E enjte, 28.03.2024, 01:18 PM (GMT)

Mendime

Serxhio Mazreku: Ngërçi institucional i KQZ-së

E marte, 28.05.2013, 07:21 PM


Ngërçi institucional i KQZ-së

Nga av. Serxhio Mazreku

Kur nuk kanë mbetur më pak se një muaj nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, KQZ-ja ende nuk është formatuar plotësisht, për të vepruar si një organ kushtetues e plotësisht legjitim për menaxhimin e këtyre zgjedhjeve.

Politika dypartiake ulërin e gjëmon në kor, ia lënë topin në dorë njëra palë tjetrës, por ajo që duhet të ndodhë, që KQZ të marrë përsipër të luajë rolin e saj normal e të ligjëruar me Kushtetutë, si organ i mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë vend,  nuk po ndodhë, duke e futur vendin në një udhëkryq të trishtë.

Ngërçi, handikapi apo më saktë bllokimi i institucionit të KQZ-së, si i vetmi instucion legjitim, për të garantuar një ecuri normale dhe pa ekuivoke të procesit zgjedhor, për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, është produkt i marrëveshjes së shumëlakuar midis dy aktorëve kryesorë të politikës shqiptare, PD-së, si mazhoramcë qeverisëse së bashku me LSI-në  dhe PS-së, si opozitë, duke shpërfillur vullnetin e partive të vogla, si dhe të dy forcave të konturuara dukshëm në relievin tonë politik, FRD-së dhe AK-së.

Pra marrëveshja midis PD-së dhe PS-së për formatimin e KQZ-së ka qenë një marrëveshje politike, që i ka shpërfillur të gjithë zërat kundër, duke bërë që KQZ-ja të funksionte mbi bazën e një konsensusi të  deklaruar dhe i trumbetuar në vijimësi, si më i miri i mundshëm.

Por, kur LSI-ja u tëhoq nga koalicioni qeverisës, duke iu bashkëngjitur PS-së ose frontit opozitar, për llogari e interesat e së majtës shqiptare, por dhe për shkak të presionit të Internacionalistes Socialiste, bashkë me ministrat, zëvëndësministrat dhe pjesën tjetër të administratës bashkëqeverisëse lypsej të tërhiqte dhe anëtarin e saj nga KQZ-ja.

Pra, duke tërhequr këtë anëtar, ruhej formula politike e marrëveshjes pozitë opzitë për KQZ-në, ku katër anëtarë do të ishin të mazhorancës dhe tre anëtarë të opozitës. Ky veprim i pritshëm, normal dhe institucional nga forca politike e LSI-së, do të prodhonte vijimësi të marrëveshjes dhe rikonstituimin e KQZ-së, si një organ legjitim kushtetues, për menaxhimin e zgjedhjeve të drejta e të lira në Shqipëri.

Por, pasi LSI-ja kreu aktin e parë kundër frymës së Marrëveshjes politike, duke mos tërhequr anëtarin e saj nga KQZ-ja, siç bëri me gjithë pjesën e administratës qeverisëse, kjo i dha shkas mazhorancës për të bërë ajo hapin e saj jo të drejtë dhe jo në përputhje me vetë marrëveshjen e iniçuar nga ajo dhe opozita. Mazhoranca zgjodhi rrugën parlamentare, duke e hequr anëtarin e katërt të KQZ- së, përfaqësuesin e opozitës  (të LSI-së), duke zgjuar kështu një reagim të egër të frontit të majtë dhe mosaprovim e madje refuzim të hapur të ndërkombëtarëve.

Në këto rethana, opozita e majtë tërhoqi edhe dy anëtarët e saj nga KQZ-ja, duke e lënë këtë institucion legjitimin të zgjedhjeve të lira në Shqipëri të paformatuar, të bllokuar për momentin dhe të pamundur për të përmbushur detyrën instiutcionale të mbajtjes së zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Pra, gjithë kjo rrëmujë e shkaktuar, bashkë me pasojat e saj në dëm të procesit zgjedhor, nuk është gjë tjetër veçse rrjedhojë e një marrëveshje politike dhe nuk mund të shkojë në vendin e vet pa marrëveshje e mirëkuptim politik.

PS dhe Opozita e Majtë thonë se anëtarët e KQZ-së janë të depolitizuar, por në këtë rast, lind pyetja: Përse ata u tëhoqën nga KQZ-ja sapo iu dha urdhër i prerë nga lidershipi rozë? Po të ishin apartiakë, siç pretendohet, ata nuk do t’i bindeshin asnjë zëri e këmbëngulje politike, por vetëm vullnetit kushtetues të institcionit të KQZ, ku janë të përfaqësuar.

Në këto rethana, kur handikapin e ka krijuar opozita, konkretisht LSI-ja, që nuk e ka tërhequr vetë, vullnetarisht, anëtarin e saj nga KQZ-ja, duke u pasuar ky mosveprim me një veprim tjetër arbitrar të mazhorancës, është detyrë e opozitës që të çojë tre anëtarët e saj në KQZ dhe të rikthejë normalitetin e këtij institucioni.

Natyrisht që nga marrëveshjet të tilla politike duhet të lindin instituicione të depolitizuara, siç lypset të jetë KQZ-ja.

Tani, edhe sikur të ekzistonte vullneti politik i palëve, për ta shkundur KQZ-në nga myku molepsës i politikës, pra për ta depolitizuar KQZ-në,  nuk ka kohë për të vepruar. Por, nëse ky vullnet do të ekzistojë, ka kohë që pas zgjedhjeve, të riformatohet KQZ-ja, duke pasur në gjirin e saj vetëm juristë, që të luajnë rolin e gjykatësit, të pavarur nga politika, në momentin që ata marrin detyrën t’i nënshtrohen Kushtetutës, me një mandate të pëcaktuar me ligj.

Përvoja e vendeve të zhvilluara në këtë drejtim ekziston, por lypset thjeshtë vullneti politik për të vepruar, për ta depolitizuar një herë e përgjithmonë KQZ-në, që të mos prodhojë më ngërçe e ngecje në emër të politikës.

Lypset që në të ardhmen politika dhe kryesisht dy partitë kryesore në vend të ngrihen mbi interesat e castit, mbi frymën militanitste që i mban peng tash sa kohë dhe të formatohet në këtë vend një Komision Qendror Zgjedhjesh që të ketë rolin e një gjykate të shkallës së parë për procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Të mos varet nga askush, nga asnjë parti politike dhe të mos i nënshtrohet asnjë lloj presioni, ngado që mund të vijë, përveçse frymës së ligjit, presionit dhe modaliteteve ligjore dhe kushtuetutese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora