E shtune, 20.04.2024, 10:59 AM (GMT+1)

Mendime

Izri Rexha: Shko e Eja si Adem Peja!

E diele, 19.05.2013, 07:37 PM


STRATEGJIA E INTELEKTUALËVE SHQIPTARË NË AUSTRINË E EPËRME DHE MINISTRI I DIASPORËS

Shko e Eja si Adem Peja!

Nga Prof. Izri Rexha

Vizitat e shpeshta të Ministrit Ibrahim Makolli në Linz, halë në syrin e mërgatës për shkak të mungesës së rezultateve. Nxënësit shqiptarë kërkojnë mësues, kurse Ibrahimi pi kafe në Linz pa u venë veshin atyre. Servilët po e dëmtojnë mërgatën edhe të organet austriak, ashtu edhe të ato Kosovare. Mungesa e shkollimit të mirëfilltë po vërehet në organizimin e shoqatave.

Vizitat e shpeshta javore të Ministrit të Diasporës në shtetin e Austrisë e dëshmojnë shumë mirë përkushtimin e tij lidhur me mërgatën shqiptare në syrin e mërgatës. Mirëpo, është ky një përkushtim ndaj kësaj mërgate apo është një dezorganizim i tyre për shkak të njerëzve jo kompetentë të cilët i përkrah, i mbështet dhe i financon ende, mbetet një pyetje që do ti kushtojmë një rëndësi të veçantë, për shkak se ata më vonë na përfaqësojnë neve nëpër të gjitha institucionet austriake dhe me kapacitetin intelektual të tyre thuaja se nuk mundemi aq larg të shkojmë sa popujt e tjerë që kanë mbërritur në Austri.

Dikush ende thotë që udhëtimet e tij janë që t’i mbuloj shpenzimet marramendëse të Ministrisë. Planet e tij të parapara për emigrantët të cilat i paraqesin njerëzit që nuk ishin aspak ekspertë të lëmive të cilat janë paraqitur, dëshmojnë se ato janë plane fjalësh boshe të tij, apo të ekipeve që paguhen në shuma marramendëse parash në cilësinë e ekspertëve. Keqpërdorimi i pozitave zyrtare në emër se po udhëtojnë zyrtarisht dhe në fakt shumë herë vijnë privatisht aspak nuk përkon me sjelljen e një ministri të një shteti që ka traditë. Ç do javë arrin Ministri në Austri dhe viziton këshilltarët e papërgjegjshëm të tij, familjarët e tij dhe sipas informatave jo zyrtare një ditë udhëtimi kinse zyrtar, ç’do njërit nga ata do ti paguhen një vlerë 1000€ nga buxheti i R. Kosovës. Shpresojë se informata e dëgjuar gojë pas goje nuk është e saktë, por megjithatë atij dhe ekipit të tij do ti paguhen një shumë e caktuar e të hollave si dhe paushallët që paguhen për udhëtimet zyrtare, hotelet darkat e drekat që janë një shumë madhe e të hollave. Apo informacione të sigurta ku Finlanda jep një fondacion bukur të mirë për konsolidimin e shoqatave shqiptare në diasporë, por kjo Ministri keqpërdorë ato fonde duke ardhur vetëm ne Linc, kinse për të përpiluar strategjinë për diasporën.

Servilët e politikës

Nuk zgjodhi ai rastësisht këshilltar në Austri, por pasi gjeti njerëzit e përshtatshëm që ishin servil të politikës të gatshëm të përulen dhe të gatshëm të lëpijnë këmbët e ministrit me qëllime të përfitimeve vetanake. Një gjysmë kamerier si këshilltar së bashku me gruan e tij me një shkollë të mesme teknike dhe një zyrtare nga Shqipëria që punon në Komunë të Lincit e ndarë nga bashkëshorti e cila merret me punët e shqiptarëve në Austrinë e Lartë duke i diferencuar dhe duke i nënçmuar njerëzit që kanë merita për popullin tanë.

Servilët e bashkuar bëjnë shumë më shumë se sa individët një nga një, të lidhur aq mirë në mes vete kanë arritur edhe një nga institucionet Shtetërore të Austrisë së Lartë ta përdorin si një nga Institucionet Pedagogjike për shqiptarët që jetojnë këtu. Instituti në fjalë i mbështetur nga njëri nga zyrtarët kryesor të qytetit të Lincit merret me së shumti me çështjen e degradimeve të mësuesve shqiptar që jetojnë në këtë republikë të Austrisë, se sa me një punë të mirëfilltë pedagogjike, e veçanërisht me edukimin e fëmijëve, të drejtat e nxënësve, të prindërve, mundësit e shumanshme edukativo-arsimore, organizimin e kohës së lirë, mundësit e arsimit pas orarit të rregullt të mësimit etj.

Zgjedhja e tyre edhe nga Institucionet e Austrisë nuk ishte e rastësishme, por njëri nga turqit që ka arrit me një shkollë të lartë teknike të jetë këshilltar në Bashkinë e Arsimit të qytetit i përkrah ata në mënyrë që mos të vij dikush me merita që ka ide të reja përparimtare dhe me atë rast do të shihte si rrezik për vendin e tij të punës. Të pa diturit përshtaten më lehtë sepse nuk kanë njohuri për atë punë të cilën e kryejnë dhe normalisht turkut i shkon për shtati mësuesit e tjerë shqiptar ti ketë në dorë të tij me ndihmëset e pa dijshëm.

Por megjithatë servilët mbesin servil politikash të dyanshme, mbesin të përkushtuar që të punojnë shumë herë kundër vetë neve duke u thirrur në emër të shqiptarëve dhe shqiptarizimit, sepse ashtu sigurojnë pushtet dhe ruajnë vendin e tyre të punës si dhe shpërblehen nga të dy shtetet.

Rast tipik kur 15 nxënës nga Ennsi kërkojnë mësimdhënës shqiptarë( e që nuk mungojnë në Linc e rrethinë), as Ministria e Diasporës as këta nga Bashkia e Arsimit të Lincit nuk qajnë kokën për ketë problem (kuptohet interesi i shtetit të Austrisë është mundësisht sa më pak fëmijë në gjuhët e huaja),por, përkundrazi personat shqiptarë që punojnë aty në mënyrë servile pengojnë çdo gjë që është në dobi të ruajtjes së gjuhës shqipe, duke përhapur informata negative mbi komunitetin shqiptarë. Për çfarë arsye udhëton Ministri në Linc çdo javë, kur nuk mund ta dokumentojë edhe një sukses të vetëm, kur këta fëmijë nuk mund të mësojnë gjuhën shqipe.

Strategjia e intelektualëve dhe organizimi i shoqatave

Ende nuk ka ndonjë strategji të intelektualëve shqiptarë që jetojnë në Austri dhe thuaja se tërësisht të drejtat e tyre janë të lënura në duart e disa shoqatave fetare, shoqatave të tjera të cilat nuk kanë ndonjë organizim të mirëfilltë që do të merreshin drejtpërdrejtë me të drejtat, integrimin dhe liritë e tyre. Mësuesit kanë dy shoqata, shoqatën e Mësuesve e cila gjendet në Vjenë dhe e udhëheqë Z.Osman Ademi si dhe shoqatën e Mësuesve dhe Prindërve nga Linci që udhëheq një mësuese nga Shqipëria. Këtë të dytën sipas informatave jo të sakta si anëtare mësuesish është vetëm zonja e përmendur, kurse shoqata e parë si duket ka një funksion pak sa normal edhe pse shumë nga mësuesit në bisedë e sipër deklarohen se nuk janë anëtar të kësaj shoqate.

Vendimet të cilat i merr kjo shoqatë janë të shumtën të njëanshme dhe asnjëherë nuk pyetën edhe mësuesit e republikave të tjera por vetëm ata të Vjenës. Megjithatë mendoj se shoqata e udhëhequr nga mësuesi Osman Ademi deri diku i plotëson kriteret e një shoqate mësuesish, kurse kjo e dyta mendoj se asnjë kriter elementar nuk e plotëson dhe bëj thirrje të gjitha shoqatave dhe organizatave të tjera që këtë shoqatë mos ta pranojnë si shoqatë të Mësuesve dhe Prindërve por vetëm si shoqatë të Prindërve, përderisa të mos deklarohet se cilët mësues janë anëtar të saj.

Shoqatë tjetër është ajo e Xhamisë së Lincit “Bashkimi” që duket funksion në konditat fetare mjaftë mirë, ajo e “Dardanisë” dhe “Kosova” në Linz që merrën kryesisht me organizimin e ditëve Kombëtare si dhe ka edhe shumë e shumë klube dhe shoqata të tjera që janë më pak të njohura për opinionin.

Strategjia e intelektualëve shqiptar është e ndarë sipas partive politike të Kosovës si dhe pak a shumë sipas përkatësisë së religjionit dhe mu për këtë nuk kemi një unifikim mendimesh lidhur me arritjen e shumë të drejtave tona. Nëse dikush rastësisht flet për ndonjë politikan të Kosovës ka mundësi menjëherë ndonjëri nga anëtarët e tjerë të hidhërohet dhe të largohet nga grupi i intelektualëve. Duhet të mësohemi ta pranojmë realitetin ashtu si është dhe asnjëherë të mos e mbrojmë as Rugovën, as Thaçin, as Pacollin, as Dacin, as Berishën e as Ramën po secilit ti kërkojmë të përgjigjet për gabimet e bëra, edhe nëse ata janë farefisi jonë. Megjithatë ne nuk duhet as që të merremi me politikanët e Kosovës ose të Shqipërisë sepse fundja ata i kanë të rregulluara punët e tyre dhe kanë pasuri të pafundme që shumë herë e kanë fituar në kurrizin tanë.

Shpresoj se intelektualët e mërgatës sonë do të formojnë një strategji të pa imponuar nga asnjë Ministër po do të përkrahemi nga ata dhe nuk do të udhëhiqemi nda të pa dijshmit në fushat në të cilat kemi mjaftë ekspertë.

PS. Autori është Profesor dhe Arsimtar në mësimin plotësues në Linz



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora