Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Emfazë baraz prapambetje

| E merkure, 29.05.2013, 09:01 PM |


Emfazë baraz prapambetje

(Përndryshe: Shqiptarët, viktimë e demagogjive pa fund, përfshi edhe ato për atdheun e partitë.)

Nga Vangjush Saro

E gjithë fushata elektorale, edhe këtë herë mund të cilësohet si një emfazë e paparë e politikës, qytetarëve dhe institucioneve shqiptare. Shembulli më i fundit ishte aludimi (i kryeministrit Sali Berisha) se në SHBA mezi po presin të plotësohen kushtet që t’iu hiqen vizat qytetarëve shqiptarë(!) Është pak ta quash një gjë për të qeshur. (Slovenia ka nja 15 vjet që e ka mbyllur këtë punën e vizave me Amerikën dhe s’është ndjerë fare.) Por ne shqiptarët jemi apo na pëlqen të ndjehemi gjithnjë në emfazë...Kjo do të thotë një gjendje jo e zakontë shpirtërore e me përjetime normale, por me gatishmëri për klithma, për britma, për zhurmë; emfaza është gjendja e frymëzimit fals dhe e ndijesisë së triumfit orë e çast, është njëlloj vaniteti, boshllëku më në fund. Por përdoret shumë mirë si stimul, për të ‘zbukuruar’ sadopak të tashmen dhe të ardhmen, si dhe për siguruar ‘karburant’ për më tej.

Emfaza është një gjendje e vazhdueshme te ne, në kohëra; është një vetëkënaqësim që njëfarësoj kompenson mungesën e rregullave dhe të përparimit të duhur. Emfaza justifikon edhe prapambetjen. Kujtoni pathosin e shkruesve të shumtë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, kur edhe për arsye utilitare, të njëlloj “nxemjeje” të domosdoshme ndërkohë qe kishte filluar (më në fund) ndeshja me Perandorinë Osmane, Shqipëria vizatohej si parajsë, vend i begatë e pa një të keqe; të gjithë të tjerët përqark nuk ishin kurrfarë gjëje, shqiptarët më të mirët e botës...Po pikërisht për shkak të emfazës dhe vanitetit, ramë sërish në despotizëm e prapambetje.

Tipike ka qenë shfaqja e kësaj dukurie joserioze në 45 vitet e rendit socialist. Në fakt, emfaza erdhi që nga koha e Luftës…(Unë nuk e di si i thonë tani zyrtarisht, Lufta Nacionalçlirimtare apo Lufta e Dytë Botërore.) Im atë, ndjesë pastë, më thoshte se njerëzve u tregoheshin përralla: “Do të hamë me lugë floriri…” Po im atë, i ndjeri, më tregonte se komunistët, në të marrë të pushtetit thoshin se nuk kishin gjë me zanatçinjtë dhe tregtarët e vegjël, ata do të shtetëzonin vetëm pasuritë e mëdha e të vëna gjatë luftës; por ata arritën deri atje, sa e ndiqnin me tërbim fshatarin teksa shiste dy vezë qoshkave…Edhe pse vendi kaloi nëpër zig-zake të shumta, edhe pse në mungesë të lirisë e të kontakteve me botën, emfaza mbahej lart, flitej vazhdimisht për fitore e për jetë të lumtur, për një krenari (për çfarë?) që ishte me shumicë...Poetët më të njohur të kohës, që tani kanë marrë poza demokratësh, shkruanin edhe atëherë ti Shqipëri je më e mira, e ku ka si kjo tokë e lumtur dhe marrëzira të tjera, që edhe sot vazhdojnë pa fund, në kushtet e ‘epidemisë’ on-line. Shqipëria vuante për ushqime, por arriti të siguronte një çmim ndërkombëtar pikërisht për ushqimet(!)

Emfaza është vetja jonë e dytë. Ne nuk bëjmë dot pa të. Kujtoni tani se me ç’emfazë mbërriti në Shqipëri pluralizmi; rënia e komunizmit dhe ardhja e demokracisë mbollën gjithandej një shpresë të madhe dhe një entuziazëm të paparë. Shkruesit filluan të hedhin poshtë gjithë sa ishte thënë e bërë më parë, duke e lidhur çdo gjë me demokracinë; (kjo më kujton atë tregimin e Kadaresë “Koha e shkrimeve”). Kurdoherë që duhet, ne shqiptarët e gjejmë arsyen për të qenë në emfazë, për ta lidhur sadopak çastin me politikën, për të treguar me bërtitje atdhedashurinë, për të manifestuar zjarrmi ideologjike. Më shumë se dy dekada në pluralizëm dhe në ekonomi tregu, shumë gjëra u ndryshuan, u transformuan, ato shikohen me sy; por ndërkaq, spiunët u fshehën, ç’po them, u bënë deputetë; shkrimtarët më të betuar të realizmit socialist mbushën radhët e partisë që sapo mori pushtetin, shkruesit e tjerë amatorë ia filluan nga e para me tone të larta e thirrje të zjarrta, aq sa të krijohet përshtypja se “festë të madhe ka sot Shqipëria”, siç thoshte dikur një këngë e njohur.

Por i gjithë ky entuziazëm, kjo eufori, nuk shërbyen sadopak për ta ndryshuar mentalitetin e mëhallës, provincializmin, gjëra që me kohë vunë brirë. Kujtoni disa pohime të kryeministrit aktual Sali Berisha për vendin e parë në botë, në Evropë, ndonjëherë për dreq është përdorur edhe termi planet(!) Vetëm një vend i prapambetur dhe ende në mentalitet mëhalle, mund të durojë e të bashkëjetojë me marrëzi të tilla, me këtë lloj emfaze që s’na ndahet. Në Shqipëri mezi ndahen pagat; fjalët e bukura, liderët pa shpirt t’i mbajnë për shtëpitë dhe familjet e tyre.

Nga sa kam lexuar, por edhe nga sa kam parë me sytë e mi - e nuk mund të them pak - s’m’u ka dukur se ndokush tjetër i beson kaq shumë emfazës dhe vanitetit sa ne shqiptarët. Po të shkosh për pushime diku në Meksikë ose edhe në Turqi - e ndërsa kujton se si është katandisur bregdeti ynë - do të shikosh se si në ato resorte nuk ka kurrfarë tangërlliku, demagogjie e mburrjeje; por mizë e mushkonja s’të zënë sytë dhe të punësuarit janë gjatë gjithë kohës në lëvizje e në shërbim. Nuk dëgjon ndokënd të fillojë të flasë për politikë a për atdhetarizëm apo të mburret për atë dhe këtë; disa tema s’mund të merren e rimerren vend e pa vend, duke i kthyer në të kundërtën e tyre. Ndërsa duhet t’i besojmë profesionit, biznesit, detajeve të jetës së përditshme, ndërsa kemi nevojë të shikojmë se si mund të ndreqet sadopak jeta në atë vend, ne ngrihemi që në mëngjes të mufatur ideologjikisht. Një palë shajnë të shkuarën. Një palë shajnë të sotmen. Disave iu ka mbetur ora në grevat e viteve ‘90-’91. Në masë njerëzit i shikon ngarkuar krejt me konfuzion, të etur për t’i ditur të gjitha dhe për t’u trazuar në gjithçka, në politikë, në ekonomi, në diplomaci, kulturë, a thua do të ringjallim “vijën e masave”. Edhe sot e gjithë ditën, lexojmë lloj-lloj shkrime të mbushura me patriotizëm dhe atdhetarizëm, me një dashuri të shtirur e false për vendin, por që ja…në një gjysmëdemokracie përpëlitet nga dekada në dekadë, çuditërisht, pa përfituar asgjë nga e gjithë kjo dashuri e stërmadhe mbarëshqiptare.

Kujt i hyn në punë emfaza, lavdithurrja, mburrja, përdëllimi për atdheun, kur punët shkojnë si mos më keq, në Shqipëri dhe në Kosovë! (Pohoj me bindje se gjithsesi, atje ka më pak emfazë.) A i ka dhënë ndonjë dorë ekonomisë shqiptare emfaza? A mos vallë ka frenuar dramat e panumërta familjare për shkak të mungesës së sigurisë? Shikoni sa emfatikë janë liderët kryesorë të politikës; pathos, britma, thirrje jashtë çdolloj freri etik; njëri thotë kemi bërë rrugë, dhe jo thjesht kaq, por jemi të parët e botës; tjetri thotë s’kini bërë asgjë, të shikoni ç’do të bëjmë ne; një i tretë e bën si te ajo përralla ku vëllai tuaf, duke thënë “Edhe ti gënjen, edhe ti gënjen”, gjeti rastin të fshinte qurret me mëngë, sa majtas djathtas. Komedi...

Një popull në emfazë, nuk është një gjë e mirë. Vë re që në disa portale e blogj-e, njerëzit shfryjnë e shkruajnë vend e pa vend. Një popull që prodhon kaq shumë shkrimtarë e analistë(!) Dhe po t’i thuash dikujt që në këtë shkrim nuk ka gjetje, është pak i lodhshëm në të lexuar, ka gabime gramatikore, etj., ai të mban mëri...Sepse ne shqiptarët nuk pranojmë që mund të jenë të ndara punët, dhuntitë e talentet; jo, ne duam t’i provojmë të gjitha, t’i shoshisim të gjitha, të përfshihemi në çdo muhabet e thashethem, të dukemi e të shpërfaqemi me doemos. (Kjo më kujton kohën kur në Shqipëri shumica bënin letra anonime e fletërrufe, për t’u gjendur në punë e për të rënë në sy që…ishin me Partinë.) Nuk kemi të mirë nga emfaza. Një vërshim i tillë legjendash, poezish e prozash pa fund, ca më tepër analiza e hartime atdhedashurie, shkrime politike nga më të palexueshmit, kjo pamje për të qeshur, tregon se pjesa më e madhe e jona nuk punojmë, jemi krejt jashtë orbite, duke shtegtuar në absurd...

Ikja nga emfaza do të vijë krahas rritjes së ndijesisë për të respektuar rregullat dhe ligjet, krahas daljes nga papunësia e thellë, krahas shtrirjes së bizneseve e mundësive ekonomike te të gjithë qytetarët, krahas përfshirjes (së tyre) më shumë e më mirë në punët vetiake e të familjes, por duke respektuar komunitetin dhe shtetin, si dhe duke e ndjerë atheun jo si ideal, jo si këngë revolucionare, por si një tërësi e ndjenjave dhe interesave më të qenësishme qytetare, pjesë e një harte evropiane a botërore që e ndryshon legjendën (e shpjegimeve) dita-ditës.