E premte, 19.04.2024, 02:10 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Haki Shehaj - ''Tatuazh në kujtesë''

E enjte, 30.05.2013, 07:50 PM


Analizë libri

Sejdi BERISHA:

KUR FILOZOFIA E TË SHPREHURIT DHE E GJUHËS VARGUN E SHNDËRROJNË NË TRUNG E KURORË MENDIMI

(Haki SHEHAJ: “Tatuazh në kujtesë”, poezi – 2012)

Libri i ëndrrave kurrë nuk shkruhet deri në fund, dhe as që mund të bëhet një gjë e tillë. Por, synimi i tillë vetëm provokon për rrjedhën e pashkëputshme të vargëzimit, edhe atëherë kur mendimi nuk zbret në letër, por ngelet brendapërbrenda vetvetes apo në skutat e ndijimit dhe të atyre dhembjeve të çuditshme. Në këtë mënyrë, vargu rrëshqet jashtë binarëve të frenimit të mendimit e të kuptimit, i cili, nganjëherë rrjedhë drojshëm edhe në vetë autorin, edhe në vetë poezinë, të cilat bashkërisht “çmendin” lexuesin për ta nxjerrë e përqafuar mendimin e vetë por edhe të poetit, për t’i bërë ata dy faktorë që kuvendojnë e polemizojnë në mes vete, gjithnjë për ta krijuar e sforcuar imazhin e katrahurave të jetës dhe të përplasjeve të domosdoshme të saj.

Fuqia e detyrimit poetik për t’u nisur në kërkim të një ëndrre që nuk arrihet...

Kjo, ndoshta do të ishte nisma më e vrullshme, më njerëzore, më e padurueshme dhe më e etshme e poetit, i cili përjashton rregullin e këndimit të zorshëm dhe metrik. Autori i këtij libri, Haki Shehaj, që për nga natyra duket i qetë, nuk nxiton për t’u shfryrë me fuqinë dhe me zërin e vargut, por, ai, sikur ia zë frymën vargut për të qenë më ngulmues, por, edhe sikur vargu ia ngushton rrugëtimin autorit për të qenë ai më shpërthyes, dhe kështu, deri në fund ecin bashkë e me një frymë. Sepse, “Libri i ëndrrave” nuk është çerdhe qyqesh, në të cilën dot nuk sheh vezë jete e ripërtëritjeje, e aq më tepër, kur poeti, që në fillim na “ngushton” e na detyron për t’u shkrirë në vargun e tij: “një ëndërr ishte nisur ku nuk arrihet” dhe “disa (metafora-v. ime) të tjera rrinin si zhele në varg”.

Kështu ka dëshirë poeti, dhe e përjeton një gjë të tillë, për të na futur në telashet e rrjedhave jetësore, të periudhave kohore, të ditarit jetësor, që tok bashkohen në histori, si uji kur derdhet në lumë, e që mandej sertshëm dalldisë valët, duke na provokuar me fjalën si amanet të vargut: “sa e pyllëzuar më doli vetmia ime”! Me këtë shprehje, qëllimisht të mbarësuar me ironi e dhembje përnjëherë, autori na fisnikëron hidhërimin e dhembjes: “... e unë i vetëm se i vetëm në at pyll”.

Përkundër këtij këndimi përcëllues e plot gjallëri prej rebelimit të pashembullt shpirtëror, duke ofruar provokimin e pa pardon por njerëzor: “...vetëm të mos u hutojnë ngjyrat/sidomos ajo e zeza/dritën e gjeni në zemër”! Pra, poeti, me poezinë “Libri i ëndrrave”, e cila i ngjanë abetares për të hyrë në botën e krijimit dhe në universin, nëse mund të thuhet kështu, të dramës së njeriut, sërish sikur lutë e këshillon për ta prekur e mikluar shpirtin e zemrën e tij, sepse, ai e do dhe e preferon ledhatimin e njeriut: “Ju pres në panairin  e ëndrrave”, por nuk harron për të na sjellë ndërmend kokëfortësinë e tij prej poeti: “... ai që nuk i përfillë shenjat jam unë/e juaja është të më gjeni pa udhërrëfyes”.

Një provokim i tillë, gjithnjë duket si një pasqyrë e tërë jetës, e kohës, e kërkimit të së bukurës pa busollë dhe as pa imponim. Kjo është jeta dhe rrugëtimi i poetit, të cilit, si duket i ka shkaktuar telashe edhe profesioni prej mjekut, duke i njohur, duke i parë dhe prekur dhembjet dhe afshin e njeriut, edhe në situata kur ai përballet me “të jesh apo mos të jesh”, kur tani lufta duket vetëm si një ëndërr e trishtuar e mbështjellë me ngjyrën bojë ari të gjakut dhe të krenarisë, por edhe të qortimit.

Në shumë poezi në “Tatuazh në kujtesë”, hasim shfryrjen poetike në mënyrën më subtile të shpërthimit filozofik, ku, nganjëherë vargjet nuk kapen lehtë, e ndonjëherë marrin terrnak  për t’i kuptuar ndryshe, mbase edhe ashtu siç do vetë lexuesi. Ndodhë kështu, sepse, ndërtimi i vargut dhe i këndimit, nuk rri ngulur në hu gardhi, por, ai zë vend dhe bën fole zjarri tek secili që ndjenjën e ka shtytës jete: “zbrit në prejardhjen tënde/nëse dëshiron të jesh i lirë”!

Po, a ka këshillë e qortim më me peshë, a ka fjalë më të ëmbël e me vulë shekullore të vuajtjes dhe të synimit të njeriut, jo vetëm të këtij nënqielli. Kjo, do të thotë se vargjet e tilla i kalojnë caqet lokale dhe ato kombëtare. Por, për të mos u llastuar me gjëra të tilla, poeti na sjellë tek hunda shumë këshilla, të cilat i ngjajnë rrënjëve dhe trungut të rrapit, i ngjajnë fjalëve-zë toke edhe të stërgjyshërve për të qëndruar edhe ndershëm edhe vertikalisht: “Nëse shkelë në hënë/mos të ndërron gjaku në damar”!

Në këtë frymë dhe në këtë formë e hasim këndimin e poetit në shumë poezi, si në “Gishtërinjtë e erës”, Flutura e natës”, “Rrënjët e zemrës” e kështu me radhë.

Autori i kësaj vepre, si duket, nis e sos është kalorës karakteristik i jetës, i cili i përqafon ngjyrat e lumturisë dhe të madhërishmes, i cili ligjëron dhe e pranon dorëzimin ndaj asaj që i ngjanë këngës dhe vetëm këngës: “Edhe pse nuk besoj/rob besëtytnish zemra më mbanë”. Andaj, ai, edhe përkundër veçantisë së tij në raport me muzat krijuese, nuk heziton për të na përcjellë si trëndafil të braktisur vargëzimin me metaforë e mesazh përrallor, nëse ekziston një gjë e tillë: “Endacak nate jam unë/afshin e nxjerri prej gurit/rropas dheut shtrydhi rrugë e sheshe”.

Kur poeti shoqërohet dhe debaton me vargun e në varg për fatin e njeriut

Haki Shehaj, me vargun gjithmonë përplasës, lë përshtypjen se edhe kur fle, ai nuk është në gjumë, sepse, shoqërohet me fatin e njeriut, e pastaj debaton me vargun që vjen, me formën dhe kambanën e tij: “Ku ta pushoj dhembjen/zogjtë kanë braktisur folenë”! Kjo shprehje, e cila tek secili krijues është pjesë e këndimit por në forma e situata të ndryshme, për gjithçka intrigon që flakë vuajtjet dhe sjellë lumturinë, për çfarë, asnjëherë nuk shuhet drita e shpresës dhe gatishmëria e vendosmërisë: “Në kraharorin tënd/kërkoj ëndrrat/shpresat e mbetura në rrugë/si anije të fundosura”.

Për këtë arsye, ai sikur urren çdo gjë që ka pamje, frymë e buzëqeshje mashtrimi, jo sinqeriteti, amoraliteti etj., të cilat dukuri e shëmtojnë njeriun, jetën dhe veprën e tij. Këtu, thekshëm reflekton edhe shqetësimi i shpirtit të poetit, sepse, gjërat e tilla i dukën dhe janë të ulëta, të pista, edhe pse “dëshpërimi majmet/si akulli në ngricën e dimrit”. Në këtë kontekst, ai, edhe farsën e sheh dhe e konsideron “si vetëtima që lëbyrë sytë/dhe humbë/pa një pikë shiu”.

Autori i “Tatuazh në kujtesë”, nuk bën vargje dhe poezi vetëm sa për të shkruar, por është shumë i kujdesshëm që në libër të sjellë tharmin dhe thelbin e tërë asaj që troket e përcëllon përbrenda unit, i cili shprush kudo dhe për gjithçka që është pjesë e ecjes  dhe e përplasjeve, edhe atëherë kur ndodhë të lëkundet diçka në mendje pa dëshirën e autorit, pa tërë atë librin e pashkruar të kërkimit në universin e fjalës dhe të goditjes e të përkëdheljes së saj: “Ditë e natë/një korb çukitë/në dregëzën e fatit”.

Çukitja dhe dregëza e fatit, janë dy faktorë dhe dy qasje që korrespondojnë duke sjellë në ndërdie begatinë dhe arsyen e të vepruarit përmes këndimit, përmes vargut, e të cilat qasje krijojnë ose hapin faqe pak sa të ndrojtura të historisë dhe të ngarendjeve kalendarike, ngase: “...shirat bien/çdo ditë e më shumë/vetmia trashë lëkurën”. Kurse, takimi me të panjohurën, për poetin është një dritë sedefeje por edhe ekuacion poetik, i cili, jo rrallë i ngatërron gjërat që na sjellin, por gjithnjë me lejen e poetit, deri në lakmitë e thepisura!

Nëse i referohemi rrjedhave nëpër periudha kohore, si valëve të rrëmbyeshme të detit, autori di ta shtrojë jetën, si sofrën e mbushur me të gjitha bereqetet, por gjithnjë duke pasur parasysh fatin dhe vuajtjet si shokë të pandashëm me njëri-tjetrin, apo si miq të imponuar, sepse: “Na duhet të gëlltisim gjithçka/mjegulla e mbanë ekuilibrin”.

Andaj, në këtë kontekst, nëse zbërthejmë diçka nga zëri i poetit, atëherë, detyrimisht gishti na i prekë tëmthat edhe për mjegullën, edhe për ekuilibrin. Këto dy fiksime, intrigojnë lexuesin për t’u shtrirë gjerë e gjatë në tehun e kohës dhe të mendimit, si refleksion i mendjes, dëlirësisë, por edhe i peshës së mendimit të thellë filozofik.

Vargjet dhe poezitë e H. Shehajt, janë, ose i ngjajnë trasesë së rrugës në të cilën asnjëherë nuk kemi shkelur mbi te, e cila, si e tillë, të sjellë dhe ta detyron mendimin edhe të heshtjes, edhe të ngritjes së zërit por edhe të ndërgjegjësimit, që, edhe sot e kësaj dite, njeriut i nevojitet ky faktor fondamentalKjo, ndoshta tronditë apo zgjon, por edhe e braktisë gjumin dhe tabiatin e bjerrakohës, atëherë kur njeriu domosdoshmërisht shoqërohet me vetminë, me të cilën, çuditërisht, nganjëherë shoqërohet si me mikun më të dashur dhe më të besueshëm, edhe pse, siç ligjëron autori: “Ortë e vetmisë janë si pusi/ku derdhen të reshurat”, kurse: “Heshtja është gurgullimë” e cila përplaset brigjeve të fatit.

Dhe, pse poeti në “Tatuazh në kujtesë”, me aq kuptim shumëdimensional na i dhuron vargjet: “Një gjarpër nën jastëk shpurdhë/sa herë shtrijë këmbët”! Kjo, nuk është as provokim dhe as përçmim. Por, është një “plasaritje” mendjeje, e cila njeriun, pothuaj se gjithherë jetën ia ka shndërruar në dyshim, por, i cili dyshim, bëhet armë e fortë për të rrugëtuar pa iu trembur stuhive.

Problemet e jetës, që, disa sosh i ngjajnë tragjedisë në rrugëtim dhe pakthimit të lumturisë, e godasin krijuesin, pra edhe poetin. Disa prej problemeve të tilla, duken bizare, por që janë, ose gur themeli ose krimb që gërryen dhe brenë nga brenda e jashtë: “Fëmijë të braktisur/Moti kanë humbur rrugën/Endacakë që nuk dinë/ku janë nisur/as kur do të ndalen/Ëndrrave kërkojnë çerdhen”.

Të kësaj natyre janë shumë poezi dhe vargje të cilat tërheqin zvarrë kureshtjen e lexuesit, edhe atëherë kur dëshiron të pushojë pak nga përjetimi i këndimit poetik.

Për peshën dhe bukurinë e tokës dhe të atdheut, poeti fajëson padrejtësitë por edhe historinë

Madhështinë dhe bukurinë e tokës dhe të atdheut, poeti i sheh dhe u këndon në mënyra të ndryshme. Për çfarë, me ngjyra përrallore, si ato të ylberit, edhe më shumë ua përjetëson bukurinë dhe historinë, siç janë Bjeshkët e Nemuna, emërtimin e të cilave sikur e denoncon duke fajësuar historinë: “Ç’është kjo njollë/në ballë të bukurisë/Mariash, Gjeravicë, Hajle.../ku ishit kur zemra plasi/Ç’mallkim ua mori gojën/atë ditë pagëzimi/që s’e thatë një fjalë”!

Pothuaj se në të gjitha njësitë ciklike, poeti ka krijuar tablo që koordinojnë fuqishëm dhe se nuk do të qëndronin njëra pa tjetrën. Andaj, gjatë vargëzimit, me të drejtë thotë: “Ndryshku i fjalëve/grisë shkëlqimin”. Me këtë, sikur e vërejmë hidhërimin shpirtëror për heshtjen, e cila nëpër mote ka shkaktuar nebulozë por edhe harresë, e cila ka gjeneruar varfëri të këndimit dhe të zbardhjes së territ historiografik, por edhe të problemeve të tjera të natyrës kombëtare. E tërë kjo, fuqishëm shprehet në shumë poezi përbrenda këtij libri, si në: “E diela e gushtit”, “Drejtpeshimi”, “Bliri plak”, i cili figurativisht shfleton shumë faqe historie e periudhash, që e kërkojnë edhe lexuesin edhe dritën: “Bie e zgjohesh me këmbët në dhe/...fjalët prej dheut i nxjerrë”, dhe tensionohet vargu: “...S’të duhen media, kasnec.../lajmet t’i sjellin zogjtë/kënga të pikon nëpër degë”! Është kjo një histori e tërë në flakën e këtyre vargjeve që janë simbolikë e tatuazhit që nuk shihet.

Ndërkaq, kur poeti ngre zërin për tokën e atdheun, për luftërat dhe dëshmorët, ai është krenar dhe i hidhëruar bashkë. Ai, e di pse?! Po, edhe lexuesi e di në mënyrën e vet. Andaj, sikur zëri i tij bëhet kushtrim i përzier me djegësimin e shpirtit dhe të zemrës: “Në mermerin tënd/vura gurin e zemrës/heshtja më foli”.

E tërë kjo, ndoshta e detyron vargëzimin e kësaj natyre, sepse, lashtësia e ka amanetin dhe dhembjen: “U lëshova shekujve në arenë/...Albanë, Molosë, Taulantë, Enkelejd.../nga zemra madhështore/duartrokisnin”! Ndërkaq, vargjet që kanë shëtitur dhe kanë lënë gjurmë në betejat e luftës, janë bashkudhëtarë të autorit, dhe ato, sikur ia rëndojnë qepallat e syve, por që ia shndrisin fërkemin, hapin dhe çdo gjurmë, që, të gjitha i ngjajnë një legjende ende të pathënë dhe të pastudiuar: “Po, unë nuk vi prej parajsës/me buqeta lulesh/prej rrënojave të luftës vijë/me një strajcë trishtimesh/...por engjëjt nuk vinë prej ferrit/...po këngë e dhembjes është/ofshamë shpirti...”!

Mesazhi dhe metafora të gërshetuara me shprehjet e qëlluara dhe të fuqishme letrare dhe estetike, e bëjnë aktual dhe ngadhënjimtar vargun dhe jehun e tij: “Shtrydhe një guri nxirrja fletët/faqe për faqe ADN-ja të dëfton/për varrime zhvarrime epitafe kohe/shkruar nga një dorë e panjohur”. Ose: “O, sa djersa duhet t’ia nxjerrësh lotët gurit/të ia hapësh sytë mjegullës/të ia hapësh gojën tokës”.

Vargjet si këto, janë përjetim edhe provokim që shoqërojnë për të kërkuar forma, mënyra dhe vetëdijesim për ta gjetur çelësin e kohës, për ta ndriçuar dritën e dritës, për t’i mos lënë këto vetëm si tingëllimë e hingëllimë kohe!

Nëpër kohëra biejnë në sprovë shumë gjëra, të cilat nganjëherë duken të rralla dhe jo fortë të rëndësishme, sepse poeti, thua se nga një distancë i vëren dhe i shikon ngjarjet, bile, edhe të luftës, të cilat padyshim se zgjojnë kujtesën për tmerrin e heshtjes, të dritës, të qetësisë e të këngës së thënë lirshëm pas territ e ferrit, e, që të gjitha këto bashkë, ngacmojnë nostalgjinë dhe etjen mbi të cilat sikur mbinë si diçka e çuditshme. Kjo është e natyrshme, sepse, pas çdo furtune jeta frymon ndryshe, e ngacmuar dhe e ngarkuar me plagët e fshehta, por edhe me plagët e shëruara të njeriut, të kohës...

Për këtë, poeti sikur kapërthuret me mendimet e veta si në rrjetë merimange, dhe, ec e dil nga vetvetja, kur: “zemra nuk e ka hovin e atyre ditëve”. Në këtë kontekst, në vargun e vetë, ai sjellë filozofinë e mendimit ndryshe dhe plotësisht të përgjegjshëm, ngase, nëpër kohët që ecën, si gjithherë, rrugëtar, mbase udhëtar i përbashkët është edhe djalli, i cili përbirohet  padiktueshëm në labirintet që i krijon vetë njeriu.

Takimi i poetit me vetveten-detyrim i të menduarit, i arsyes dhe i moralit njerëzor për heqjen e shtresave të pluhurit nga realiteti

Krijuesi nuk ligjëron kot, kur thotë: “as dashuria nuk është dashuri/nëse nuk përgjakësh për te/as liria liri kur çdo gjë është e lejuar”. Kjo shprehje nxjerrë në shesh detyrimin për të menduar arsyeshëm për vizionin e jetës, për realitetin i cili mund të mbetet përgjithmonë i hidhur dhe problematik. Për një qasje dhe kujdes të tillë, hapen shumë rrugë për ta kapur dritën për t’u ngrohur me lumturinë, për çfarë, të gjitha këto, orë e çast mund të mbyllen, por edhe të shndërrohen në errësirë. Nga një përkushtim të tillë, kujtoj se poeti, nga etja shndërrohet në rob vargu. Por, në të njëjtën kohë, edhe vargu bëhet rob i këndimit të poetit, i cili dashurohet në fjalën sa më fisnike për ta mos varrosur shikimin, për ta mos përdhosur kohën, të cilat gjëra gjithmonë e kanë trishtuar njeriun e kësaj toke, e kanë frikësuar për të mos u bërë urë mbi të cilën kalon gjithkush.

Për të gjitha këto, poeti e bën krismë kambane nostalgjinë e dhembjes, si metaforën më të fuqishme të përcëllimit-si shoqërues të jetës, e cila nostalgji shtrihet e mishërohet në shumë vargje, duke e krijuar shtratin e lumturisë, të ndërgjegjes dhe të këshillës së veçantë, por, edhe duke zbardhur shtratin si histori të dergjës dhe të ligatinës, të cilat jo rrallë, kanë rrëzuar edhe heronjtë më të mëdhenj të legjendave dhe të miteve, gjersa, “kau i zi” dridh tokën nën këmbë. E tërë kjo duket e tmerrshme edhe në poezi, sidomos kur në betejat e ndryshme, njeriu jo rrallë ka qenë, të mos them, është edhe tash konfuz, me çfarë mund të rrënojë çdo gjë; edhe kujtimet, edhe këndimin për histori. Pra, është i çuditshëm, kontraverz: “Ne të gjithë takohemi në ëndërr/vetëm rruga na mungon”. Kështu ka thënë poeti, i cili padyshim na sjellë ndërmend, se: “...hapat e bëjnë rrugën”!

Duke mos qenë i kënaqur me tërë atë që përmes vargut e ka bërë pikturë toke, shkëmbi, shoke e plisi, peizazh drite e terri, poetit s’i mbetët gjë tjetër, veç se për t’u takuar me vetveten, për ta prekur trupin e për ta matur rrahjen e damarit, se edhe çfarë duhet bërë tash, por edhe tutje, ngase e ka dronë kur thotë: “Rri në lëkurën tënde qoftë edhe mes reve/por thonjtë mos i le jashtë/tatuazh barbare të vizatojnë”.

Autori, përmes poezisë sjellë dëshirën për heqjen e shtresave të pluhurit nga realiteti, sepse e di se “vetëm e vërteta jashtë lojës mbetët”.

Dhe, krejt në fund. Libri “Tatuazh në kujtesë” i ngjanë një biografie specifike apo të veçantë edhe të vetë autorit, i cili na përbiron nëpër “ngushticën” e mendjes duke provokuar: “Desha të iu ngushëlloj/me zemrën time të thyer...”! Ky është libri i poetit Haki Shehaj, i cili pothuaj se çdo gjë na lë merak dhe në trajtë amaneti: “Je mësuar me natën zemra ime/drita po t’i vret sytë”.

Unë, kështu kujtoj se Haki Shehaj na ka ofruar shumëçka në kujtesë, i cili na mundëson, por nganjëherë edhe na ofron mundësi që mesazhin dhe mendimin letrar dhe filozofik ta bartim në të njëjtën kohë në dy palë binarë të analizimit dhe të ndijimit të poezisë së tij, e cila padyshim se begaton vlerat krijuese letrare në Kosovë dhe përgjithësisht ato kombëtare.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora