E enjte, 28.03.2024, 03:19 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Londër, identifikohet ushtari i masakruar

E enjte, 23.05.2013, 06:55 PM


Ministria e Brendshme britanike bëri publik emrin e ushtarit që u bë viktimë e sulmit të paprecedentë me thika e kama të një ditë më parë në jug-lindje të Londrës.

Ushtari i vrarë mizorisht është Drummer Lee Rigby, 25-vjeç, baba i një djali 2-vjeçar. Ai u ekzekutua në afërsi të kazermave ku shërbente nga dy ekstremistë islamikë, të cilët më pas u neutralizuan nga policia.

Aktualisht dy agresorët ndodhen në arrest në një spital të Londrës ku po marrin mjekimin për plagët e marra nga plumbat e forcave të sigurisë.

Sulmi që tronditi kryeqytetin anglez ndodhi të mërkurën rreth orës 14:00 me orën lokale. Dy autorët, pasi goditën dhjetra herë me thikë në trup 25-vjeçarit i prenë atij kokën në sy të dhjetra dëshmitarëve të rastësishëm.

Nën thirrjet “Allahu Ekber” ata kërkuan që të filmoheshin, ndërsa qendruan në vendngjarje në pritje të mbërritjes së policisë. Njëri prej tyre shfaqet në një video amatore ku thotë se skena të tilla gratë tona shohin përditë.

Sipas të dhënave të para, njëri prej agresorëve ishte i krishterë i konvertuar në islamik i lindur në Nigeri, ndërsa tjetri mendohet se është i lindur në Britani. Të dy ata do të merren vazhdojnë të mbahen nën kujdes të rreptë mjekësor deri në momentin kur do jenë në gjendje të merren në pyetje.

Kryeministri britanik, David Cameron ndërpreu vizitën në Francë dhe u rikthye në atdhe. Ditën e premte ai vizitoi kazermën ku shërbente i riu, ndërsa njoftoi për një hetim të plotë të ngjarjes.

Po të premten, shërbimet inteligjente thanë se ishin vënë në dijeni për sulme të ngjashme. Në 2007 pesë persona u ndaluan me dyshimet se po planifikonin pengmarrjen, torturimin e më pas vrasjen e një ushtari britanik musliman. I gjithë procesi do të filmohej e më pas do të shpërndahej në internet me qëllim demoralizimin e të rinjeve që kërkojnë të rekrutohen në forcat e armatosura britanike.

Njëri prej të ndaluarve u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët morën dënime nga 2 deri në 7 vite burg.

_________________

Londër, hetimet për vrasjen e ushtarakut

Policia britanike nuk përjashton asnjë pistë përsa i përket vrasjes barbare të verifikuar pasditen e së mërkurës në mes të Londrës, por po e trajton atë si “një sulm terrorist me karakter islamik”.

Disa burime, të cilat kanë ruajtur anonimatin, kanë folur për lidhje nigeriane, por pa dhënë detaje të tjera. Lidhje që gjithësesi kanë dalë nga hetimet paraprake dhe mbikëqyrja e pamjeve ku shfaqen dy agresorët, njëri prej të cilëve bën kërcënime dhe parulla islamike.

Agjentët kanë deklaruar se dy agresorët janë përpjekur ta filmojnë vrasjen dhe u kanë kërkuar edhe kalimtarëve ta bëjnë këtë, duke thirrur herë pas here “Allahu është i madh”.

Edhe disa dëshmitarë kanë treguar për BBC të njëjtën gjë. “Ishin të çmendur, si kafshë. E tërhoqën zvarrë përgjatë trotuarit dhe pastaj e lanë trupin e tij në tokë. Më pas ngrinin thikat dhe një pistoletë dhe u kërkonin njerëzve që t’i filmonin. Ky dukej shqetësimi tyre i vetëm”, ka deklaruar për BBC një dëshmitar i identifikuar me emrin James.

Mbërritja e policëve i dha fund aktit pervers të dy agresorëve, të cilët janë qëlluar, imobilizuar dhe më pas dërguar në spital, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.

Kryeministri David Cameron e cilësoi ngjarjen si “shumë tronditëse” dhe ka thirrur Komitetin e Krizës së qeverisë, i njohur ndryshe me emrin Kobra, që mblidhet vetëm në rastet kur mund të cënohet siguria kombëtare.

“Vrasja e ushtarit britanik në rrugët e Londrës është krimi më i frikshëm, një gjë e pandodhur kurrë më parë dhe ka tregues të fortë se episodi lidhet me terrorizmin”, deklaroi Cameron nga Parisi.

Dy agresorët, persona me ngjyrë, fillimisht e shtypën ushtarakun me makinën e tyre, pastaj e tërhoqën zvarrë dhe e vranë duke i prerë kokën, pak metra larg një kazerme të Artiljerisë Mbretërore.

Ndërkohë, gjatë orëve të natës, dy persona janë arrestuar nga policia britanike, pasi në shenjë reagimi ndaj aktit barbar ndaj ushtarakut kanë tentuar t’i vënë zjarrin dy xhamive.

Një nga të ndaluarit, 43 vjeç, është përpjekur t’i vërë zjarrin xhamisë pasi kishte hyrë brenda saj me një thikë në dorë, në zonën e Eseksit. Ndërsa personi tjetër donte të dëmtonte një xhami në Kent.

________________

Sulm barbar në Londër

Një person, që paraprakisht mendohet se ishte ushtar i forcave të armatosura britanike, u masakrua me thikë dhe armë të tjera të ftohta në mes të ditës në një rrugë të Londrës.

Ngjarja që tronditi kalimtarët dhe gjithë opinionin publik britanik, ndodhi rreth orës 14:00 me orën lokale.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se kishin parë dy persona të armatosur me thika dhe kama, që iu vërsulën barbarisht një të riu duke e goditur atë dhjetra herë në trup, ndërsa në fund i kanë prerë edhe kokën.

Policia mbërriti në vendngjarje, dhe qëlloi me armë ndaj dy autorëve që u plagosën. Kalimtarët thanë se ata nuk u përpoqën të arratiseshin pas aktit barbar. Një dëshmitar tha për Associated Press se dy personat, pasi kanë masakruar viktimën e tyre, kanë qendruar të përgjakur në vend duke u kërkuar kalimtarëve që t’u bënin foto dhe filmime.

Aktualisht dy personat, ende të paidentifikuar, ndodhen në spital, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Burime të pakonfirmuara, të cituara nga BBC, thanë se gjatë sulmit janë dëgjuar thirrjet “Allahu Ekber”, që supozon se sulmi mund të jetë një formë e re e sulmeve terroriste të ekstremistëve islamikë.

Ministrja e Brendshme, Theresa May thërriti në një mbledhje urgjente Komitetin e Sigurisë për të diskutuar për rastin në fjalë. BBC thotë Komiteti do të njihet me raportimin e plotë të policisë metropolitane dhe të shërbimeve sekrete, për të vlerësuar dhe kategorizuar sulmin si sulm terrorist apo si një ngjarje horror me motive të tjera.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora