestër ku unë isha me saks. Lalo jetoi shumë në Kukës dhe aty krijoi familje. Unë me të dhe në atë periudhë kurrë nuk ju larguam njëri-tjetrit. Kur erdhi në Tiranë bashkëpunimi ynë u thellua, pasi ai merrte pjesë në shumë Festivale si kompozitor ndërsa unë kam qenë regjisor. Por ai mbetet njëshi i muzikës së filmave. Sandri është një njeri pak oportunist që kur thotë një fjalë do ta  çojë deri në fund edhe pse mund ta paguajë shtrenjtë. Sandri mbetet Sandër, punëtor pa marrë asnjë Fletë-Lavdërimi.

Luan Zhegu

Me Lalon jam njohur rreth viteve 1968 kur kemi qenë në Cirkun e Tiranës të dy. Lalo ishte dirigjent unë isha bateristi i orkestrës së cirkut. Ato kohë i kujtoj me nostalgji pasi ne bashkë kemi kaluar shumë bukur. Pastaj filluan bashkëpunimet me të në gjininë e këngës. Një nga këngët më të bukura të jetës time e kam pikërisht me këtë kompozitor, ku dua të ve çoj këngën “Shamia e aksionit”, me tekst të Tonin Milotit që mori  çmim të parë në anketën e atij viti. Në Festivale kam marrë pjesë me disa këngë të tij si p.sh “Kur jemi bashkë të dy”, “Gëzimin njerëzve tua shtoj”, pastaj ato që bënë epokë kanë qenë këngët për fëmijë, që sollën një risi. Kënga “Bashkë me fëmijët” ishte një gjetje, një provë në kombinimin e zërit të një të rrituri me fëmijët direkt, “Kompozitori deh fëmija”, “Kur ishim të vegjël”, një mori këngësh të tjera që mbeten të padiskutueshme. Është për t’u përmendur, sepse na u besua nga Lalo opereta e tij, pra operetë muzikore që  u bë film “Mirela”, ku unë këndoja me Irma Libohovën, në rolet e Agim Bajkos dhe të Shpresa Bërdëllimës. Pra, këndonim ne kur në fakt dukesh sikur këndonin Bajko dhe Bërdëllima. Është një operetë shumë e bukur që pati shumë sukses. Kjo u shfaq edhe në Estradën Variete të Tiranës, ku regjisor ishte Leka Bungo. Unë dhe sot bashkëpunoj me të, por këngët për fëmijë, asnjëherë nuk do të përsëriten me aq bujë dhe sukses. Ai është pak rebel, por ai ka një kaligrafi të jashtëzakonshme në partiturat e kompozimit ku jo vetëm nuk gjen asnjë gabim, por shkruan me detaje të gjitha shenjat dalluese, me një rigorozitet. Kur fillonte një këngë ai donte të arrije maksimumin me herën e parë ndryshe fillonte dhe grindej.

Aleksandër Lalo

Sot është një ditë e veçantë për mua pasi jemi mbledhur për të parë një film dokumentar për mua në sallën e orkestrës Simfonike të RTSH-së, ku unë kam bërë shumë muzikë filmash, shumë muzikë për këngë të lehta, pra jam aty ku kam derdhur shumë djersë. N.q.s do të bëhej në vend tjetër besoj se nuk do kisha këto emocione. Është një ditë emocionuese pasi janë mbledhur shumë njerëz të artit dhe të kulturës, ku unë është hera e parë që bëj një ditëlindje me të tilla përmasa ku kam takuar shumë miq që kisha kohë pa i parë. Për mua u thanë sot se jam rebel, por unë s’di të jem i tillë. Por çdo njeri për mua është rebel për punën e tij. Pra ky epitet ndoshta vjen pasi jam pak gërnjarë në punë. Unë kam jetuar shumë kohë në Kukës dhe duhej që puna të dilte në pah. Dënimi që më erdhi pas Festivalit të 11, se kisha menduar. Por Kukësi mbetet për mua qyteti më i bukur pasi aty u njoha me bashkëshorten time. Me njohjen e bashkëshortes jeta ime mori tjetër emocion. Bashkëshortja më pranoi me të gjitha huqet e mia, pak grindavec, pijedashës. Unë me Margën jemi tipa të kundërt, s’kemi asnjë pikë takimi. Unë gjaknxehtë ajo e qetë. Njohja ime ishte e rastësishme. Unë po drejtoja një korr në Kukës, kur shoh se një vajzë nga mezi stononte me këngën. U nevrikosa. Kur s’di të këndosh pse vjen këtu i them? Më sollën, nuk doja të vija,- më thotë ajo. U stepa. Guximi i saj ishte  çarmatosës. Më ngeli në mendje ajo vajzë. S’e besoja se do bija në dashuri nga një kundërshtim. Por të them të drejtën ndaj femrave s’kam pasur kurrë guxim. S’dija të propozoja. Kur mendova se rashë në dashuri me të, atëherë i thashë një mikut tim si qëndronte puna. Ai më ndihmoi dhe më njohu me Margën. Isha shumë i turpshëm. Pra u dashurova me mblesëri (qesh).

Kohët e fundit jeni lidhur shumë me Orkestrën Simfonike të RTSH, pse?

Po mbase se pjekuria ime artistike ka arritur deri në atë gradë artistike, që tashmë kam kaluar nga këngët tek filmat dhe nga filmat tek veprat simfonike. Pra e kam të ndjerë, më kanë ardhur në mënyrë të natyrshme organike. Vepra simfonike është një shkallë më e lartë dhe mendoj se shkallët kanë ardhur të tilla që të drejtohem tek këto vepra, por s’do të heqë dorë kurrë as nga muzika për filmat, as nga muzika e lehtë. Tani po kompozoj di çka për një koncert për klarinetë. Sot tek muzika shqiptare ka njëfarë lloj ngërçi, ku duhet të funksionojë seleksionimi, pasi ka dhe huazime. Për të duhet një analizë e hollë. Të dalin në pah gjërat e mira duhet një sitë speciale dhe pa njëanshmëri.

Pengjet

Nuk kam pengje. Pengje s’kam, por kur kthej kokën pas më duket sikur s’kam bërë asgjë, por tani kur kam filluar t’i shikoj mirë çka kam bërë, them, që kam bërë diçka. Po shfrytëzoj në maksimum kohën që të lë dhe diçka tjetër. Peng them është ajo që duhet të kisha punuar më shumë dhe pse më duket se kam punuar jo pak. Ne artistët jemi “mall” me pakicë që tek ne nuk vërehet sasia sa ke bërë, por cilësia, se çfarë dhe sa të bukur e ke bërë një vepër. Tani po punoj në vepra simfonike. Artisti ka nevojë për përkrahje, për një fjalë të mirë.  Perëndia më ka bekuar në jetë. Jam munduar të jem korrekt dhe s’kam pas vështirësi. Në dukje jam njeri i sertë por nuk është ashtu. S’ka shpirt artisti të jetë i sertë. Aparenca nuk vërteton gjithçka. Kam krijuar ndonjëherë konflikte artificiale me njerëz, por këto konflikte të vogla nuk janë Aleksandri i vërtetë me shpirt artisti. Artisti shikon përtej malit, shikon detaje ndaj quhet artist, për këtë vlerësohet, thekson ai.

Artisti

Artisti. Në ekonominë e tregut i afti çan. Pra, janë aftësitë individuale ato që bëjnë diferencimin. Kjo nuk  do të thotë që vlerat e mëdha artistike intelektuale që ka Shqipëria, të mos vlerësohen të mos nënvizohen dhe të mos inkurajohen nga shteti. Në aktivitetet e ndryshme që zhvillon shteti, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës apo RTSH, TOB, TK, duhen  mbajtur afër krijuesit e vërtetë gjë që nuk ndodh në mënyrë reale. Këtu shteti nëpërmjet institucioneve të specializuara duhet të ketë një strategji që të përkrahë ato projekte që i mungojnë artit shqiptar, projektet serioze, profesionale dhe të mos bëhen përkrahje projektesh në bazë të bindjeve partiake. Pra, të jepen ose të përkrahen projekte në ato fusha të muzikës që ka boshllëk muzika dhe ka projekte profesionale…përfundon ai.

Kur e takoj...

Kur e takoj Lalon, ai ndalet më shef nga koka tek këmbët dhe më thotë: Ke bërë ndonjë gjë të bukur?! Unë ngre supet. Mos më ngre supet, por puno, kënga dhe letërsia janë dy muzika të ndryshme por që plotësojnë kurorën e simfonisë së tingujve shqiptarë që i duhen këtij populli për të ecur në jetë. Pa muzikë dhe letërsi populli mbetet pa gojë dhe pa veshë. Ne nuk i duhemi vetes po të tjerëve, ndaj puno se i kemi detyrime këtij vendi. Dhe ecën…ecën…Ashti si di ai. I çartallosur, paksa i shkujdesur, por gjithmonë duke menduar për një muzikë të re, për një muzikë filmi, kënge apo simfonie. Atij s’i interesojnë titujt po veprat. Me këtë ide krijon rebeli Lalo dhe pse ka lënë pas qindra këngë, muzikë filmash, apo vepra simfonike dhe nuk ka marrë asnjë copë letër ku të thuhet: Kjo Fletë-Lavdërimi i jepet kompozitorit Aleksandër Lalo, që nuk diti ç’është stimuli moral. Por këto stimuj ai i ndesh tek buzëqeshjet e njerëzve në rrugë, tek muzika e qindra këngëve nëpër radiot apo CD e makinave, apo në shumë aktivitete në TOB  apo në orkestrën Simfonike të RTSH. Ai ecën mes nesh i thjeshtë, por rebel, pasi muzika kështu të do, këmbëngulës, por aspak shpinëkërrusur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora