E enjte, 25.04.2024, 09:38 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Shkronjat (shqipe) të mallkuara, nëmura dhe përçudnuara!

E shtune, 18.05.2013, 09:00 AM


Shkronjat (shqipe) të mallkuara, nëmura dhe përçudnuara!

Nga Elvi Sidheri

Kur dëgjoj debate dhe diskutime, shpesh të ethshme mes menduesve të ndryshëm lidhur me mënyrën sesi është standartizuar gjuha shqipe, për të thënë të drejtën, më bëhet “zemra mal”. . .  siç do të thoshte populli i mençur.

Kjo sepse aty ku ka debat, ka edhe liri dhe mesa duket edhe në çështje gjuhësore, liria e nevojshme ekziston që shumëkush, me apo pa të drejtë, të pikëpyeti dhe pikëpyetet lidhur me atë që gjuha jonë e bukur dhe dëlirë, paraqet në ditët e sotme për folësit e saj disamilionësh, pra shqiptarët kudo që ata të jetojnë dhe ndodhen.

Zjarri mesa vërej unë së paku, si një vëzhgues i vëmendshëm gjithnjë i punëve që lidhen me vendin, gjuhën dhe historinë time (si shqiptar). . .  është më tepër i përqëndruar tek kongresi i 1972-shit dhe tek gjuha letrare të cilën qysh atëherë neve shqiptarët si një gjithësi unike tashmë për fat të perëndisë flasim.

Kongresi në fjalë, me aq sa ç’kam lexuar dhe dëgjuar unë (sepse në atë vit të largët as që qeshë imagjinuar të vija ende në këtë botë). . .  është zhvilluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e shumë gjuhëtarëve të respektuar dhe specialistëve ekselentë të fushës në fjalë.

Dy aspekte të atij kongresi do pranuar se veshin çoku m’a vrasin edhe mua, këtë s’e mohoj (pra fakti që u bë nën “kontrollin” e partisë-shtet komuniste dhe që rol të rëndësishëm aty në mos gaboj ka pasur edhe R. Qosja, një njeri me të cilin refuzoj të ndaj qoftë edhe ajrin që thith, jo më ndonjë bindje apo tjetërgjë). . .  por për të tjera, unë duke gjykuar nga gjuha që kam përdorur qysh prej kur kam rënë në mend të mia, nuk kam përse të ankohem fare!

Kjo është një gjuhë e pasur, e zhdërvjellët, e lëvizëshme, e gjallë, moderne, me trajta e forma të mirëstudiuara dhe provuara, me një zhvillim që përballet në mënyrë solide me shekullin ku jetojmë neve që e flasim dhe po ashtu përparimin e gjuhëve fqinje të tonat ose atyre të mëdhave botërore, që ruan format e saj antike, të lashta, veçoritë që atë e bëjnë kaq të rrallë, si dhe shumë prurje herë të nevojshme e herë jo, nga gjuhë të tjera që na kanë lënë pas pushtuesit e shumtë apo influenca të tjera.

Unë nuk ndjej vështirësi as kur e flas e as kur mendoj apo shkruaj në gjuhën time të mrekullueshme!

Jam krenar që hyj tek ata 7-8 apo 10 milionë shqiptarë (aq qofshim vërtetë) të cilëve fati, natyra apo perëndia ua ka falur këtë gjuhë dhe me anë të saj na ka bërë t’u japim formë mendimeve tona, kështu të shprehim ndjenjat më sublime, të themi fjalë dashurie, të këndojmë këngë trimërie, të qajmë me iso vujatjesh nga “bregu” i rivierës magjike të Jonit apo të na burojnë si perla të rralla jaret e Shkodrës, serenatat e gjer tek imazhet e përkthyera në fjalë epike të veprave dhe gjesteve të paharrueshme të Gjergjit nga Kastriotët.

Kjo është gjuha me anë të cilës unë dhe jo vetëm, kam nxjerrë klithmat e para amorfe të cilat më tej u transformuan në fjalë shqipe.

. . .  Me shkronjat e saj në mendje, vepër e kurriz ka vdekur shqiptarisht si shpeshherë Veqilharxhi, Kristo Negovani, Petro Nini e sa e sa shqiptarë të pafatë Jugosllavie, nga Kosova e pamposhtur gjithmonë shqiptare tek viset e Maqedonisë e më gjerë, deri tek i fundmi arvanitas (ç’mu kujtuan Mohikanët me të fundmin prej tyre, Zot ç’fat prej të parësh të shtypur e shfarosur kemi pasur edhe ne!). . .  Aristidh Kola, të cilin për shkak të gjuhës që akoma fliste me krenari, e vdiqën tradhëtisht, ashtu siç askush veç helenëve nuk ka ditur më mirë të bëjë!

Shqipja jonë ka qenë buçitja e frazave më legjendare të Gjergjit të mbiquajtur Skënderbe, atij nipi me gjak arbëror të Aleksandrit të Madh (jo më kot turqit ia vunë këtë emër heroit tonë më të epërm, njëherë të paktën kanë ditur ç’kanë bërë edhe ata, duke na dhënë kështu provën më të madhe ndoshta që mund të paraqisim po të kemi pak mend në kokë, se botëpushtuesi maqedonas ka qenë efektivisht veçse një mit i pavdekshëm me gjak të pastër ilir dhe asgjë më tepër).

Në shqip, arbërisht ose ilirisht e pellazgjisht, të parët tanë kanë luftuar, janë vrarë, kanë ngritur krye me vetëmohim e janë masakruar, por kurrën e kurrës nuk janë dorëzuar pa mbajtur ndezur flakën e betejës së shpirtit të paepur shqiptar përballë çdonjërit pushtues të cilin udha e ka shpënë tinëzisht nga anët tona.

Në arbërisht foli Skënderbeu në Krujë kur lirinë arbërve të tij “figurativisht” nuk ua solli. . .  por e gjeti mes tyre.

. . .  Sepse prushin ngahera të ndezur të shqiponjës tonë dykrenare që nuk njeh vargonj robërie, Gjergji vigan pati marrë stoikisht përsipër që vetë me sfidën e tij kolosale arbërore ndaj fuqisë më të madhe, barbare dhe të egër të kohës, t’a ngjallte dhe t’i jepte një zjarr të atillë, saqë akoma sot, në këto kohë relativizimesh të turpshme të gjuhës, identitetit dhe geneve tona shqiptare, ai mbetet dhe do të jetë përjetësisht “shqiptarisht” i pashuar!

Me këtë gjuhë (sigurisht më të pastër, pa shumë ndotje të qelbura turke, sllave apo edhe pa latinizmat e tepërta që datojnë qysh prej romakëve, por të cilat gjithashtu kanë shërbyer si një nga provat më të forta të pranisë së paraardhësve tanë në këto troje ku jetojmë edhe sot, që prej kohës së pushtimit romak me të cilin kanë zënë vend në fjalorin shqip edhe këto huazime). . .  ndoshta ka urdhëruar edhe mbretëresha jonë krenare Teuta (unike ndër të tjera për kohën e saj, përveç Kleopatrës në Egjipt). . .  sulmin kryeneç ndaj anijeve romake në detin që atëherë quhej vetëm “I joni”, pra “Mare Nostrum-in” ilir që ende përgjysëm mban këtë emër shqiptar “JON”.

Kjo është gjuha me anë të së cilës Pirro i Epirit ilir i ka folur ushtarëve të tij epirotë, kur ka kapërcyer detin dhe është hedhur vrullshëm në bregun përballë ku banonin kushurinjtë mesapë për t’i vajtur në ndihmë Tarentit dhe për t’u kacafytur gjer tek i fundit ushtar dhe pikë gjaku, pa nguruar kurrëfarë gjëje me qëllim që të arrijë fitoren e cila e tija mbeti në përjetësi, pikërisht si e “Pirros”!

Sepse të nderuar lexues që keni dëshirën dhe durimin të më ndiqni nëpër këto labirintet e shkrimeve të mija (Ju falenderoj pra). . .  edhe qënia shqiptare, në një dimension të tillë jeton e më shumë mbijeton, në atë të një fitoreje të vazhueshme Pirroje.

Por ka diçka këtu gjithësesi. . .  

E dini ju more miq, se duke fituar ditë për ditë, vit për vit, shekull për shekull e mijëvjeçar për mijëvjeçar porsi stërgjyshi ynë Pirro, neve shqiptarët ia kemi dalë kundër çdo parashikimi ogurzi (në shumicën e rasteve, nga antagonistë e armiq të jashtëm dhe mjaft shpirtshitur të brendshëm tek djajtë fqinjë, apo ndoca nipa shqipfolës të anadollakëve mongolë) ose qoftë edhe mirëdashës (si rrallë ndodh kjo). . .  që ende të bëjmë hije së gjalli, me një trajtë shqiptare të jetuari, foluri dhe menduari, mbi tokën e të parëve tanë?!

Ky është një alamet rezultati i cili na tregon se edhe Pirroja paskërka qenë një njeri mjaft largpamës me veprën e tij fundja!

Në të kundërt të tij (gabim ky, sepse qysh nga kohët e Aleksandrit dhe Pirros, neve nuk ekspandohemi e as përhapemi më, por vetëm tërhiqemi mbrapsh drejt grykave, maleve dhe bregdetit tonë). . .  ne nipat shqiptarë të këtij gjeniu të luftës dhe strategjisë ushtarake, përherë kemi lënë nëpër beteja të pafundme, çdo grahmë kurajoje dhe jetë njerëzore, gjersa kemi shtyrë tej pushtuesin apo barbarin e rradhës.

Por nga një fitore Pirroje. . .  tek një tjetër fitore Pirroje, neve kemi mundur që të “shënojmë praninë” tonë gjithnjë në këto troje dhe sadoqë të përpiqen të hedhin baltë, të stisin fakte fallse, të shpikin ngjarje e histori sllavët ardhacakë barbarë, turqit e stepave dhe humbëtirave mongole ose helenët mashtrues ordinerë, përvetësues “xhepistë” të historisë sonë, sërish e vërteta me hi nuk do të mbulohet dot plotësisht, pasi fakte në favorin e kauzës sonë, në mos nga dikush, nga ndonjë tjetër do të nxirren në dritën e realitetit shkencor të ditëve tona.

Si Pirroja që me një grusht ushtarësh epirotë të mbetur gjallë, faktoi fitoren e dhimbshme mbi romakët brenda në territorin e tyre shtëpiak italik, ashtu edhe pellazgët, ilirët, arbërit dhe shqiptarët, kanë ditur që me anë të triumfeve sa madhështore, aq edhe fatale (për nga katastrofat humane, kulturore apo territoriale që goditën me një shpeshtësi mizore popullin tonë përgjatë mijëra vjetëve). . .  të mbrojnë vetë ekzistencën e trungut tonë etnik, si dhe qënësinë sado të reduktuar të trevave shqiptare.

Kemi dorëzuar jo pa gjak, Dalmacinë, Dioklean, Bosnjen e sotshme, pjesë të Dardanisë së dikurshme, Nishin, Puljen Mesape në Itali, Shkupin dardan, Ohrin tonë Lyknid të ilirëve, Strugën, Manastirin e alfabetit të artë shqip, Janinën shqiptare, Artën e Gjin Bue Shpatës, Paramithinë, Pargën, Kosturin e shumëçka tjetër pra!

Me mish e me shpirt, porsi Feniksi i ringjallur nga hiri i tij, morëm sërish Kosovën (pse s’i bie kujt mendja t’ia ndërrojë këtë emër sllav?. . .  sa për përdorim midis banorëve të saj shqiptarë së paku sepse të tjerët, shqiptarë të boshnjakëzuar apo turqizuar, s’i detyron kush, ashtu si edhe serbët t’a pranojnë këtë fakt).

Në mbi 120 vjet përballje së fundi me serbët barbarë (të cilët, si dhe çdo sllav tjetër Ballkani, të përzjerë apo jo me avarët turq siç pohon me të drejtë miku im Fahri Xharra, apo me fisin e bullgarëve-turq si bullgaro-sllavët e sotëm, barbarë të egjër të pagdhendur dhe shtazorë nga sjellja në fushë të betejës apo kundrejt civilëve përherë kanë për të mbetur, se nuk dinë të sillen ndryshe, jo për gjë!). . .  shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm, humbën qindra-mijëra vëllezër, motra, nëna, prindër e fëmijë të pafajshëm.

U dogjën, vranë, masakruan, u poqën të gjallë dhe u eksoduan biblikisht drejt shkretinave më të pabanueshme të Anadollit, si pasojë e marrëveshjeve antishqiptare, mes serbësh jugosllavë e turqish në nevojë për gjak të pastër europian dhe rracë të moçme të bardhë shqiptare për vendin e tyre, të cilin ngahera kanë synuar që t’a bëjnë të duket sa më pak mongolo-turk e sa më tepër europian në trajta trupore, por kurrësesi jo në kulturë apo sjellje të qytetëruar të denjë për një shtet të mirëfilltë pjesë të Europës.

Por mbas aq vuajtjeje dhe shfarosje, shkatërrimi kulturor e gjuhësor po ashtu, gjithësesi nën shembullin e ndritur të Pirros, sërish ne shqiptarët aty në Kosovë, fituam që fituam!

Sepse që ne të fitojmë lehtë, nuk bëhet fjalë, jo pra!

Jemi pak, jemi secili kokë më vete, jemi shumë të përbërë, jemi të rrethuar nga korba kufoma-ngrënës, kemi gjithashtu mjaft gjakpirës që frymojnë si shqiptarë (na vjedhin e keqpërdorin ajrin tonë të pastër kombëtar kështu). . .  e jetojnë gjithë sy e veshë nga Ankaraja, Beogradi dhe Athina, jemi pra një qënie unike vërtet, por e cila graviton ende rreth disa diejve të ndryshëm, e ndarë pazgjidhshmërisht midis sistemeve diellorë të cilët shpesh nuk kanë asnjë lidhje njëri me tjetrin.

S’është kjo vetëm faj apo përgjegjësi e ndarjes fetare (për të cilën shqiptarët gjatë tërë Rilindjes Kombëtare, epopesë së pavarësisë në 1912-ën dhe shumë rasteve të tjera, kanë treguar realisht se nuk pyesin shumë, jo për gjë, por edhe të martohemi me njëri-tjetrin midis feve të ndryshme s’kemi filluar në kohë të partisë pas 1967-ës, siç guxon idiotësisht të thotë dikush, se edhe gjyshërit e mi, janë pas lidhur edhe pa patur fe të njëjtë, vite më parë se ajo periudhë antifetare të vinte).

Kur s’na ndante feja, na ndanin malet e larta që nuk na lejonin kontaktet dhe njohjen shqiptar me shqiptar.

Na kanë ndarë principatat e shumta që më mirë se të bashkëpunonin mes tyre, iu shiteshin sa më parë secilit armik, mjafton që princi fqinj t’a hante dhe të rrënohej totalisht në këtë betejë të zakonshme dhe tejet “normale” ndërshqiptare.

Njëherë i bashkoi me hir dhe pahir Skënderbeu dhe çfarë pasoi e dimë.

25 vjeçari më i ndritur i gjithë historisë shqiptare në absolut, që na mbajti gjallë më vonë dritëzën e shqiptarësisë edhe përgjatë shtypjes edhe çidentitetëzimit gati pesëshekullor turk-osman në bashkëpunim të ngushtë me sllavë e helenë.

Por të ndarë domosdo kemi qenë për çdo arsye të ndryshme sidoqoftë ne gjithmonë dhe ky fakt do pranuar.

Për t’a përshkruar më mirë këtë ide timen, po e kthej në formë slogani zgjedhor, meqë kemi hyrë me të dyja këmbët “De facto” në fushatë tashmë.

Pra do të thotë që ne shqiptarët jemi “të bashkuar në ndasi”. . .  aq sa jemi edhe “përherë të ndarë në bashkim”!

As mua vetë nuk është se këto pohime më vijnë së tepërmi përshtat, por them se kështu venë gjërat në realitet.

Rëndësi ka që përveç të qënit të ndarë, jemi edhe të bashkuar, se ndryshe do të qenë të hidhura punët vërtetë.

E dimë që nga 1912-a na ndanë edhe zyrtarisht në sa anë të mundnin (Kosovë, trojet e Maqedonisë, zonat shqiptare ose në asimilim të theksuar të Malit të Zi, Janinë, Çamëri, Kostur e Follorinë me shqiptarët e atyre qyteteve dhe zonave përreth). . .  dhe qysh në 1878-ën ca copa na i kishin shkulur së fundmi po ashtu,

Qemë ndarë forcërisht pas rënies së Krujës, Shkodrës e Durrësit apo kështjellave të Moresë arvanitase të mbrojtur heroikisht nga shqiptarët e atyshëm dhe kurrësesi nga grekët bishtndërshalër, kur qindra-mijëra arbëreshë morën detin në këmbë figurativisht dhe zunë Italinë për të mos rënë në dorën e përgjakur të turkut.

Më parë ishim ndarë edhe herë të tjera padyshim ndërkohë.

Pse të moj kujtojmë se ilirët përbëheshin nga sa e sa fise?

Na quajnë “Albanians” prej fisit të Albanëve dhe mirë e bëjnë, sepse ky term lidhet padyshim me ngjyrën “Alb-të bardhë” dhe me “Alpet-malet e larta”, pra me çdo popull autokton siç jemi ne, të bardhë e malësor të kontinentit tonë, si dhe me keltët e Skocisë për shembull, të cilët edhe sot “Alba” e quajnë vendin e tyre ashtu siç nga burime të shumta të tanishme, Britania si “Albion” njihet së gjëri.

Por që ilirët të ndarë qenë, ”nuk e luan as topi” sido që të jetë!

Ishin që ishin, me dardanët jo, por me epirotët dhe anasjelltas, ata edhe ndonjë luftë “të shëndetshme”, pse jo. . .  edhe e bënin se një dozë përçarjeje domosdo që ka qenë gjithmonë prezente tek paraardhësit tanë, ashtu si edhe më tepër ndoshta, tek ne nipërit shpesh të padenjë të tyre, shqiptarët aktualë.

Lëre pastaj që nuk gjen në skutat e të panjohurës histori, asnjë gjurmë të vetme bashkëpunimi midis kushurinjve të një gjaku iliro-dako-thrak.

Se të qenë bërë bashkë të parët tanë, vështirë se kishte helenë ose romakë që t’u dilnin përpara dhe kjo vetëkuptohet.

Por bashkë s’u bënë dhe përfunduan siç historia na mëson pa asnjëlloj ekuivoku, pra thrakët të zhdukur pa lënë gjurmë (romanizuar së pari, më tej gëlltitur nga sllavët, bullgaro-turqit etj. . .  dhe ndoshta duke rezultuar në një pjesë të vllehëve të sotëm), dakët ka mundësi të transformuar në rumunët modernë, maqedonasit e vërtetë të humbur përfundimisht (e tani grihen midis tyre sllavët me grekët për këtë trashëgimi historike, teksa ne sipas traditës tonë injorante, rrimë shohim pa bërë asgjë, megjithëse Filpi dhe i biri Aleksandri ishin më shumë ilirë se tjetërgjë). . .  dhe ilirët që kanë formuar arbërit dhe neve shqiptarët e mefshtë (gjithashtu një pjesë konsistente të vllehëve shqiptarofonë apo jo të ditëve tona, pra ilirë të romanizuar). . .  që traditat, tokën dhe emrin, stërgjyshërve tanë nuk dimë t’ua mbrojmë siç nevojitet dhe ata meritojnë.

Të ndarë pra ne paskemi qenë për aq shumë arsye sa më nuk ka!

Të bashkuar na ka mbajtur gjaku jonë që nuk shprishet lehtë, genet origjinale të të parëve tanë, gjuha shqipe që flasim, kujtimi i pashlyeshëm i bëmave të Gjergj Kastriotit dhe flamuri i tij ndër të tjera.

Mënjanë shumëçkaje pra, gjuha dhe vetëm ajo, është arma dhe parzmorja jonë e përditshme për të kultivuar këtë bashkim ndërshqiptar.

Tani të marrim kazmën dhe t’i futemi me themel edhe asaj vallë?

Jo se çfarë na pengon fundja?

Koha ka treguar se shqiptarët mjaft më thjeshtë prishin sesa rregullojnë gjë!

Në 97-ën Shqipëria u dogj për pak ditë.

Esat Pasha e shiti Shkodrën (të cilën patriotët shqiptarë e mbronin me vetëmohim prej muajsh). . .  brenda një dite dhe ndërkaq Haxhi Qamilin famëkeq dhe brekëgrisur e turipalarë, ai e cyti dhe shtyu e financoi bashkë me autoritetet turke në Stamboll, që të ngrihet në kërkim të babës ( se të ëmën s’e dinin DumBabistët nga cila “Shtëpi Publike” filoturke e kishin pasur, mjaftonte që gjaku turk qarkullonte tashmë në venat e tyre). . .  duke vënë në zjarr e hekur obskurantist anadollak, tërë Shqipërinë e Mesme dhe metaforikisht, edhe të ardhmen e pavarur europiane të shtetit shqiptar.

Enveri me shpurën e tij jugosllave të të dërguarve direkt nga Tito, hyri triumfalisht brenda pak ditëve në Tiranë (dhe u dha duart këshilltarëve anglezë, të cilët kishin dhënë jetën në Shqipëri duke luftuar nazistët në krah të partizanëve tanë, pasi u kishin falur edhe çfarëdolloj mbështetje logjistike, armë e veshëmbathje atyre po ashtu). . .  dhe çfarë gjëme i ra mbi kokë vendit tonë më tej, dihet qartë.

E keqja ndodh përnjëherë, kurse e mira do kohë, punë e mund në shumicën e rasteve.

T’a ruajmë e mundësisht t’a pasurojmë pra gjuhën tonë SHQIPE!

Kjo është ajo që ka më tepër rëndësi tani e jo do përpjekje destabilizuese kundër vetë themeleve të unitetit mbarëshqiptar të saj.

Kanë arritur e janë marrë vesh 200 milionë brazilianë, 10 milionë angolanë, 15 milionë mozambikas, ca milionë Timoras Lindorë, Gunieas nga Bisau, Breg-Gjelbëras e Sao-Tomensë me portugezët në lidhje me gjuhën unike portugeze që do të flasin të gjithë ata. . .  dhe ne shqiptarët që aq banorë sa ç’ka vetëm Rio de Zhaneiro jemi ndoshta gjithësej, nuk gjenkemi dot një zgjidhje për gjuhën tonë kështu???

E pamundur dhe tragjikomike për fatin tonë do ishte diçka e tillë!

Përmenda gjuhën portugeze dhe lidhjen mes popujve që atë e flasin dhe përdorin, për një arsye të veçantë dhe aspak rastësisht.

Se ndërkohë në botë flitet më gjerësisht edhe spanjishtja apo anglishtja.

Por nuk ka dhe nuk ka pasur (e as do të ketë së afërmi) ndasi mes Akademisë Mbretërore të Gjuhës Spanjolle në Madrid dhe Akademive përkatëse që mbrojnë dhe kultivojnë këtë gjuhë në Havanë, Ciudad de Mexico, Buenos Aires, Montevideo, Bogota apo Lima.

Spanjishten e modernizojnë, zhvillojnë dhe pasurojnë të gjithë akademikët spanjisht-folës (se spanjollë nuk janë të gjithë, përveç atyre nga Spanja, kurse tanët shqiptarë i bie të jenë nga gjaku dhe origjina, sepse me kolonizime të Botës së Re ne shqiptarët s’jemi marrë dhe gjuhën e tonë e flasin vetëm pjesëtarët e trungut tonë etnik, por sërish ata merren vesh më lehtë me njëri-tjetrin edhe për çështje gjuhësore se ç’bëjmë ne).

Anglishten e respektojnë njëlloj anglezët prindër të asaj gjuhe, skocezët, irlandezët, amerikanët, kanadezët, zelandezët, australianët e gjer tek indianët dhe nigerianët.

Po kështu ndodh me frëngjishten mes Francës së kulturuar, djep të mendimit kulturor dhe lirive të njeriut që në atë gjuhë u shkruan dhe vunë së pari në jetë, Zvicrës franceze, Belgjikës frëngjisht-folëse, Kebekut të papërkulur ishull francez në Amerikën e Veriut anglofone e Afrikën frankofone.

Tani kur ata qindra-miliona njerëz arrijnë të gjejnë zgjidhje për punët e gjuhës së tyre, neve çfarë na shtyn që të jemi kaq të ashpër në këtë kontekst?

U ndala tek portugezët për një qëllim në fakt.

Sepse akordi midis portugezëve dhe brazilianëve qysh nga 1945-a ka qenë i tillë.

Pra është vendosur që lidhur me disa fjalë dhe shkronja, të ketë një standart të dyfishtë mes Brazilit dhe Portugalisë.

Është rasti për disa fjalë që shqiptohen ndryshe në Brazil nga Portugalia apo vendet e tjera luzofone (Angola, Mozambik, Kepi i Gjelbër etj).

Pra “Aksionit” në versionin brazilian i thonë “Ação”, kurse në versionin portuguez “Acção”.

Ose “Pagëzimit” brazilianët “Batismo” dhe portugezët “Baptismo”.

Si dhe për shembull “Kontaktit” brazilianët i thonë “Contato” dhe portugezët “Contacto”.

Por pas Akordit Ortografik mes gjithë portugalisht-folëseve të vitit 1990-ë. . .  edhe këto diferenca të pandjeshme, të pranuara brenda një gjuhe unike me dy rregulla paksa të ndryshme drejtëshkrimore, do të zerohen përfundimisht.

Ja pra, edhe këta i kanë sheshuar dallimet kurse neve i shtojmë këtej nga anët tona së koti artificialisht.

Çfarë duhet të ankohen francezët jashtë Parisit atëherë, provansalët apo gjermanët e Alsasës, italianët e Nisës dhe katalanët e Perpinjanit si dhe baskët e Biarritzit, të cilët gjuhë nëne nuk është se kanë frëngjishten letrare?

Po italianët e Napolit, Siçilisë, Sardenjës, Lombardisë, Puljas etj, që flasin dialekte gati gjuhë më vete, por që për shkak të respektit ndaj Dante Aligierit, poetit nacional italian që himnizon tërë bota dhe gjuhës letrare, flasin dhe njohin vetëm versionin modern letrar të italishtes?

Po gjermanët pse nuk protestojnë atëherë, sepse nuk ështe se në Zyrih, Vienë e Bavari, flitet gjermanishtja letrare, jo aspak, por gjermanishten e respektojnë të gjithë gjithësesi, sepse ajo është ABC-ja e çdo kombi të konsoliduar europian.

“U bë gjuha frënge, pa lindi populli francez”!-thonë.

Po neve që kemi pasur edhe popullin pellazg, etrusk sipas të gjitha gjasave, ilir, arbër e shqiptar. . .  ashtu si edhe gjuhën shqipe, çfarë kemi mëngut (në mos plus do shtoja unë!). . .  nga të gjithë europianët e tjerë që të përpiqemi të rrënojmë themelet e gjuhës sonë?!

Largqoftë mos përfundojmë si kroatët me serbët dhe boshjnakët e malazezët, të cilët nga një gjuhë unike, kanë krijuar gati katër të tilla më vete dhe tani hiqen sikur kanë nevojë edhe për përkthyes (s’ka skenë më komike sesa kur presidenti kroat Josipoviç merr përkthyes me vetë kur shkon në Serbi). . .  për t’u kuptuar midis tyre.

Gjuha që flasim, si të jetë e Naim Frashërit, e Gjergj Fishtës, Lasgush Pogradecit, Hasan Tasimit, Isa Boletinit apo Aristidh Kolës, Asdrenit, Çajupit apo Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit e Gjon Buzukut. . .  ajo është gjithmonë, gjithësesi vetëm gjuha jonë e përbashkët shqipe.

Këtu nis dhe mbaron kjo temë!

“God save the Queen”!-këndojnë britanikët dhe unë do t’a propozoja në këtë version për ne këngën që kërkon dhe përgjërohet për mbrojtje qiellore për mbretëreshëm e tyre, duke e përshtatur atë me kushtet shqiptare kur gjuhën meqë po e hanë me dhëmbë njerëzit (shqiptarët). . .  të paktën t’a mbrojë qielli, Zoti dhe perëndia, pra “Zot na e mbro gjuhën SHQIPE”.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora