E premte, 29.03.2024, 04:41 AM (GMT)

Mendime

Arian Galdini: Kundër rrotacionit

E shtune, 18.05.2013, 09:40 AM


Kundër rrotacionit

Nga Arian Galdini

Duam rrotacion, duam rrotacion…”. Kjo është fraza më bajate që po e dëgjojmë në çdo ekran, e lexojmë në çdo gazetë, status apo blog ku gëlojnë të pakënaqurit. Por harrojmë se rrotacioni nuk është fare pjesë e lojës demokratike dhe interesit publik. Jemi bërë shoqëri që ecim përpara vetëm me tulla parafabrikat propagande të nivelit më të ulët. Ne duhet të kërkojmë tri parime bazë. Tri. Vetëm tri. Ne duhet të kërkojmë: a) Konkurrencë publike të ndershme dhe të lirë. Nëse në Shqipëri ka hapësira për konkurrencë, atëherë fitofshin më të mirët nëpër parti, institucione, zgjedhje etj., etj… Por nëse mungon konkurrenca, atëherë rrotacioni është thjesht shpikje për të rrotulluar dorën nga njëri grup arbitrar drejt tjetrit. b) Pjesëmarrje publike. Nëse publiku merr pjesë në vendimmarrje e politikëbërje, nëse publikut i jepet llogari dhe konsultohet pa pushim, atëherë sigurisht që do të kemi qeverisje më të drejta dhe institucione më të përgjegjshme dhe llogaridhënëse. Por nëse publiku shmanget, atëherë gjithçka që ndodh është vetëm “lojë renda-elitore”. c) Transparencë. Qeveria, institucionet, partitë duhet të jenë plotësisht transparente për sytë e publikut. Mungesa e transparencës dëshmon se ç’ndodh brenda qeverisë, institucioneve apo partive, nuk përfaqëson ose tjetërson interesin e publikut. Jam krejt i një mendjeje me prof. Artan Fugën kur propozon që demokracia e brendshme e partive politike duhet rregulluar me ligj. Është domosdoshmëri dhe është domosdoshmëri urgjente. Besomëni që nëse ne do të kërkojmë e luftojmë, protestojmë e aktivizohemi për këto tri parime, atëherë nuk ka nevojë për rrotacion, sepse në fakt do të ketë transformim rrënjësor dhe përmbajtësor. Mes rrotacionit dhe transformimit, unë zgjedh transformimin.

Pse kundër rrotacionit?

Pse jam unë pro transformimit dhe kundër rrotacionit? 1. Sepse lideri i opozitës, Edi Rama, është asgjësuesi dhe ndëshkuesi i përkushtuar i konkurrencës publike, pjesëmarrjes së publikut dhe transparencës si parime bazë të funksionimit të një demokracie euroatlantike. Edi Rama ka dëshmuar me projektimin e Kushtetutës së 15 prillit 2008 si dhe me miratimin dhe rimiratimin e Kodit Elektoral, se është rrezik për demokracinë dhe ngushtues e zhbërës i çdo shtegu dhe hapësire demokratike. Kur Edi Rama në opozitë synon zbythjen e demokracisë, atëherë nuk ka se si të jetë instrument dhe lojtar prodemokratik nëse vjen në pushtet. Është despot pa top. Me top behet satrap. 2. Partneri kryesor i koalicionit opozitar, LSI dhe Ilir Meta janë partia dhe lideri që as dinë e as që ua ndien për demokracinë, lirinë, integrimin europian, europianizimin, shtetin e së drejtës etj., etj. LSI dhe Ilir Meta duan vetëm hapësirën për të bërë plaçkë me buxhetin e shtetit dhe zyrat e institucioneve. 3. Dyshja Rama – Meta bëhet një dyshe e rrezikshme sepse përvijon bashkimin e despotit me kaçakun, të paaftit me të paditurin, bariut të rrejshëm me pragmatistin e pacipë. Rama – Meta janë rrezik publik dhe janë pa asnjë mëdyshje mbushulli antidemokratike. 3. Dyshja Rama – Meta kanë ngritur në këmbë një sistem të ri tiranie brenda së majtës që synon shtypjen dhe mbytjen e çdo ambicieje, identiteti apo zëri ndryshe. Në pushtet apo në opozitë, dyshja Rama – Meta tashmë e kanë akaparuar dhe uzurpuar të majtën duke e tjetërsuar dhe lënë pa frymë, pa emër, pa fytyrë e pa numër. Nëse dyshja Rama – Meta vijnë së bashku në pushtet, atëherë tirania e tyre do të uzurpoje shtetin shqiptar, institucionet e pavarura, administratën publike, buxhetin e shtetit, sipërmarrjen e lirë e çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. E këto nuk janë fjalë në erë, por përfundime të logjikshme që unë i nxjerr bazuar në provat empirike që kemi nga aktet që kanë kryer dhe modelet që ata përfaqësojnë veç e veç dhe së bashku. 4. Dyshja Rama – Meta u bashkuan për të shtypur e përjashtuar të tjerët e të ndryshmit brenda së majtës. Nuk u treguan bujarë e as demokratikë me të tjerët e të ndryshmit duke i përfaqësuar në lista. Përkundrazi, i përjashtuan nga listat të gjithë ata që përfaqësonin tjetrën a të ndryshmen brenda së majtës dhe nënshtruan në lista ata që nuk guxuan të përballen e përfaqësojnë nuancën e tyre brenda së majtës. Privatizimi i listave nga dyshja Rama – Meta ishte akti dhe dëshmia publike se ata në të vërtetë ia kanë dalë mbanë të privatizojnë makinerinë më të madhe politike që mëton të marrë në kontroll shtetin shqiptar. Afërmendsh, duke qenë se këta e kanë bërë privatizimin e makinerisë, atëherë nëse fitojnë pushtetin për të marrë në kontroll shtetin, asgjë nuk i pengon më që të privatizojnë nëpërmjet partiakizimit edhe shtetin. 5. Integrimi europian nuk është qëllim e as projekt politik i dyshes Rama – Meta. Kush synon pushtetin me marifete informale ekstrademokratike dhe shpeshherë edhe antidemokratike, cenon shtetin e së drejtës, pra cenon drejtpërdrejt hallkën themelore që na bashkon me Europën. Mendësia bizantine, ndonëse e fshehur dhe mbështjellë bukur me “mantel propagandistik perëndimor”, lexohet dhe vetërrëfehet në gjithçka Rama dhe Meta bëjnë e thonë. Këta të dy duan pushtetin më shumë se shtetin e së drejtës, duan fuqinë më shumë se integrimin, duan pasurimin më shumë sesa eurotransformimin. Dyshja Rama – Meta nuk e kanë seriozisht kur flasin për Rilindje. Ata duan thjesht të ecin më shpejt drejt privatizimit të shtetit shqiptar. E nuk ka asnjë arsye që unë të votoj Rilindjen, të kërkoj rrotacionin, të besoj Edi Ramën, për të fituar më shpejt e më shumë Ilir Meta.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora