E enjte, 25.04.2024, 02:29 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Berisha pastron listat

E enjte, 23.05.2013, 08:33 PM


BERISHA I PASTRON LISTAT E 23 QERSHORIT NGA KRITIKËT DEMI, MARKU DHE ALIBEAJ

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Asnjë zë kritik në rradhët e PD-së nuk do të jetë pjesë e listës së përpiluar nga vetë Berisha. Në listë do të ketë mercenarë nga PS, të cilët nesër mund të shiten me atë lehtësi që u blenë, do të ketë deputetë të trafikuar herë majtas e herë djathtas, do të ketë ish-puçistë, e ish-rebelë të rikthyer për efekte pushteti, në pamje të jashtme të bindur por nuk do të ketë asnjë zë kritik nga rradhët e deputetëve të PD-së. Kush kritikon e pëson! Kush nuk i bindet partisë shkon prapa listave. Rasti më tipik është i Leonard Demit, Mark Markut dhe Enkeleid Alibeajt, të tre me format intelektualësh, dy prej të cilëve me prejardhje nga ish-të përndjekurit, që të tre shumë aktivë dhe 95% të aktivitetit të tyre në mbrojtje të PD-së dhe mbështetje të Berishës. Por nëse nuk e mbështet partinë dhe liderin 100% atëhere digjesh. Kjo është logjika. E mbrapshtë.

Të përjashtuarit në momente të caktuara kanë mbajtur një qëndrim të caktuar, dhe qëndrimi i tyre është mbështetur në moralin e politikanit, në idealet e qendrës së djathtë si dhe ato Perëndimore. Në fund të fundit, të mendosh ndryshe është një e drejtë njerëzore. Në tetë vjet, përgjatë dy mandateve, të përjashtuarit e listës së 23 qershorit i kanë ulur dhe ngritur kartonat me disiplinë partie, por mbështetja njëzëri, në kor dhe me ovacione është jehonë e kultit të individit. Në partitë në Perëndim ekziston gara e lirë brenda partisë dhe fiton më i miri. Ndërsa në Shqipëri se kush është më i miri vendos njëshi. Dhe për 22 vjet tranzicion nuk është gjetur gjuhë e përbashkët për të krijuar standard.

Të kthehemi tek të përjashtuarit, gjithnjë duke marrë në konsideratë raste tipike: I pari, Leonard Demi, kryetari i grupit parlamentar të sigurisë ka mbajtur dy herë qëndrime jo në përputhje me njëshin.

Herën e parë, në pajtim me aleatët tanë Perëndimorë votoi në Parlament kundër ligjit të SHISH-it, dhe mbajti të njëjtën pozitë konform me NATO-n, SHBA dhe OSBE-në në lidhje me shkarkimin e ish-kreut të SHISH.

Herën e dytë, Leonard Demi pati probleme me ministrin Arben Imami, sepse gjithnjë duke mbështetur orientimet të aleatëve tanë Perëndimorë për hir të transparencës propozoi një projektligj që i jepte mundësi Parlamentit të Shqipërisë të mbikqyrte e kontrollonte veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Kontrollin e Shërbimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme etj. Kaq do të mjaftonte që të shpallej non grata për listën e qershorit.

Deputeti Mark Marku, e kemi parë pa fund që të bëhet zëdhënësi i mazhorancës, por kemi parë po ashtu se si individ i lirë dhe intelektual, jo vetëm ai anëtar partie, Marku ka mbajtur disa herë qëndrime kritike, duke u dalluar prej tufës.

Për shembull në vjeshtën që shkoi, në kohën e grevës të ish të përndjekurve, Marku, ka mbajtur një qëndrim të mëshirshëm. Nuk ka qenë dekord me formën që ish-të përndjekurit zgjodhën, pra me grevën, pra deri këtu mbështeste pikë për pikë njëshin, por ndërkohë i konsideronte legjitime kërkesat e grevistëve duke dalë me konkluzionin se vetëm komunikimi do t’i zgjidhë hallet e ish-të përndjekurve dhe ngërçin e krijuar.

Ne jemi dëshmitarë, që faktori ndërkombëtar i bëri sa e sa herë thirrje mazhorancës të kontaktonte me ish-të përndjekurit, por nga PD nuk u ndërmor asnjë hap i tillë, dhe i kemi parasysh konsekuencat.

Mark Marku, po ashtu mbajti qëndrim parimor, duke u distancuar nga shumica që votoi tri dekretet e Presidentit Nishani për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Mark Marku votoi pro një herë dhe votoi kundër dy herë dhe gjestin e tij politik ai e shpjegon në një intervistë tek Panorama: “Votova kundër kandidaturave të paraqitura nga zoti Nishani, për faktin e thjeshtë se nga CV-ja e tyre e paraqitur në Kuvend, rezultonin të kishin qenë ish-funksionarë të lartë të sistemit represiv të Enver Hoxhës dhe zgjedhja e kandidaturave të tilla edhe njëzet vjet pas rënies së komunizmit është e patolerueshme për një mazhorancë të djathtë dhe i bën jokoherente marrëdhënien e saj me të shkuarën komuniste.” Dhe ai votim kundër e përjashtoi Mark Markun nga lista e 23 qershorit.

I treti është Enkelejd Alibeaj, deputet i PD-së për dy mandate, me prejardhje nga shtresa e të përndjekurve. Alibeaj ka mbajtur disiplinë të fortë partie, pra e ka respektuar pa asnjë kundërshtim njëshin. Jemi dëshmitarë se Alibeaj ka qenë nga deputetët më aktivë që i ka bërë avokaturë qeverisjes së PD-së, i palodhur deri në konsumim, tek një parti që ka menduar se ka përputhje idealesh. Me profil juristi, i takon gjeneratës së të rinjve, që nuk ishte as 18 vjeç kur u përmbys diktatura më 1992 dhe nuk duhet të ketë qenë as i rekrutuar nga Sigurimi si Artan Hoxha kur ishte 17 vjeçar. I vetmi gjest publik i deputetit Enkeleid Alibeaj është se nuk i ka mbështetur dy kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani për vendet vakante në Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka votuar kundër si Mark Marku, por ka abstenuar, duke deklaruar publikisht se "Vota ime është abstenim për dy kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese, pasi linja politike dhe morale që kam mbajtur edhe në të gjitha rastet e tjera, besoj se në këtë rast është një logjikë e pastër shkak-pasojë”, - deklaroi Alibeaj. Dhe ky abstenim e la jashtë listës.

Kjo pak a shumë është logjika e listës së 23 qershorit që ka sjellë PD. E ka sjellë mbështetur në matematikë,  jo në moral, ideale dhe meritokraci. Por matematika është ajo që vlen më pak në klasën politike shqiptare, ashtu të pacipë dhe të pamoralshëm si janë, sepse për ta, nisur nga matematika elementare, një dhe një nuk bën kurrë dy. Gjithsesi ai që do të ketë probleme nga lista e tij do të jetë vetë përpiluesi. Do të shohim!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora