Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ali Ahmeti ta braktisë Qeverinë e Maqedonisë

| E merkure, 29.05.2013, 06:52 PM |


Pas refuzimit të Maqedonisë për t'i dërguar Kosovës ftesë për pjesëmarrje në Samitin e SEECP-së, i cili mbahet në Ohër më 1 e 2 Qershor, zyrtarët më të lartë të Republikës së Shqipërisë vendosën ta bojkotojnë atë. Ky qëndrim i drejtë i Republikës së Shqipërisë në raport me sjelljen e padrejtë të Maqedonisë ka hapur dilemën e raporteve të përgjithshme të kësaj republike me shqiptarët në Ballkan. Prandaj, në këtë situatë edhe faktori politik shqiptarë në Maqedoni duhet të jetë unik dhe ta dënojë sjelljen e Republikës së Maqedonisë, Serbisë e Bosnjës.

Lëvizja për Bashkim kërkon nga BDI-ja që ta rishqyrtojë urgjentisht qëndrimin e mëtutjeshëm në koalicion qeveritar. Ajo, për këtë veprim, përveç argumentit kombëtar, në anën e vet i ka edhe argumentet politike e ligjore, kur dihet që Maqedoni e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet.

Në të kundërtën, edhe Ali Almeti e BDI-ja, si forcë qeveritare, me apo pa vetëdije po pranojnë të rreshtohen në anën Serbisë, Bosnjës e Maqedonisë në përpjekjet e tyre për izolimin e Republikës së Kosovës.

Unifikimi i plotë i tërë faktorit shqiptar në Ballkan në lidhje me këtë çështje do të kishte rëndësi të madhe për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe për raportet e përgjithshme të vendeve të këtij rajoni.

LËVIZJA PËR BASHKIM

Prishtinë, 29.5.2013