E enjte, 18.04.2024, 06:41 AM (GMT+1)

Mendime

Fatos Lubonja: Historia, letërsia dhe libri "Të jetosh në ishull" i Blushit

E marte, 13.05.2008, 07:25 PM


Fatos Lubonja
Historia, letërsia dhe libri "Të jetosh në ishull" i Blushit

Nga Fatos Lubonja
 
I ngacmuar nga polemikat e shumta mbi librin e Ben Blushit "Të jetosh në ishull", që lindën pas akuzave të shoqatave të komunitetit musliman se ky ka cenuar harmoninë apo tolerancën fetare të shqiptarëve, u ula më në fund ta lexoj. E them këtë pasi nuk është e lehtë, në kohën tonë, të ulesh të lexosh një libër 400 faqesh. Pas leximit e gjej më të arsyeshme që komentet t’i bëj pa e ndarë librin nga debatet mbi të.

Duke lexuar librin del qartë se ky është një libër i gjinisë së romanit historik me personazhe historike dhe me personazhe të krijuar, me kohë dhe vend të përcaktuar. Më së pari, e shoh me vend të komentoj një ide që u përsërit shumë gjatë debateve kur bëhej fjalë për raportin e historisë me letërsinë e gjinisë së romanit historik. Përballë argumenteve, që paraqitën një pjesë debatuesish, se Blushi nuk njeh historinë, sillej argumenti se ky libër është një fiction nuk është histori. Edhe Blushi vetë deklaroi: "Unë vendos historinë në funksion të imagjinatës sime dhe kjo është një histori e rikrijuar dhe e stilizuar. Kadare është mjeshtri i kësaj."

Vërtet, nëse do të kërkojmë pararendës së tij në stil në letërsinë shqipe do përmendja edhe unë librat e Kadaresë. Por pikërisht këtu qëndron problemi i librit të Blushit: tek mendimi se po bën një libër si ata të Kadaresë ndërkohë që nuk jeton në kohën kur Kadare ka shkruar ato libra. Le të shpjegohem:

Së pari, duhet thënë se nuk do të gjejmë kund që Kadare të ketë thënë se ai ka shkruar gabim historinë siç deklaroi Blushi në një emision. Përkundrazi ka pretenduar se ka treguar historinë e popullit të tij me idenë se një roman historik, edhe kur nuk flet për ngjarje dhe data nga ato që quhen dokumente historike, i përgjigjet një atmosfere të kohës për të cilën flitet. Një libër i tillë edhe mund të ketë nivele të tjera interpretimi që na sjellin në kohën e sotme, por mjeshtëria e një autori është që këta t’i ketë në harmoni dhe koherencë me nivelin e parë. Nëse kjo koherencë mungon atëhere ngjarja humbet besueshmërinë që është një nga elementë kryesorë të artit të të rrëfyerit. (çka sipas meje i mungon edhe romaneve historikë të Kadaresë, veçanërisht përballë një lexuesi që e njeh historinë). Pra një autor që bën një roman historik fiction nuk shkruan për një kohë të caktuar gjëra të kundërta me dijet e tij historike. Dijet historike duhet ta ndihmojnë atë të tregojë sa më bindshëm ngjarjen, të sjellë atmosferën e kohës, detajet, edhe kur kjo histori përdoret si metaforë. Madje vërtetësia e vendit dhe kohës në të cilën vendoset ngjarja është e rëndësishme edhe për autorë që nuk i përkasin fare letërsisë realiste. Për librat e Kafkës thuhet se në to gjen atmosferën e Pragës së kohës kur jetonte shkrimtari, kurse për Ulisin e Joice thuhet se sikur Dublini të shembej i gjithi ai do të mund të rindërtohej tullë pas tulle në sajë të Ulisit.

Së dyti, në mbrojtje të lajthitjeve historike u soll shpesh argumenti se këto “gabime” i bëjnë personazhet, jo autori. Vërtet në një roman ka shumë personazhe dhe autori jo domosdo identifikohet me ta. Por autori identifikohet me librin e tij që është tërësia e ndërveprimit të këtyre personazheve. Ai nuk ulet të shkruajë një libër ashtu kot  më kot me personazhe për të cilët nuk mban asnjë përgjegjësi se ç’thonë. Çdo vepër ka atë që quhet intentio operis  (qëllimi i veprës). Autori zgjedh të na tregojë një histori që, veçanërisht kur është fjala për libra si ky - një roman historik - nuk mund të mos jetë edhe një libër që flet për atë se sa dhe si e njeh historinë autori, cilat janë qëndrimet e tij ndaj ngjarjeve historike që përshkruan, pse ka zgjedhur të na tregojë një histori të tillë të një kohe të tillë dhe jo një tjetër. Një shkrimtar i njohur thotë: “Shkruaj për të kuptuar se çfarë mendoj.” Edhe Blushi shkruan ato që mendon, madje edhe politikish sipas meje. Dhe nuk është ashtu si thotë Blushi, se çdo lexues është i lirë ta kuptojë siç dëshiron një vepër - sipas një pseudoteorie mbi ambiguitetin e veprës së Kadaresë që synon të na mbushë mendjen se ajo ka qenë njëherësh edhe me regjimin edhe kundra regjimit. Umberto Eco në “Mbi interpretimin e tekstit” thotë se për të vërtetuar një hamendësim tonin për intentio operis  të një vepre duhet ta kontrollojmë atë në tekst si një bashkësi koherente. Dmth. çfardolloj interpretimi i dhënë për një pjesë teksti, mund të jetë i pranueshëm vetëm nëse është i vërtetueshëm nga një tjetër pjesë e po atij teksti dhe, në rast të kundërt, duhet të refuzohet. “Në këtë kuptim, koherenca e brendshme tekstore, kontrollon pikërisht impulset e pakontrollueshme të lexuesit.” – thotë Eco.

Atëhere duke lexuar romanin sipas këtij kriteri çfarë do të themi se mendon Blushi për historinë e shqiptarëve, cila ka qenë intentio operis  e romanit të tij?

Nëse do të kërkojmë të gjejmë tiparet e “stilizimit” që i ka bërë Blushi historisë atje do të vërejmë se historia është interpretuar sipas disa klisheve ideologjike të njohura nacional romantike shqiptare të rimarra në kontekstin e zhvillimeve nacionaliste tona të periudhës pas komuniste, kur kemi një proces ripërcaktimi të identitetit/eve shqiptar.

Gabimi themelor që bën Blushi nën ndikimin e këtyre klisheve/miteve romantike dhe që, nga ç’kam ndjekur debatet, është gabim i thuajse të gjithë debatuesve që kam ndjekur, është qasja esencialiste ndaj identietit kombëtar shqiptar. Sipas kësaj qasjeje populli shqiptar trajohet sikur ka qenë, është e do të tjetë një popull homogjen që qysh kur ka dalë në histori dhe deri më sot nuk ka ndryshuar, në të gjitha trevat ku ka pasur shqipfolës dhe se tërë ato epokëra historike që ka kaluar janë thjeshtë aksidente që nuk i kanë ndryshuar atij substancën që është raca e pastër shqiptare, gjuha e pastër shqiptare me një fjalë shqiptaria. Edhe kur bëhet fjalë për fetë, sipas këtij leximi të historisë, ato kanë qenë një veshje sipërfaqësore, nga nevojat pragmatike për mbijetesë. Mirëpo historiografia moderne tregon se nuk është kështu. Së pari, në kuptimin e përgjithshëm konceptual, sepse dallimi aristotelian substancë - aksident është i tejkaluar e nuk mund të aplikohet për identitetet. Së dyti, në kuptimi historik konkret, sepse ajo që e quajmë “shqiptarizmi” si identitet i shqiptarit, është një konstrukt  i shekullit XIX – XX, rezultat i veprës së intelektualëve të kësaj kohe, i procesit historik të lindjes së nacionalizmit shqiptar e më pas të shtetit komb shqiptar edhe më pas të shtetit nacional komunist të Hoxhës - pra shumë më i vonë nga koha kur janë vendosur ngjarjet në librin e Blushit. Përpara këtij procesi historik, kur flitet për identitetin e banorëve të zonave ku banojnë sot shqiptarët, flitet për shumësi dhe fluiditete identitetesh si identitetet etno-linguistike, identitetet familjare, klanore, identitetet e fshatrave dhe rajonave, identitetet socioprofesionale, për një shumësi identitetesh muslimane, për identitete ortodokse dhe katolike. Kurse “shqiptarizmi” (dhe shqiptaristët e parë) lind rreth viteve 1850 si një numër projektesh nacionale sipas krahinave dhe përkatësive fetare (më së pari në arbreshët e italisë) sepse shumë projekte të shqiptarizmit bëheshin në përputhje me përkatësinë fetare të autorëve pasi kjo sipas tyre mund ta bënte më të lehtë përhapjen në popull,  të cilët dora dorës konvergojnë në një projekt dominant dhe një identitet dominant. Pra shqiptarizmi vjen më vonë si identitet dominant i shqipfolësve dhe jo ashtu sikurse besojnë shumica, sëbashku me Blushin, sikur të ketë qenë substanca e shqiptqarit, identiteti dominant që në krye të herëve. (Shih Natalie Calyer, “Aux origines du nationalisme albanais” (Në fillimet e nacionalizmit shqiptar), Éditios Karthala 2007, Paris). Psh. Blushi me këtë teknikë nacionaliste Voskopojën e bën shqiptare duke injoruar fare një qytetërim të tërë arumun që ka ekzistuar në atë kohë, shprehja më e lartë e të cilit në këto treva ka qenë Voskopoja. Thënia e Vaso Pashës “Mos vështroni kisha e xhamija/ Feja e shqiptarit është shqiptaria” - sikurse thotë Clayer - nuk është një pasqyrë e gjendjes në terren, por një thirrje për të kapërcyer gjendjen në terren, ku feja ishte identitet dominant. A e di Blushi, që e bën Skënderbeun me gojën e personazheve  turk, meqë ndërroi fenë, se Marin Barleti thotë në parathënien e librit të tij “Historia e Skënderbeut” se ky ishte bullgar? Por në atë kohë identiteti etno-linguistik nuk ishte parësor, as Skënderbeu dhe as Komneni i Blushit nuk mund të luftonin për Shqipërinë. Flamuri i tyre ishte krishtërimi dhe prandaj dhe Papa e ka quajtur Kalorës i Krishtërimit. Kurse si mit i nacionalizmit shqiptar Skënderbeu fabrikohet në shekullin e XIX, ashtu siç ka ndodhur me shumë heronj të historisë. Po kështu edhe “Meshari” i Gjon Buzikut, si dokument i parë i gjuhës shqipe, nuk është akt nacionalist i bërë në emër të shqiptarisë, siç e ka paraqitur historiografia jonë nacionaliste, por një akt fetar, si rezultat i Kundërreformës, në përgjigje të Reformës së Luterit, i cili i përktheu shkrimet e shenjta në gjermanisht çka e shtyu Kishën Katolike të vendosë t’i përkthejë edhe ajo në gjuhën e popujve që qenë në zonën e saj të ndikimit, ndër të tjera edhe shqip. Dua të them, pra, se identitetet fetare, qofshin të krishtera apo muslimane kanë qenë shumë më të forta e më të ndjera sesa identiteti etno-linguistik në kohën që kërkon të përshkruajë Blushi. Dhe se, nuk është e vërtetë se shqiptarët na qënkan një popull i veçantë që fenë, në ndryshim nga popujt e tjerë, nuk e paskan marrë seriozisht, por ashtu sa për sy e faqe për shkak se më të fortë kishin shqiptarinë.

Kur Blushi i bën personazhet e tij të shek XVIII të thonë në emër të shqiptarizmës: "Në qoftë se Skënderbeu nuk do t’i kishte mashtruar me mënyrën tipike turke, shqiptarët do të kishin gjetur tek ai (Komneni) mbretin e tyre, me prejardhje nga perandorët e Bizantit dhe kjo lidhje nuk do t'i kishte ndarë më ata nga krishterimi evropian dhe sot ne do të jetonim në një mbretëri të krishterë." – tregon se nuk njeh konceptet elementare të historiografisë së sotme lidhur me origjinat e shqiptarizmit. Të thuash se “shqiptarët nuk e besuan Skënderbeun se ishte turk” – siç thotë Blushi, apo të thuash: “Skënderbeu po vjen si pëllumb i shkruar të shpëtojë mëmëdhenë” - siç thotë Naimi - është e njëjta gjë në thelb: teknikë konstrukti mitologjie romantike, me të vetmin ndryshim se Naimi e ëngjëllizon Skënderbeun kurse Blushi e demonizon (duke tentuar të ngrerë një mit të ri atë të Komnenit si shqiptari që nuk e tradhëtoi fenë). Ndryshimi tjetër është se Naimi e ka bërë romanticizmin në kohën e romanticizmit, kurse Blushi e thotë pas dy shekujsh, çka, nëse Naimin e bën të jetë në frymën e kohës kur jetoi, Blushin e nxjerr jashtë kohe. Prandaj them edhe se librit i mungon, gjithashtu, edhe vërtetësia artistike sepse çdo libër që shkruhet nuk mund të shkruhet jashtë një konteksti të caktuar historik e kulturor. Nëse në kohën e romantikëve mund të ishte i besueshëm një personazh romantik sot, me njohjet që kemi mbi historinë, një personazh i shkruar me frymën e romantike është i pabesueshëm, në mos qesharak. Dhe libri vuan i gjithi nga mungesa e besueshmërisë në këtë kontekst, veçanërisht për një njeri që njeh historinë. Edhe konvertimi që përshkruhet në kapitullin e parë është krejt i pabesueshëm. Një shqiptar i krishterë shkon e vendos të bëhet musliman në një fshat ku të gjithë janë të krishterë, e t’i kundërvihet të gjithëve deri gruas, vetëm pse nuk i ecën pazari. Edhe personazhet në tërësi janë të pabesueshëm sepse më shumë sesa karaktere ngjajnë me konstruksionone mendore për të përcjellë traktate fetaro-nacionaliste të vendosura jashë kohës dhe vendit. Dhe as nuk mund të merret Kadareja si shembull për të provuar se historia dhe fictioni i kësaj historie mund t’i kundërvihen njëra tjetrës. Mos të harrojmë se ai ka shkruar në darën e regjimit komunist i cili ideologjinë nacionaliste e ka pasur pjesë integrale të vetën, madje e kultivoi dhe përpunoi deri në fund, edhe si instrument pushteti, duke e lene Shqiprinë të izoluar edhe nga pikpamja e njohjes së historiografisë moderne. Dmth. të shkruraje se shqiptarët e kanë çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë kundër të gjithë armiqve që nga Roma e deri tek turqit, se shqiptarët ishin të ndritur përpara sundimit osman e se erdhën turqit e na vunë fehrexhetë, se shqiptarët kanë qeverisur Perandorinë Osmane sepse ishin superiorë ndaj turqve etj. përralla si këto ishin pjesë e asaj ieologjie që i mbajti shqiptarët “midis lavdisë së një bote virtuale dhe mjerimit të një bote reale” (shih Përpjeka 15 – 16, “Mbi rolin e miteve në historinë e shqipërisë”;  Përpjeka 23, “Identiteti ndryshe”). Dhe, po ashtu, për një lexues serioz, argumenti se nuk ka rëndësi që historia është shkruar gabim pasi i rëndësishme është arti, mesazhet e fshehta kundër regjimit nuk qëndron. Pasi bijem në kundërshtitë e interpretimit, për të cilat flet Eco, ku një pjesë e tekstit kundërshton pjesën tjetër duke prishur koherencën e veprës. Dhe, ndërsa Kadareja, siç thashë, mund të argumentojë se ka qenë i shtrënguar ta bëjë këtë, Blushi nuk ka asnjë argument përveç padijes së tij dhe padijes së publikut.

Pra përsa i përket raporti të librit me historinë mendimi im është se kemi të bëjmë me një libër me një vulë të fortë anakronizmi nacional romantik që, së bashku me debatet, tregon për një vazhdim dramatik të izolimit kulturor në vendin tonë përsa i përket nevojës së shkrimit dhe leximit të historisë sonë me frymën e kohës që jetojmë. Mbi të keqen e kësaj, jo vetëm në aspektin e leximit të historisë të së djeshmes, por edhe në raport me konstruksionet e së tashmes dhe të së ardhmes, flet edhe një aspekt tjetër i librit. Në intentio operis  të librit gjen qartazi një prirje neo-romantike të paskomunizmit përsa i përket ripërcaktimit të identitetit shqiptar që synon rilidhjen e shqiptarizmës me fenë, pra sipas së cilës identiteti fetar nuk ka qenë fare i parëndësishëm për identitetin shqiptar. Me të njëtat metoda anakronike të romantikës – ku konfondohet ajo që i përket një epoke me atë që i përket një epoke tjetër - edhe ky libër tenton të ngrerë mitin sipas së cilit konvertimi në islam i shqiptarëve ka qenë një fatkeqësi e detyruar, e se pikërisht për këtë, po t’ia krruash pak lëkurën shqiptarit musliman do të gjesh poshtë mishin e shqiptarit kristian. Jemi në frymën e një vetorientalizmi karakterisik të inteligjencës shqiptare postkomunite. Me vetorientalizim kam parasysh prirjen e vetë shqiptarëve për ta parë Perëndimin dhe Lindjen si dy botë të kundërta, bardhë e zi, dhe largimin apo mohimin e origjinës së tyre lindore si shpëtim nga e keqja, por edhe si prirje për t’i treguar Perëndimit se ne jemi të krishterë si ata, se ne po kthehemi në shtratin tonë natyror, nga ku u ndamë me dhunë para 600 vjetësh. Kjo jo vetëm thuhet me forcë në libër nga njëri prej personazheve kryesorë, Aranit Komneni, por lihet të kuptohet nga gjithë përshkrimet cinike apo denigruese që u bëhen muslimanëve, riteve dhe sjelljes së tyre. Në këtë kontekst kemi të bëjmë me një qëndrim simetrik me një përpjekje tjetër romantizmi anakronik të fillimviteve 90, kur u tentua, nga një pjesë shqiptarësh muslimanë, të ndërtonin mitin se shqiptarë të vërtetë ishin vetëm muslimanët sepse, sipas tyre, vetëm në sajë të tyre jemi ruajtur nga asimilimi grekosllavoortodoks e që, në vend të Skënderbeut vendosnin në piedestal Hamza Kastriotin, që i qëndroi besnik fesë që i ruajti e madhoi shqitarët. Një shkrimtar nacional romantik musliman, në shembullin e Blushit, do të shkruante një roman ku Skënderbeu do të cilësohej tradhëtar, kurse heroi pozitiv do të ishte Hamza Kastrioti, i cili, në emër të shqiptarizmit, vendos të mbetet në fenë muslimane që të luftojë serbët dhe grekët. Këto janë marrëzi të injorancës që fatkeqësisht i dëgjomë edhe nga goja e njerëzve që kemi në krye të vendit ndër të cilat e fundit ishte ajo që tha Berisha se futja e Shqipërisë në NATO ishte vazhdim i projektit të Skënderbeut. Por aspektin e debatit që ka të bëjë me vendin dhe rolin e feve e të shqiptarizmës në raport me aktualitetin shqiptar i marr leje lexuesit ta shtjelloj në shkrimin pasardhës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora