Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Partitë pa politika kulturore

| E shtune, 18.05.2013, 06:10 PM |


Partitë pa politika kulturore

Nga Ndue Ukaj

Kultura si term, ashtu siç e përkufizon Raymond Willims, një pionier i teorive kulturore në marrëdhëniet ndërkombëtare, është një nga dy ose tri fjalët më të komplikuara të gjuhës angleze. Ne do të thoshim se jo vetëm të gjuhës angleze, por çdo gjuhe. Kultura është një nga termat të cilin çdo njëri duket se e kupton, por asnjë në mënyrë adekuate s’mund ta definoj. Kur bisedojmë për kulturën, ne mendojmë në shumësi tiparesh shpirtërore e materiale të një vendi, siç janë: trashëgimia, libri, filmi, muzika, etj. Kulturat e vendeve të ndryshme, kanë arrit të krijojnë shenjat e tyre identifikuese, të mirënjohur ndërkombëtar, siç janë, ta zëmë kultura franceze, ajo gjermane, italiane apo amerikane. Në kuadër të këtyre teorive, që kohëve të fundit gjithnjë e më shumë kanë marrë peshë dhe vëmendje në studimet ndërkombëtare, kërkohet një qasje më e sofistikuar e shteteve në raport me kulturën, për faktin se nëpërmjet saj ne njohim më mirë vetveten dhe tjetrin. E kuptuar kështu, kultura është hiç më pak se identiteti i një vendi.

Vendi ynë, Kosova, s’ka zhvilluar  politika kulturore të tilla që kishin me fituar reputacion ndërkombëtar. Madje, në jetën tonë shoqërore  politike,  ende s’është përcaktuar, cili është vendi i kulturës në jetën e shtetit tonë? Për më tepër, viteve të fundit, e kemi pa e përjetuar ne vazhdimësi një qasje miope të institucioneve shtetërore dhe partive në vend në raport me kulturën. Nga ajo që shohim e lexojmë, duket se këtë shije të hidhur, do ta përjetojmë edhe të ardhmen, ngase s’duken askund shkëndija shpresëdhënëse. Kjo ka bërë që kultura ta humb krejtësisht vëmendjen e opinionit publik dhe medias, e për fat të keq nganjëherë edhe të vetë atyre që merren me të.

Një politikë e mirëfilltë kulturore, është ajo që kulturën e vë në nivel të barasvlefëshme me fushat tjera me interes publik, siç janë shkollimi, shëndetësia dhe ekonomia e një vendi. Shteti duhet ta nxit jetën kulturore dhe s’duhet të kërkoi assesi që kultura t’i shërbej politikës. Në këtë drejtim, arti dhe kultura duhet të mbrohen me të njëjtin intensitet dhe kujdes, siç janë fushat tjera të rëndësishme shoqërore, në mos edhe më shumë, sepse nga to varen realisht gjitha segmentet tjera të jetës shoqërore e kombëtare. Kjo për faktin se arti dhe kultura janë përfaqësimi shpirtëror i një shoqërie. Duke qenë kështu, arti dhe kultura është ndërgjegjja e një shoqërie. Prandaj në qoftë se dergjet kultura, atëherë dergjet e gjithë shoqëria dhe rrezikohet i gjithë kohezioni i brendshëm.

Në debatet e ndryshme për shtetin, ekziston një pajtueshmëri se kultura është referencë e domosdoshme për një shoqëri dhe njëkohësisht pikëmbështetja më e sigurt që e ruan kohezionin e brendshëm brenda kombit a shtetit të caktuar. Kjo përmasë e tejkohëshme, në të vërtet është paradigma që i mban gjallë dhe i nxit idealet e një shoqërie që bashkohet rreth një shteti të caktuar. S’është ekonomia e as aspektet tjera që e nxisin idealin e vlerave të përbashkëta brenda një shoqërie. Dihet mirëfilli se këtë gjë e bën më së miri kultura e një vendi, që bëhet element harmonizues brenda dallimeve të ndryshme.

Ernest Koliqi në një artikull të botuar me 1960, trajtonte pikënisjen e problematikës shqiptare dhe ndër të tjera shkruante: “Ne jemi të mendjes se sidomos kultura asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve shkombëtarizuese qi mërzisin e molisin popullin Shqipnis së mjerë.” Koliqi, si erudit dhe njohës i mirë i problematikës shqiptare e dinte se vetëm me armët e kulturës, mund të mbrohej kombi shqiptar, prandaj kërkonte që të sforcoheshin ato.

Sot me të drejt pyesim, cili është statusi i kulturës?

Në jetën tonë kombëtare, siç na difton Koliqi, por edhe shumë korifenj tjerë shqiptarë, kultura përbënte pikënisjen e çdo programi kombëtar. Kështu ka ndodh edhe me të kaluarën e afërt në Kosovë. Ndërsa sot, po të bëjmë një analizë njëjavore dhe të shohim emisionet e lajmeve, kronikat televizive, të shfletojmë shtypin ditor, do të mund të kthjellojmë opinionin tonë, ngase do të shohim qartë se asnjë ngjarje kulturore te ne nuk zë ndonjë vend me rëndësi në kronika televizive a faqe të gazetave. Në Kosovë, s’ndodh ndonjëherë që në kronikat televizive, ndonjë ngjarje kulturore të  jetë në qendër të vëmendjes, ta zëmë pas një kronike të rëndësishme politike. Po ashtu, gazetat e vendit, janë të stërmbushura me gjithfarë lajmesh, që e neveritin çdo lexues të kultivuar, ndërsa në zgrip të tyre, hasim disa lajme për kulturën, që zakonisht shkruhet si është më së keqi. Në shoqëritë europiane, ku aspirojmë të integrohemi, kultura zë një vend tepër domethënës në kuadër të debateve shoqërore.

Kjo gjendje, ka bërë që statusi i kulturës në vendin tonë të jetë i mjerë, ashtu siç vazhdon të jetë e mjerë në përgjithësi atmosfera e përgjithshme, me kriza të njëpasnjëshme, ku politika qëndron në maja të së keqes.

A kanë partitë e Kosovës politika kulturore?

Partitë politike në Kosovë, pa ndonjë traditë dhe të paprofilizuara, janë të limituara në çdo aspekt, sepse janë shndërruar në kazane që marrin çdo gjë dhe pa ndonjë selektim. Kësisoj çfarë janë, ato s’kanë arrit të zgjerojnë fushëveprimin e tyre. Duke qenë të çintelektualizaura, partitë janë vërshuar nga militantë dhe kështu s’i kanë kushtuar as vëmendjen minimale kulturës, sepse kjo fushë kërkon dije, shije të lart kulturore dhe ndërgjegjësim. Nga kjo neglizhencë, kemi humbur gjithë, e sigurisht edhe partitë sepse janë bërë çerdhe të padijes.

S’ka dyshim se në kuadër të retorikës së partive në vend, është e mundur të gjendet ndonjë rresht që i dedikohet kulturës. Mirëpo, kultura këto vite asnjëherë s’ka qenë temë interesante për debatet mediatike, të cilat realisht s’janë gjë tjetër veç një sorrogatllëk i debateve të mirëfillta që bëjnë shoqëritë e emancipuara kulturalisht. Veç faktit se ato janë shterpe, debatet e tilla asnjëherë s’kanë mbërri me provokua ndërgjegjen e qytetarëve tanë që t’i nxisë të reflektojnë ma pozitivisht për vendin. Në gjithë këtë holli ku është katandisur klasa politike vendore, kultura ka mbetur në zgrip jetës sonë. Përgjatë këtyre viteve të lirisë, vendi ynë është udhëhequr pa politika të mirëfillta kulturore. Kjo mund edhe t’i këtë interesuar dikujt.

Kur kihet parasysh pozicioni i Kosovës në planin ndërkombëtar, reputacioni i rënduar, kultura do të duhej të ishte në top prioritet e larta shtetërore.

Përvoja e gjertanishme, të cilat i kemi ndjerë dhe jetuar, na ka dëftuar qartë se partitë politike në vendin tonë, s’kanë ndonjë ndjeshmëri të posaçme për kulturën. Ato kulturën e përdorin si një instrument për qëllimet e tyre te përtejme politike, ndërkaq njerëzit e artit dhe kulturës, i kanë lënë në mëshirë të fatit, duke i trajtuar si tepricë dhe shtresë “për gjynah.” Me këtë ritëm që e kemi parë e përjetuar, është lehtë të pohohet se interesimet e partive politike për kulturën në vendin tonë janë dritëshkurta. Ndonëse të gjithë deri diku pajtohen se nëpërmjet kulturës mund t’i kundërvihemi të keqes që ngadhënjen shpesh ndër ne, asnjë parti s’arrin të tejkaloj vetveten dhe ta bëj kulturën paradigmë të angazhimeve të veta kombëtare e shtetërore. Marshimi drejt të ardhmes, pa një kulturë të shëndoshë, është i pamundur, sepse esencialisht kombet dhe shtetet, dihet mirëfilli se i mban të bashkuar në synimet e tyre, kultura. Nëse marrim shembuj kombet europiane, ta zëmë popullin gjerman, e shohim se ata mund t’i ndajë shumëçka, por është diçka më e madhe që i bashkon, e ajo është kultura gjermane.

Cilat janë shkaqet e kësaj gjendje, është një temë që kërkon vëmendje dhe analiza të shumta, që duhet iniciuar nga njohës të fushave përkatëse. Mirëpo, një gjë është e mirëditur, pa politika kulturore të shëndosha, vendi ynë s’mund të arrijë një reputacion pozitiv ndërkombëtar dhe për më tepër, krizat identitare, do të vazhdojnë të na shoqërojnë edhe në të ardhmen.

Në ethet e pashpallura para zgjedhore, shohim sesi partitë politike në Kosovë, ende s’kanë arrit të heqin lëvozhgën e ngushtë me të cilën ato synojnë të marrin besimin e elektoratit. Gjer me tani, s’na ka ra në sy të shohim ndonjë parti politike, e djathtë apo e majtë, të shfaq ndonjë mendim të vlefshëm për kulturën.

Ka kohë që ne s’shohim asnjë parti politike në vend, që ka ndonjë program për rritjen e imapktit kulturor në vend, për plasimin e kulturës tonë përtej kufijve tanë. A është kjo shenjë se politika ka bë një kompromis të heshtur, që ta mbaj kulturën në bisht të jetës shoqërore, është një çështje që duhet të diskutohet.

Shija që të lënë partitë politike, me tifozllëqet e tyre dhe militantët e panumërt, të bën të kuptosh se ato s’duan të heqin lëvozhgën e militantizmit dhe për këtë, mbajtja e kulturës larg epiqendrës së vëmendjes, është mënyra më e lehtë për të krijuar ekuilibër të rrejshëm për një kauzistabilitet partiak.

Politikat kulturore, duhet të stimulojnë veprimtaritë kulturore e artistike.  Vetëm një kulture e mirëfilltë, mund t'iu jap shtysë zhvillimeve tona dhe mund të na shtoj zellin për ta ndryshuar gjendjen tonë të zymtë dhe të hap shtigje drejt një perspektive positive.