Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lagjet që dominojnë emigrantët shqiptarë në Athinë

| E premte, 04.03.2005, 07:05 PM |


Patisia, Kipseli dhe Eksarhia janë nga lagjet e kryeqytetit grek, në të cilat banon një numër shumë i madh emigratësh. Pasojnë sheshi Vathis, Ambelokipi, Pangrati dhe Gizi. Në kryeqytetin grek, dalngadalë po krijohen “Getot” e emigrantëve. “Geto”, jo në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pasi në këto zona popullsia e emigrantëve është mikse, banojnë emigrantë me kombësi të ndryshme. Të vetmit që nuk mundet të përfshihen në “geto” janë shqiptarët, të cilët banojnë të shpërndarë në gjithë Atikën.
Emigrantët në Athinë, dalngadalë po krijojnë lagjet e tyre. Sipas të dhënave të studimeve më të fundit të Shërbimit Statistikor Kombëtar Grek, vitet e fundit janë krijuar “geto” emigrantësh në zona të ndryshme të Atikës. Kështu në Patisia, Kipseli dhe Eksarhia, në bazë të shifrave të paraqitura nga ky shërbim, janë krijuar “geto”, ku secila prej tyre, ka të paktën 15.000 emigrantë ekonomikë. Në Sheshin Vathis, dhe sheshin Atikis, në Ambelokipi, në Gizi dhe në zonën e Pangratit, numri i emigrantëve është i “vogël”. “Getot” e krijuara nuk e kapërcejnë shifrën prej 5.000 emigrantësh, ndërsa në zonat e Aharnes, Kolonos, Kukaki, Neos Kozmos numri i emigrantëve është rreth 1.000 për zonë. Siç rezulton nga studimet e shumta të kryera vitet e fundit emigrantët ekonomikë, përveç përzgjedhjes dhe preferencave të zonave të ndryshme për banim, kanë edhe preferencat e tyre, përsa u përket banesave që marrin me qira. Gjithsesi, këto shifra duhen marrë ende me rezervë, pasi ato bazohen në regjistrimin e fundit të popullsisë, të kryer në vitin 2001 qysh atëherë e deri sot, mozaiku ka ndryshuar... Jo vetëm kaq, por që nga viti 2001, kur u krye regjistrimi i fundit i popullsisë e deri më sot, një pjesë e madhe e emigrantëve janë me dokumenta të rregullta. Dikur emigrantët shqiptarë banonin në shtëpi gjysmë të shkatërruara, apo bodrume. Sot kjo gjë nuk vlen më. Emigrantët shqiptarë banojnë në katet e sipërme, në shtëpi më të mira e më të përshtatshme për banim. Gjithashtu karakteristikë e komunitetit shqiptar është se nuk janë të grumbulluar të gjithë në një, apo disa zona të Athinës, por janë të shpërndarë. Polakët preferojnë të banojnë në zona ku banojnë një numër shumë i madh polakësh, bile, preferojnë të banojnë në pallate ku banojnë edhe të tjerë bashkëkombas të tyre. Në këto zona ata kanë krijuar një “Poloni të vogël” me dyqanet, shkollat e kishat e tyre. Banesat që zgjedhin për të marrë me qira, kryesisht janë në katin e parë, apo bodrume. Nga ana e tyre filipinezët preferojnë të marrin me qira shtëpi të vogla, garsonierë. Rumunët preferojnë të banojnë në Neos Kozmos dhe Ambelokipus. Pothuajse të gjithë emigrantët nga Afrika, banojnë në qendër të Athinës, në bodrume apo në katin e parë të pallateve. E njëjta gjë vlen edhe për aziatikët, pakistanezët, emigrantët nga India, Bangladeshi, etj.
Sipas sociologut K. Therianos, në Athinë tashmë po ravijëzohet një “Hartë e mirëfilltë e zonave, të cilat përzgjidhen nga të huajt për t’u banuar. Do të ishte gabim të mendohej se në Athinë janë krijuar lagje në të cilat mbizotëron njëra apo tjetra kombësi”. Për zotin Therianos, përzgjedhja e zonës së banimit nga ana e emigrantëve përcaktohet nga “mundësitë ekonomike, nevojat personale, gjendja familjare, lehtësirat që u krijohen prindërve për vendin e punës, etj. Rasti më i freskët është ai i një familjeje shqiptarësh, të cilët banonin në Kipseli. Brenda katër vitesh në pallatin ku ata banonin, sollën vëllezërit e motrat dhe, sot pallati banohet nga të afërmit e asaj familjeje, që kishte ardhur e para”- përfundon ai. Pedagogu i gjeografisë sociale, Th. Malunas, këtij fenomeni i jep shpjegim në studimin e tij me titull “Atlasi social i Greqisë”. “Banorët e Athinës zbrazin (lëshojnë) banesat e tyre të vjetra dhe jo dhe aq të përshtatshme për banim, dhe shkojnë në zonat larg qendrës. Ky fakt bën që shtëpitë në qendër, të merren me qira apo edhe të blihen nga emigrantët ekonomikë, pasi jo vetëm qiratë, por edhe çmimet e shitjes të jenë më të ulëta se në zonat e tjera”. Nga ana tjetër zonja J. Bajetaku, sociologe, shprehet se “Fakti është që emigrantët ekonomikë janë të shpërndarë në të gjithë kryeqytetin. Mungesa e një urbanistike bashkëkohore, pamundësia e integrimit të emigrantëve si të barabartë në jetën ekonomike e sociale të Greqisë, mirëqenia ende e ulët e pjesës më të madhe të tyre, përbëjnë disa nga faktorët që i detyrojnë ata të banojnë në zona të caktuara të kryeqytetit. Por, në këtë rast nuk bëhet fjalë për geto të mirëfillta. Në shumë zona, pavarësisht numrit të madh të emigrantëve, banojnë edhe shumë qytetarë grekë, sidomos, ata, të cilët banesat i kanë private”.
Për Jani Albanin, anëtar i rrjetit të Mbështetjes së Emigrantëve është interesant fakti që tashmë në Athinë është duke u kryer një “takim i dyfishtë”. “Shtresat më të dobëta të shoqërisë, emigrantët, “takojnë” zonat më të varfra e të zhvlerësuara të qytetit. Banojnë në lagje, të cilat janë lënë në mëshirën e fatit, që janë zhvlerësuar dhe pothuajse kanë falimentuar ekonomikisht. Në rast se një gjendje e tillë do të vazhdojë edhe për disa vjet të tjera, për fat të keq do të shkojmë në krijimin e lagjeve me kombësi të caktuara, në getoizimin e zonave të ndryshme të Athinës. Një gjë e tillë do të sjellë si rezultat një shpërthim edhe më të madh të fenomeneve të racizmit e të ksenofobisë”!
Qemal Biraku dhe Ardi Stefa