Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: ‘Enver’-ët ikin e vijnë

| E hene, 20.05.2013, 09:05 PM |


‘Enver’-ët ikin e vijnë

ose

Marrëzia e madhështisë

Nga Vangjush Saro

Këto ditë, qytetarët kanë pasur rastin të shohin një spot të gjatë publicitar për kreun e opozitës në Shqipëri, Edi Ramën. Midis të tjerave, ai vetë tregon se kur paskej qenë i vogël, si e donte zakoni, e paskan vënë të zgjedhë profesionin e tij të ardhshëm. Dhe ai na paska marrë në dorë...penelin dhe një tufë me çelësa. Domethënë që (sado me pak shaka) do të bëhej piktor dhe zyrtar, kupto shtetar. Pastaj në atë spot a dokumentar, flitet edhe për punët që ai ka realizuar kur ishte kryetar bashkie, etj. Nuk duhet shumë vëmendje për të kuptuar se me gjithë kujdesin e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij për të folur për ‘skuadrën’, ai vetë është veçuar tashmë si një superlider i socialistëve, por jo thjesht kaq; figura e tij po proklamohet si të ishte ndonjë hyjni. Dhe me pak përjashtime, programi që Rama tenton të shpërfaqë, nuk ka aq vizione konkrete, teknike, shpjegime të qarta për rrugët se si do të bëhet ‘Rilindja’, sesa mbivendosje të korrigjimeve që mund t’i bëhen sjelljes së paraardhësit dhe gabimeve të tij.

Gjithsesi, përtej atij që quhet program, e që mund të hajë diskutim, në gjithë këto përpjekje pa sens, dallohen qartazi prirjet për të rikrijuar një kult të individit; gjë që e ka bërë më parë edhe kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri aktual Sali Berisha. Përpara tyre, e kishte bërë Enver Hoxha. Sigurisht, midis tre figurave ka dallime thelbësore; ne jetojmë tashmë në një kohë tjetër, në një rend tjetër, por reflekset e së shkuarës, si e kam thënë edhe në shkrime të tjera, janë ende shumë të theksuara, shumë të dukshme. Pasojat e kësaj sjelljeje joperëndimore, edhe më tepër. Disa gjeste jo të zgjedhura, madje të ngutura, flasin shumë; edhe pse dikush mund të na thotë që kemi të bëjmë me performime sipërfaqësore. (Hegel thoshte: “S’ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe...”)

Në po këtë vështrim, njeriu që drejton sot qeverinë shqiptare, Sali Berisha, ka dëgjuar t’i bëjnë edhe këngë, me çifteli dhe akapela (që do të thotë të këndosh pa vegla muzikore). Edhe gegnisht, edhe labçe. Ka të ngjarë t’i ngrihen këngë e t’i këndohen ato në sy e përballë, krejt si Enver Hoxhës, edhe zotit Rama. Prirjet e deritanishme, kur nga njëra anë flitet për ‘skuadër’ e nga ana tjetër ngrihet ‘madhështor’ vetëm një portret e një lider, na bëjnë të mendojmë se po bien një palë këmbana...Nuk mendoj se Sali Berisha, një komunist i rregjur, mund ta kapërcente dot ndjenjën e abuzimit me pushtetin dhe etjen për lavdi. (Në nënndërgjegjen e shumë prej politikanëve të sotëm, modeli i Enver Hoxhës është shkrirë së brendshmi.) Për gati 22 vjet aktiv në politikën e kohës së pluralizmit, Berisha nuk e përmirësoi dot veten e vet, qoftë edhe në një sens formal. Së pari, në mentalitet ai mbeti komunist, delirant, hakmarrës, krahinaxhi. Në drejtimin e partisë së vet dhe të qeverisë, u bë gjithnjë e më autoritarist (jo autoritar); të gjithë e shikojnë se si në mbledhje të Grupit Parlamentar e të Qeverisë, kakaris vetëm ai dhe askush tjetër; kjo është kaq e vjetër dhe kaq larg modelit të sotëm të  drejtimit (sipas parimeve perëndimore) në politikë dhe në administratë. Në të folur, ai gjithashtu mbeti po ai që ishte: e fillon fjalinë dhe s’di t’i vërë pikë, hidhet degë më degë, kalon nga rrëfimi në pyetje të paprera retorike dhe anasjelltas. Qesh, bëhet për një çast serioz, performon ironi, pastaj prapë qesh...Nga pikëpamja etike, në momente të caktuara ngjan edhe me një harbut, kur kërcënon e shan si s’ka më keq.

E vështirë duket që mund ta kapërcejë këtë kompleks sjelljesh joperëndimore edhe zoti Edi Rama, me gjithë përpjekjet për ta ‘amerikanizuar’ disi fushatën e vet, figurën e vet. Qysh tani, ai ka filluar të përsërisë për të disatën herë fraza dhe kuptime që një zyrtar i lartë, i shkolluar për të qeverisur, nuk do t’i rithoshte vend e pa vend. Nuk e dimë ç’do të ndodhë më tej, është shpejt për parashikime; por një gjë duket disi më qartë e po duhet ta themi: që ende mjaft të vështirë e kemi të dalim nga tranzicioni. Në bindjen time, kjo do të ndodhë në çastin që drejtuesit e politikës të kuptojnë se ata nuk janë yje kinemaje, por zyrtarë. Zyrtarë të lartë dhe të rëndësishëm. Prej këtej, buron respektimi i parimeve demokratike, brenda partive më së pari, më tej edhe në qeverisjen e vendit, edhe në krijimin e raporteve të mirëqena me opozitën. Po ashtu, vetëm nga ky moment e më tej mund të komunikohet me publikun në mënyrë teknike (jo ideologjike), duke ofruar alternativa, programe konkrete, pra mund të flitet me vetëpërmbajtje, pa premtime në erë, gjithashtu pa kërcënime dhe modele vodevilesh qesharake. (Si dokumentari ku kreu i opozitës përziente perime në tigan. Disa kohë, qytetarët shikonin se si thyente rekorde noti zoti Berisha, tamam si dikur Mao Ce Duni në lumin Jance.)

Po përsëris së fundi një refren që nuk është i imi, e kam lexuar dhe dëgjuar nga njerëz që mbartin përvoja: Këtij vendi nuk i hyjnë në punë individë autoritaristë e lavdikërkues, por zyrtarë me aftësi të padiskutueshme teknike dhe politike. Tjetër gjë se nga kërkesa e pamje këso, ne jemi ende mjaft larg. Për fat të keq.