E shtune, 20.04.2024, 02:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Georgey Gabor - ''Revolveri''

E shtune, 18.05.2013, 06:09 PM


Analizë për premierë teatri

AKTUALITETI NË FORMË SARKAZME DHE IRONIE NË KOMEDI

Georgey Gabor: “Revolveri”, komedi premierë e shfaqur nga trupa e  Teatrit Profesionist të Gjakovës, regjia Burbuqe Berisha.

Nga Halil Haxhosaj

Pas një periudhe pauzë gati njëvjeçare, përkatësisht pas njëmbëdhjetë muajve të shfaqjes së premierës së fundit, Teatri profesionist i Gjakovës më në fund ia arriti ta shfaqë premierën e komedisë “Revolveri” të shkrimtarit hungarez Georgey Gabor në regji të Burbuqe Berishës, mysafire nga Prishtina. Në natën e premierës, gjakovarët e mbushën përplot sallën e Pallatit të Kulturës, sepse u kishte munguar premiera e teatrit që gati një vit. Dhe ky publik është i krijuar, i thirrur, madje edhe aq i disiplinuar për teatër sa që as kësaj here, sikur herëve të tjera nuk ndihej asgjë, madje as frymëmarrja e tyre, e as cikërrimat e telefonave. Publik serioz, por edhe në nivel e të kulturuar ka Gjakova, jo vetëm për teatër, por në të gjitha shtresimet e tjera kulturore, letrare e artistike.

Regjia dhe koncepti regjisorial

Regjisorja Burbuqe Berisha edhe pse për herë të parë punoi me këtë trup, do të thosha mikse, sipas moshave e gjeneratave të këtij teatri, me siguri se i ka vërejtur aftësitë e aktorëve të angazhuar për interpretim bashkë me, z. Bujar Zenelajn, i cili është asistent i regjisë. Në këtë projekt u angazhuan: Hysen Binaku – Gjenerali, Myrvete Kurtishi – Profesoresha, Edmond Hafizademi – Naqo, Arben Lleshi, Mulla (Mullisi) dhe Valon Pallaska – Marashi (Fshatari tipik shqiptar). Në qendër të kësaj shfaqje të zhanrit komedi është revolja, një figurë dominuese, e cila rekomandon shpërfaqjen e të gjitha aspiratave, epsheve, veseve, e pse jo edhe të vetive korruptuese të individit deri në absurditet, që krijojnë hallkat e zinxhirit të pushtetit në formën më groteske në fazat kalimtare të pushteteve të shoqërisë njerëzore. Kështu u shpërfaq ideja e tekstit të kësaj komedie e shfaqur në dërrasat e skenës së Teatrit Profesionist të Gjakovës në natën e premierës së kësaj shfaqje.

Koncepti regjisorial i regjisores Berisha deri diku shpërfaq dakordim me tekstin e shkrimtarit Georgey Gabor. E them këtë sepse ajo ka bërë përshtatje të shfaqjes dhe konceptit të saj me situatën dhe gjendjen e sotme të Kosovës dhe shtetit tonë në vitet e fillimit të pavarësisë së saj, që me siguri në shtetin e autorit do të kenë ndodhur në mesin e shekullit të XX, kur Hungaria trazohej nga ngjarje që e tronditnin dhe e bënin të lëkundur e të pasigurt. Nëpër këta rrathë të shpërfaqur në dramë, apo komedi, depërton kapërcylli i absurdit i shprehur me ironinë dhe grotesken artistike, në këtë rast teatrore, që përkon me atë realitet në atë kohë, por që frymon njëtrajtshëm edhe me realitetin e Kosovës, në këtë kohë me këto frymëmarrje të trazuara. Ideja e regjisores shtjellohet nëpërmes këtyre personazheve, që janë ambientuar në një kthinë, e cila mund të jetë edhe skutë e ndonjë hendeku, podrumi ndërtese, por edhe një ambient që është i përshtatshëm për t’i paraqitur karakteristikat psikike, filozofike, logjike e mbi të gjitha të logjikës së njeriut në situata të ndryshme të jetës së vet. Mbi këtë piramidë idesh krijohet një aspiratë që zhvillohet dhe e arrin kulminacionin e aspiratës së njeriut kur e merr pushtetin në kohë dhe periudhë të caktuar. Dhe kjo është dominuese në komedinë “Revolveri” në regji të Burbuqe Berishës të interpretuar nga trupa e Teatrit profesionist të Gjakovës.

Ngjarja e komedisë zhvillohet në mënyrë të mbyllur edhe si koncept regjisorial e dramatike, që në njëfarë mënyrë jep rezultat të një përmbylljeje skenike statike, e cila operon në një skenë të mbyllur dhe tepër të njëtrajtshme. Shpesh edhe ritmi dramatik bien dhe e humb dramaticitetin e vet, por ai “shpëton” me ndonjë grimasë që kurdiset dhe shpaloset në mizanskenë. Kjo gjë shpesh duket e përsëritur, sa që edhe shikuesi e di se çka do të zhvillohet kur revolja, bie me radhë në duar të personazheve të komedisë. Duke u zhvilluar tema e shfaqjes, në këtë rast e komedisë, pa ndonjë qëllim dhe synim të pikasur, dihej çka do të bënte e vepronte aktori që e merrte revolverin. Ndërrimi i revolverit nga njëri tek tjetri shfaq edhe marrjen dhe zhvillimin e pushtetit në periudhën e sundimit të tij. Ky riciklim rrethor zhvillohet nëpër të gjitha hallkat e zhvillimit të komedisë, rrjedhës së saj, dramacitetit dhe veprimit skenik e mizanskenit rrjedhimor. Duke u zhvilluar “ngjarja” e shfaqjes depërton nëpër skenën poashtu të mbyllur në atë skutë, bodrum apo kthinë që përshtatet me sukses me zhvillimin e situatave që interpretohen nga aktorët. Gradualisht jepen disa momente që aktorët shpërfaqin talentin individual, por që patjetër shkrihen në një embrion të përbashkët si një simbiozë e kësaj pjese të jetës specifike me grykën e revoles dhe pushtetin e saj sundimtar. Edhe atmosfera e skenës përkon me gjendjen e situatës, e cila ka për qëllim ironizimin dhe sakrazmën e kësaj gjendjeje.

Rolet dhe interpretimi

Përshtatja e tekstit me gjendjen e situatës politike të sotme në Kosovë nga regjisorja Burbuqe Berisha, shtrohet në krijimin e personazheve dhe prototipave të tyre në këtë komedi. Aktorët i interpretojnë rolet e caktuara sipas karaktereve që i kanë ato dhe sipas konceptit që ua ngarkon regjisorja Berisha. Duke mbajtur këtë mision mbi supet e veta ata krijojnë karakteristikat individuale, por edhe kolektive të qëllimshme dhe funksionale. Dakordimet e tilla shpërfaqen në atë regjion, i cili ka një vijë skenike të caktuar, pse jo edhe të kufizuar. Shpesh kjo gjë duket e njëtrajtshme dhe zhvillohet në koordinim me tërësinë e shfaqjes. Koordinimi shtjellohet sipas një rendi që imponohet nga rrethi, situata dhe gjendja ku zhvillohen ngjarjet e komedisë. Andaj shpesh, në premierën e kësaj komedia, aktorët nuk dëgjoheshin sa duhet në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, e cila fatmirësisht ishte e mbushur përplot spektatorë. Ndoshta këtë nuk e kanë vërejtur realizuesit dhe të tjerët dhe shpesh mbetej ndonjë frazë, mbase edhe fjali e mendim i pa qartë për spektatorët në rendet e fundit të sallës. Gjuha skenike ka kolorit, i cili mbanë një diagonale zhvillimi, edhe pse shpesh rrëshqet ndaras prej aktorit tek aktori. Kjo gjuhë bashkohet me disa thënie autoktone të të folmes lokale pse jo edhe regjionale, sipas karateve të roleve që interpretonin aktorët. Kjo shihet te roli i Marashit që e interpreton Valon Pallaska, i cili është përshtatje nga regjisorja, sepse aktori i këtij roli përdor një të folme karakteristike lokale shqipe, që mëtohet të paraqitet si e folme e vjetër fshatare kombëtare shqiptare.

Në interpretimin e roleve shihet një shkrirje megjithatë. Shkrirja shpesh shfaqet e ndarë, por mbi të gjitha nuk duket dallimi i përvojës mbi skenë. Kjo vlen për doajenin Hysen Binaku dhe Myrvete Kurtishi, e deri diku edhe të Arben Lleshit, por që shkrihet me sukses edhe me interpretimet e Edmond Hafizademit dhe të Valon Pallaskës.

Hysen Binaku e interpretoi rolin e vet duke u mishëruar me të, edhe pse shpesh shtrihej në figurën e tij të gjatë interpretuese, e cila e “nxjerrke” në sipërfaqe këtë virtyt aktoresk. Roli i Gjeneralit interpretuar nga ky aktor nuk dukej i vrazhdët, madje as me teprime, por shtrihej dhe funksionoi në suazat e kërkesave të shfaqjes dhe kërkesave të regjisores.

Myrvete Kurtishi në rolin e saj ishte në suazat e interpretimeve të veta. Ajo nuk mëtonte të bëhej një figurë prej interpretueseje dalluese edhe pse disa herë figura e saj depërtonte në mënyrë artistike në skenë dhe tek spektatori.

Roli i Mullisit interpretuar nga Arben Lleshi kishte një shtrirje paksa me të madhe dhe më të ngjeshur në skenë, sepse duhej patjetër të “mulliste” në të gjitha situatat, andaj ka bërë disa veprime që e plotësonin tipin e këtij personazhi që e interpretonte ai.

Roli i Admond Hafizademit ka veprime që janë të ndara plotësisht dhe ka veti të veçanta. Ky aktor i ka disa vizione që paraqesin efektin e tij prej aktori, edhe pse në pjesën më të madhe mbetej “statik” dhe i pa “funksion” në skenë. Figura e tij kishte një vizion dhe përmbushte tiparin e rolit që interpretoi. Derisa roli i Naqos që interpretoi Hafizademi ka një diktat të theksuar madje edhe tepër rigoroz, roli i Marashit i interpretuar nga Pallaska rrëshqet nëpër vetitë e fshatarit që ka synime, qëllime dhe aspirata autoktone, që duhet të shfaqen në skenë. Këto tipare duken së ndonjëherë “rrëshqasin” nga interpretimi i këtij aktori.

Thënë në tërësi rolet e aktorëve patën disa esenca individuale të karaktereve të roleve të tyre, por me sukses u shkrinë në bashkësinë interpretuese. Andaj mund të thuhet se ky ansambël e kaloi me sukses këtë premierë dhe mori epitetin e një grupi aktorësh të konsoliduar dhe unik, por edhe me ndonjë mangësi.

Diçka për skenografinë e shfaqjes të realizuar nga Petrit Bakalli, nuk mund të thuhet posaçërisht, sepse ajo ishte e objektivizuar me skenën statike dhe e fiksuar sipas rolit që e kishte. Karriget e caktuara ku uleshin aktorët për t’i interpretuar rolet dhe nevojtorja paraqitnin realitetin skenik të komedisë, duke u finalizuar me revolverin, pse jo me dy revolverët, sepse në fund shfaqet një revolver i vogël që del befasisht në skenë, dhe çelësi, i cili kishte rolin e shpëtimit, por edhe të ngujimit.

Muzika e shfaqjes nga kompozitori Trimor Dhomi nuk pati ndonjë shtrirje të dukshme në shfaqje, por pati funksionin e caktuar nga ekipi realizues. Kështu mund të thuhet edhe për dritat e realizuara nga Nafi Baraku dhe kostumografia.

Sido që të jetë kjo premierë e plotësoi boshësinë e këtij teatri që ishte që njëmbëdhjetë muaj në këtë skenë, ndaj në të ardhmen duhet të ketë më tepër premiera sepse ka kapacitet dhe efektiv për t’i realizuar me sukses ato.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora