Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Karl Marksi dhe jo vetëm!

| E marte, 28.05.2013, 06:00 PM |


Karl Marksi dhe jo vetëm !

Nga Elvi Sidheri

Sa herë që kam menduar për Karl Marksin, në tru se ç’më kanë parakaluar ca imazhe social-realiste ala-shqiptare të para viteve nëntëdhjetë në fakt.

Zotëria e Tij Karl, gjermano-hebre për nga origjina siç rreken të thonë burimet biografike që lidhen me të, ishte thelbësisht një njeri që merrte shumë erë nga ekonomia e po ashtu edhe nga psikologjia dhe evolucioni njerëzor.

Kështu nuk është fare e habitshme që ai të predikonte një botë cilësisht, për nga sfera e vlerave dhe kontributeve, nga mënyra zhvillimore dhe këndvështrimi përparimtar...të barabartë!

Asgjë të keqe nuk do të ketë patur në mendje ai teksa ngjizte këtë ide në mes të labirinteve të panjohura, por tejet të iluminuara të trurit të vet dhe sot e kësaj dite shembulli i tij, gjithësesi mbetet i pranishëm në secilën teori që mëton të shqyrtojë pasojat dhe simptomat e një bote të rregulluar enkas si globalisht të çrregullt.

Marksi andej nga i nëntëmbëdhjeti shekull...qysh nga gozhdimi i Jezusit të Nazaretit (pas fshikullimit publik dhe tradhëtisë së dishepullit renegat 30 denarësh, Juda Iskariot)...pati besuar se klasat e opresuara, të shtypura dhe të shkelura nga këmbët e majmura dhe këpucët prej lëkure origjinale kafshësh të gjora të vrara dhe rrjepura posaçërisht për këtë qëllim, të aristokracisë...do t’a merrnin në posedimin e tyre fatin e shoqërisë humane dhe kështu ditë më të mira do t’a prisnin medoemos njerëzimin.

Utopia prandaj fundja është interesante dhe tërheqëse...sepse ajo tingëllon bukur prandaj!

Për këtë fakt nuk kam pasur asnjëherë qoftë edhe një dyshim të vogël unë dhe të tjerë para meje.

Përmenda cazë më lart se i pari nga të fundit (këtej e dymijë vjet së paku)...që pati promovuar e predikuar barazinë dhe “drejtësinë” e shoqërisë njerëzore, kishte qenë një hebre, i lindur siç thuhet nga mpleksja e frymës së shenjtë (perëndisë së gjithëpushtetshme)...me një grua humane, pra të virgjërën dhe tërëshenjtën Mari!

Si e mori i ngrati Jozef zrdukthari këtë eveniment (babai efektiv, në mos adoptiv i fëmijës hyjnor në fjalë)...nuk është se na e ka referuar ndokush që t’a dimë ndërkohë!

Jezusi i cili përveçse çoi nga varri Llazarin, shumoi peshqit e liqenit të bukur të Tiberias dhe në mos gabohem i ktheu një të gjori të verbër shikimin, mbi të gjitha eci kryq e tërthor tokës së Judesë, duke u kërkuar hebrenjve, këtij populli të zgjedhur dora vetë...nga Zoti, që ata të njohin fjalën e fundit të perëndisë dhe që në shoqërinë e tyre së pari...e më pas në gjirin e tërë njerëzimit, të arrijë dita e shumëpritur dhe uruar e barazisë midis gjithë rracës humane.

“Të fundit do të jenë të parët”...thuhet të jetë shprehur ai!

Kush qenë të fundit atëherë?

Skllevërit se kush tjetër?

Domosdo që edhe fjala dhe doktrina e Jezuit, pasi si e “krishterë” në të gjallë të tij nuk është se njihej ende...sido që të jetë ajo pra mori dhenë dhe u përhap ngado, gjersa një ditë këtë profet, vetë birin e Zotit, e tradhëtuan pra dhe më pas e kryqëzuan barbarisht në kryq mbi një kodër të qytetit të përjetshëm...Jeruzalemit.

Marksi pra të dashur lexues, nuk ka qenë i pari që të ketë predikuar utopikisht një barazi universale, apo qoftë edhe një dominim të ri të shtresave të ulta kundrejt shtypësve ose uzurpatorëve të pasuruar rishtaz ose qysh më parë në errësirën e kohës së pakujtueshme.

Jezusi do shtoja unë modestisht, duke ruajtur gjithësesi këndvështrimin tim tejet të stakuar dhe laicist kundrejt krishtërimit që është gjithmonë feja ime, sidoqoftë ai pra predikonte barazi dhe jo përmbysje hierarkish, jo direkt të paktën (i pasuri, fisniku, patrici dhe skllavi, i pangrëni dhe plebeu, para së njëjtës perëndi do dilnin në ditë të gjykimit, ferri ose parajsa i priste secilin pa dallim origjine), kurse manifestot marksiste, drejt kësaj tendojnë pashmangshmërisht dhe përfundojnë si rëndom tek një diktaturë e re, e proletariatit në këtë rast!

Ne shqiptarët se çfarë do të thotë kjo saktësisht e dimë mirë dhe s’ka nevojë të ndalem unë për t’u thelluar këtu më tepër.

Marksin e përpunuan pas vdekjes dhe ia çorientuan mesazhin e tij utopisto-revolucionar për kohën kur ai qe pjekur dhe formuluar (kohë eksesesh të gjithëanshme të një aristokracie që ishte izoluar në kafazin e saj të artë dhe nuk ndjente a dëgjonte as zërat ekstremë të revolucionit nga shtresat punëtore, por as edhe ato më realistët dhe të nevojshmit e borgjezisë apo shtresës së mesme, palca e shëndetshme e secilës shoqëri moderne).

Pol-Poti, Mao ose mizoritë enveriste, kubane e staliniste na mësojnë se një utopi, do studiuar mirë përpara se të vihet në jetë ndërkohë.

Por Marksi ose Engelsi për komunizmën ashtu si edhe Nietzsche që u akuzua idiotësisht lidhur me pseudo-frymëzimin që teoria e tij e mbinjeriut i cili figurativisht “vrau Zotin dhe vuajtjet tokësore” me forcën e karakterit dhe intelektit të pamposhtshëm human...i ofroi idesë dhe strukturës së sëmurë të trurit të kompleksuar dhe nazistoid të Adolfit të mbiemruar Hitler nga një katund austriak pranë Bavarisë, asnjëri prej tyre pra, nuk ishte, është apo do të jetë fajtor për keqinterpretimin e përpjekjes së tyre të vlerësueshme maksimalisht, për t’i dhënë formës, trajtës dhe botëkuptimit të kësaj bote, një sens dhe zhvillim më optimal e njerëzor!

...Por bota jonë ekziston ngahera (epoka e Kopshtit të Edenit e përfshirë, se edhe aty çështja “molla”, u bë shkas që ndoshta perëndia t’i tregonte atij Adamit bishtëpërpjetë dhe asaj Evës bishtdredhur, se i pari qe “Ai” dhe askush tjetër...e për këtë arsye u gjet edhe një “casus belli”, shkak pra që ata të përziheshin pa një-pa dy nga parajsa në tokë)...sipas teorisë totalisht të pabarabartë dhe realiste, të “peshkut të madh që ha të voglin”!

“Rrofsh o Charles Darwin se na hape sytë”!-do thosha unë.

Evolucioni i specjes humane nuk është perfekt, por prej tij kemi rezultuar edhe ne njerëzit e sotëm, që në përshtypjen time, gjithësesi jemi shumë më fatlumë sesa paraardhësit tanë me gur të mprehur në duar duke tentuar të vrasin ndonjë mamuth për t’u ushqyer apo duke ia mbathur me të katërta se mos i kapi tigri parahistorik dhëmbëmadh ose kushedi se çfarë bishe tjetër!

Teoria e Darwin-it (të cilën e urrejnë të gjithë ekstremisët fetarë “rastësisht”, sidomos ata të ndezurit dhe ngrefurit rëndshëm), parashikon që natyra dhe bota (pra edhe ajo specifikja që ka lidhje me ne, ”njerëzorja”)...nuk janë të përkryera, si të tilla nuk funksionojnë dhe ashtu në dukje “kaotikisht” ato zhvillohen, në garë dhe rivalitet të përhershëm për mbijetesë brenda species, rracës dhe qënieve të gjalla.

Ekuilibri perfekt që ka shpënë përpara botën tonë, si dhe ne njerëzit vetë, qëndron pikërisht në këtë “Far West” kompetiviteti dhe lufte të përditshme mes kujtdo dhe gjithçkaje, prandaj mesa duket ky planet dhe ata që e banojnë, me ne në krye, ecën para e njëkohësisht plaket, mpaket e konsumohet në resurset e tij, po ashtu si edhe një njeriu (të suksesshëm e të fortë pse jo?!)...i skadon koha me vitet që ikin!

Siç neve lindim e vdesim, ndoshta kjo ndodh edhe me botën tonë, planetin e shoqërinë ku jetojmë e tentojmë të lëmë edhe ndonjë gjurmë.

‘Gjenerim-çgjenerim-rigjenerim”...i them unë kësaj!

Ndaj popull, unë teorinë e makinerive që do të na lehtësojnë të ardhmen dhe ndoshta paqësojnë jetën dhe konfliktet, për shkak të heqjes së një barre të madhe nga kurrizi ynë, e kuptoj dhe megjithë kontradiktat që ushqej kundrejt këtij eventualiteti zhvillimor, e vlerësoj së tepërmi.

Por duke njohur natyrën humane, do të dyshoja që realizimi i saj, si përherë edhe duke ditur atë që ka ndodhur me teori të respektuara nga Jezusi tek Marksi, do të kishte pika të errëta.

Sepse makinat dikush do t’i krijojë, mendojë dhe dirigjojë!

Eh aty po që do të plasë konkurrenca se kujt ky thesar i paçmim t’i bjerë në duar (dhe kështu të kontrollohet bota praktikisht, qoftë edhe nën devizën e admirueshme të një paqeje dhe qetësie e çtendosje universale)!

I tillë është njeriu.

Kështu ndodhi me fjalët e Jezusit, të cilat njeriu i përktheu jo rrallë si ia deshi qejfi i vet, duke ia varur fare teneqen mesazhit të perëndishëm i cili i qe tejçuar nëpërmjet tyre dhe duke i transformuar ato sipas nevojave dhe dëshirava thelbësisht njerëzore.

Koncili i Nikesë, më i rëndësishmi për krishtërimin, është drejtuar dhe dirigjuar siç e dimë, nga një ilir, pra një shqiptar i madh, nga kush tjetër veç Kostandinit të Madh.

Shumica e organizimit, dogmës dhe mënyrës sesi edhe sot e kësaj dite funksionojnë kishat e krishtera, është vendosur dhe miratuar sipas vizionit dhe urdhërave të këtij iliri po ashtu.

Struktura dhe ngrehina e krishterë, përveç ungjijve (atyre që ndër të tjera Kostandini i njohu si mirëfilli të tillë)...dhe fjalët e predikimet post-Jezus të të shenjtëve të parë, është legalizuar dhe kanonizuar gjithashtu sipas filtrimit dhe shijes së këtij iliri të shquar.

Ndër të tjera edhe roli i nënvlerësuar i femrës, gruas e bijës brenda vizionit të dikurshëm të krishterë, i dedikohet ca edhe Kostandinit tonë.

Pra edhe ne si shqiptarë, këtu e shumë kohë më parë, kontributin tonë kaq të rëndësishëm në çuarjen përpara të botës së civilizuar (për mirë apo jo, nuk i dihet ende)...e kemi dhënë.

Rëndësi themelore për fenë e ligjëruar nga iliri Kostandin dhe të predikuar gjer në vdekjen tokësore (para ringjalljes hyjnore) nga Jezusi i Nazaretit, megjithë njëmijë gabime (si manastiret, sjellja ndaj femrës, shkencës, dijetarëve, dijes ose inkuzicioni)...ka fakti që ky religjion diti t’i përshtatet “evolucionit” (Darwin-i ka gjithmonë të drejtë në teorinë e tij të kaosit perfekt)...të kohës dhe lau një pjesë të mëkateve, qoftë edhe detyruar nga revolucione madhore (si ai francezi më 1789-ën), apo nga përparimi i vetëdijës moderne liberale të shoqërisë së qytetëruar perëndimore.

Kisha kështu sot Europës i ka lënë vlerat e pashlyeshme të një të kaluare të civilizuar të përbashkët (të krishterë), ato të familjes e mbi të gjitha vlerën e madhe të sakrificës së birit të perëndisë për mëkatarët njerëzorë si dhe bindjen e vyer të barazisë së gjithëkujt nga bota jonë, në të përtejmen përballë Zotit!

Realiteti ynë shqiptar, nuk le vend për asnjëlloj teorie në përgjithësi, ato fetare më pak ndërkohë.

Unë gjithësesi në rradhët e këtij shkrimi aq utopik sa edhe teoria më utopiste, pata rastin që të rrëshqisja figurativisht përmes Marksit dhe utopisë së tij të ndritur përparimtare e cila pati shenjuar fort shekujt dhe botëkuptimin njerëzor!

Bota njerëzore (ajo shqiptare po ashtu) nuk është kurrësesi gri, por ajo ngërthen në vetvete një larmi të atillë ngjyrimesh, saqë aty gjejnë vend edhe doktrinat e krishtera të secilit denominacion, ato budiste, hinduiste, sikhe, muhamendane apo cilatdo qofshin, deri tek ”Kapitali” i Marksit dhe ”Evolucioni” i Darwin-it.

Rëndësi dhe vlerë madhore ndërkohë, për çdokënd që vetes i thotë shqiptar, ka më tepër se gjithçka, shpirti i pastër dhe i kulluar (ashtu si gjaku)...pikërisht shqiptar dhe asgjë më tepër.

Kjo nuk është aspak një “UTOPI”, por realiteti më i vlefshëm dhe i vërtetë që neve trashëgojmë qysh nga largësia e shekujve më të moçëm.

Mos e bëni “utopi” shqiptarizmën, gjuhën e traditat tona, mos e lini në teori “atdheun” dhe të ardhmen e tij, bëjeni realitet “shqiptarinë” dhe brezat do ju kujtojnë!