E premte, 19.04.2024, 08:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Puntorie Ziba: Kurbetqarit

E enjte, 23.05.2013, 06:59 PM


Puntorie Ziba

 

Kurbetqarit 2013

 

Vijnë vaporat moj nëno përreth bregut

shkojnë n'gurbet, o moj nëno

djemtë e detit .

Dëgjo ritmin

se vaporat uturijnë gjatë rrugëtimit

vijnë të të marrin

si fantazmat

e të shpien zvarrë

udhëve të kurbetit.

Atje, as diellit nuk do t’i besosh

as vezullimës së hënës.

Kur do zbardhin agimet,

ah, kur zbardhin agimet e mykura

këndezi s’do këndojë shqip

në ajërin e lagësht

ku Alpet bëjnë hije.

Ti rri, e pi kafe vetëm,

pi e rri, e kujto një dorë të butë nëne

që e braktise

pa shpresën e kthimit në vetvete.

Ca rreze të befta do të bëhen halë në sy

kur do të përpiqesh t’i pushtosh me dorë

që t’i përplasësh tutje

pa ta verbuar dritën e bebëzës

që ngjizet me rrokaqiejt

kur i hijeshon dora yte e vrazhdë.

Ah, marramenthi do të ëndërrosh

imazhin e atdheut të grisur

e kokrrat e djersës do të puthen me retë, sterrë

që lëshojnë kokrra breshëri.

...dhe nuk gjen dot ngushëllime

që enden me shpejtësinë e erës

pranë nervit tënd me imazhin e vdekur.

Vaporat vijnë e shkojnë

ti i përshëndet me qerpik

djemtë e detit

që mbajnë aromë djerse parashë.

Eh, lotët të rrokullisen nëpër faqe,

njelmësia të thahet në buzët e plasaritura

nga një frikë kërcënuese që të vyshk

kur zëri yt humb zanoret,

ti përze vdekjen

memec i ngujuar, në sytë e tokës jabane

dhe pret një vapor të ri

që t’ia mbathësh nga ke ardhë

e të qash

e të plasësh duke qarë

mbi varrin e dorës së butë prej nënoje

derisa të gdhijë

e të dëgjosh gjelin e parë

që të luste ta shijosh

në fushën tënde

nën cungalët e kulmit

një agim të ri,

duke gjerb me sy, gjelbërimin nën vesë

e duke pjek kafenë

me këngën tënde në buzë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora