Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: John F. Kennedy (1917 – 1963)

| E enjte, 30.05.2013, 09:10 PM |


XHON  F. KENNEDI (1917 – 1963)

Nga Fritz RADOVANI

Xhon F. KENNEDI (John Fitzgerald KENNEDY), ka lé në Brooklin, Massachusetts, me daten 29 Maji 1917. Asht vra me atentat me daten 22 Nandor 1963, në Dallas, Teksas të ShBA.

Ishte me origjinë nga një familje irlandeze me besim katolik, i vendosun kur imigroi në Amerikë, në Boston. Me daten 20 Janar 1961, Xhon Kennedi, u betue si President i ShBA, dhe per tri vjet mbeti i perjetshem jo vetem në Historinë e Amerikës, po edhe até botnore. Njihej si një nder gjenialitetet e universiteteve amerikane, mbasi kishte mbrojtë titullin doktor me një studim të veçantë të zhvillimit ekonomik të ShBA, per 50 vjetët e ardhëshme. Në kjoftë se Europa Perëndimore, ku perfshihej edhe ShBA në zhvillimet politike, kishte arrijtë me krijue njëfarë stabiliteti edhe në ekonomi, Europa Lindore komuniste kishte humbë edhe atë ekonomi që kishte pasë para Luftës së Dytë Botnore, mbasi gjithshka shkonte në buxhetin ushtarak nder të gjitha shtetet që ishin nën dhunen e diktaturës stalinjane bolshevike të Bashkimit Sovjetik, ndersa t’ ardhunat nga kampet e punes dhe të shfarosjes, “rezervoheshin” nder bankat Perëndimore...

Kontrasti ma i madh mes dy bloqeve ishin “të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”. Mbas vdekjes së Stalinit, disa lëvizje me karakter demokratik në Europen Lindore, u shtypen me tanket blokut komunist tue e rikthye pushtimin e tyne nga sovjetikët, që gjoja në vitet 1956 – 58 kishin dënue kultin e Stalinit, me të cilët aso kohe u bashkue edhe “udhëheqja” e Tiranës komuniste, pra edhe Shqipnia, që mbas viteve 1961 – 62 filloi me dënue “revizionizmin modern sovjetik”, mbasi Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nuk ishin dakord me lëshue postet drejtuese të tyne dhe me ba ndryshimet që vendet e “demokracive popullore” të Lindjes po banin ata vite. Perballë me ShBA, ishte edhe Kuba komuniste, që kishte fillue instalimin e luftanijeve e raketave sovjetike në portet e saja, gja që kishte zgjue prej gjumit edhe amerikanët. Data 14 Prill 1961 sjelli até që Kennedi me avionet e Tij, i tregoi Botës se politika që do të ndjekin shkon drejtë ndryshimeve.

N.S.Hrushov në vitin 1959 ishte kenë “mysafir” i Ajzenhauer në Kemp Devid, të ShBA, por gjithshka mbeti e “mësheftë” mes dy kryetarëve të shteteve ma të fuqishme të Botës.

Ndaj veprimeve të Kennedit kunder Kubës, si kunderveprim Hrushovi, me daten 13 Gusht 1961 filloi mu në zemren e Europës ngritjen e Murit të Berlinit. Gjithshka dukej se bahet në një prag të një gjendjes së re dhe të rrezikshme botnore...

Kennedi ishte nder Presidentët ma të rij (43 vjeç), kur kandidoi si President në ShBA.

Me daten 22 Nandor 1963, Presidenti Kennedi në një limousine me të shoqen Zhaklin Kennedi, shoqnuesin dhe shoferin arritën në Dallas, për zgjedhje të reja. Nga një dritare në një kthesë, Lia Harvei Osvald gjuejti dy here dhe Presidenti, mbas pak kohe vdiq në një klinikë ku e operuen pa sukses. Ngjarja atje ka ngja rreth ores 12.30’. Pra me daten 23 në mengjes në Europë, u hap lajmi i vrasjes së Xhon J. Kennedit. Tue shkue tek stacioni i urbanit me dale në punë, tek Dugajt’ e Reja, lajmin ma dha spijuni Pjerin Vata, i cili ishte i gzuem per suksesin e zhdukjes së Presidentit amerikan, që né e konsideronim President të “ndryshimeve të pritëshme”…

Me daten 24 Tetor (në ShBA), kur policia po çonte Lia Osvald nga burgu per në një burg tjeter, një “qytetar” amerikan i “zemruem” per vrasjen e Presidentit, i quejtun Xhek Rubi (Jack Ruby), në mes rojeve shtinë me pistoletë dhe vret atentatorin Osvald. Në dukje çeshtja u mbyll!

Presidenti Kennedi, ishte i 35-ti President i ShBA, dhe i treti që vritet me atentat në moshen 46 vjeçare, mbas  Abraham Linkoln dhe Mc. Kinley, në vitin 1901.

Nga Raporti Worren kam veçue një frazë: “Historia rrallë perpilon spjegime të plota dhe bindëse mbi vrasjet e Burrave të shtetit. Një njeri i vetem shumë rrallë kryen ndonjë vrasje.” Po në Raportin Worren, thohet se mbas 50 vjetësh, do të zbulohet e verteta e vrasjes...pra, në 2013.

Në një kohë rekord Ai ka lanë një dafinë lavdije per shpresat e popujve të shtypun.

Në Amerikën moderne, Xhon Kennedi asht Presidenti i parë që u nderue nga zezakët.

Në vitin 1961 erdhi në Europë dhe me 2 Qershor, në Pallatin Shaijo, në  Paris, mbas bisedimeve me Presidentin e Francës Sharl De Gol, deklaroi: “Mund të ketë turbullira prapa perdes së hekurt, për shkak të lidhjeve të dobëta që ekzistojnë, në një gjendje në të cilën Shqipëria është radhitur përkrah Kinës komuniste në grindjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Kjo është arsyeja,” – tha Kennedi – “për të cilën ai mendon se rrota po rrotullohët në favor të Botës së Lirë, dhe jo të komunistëve.” (Gazeta “Zëri i Popullit” dt. 9 Qershor 1961, Nr. 139, (3982), fq. 4. Artikulli “Përgjigje zotit Kennedi”).

Mbas pak ditësh Presidenti Kennedi u takue me N.S.Hrushovin në Vienë.

Kur Nanë Tereza kerkoi me ardhë në Shqipni, me takue Nanen e vet dhe motren që aso kohe jetonin në Tiranë, terroristi Enver Hoxha, jo vetem, nuk pranoi kerkesen e Saj, por edhe me një mllef të turpëshem shprehi mendimin e vet në gazeten “Zëri i Rinisë” aso kohe... (E ndoshta, ajo deklaratë e tija pengon edhe sot Kuvendin Popullor, “mos me ia prekë tituj e dekorata”!!).

Nanë Tereza iu drejtue Presidentit Kennedi, i cili, iu pergjegjë: “Unë e detyroj qeverinë e Shqipnisë me Ju lejue me shkue mbrenda 24 orëve, por nuk e quej me vend shkumjen Tuej atje, mbasi drejtuesi i shtetit shqiptar jo vetem asht vetshpallë ateist, po asht edhe një terrorist vrasës i shumë klerikëve katolik të pafajshem. Shkuemja e Juej atje asht një nderim që i bahet atij...e ai, nuk mendoj se e meriton këte.”

Xhon F. Kennedi në Berlin.

Me 13 Gusht 1961 Xhon Kennedi shkoi tek Muri i Berlinit dhe aty tha:

“Unë sot jam një Qytetar Berlinez!” dhe vazhdoi:

“Kush mendon se asht i mirë komunizmi të vijë e të shohin Berlinin!..”

Kjo flakë nuk fiket!

Kjo flakë nuk fiket as nder zemrat e mendjet e Atdhetarëve Shqiptarë!

Kjo flakë nuk fiket…Presidenti Kennedi e ka ndezë per mos me u shue kurrëma!

Kjo flakë nuk fiket se asht e ndezun me dashuninë e Tij per jeten, Njeriun, Lirinë!

Ajo flakë, perditë ndritë Boten me virtytet e Shpirtit të Tij human,...

Me “të Drejtat e Liritë e Njeriut”, për të cilat Kennedi, dha edhe jeten e vet.

Melbourne, 2013.