E enjte, 18.04.2024, 05:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Faleminderit Elhaida Dani!

E premte, 31.05.2013, 06:00 PM


Faleminderit Elhaida Dani!

Nga Albert Vataj

Ka ndodhur. Përmendu, nuk je në ëndërr. E pagjasa, ajo shkallmoi mure të trasha ku ne gjendeshim të rrethuar, dhe u bë reale. Është një 20-vjeçare që guxon dhe fiton. Është ajo, për të cilën ti ke të drejtë të krenohesh. Është ajo, talenti dhe zëri i së cilës u bënë apologji e krenarisë tënd të nëpërkëmbur. Për të flasin të gjithë. Ajo, tashmë është në Olimpin e vëmëndjes dhe kureshtisë. Multimedia shqipshkruese dhe shqipfolëse, dhe jo vetëm, është e përfshirë  e gjitha në këtë pasion të çmendur fitoreje. Është ajo, Elhaida Dani, e cila që 6 vjeç nisi shtegtimin në rrugën e muzikës dhe që tash arrin të magjeps me zërin dhe interpretimin e saj, krejkënd që e dëgjon. Elhaida Dani, 20-vjeçarja nga Shkodra triumfon në spektaklin “The Voice of Italy 2013”. Lotë dhe ngazëllim, përqafime dhe klithma kushtruese, dritë dhe gazmend, mbushën momentin e ngjitjes në apogje. E pabesueshme, dalldisëse, emocionuese, delir në shtegun e përjetimit.

Faleminderit me tan zemër, bija e Shkodrës, troku i mbram i djepit të kulturës, amaneti i gjeneratave, filizi i këtij trulli me humus historish krenie dhe triumfi. Na bekove me fitoren tënde.

Sa shumë kishim nevojë për një prekje të tillë magjike. Sa shumë dhe sa gjatë na mungonte një dorë e ngrohtë dhe një zë i magjishëm, për të na ngritur në këtë rrëzim të pafajshëm. Kishim kaq shumë dyzime në vetvete. E pamundura na përndiqte, si një hije përgjatë gjithë përpjekjeve tona. Pa kuptuar pamë se sa poshtë kishim rënë. Sa kishim nevojë të ngriheshim, të rinisnim rrugën për tu ngjitur. Iknim nga vetja dhe shumëçka që mëtonte atë. Dhimbja e anatemës na kishte dërmuar mish e shpirtë. E gjithë kjo gjendje e amullt e sendërtuar rrumujshëm në boshin tonë të dalldisur prej të shkaures dhe politikës, parakaloi brenda atyre çasteve kur pritej verdikti, kur emri Elhaida Dani të mbushte jo vetëm sallën e spektaklit të madh të RAI-t, por zemrat gjëmuese të të gjithë shqiptarëve që numronin rrahjet e zemrave dhe minutat e triumfit, si momentet e kësaj prekje magjike. Ishte një natë e gjatë. Një spektakël madhështor në RAI, në atë dritare të kahershme, prej ku shqiptarët u panë spariherë me perëndimin, me pjesën tjetër të botës që gjallonte përtej kësaj Shqipërie që mëkonte parajsën e rrejshme. Nata e 30 majit, ishte një përballje, një ballafaqim, një kurajo për të thyer tabu, për të shkallmuar mite. Është shkodranja 20-vjeçare, Elhaida Dani, ajo e cila mban mbi vete, jo vetëm densitetin e përgjegjësisë, ankthit dhe sfidës, por dhe barrën e rëndë të përfaqësimit. Miljona shqiptarë dhe jo vetëm, kanë përcjellë të enjtet e makthshme të garës në “The Voice of Italy”. Sot ata janë krenar, pa atë të shkuar ngjethëse, larg pëshpëritjeve dashakeqe, tej gishtave tregues që gozhdonin fatin e keq të shqiptarëve për çdo mëkat ekstrakomunitar, apo edhe Italian. Italia, ky vend fqinj, italianët ky popull që bashkon dhe ndan me shqiptarët shumçka nga e shkuara dhe e tashmja, mbëmjen e 30, duke hyrë 31 maji, durtrokitën, votuan dhe besuan si zëri i tyre, uraganin vocal të shkodranes 20-vjeçare.

Elhaida Dani është tashmë fituesja e “The Voice of Italy 2013”, duke kaluar çdo sfidë e duke bërë krenar çdo shqiptar. E përlotur, në fund të mbrëmjes që e shpalli atë fituese me 71,70% të votave të publikut italian, ajo falënderoi të gjithë ata, që kishin besuar në zërin e saj, madje edhe në shqip, duke thënë “faleminderit”. Bashkë me trajnerin e saj në këtë aventurë, Riccardo Cocciante, ajo interpretoi nën triumf të plotë këngën “When love calls your name”. Elhaida shkoi në finale bashkë me konkurrentin tjetër, Timothy Cavicchini. Gjatë gjithë spektaklit, ajo ka qenë më e duartrokitura dhe më e komentuara në rrjetet sociale. “Bravissima! Stratosferica! Non ha rivali! Fenomenale! É la migliore di tutti! Stupenda!”, ishin ndër komplimentet, që kanë shoqëruar gjatë gjithë kësaj mbrëmjeje, atë që tashmë është zëri, jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i Italisë...

Faleminderit Elhaida.

 



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora