E enjte, 25.04.2024, 05:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Misioni historik i shtypit shqiptar

E premte, 17.05.2013, 09:07 PM


MISIONI HISTORIK I SHTYPIT SHQIPTAR

Vëndi ynë mbetur i shkretë nga Turqia, e cila jo vetëm që nuk e përmirësoj por nuk e la dhe në gjendjen që e gjeti kur e pushtoi. Bashkimi italo-shqiptar është një ngjarje që i është kushtuar historisë sonë dhe i është besuar nderit tonë. Mbi këtë Flamur tonë, të kuq si dashurija jonë për këtë tokë, gjënden shënime qytetërimi që ndriçojnë botën: shqiponja luftarake e perëndimit dhe lindjes që heroi Skënderbe e ngriti mbi fortesën e Krujës.

Nga Baki Ymeri

Asnjë zog nuk ka kaluar këndejpari të na shohë që nga fillimi i mileniumit, thekson Dumbrëveanu në një poezi të tij. Dikush i krahason zogjtë dhe fletoret me njerëzit, kurse ne i krahasojmë njerëzit me gazetat dhe revistat. Edhe njëra, edhe tjetra palë, kanë nevojë për ushqim shpirtëror. Sipas burimeve elektronike kuptojmë se “L’Albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë), është gazetë politike, shoqërore dhe letrare që dilte në gjuhën italiane, pjesërisht edhe arbërisht. Drejtor i saj ishte Jeronim de Rada, i cili shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848, e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve 60 të shek. XIX. Kjo gazetë njihet si e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar. Numri i sajë i parë doli më 23 shkurt të vitit 1848. Jeronim de Rada boton në Kozencë, më 20 korrik 1883, gazetën “Fiamuri i Arbërit”. De Rada u lind në Makia të Kalabrisë. Mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës.

Që nga viti 1861, De Rada shfaqet si një nga figurat më në zë të Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861) botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (Antichità della nazione albanase, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (Rapsodie d'un poema albanese, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore europiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën "Flamuri i Arbrit", që botoi në vitet 1883-1885. Në "Testamentin politik" (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës italiane ndaj atdheut të të parëve tanë.”

Në vazhdim po japim disa gazetat tjera të vjetra shqiptare që i gjetëm në Bukuresht, e që i përkasin shekullit XX. “Zëri i Korçës” nisi të dalë më 1924 në Korçë, duke patur për pronar përgjegjës Dhori Koti. Para nesh kemi numrin e 6 dhjetorit 1927, me artikuj mbi Aleancën Defensive ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, e nënshkruar nga Ekselenca e Tij President i Republikës Shqiptare Ahmet Zogu. Vajhalli se çfarë pune të madhe paska bërë mbreti që ua fali jugosllavëve, Manastirin Shqiptar të Shën Naumit, të cilin nuk ka guxim ta kërkojë prap Qeveria aktuale e Shqipërisë! Zogu e praktikonte artin e pasurimit në dëm të atdheut, kurse Enver Hoxha strategjinë e persekutimit të demokratëve tanë që e admironin Perëndimin dhe Perëndinë. Në faqen e parë botohen edhe shkrime tjera në favor të Musolinit. Në faqen e dytë jepet një Komunikatë sipas së cilës “Vëndi ynë mbetur i shkretë nga Turqia, e cila jo vetëm që nuk e përmirësoj por nuk e la dhe në gjendjen që e gjeti kur e pushtoj, se atëherë kish ca rrugë më të mira të cilat janë me emër në historinë. Një prej këtyre është udha Egnatia, e cila niste nga Durrësi, vinte në Elbasan, Ohri dhe arrinte gjer në Stamboll.”

Pasojnë në faqet e gazetës respektive disa informata tjera lidhur me Olimpiadën e vitit 1928, mbi kremtimin e Ditës së Flamurit në Çarshovë, një legjendë me titullin “Për çfarë kuvëndojnë yjtë”, disa akt-gjykime, disa reklama mbi fabrikën (“Shëndeti”) për larjen e robave, “Rrobaqepësia Moderne”, shpallje, falënderime, lajme nga Tirana, kremtimi i Ditës së Flamurit në Vithkuq etj. “Gazeta e re” ishte fletore e përditshme që dilte në Tiranë, që nga viti 1929, duke patur për drejtor Zoi Xoxa, ndërsa përgjegjës Said Toptani. Faqja e parë e numrit 222 (e shtunë, 27 korrik 1929), bën fjalë për “Probleme të tanishme të jetës shqiptare”, duke dhënë një deklaratë të Zotit Kotta në Gjirokastër, me nëntituj si: Rëndësia e shtypit dhe Qeveria, Politika e Jashtme Banka Bujqësore dhe Kooperativat, Odat e ekonomisë, Politika e Monopoleve, Buxheti i shtetit, Sistemi taksor, Komunat, Drejtësia, Arësimi, Reformat fetare, Patriotizma e re, Neo-Shqiptarisma dhe filozofia e saj, Përpjekje për një shtet modern. Pasojnë në faqet tjera “Tryeza e bisedimit”, “ngjarje të përbotshme” “Pritje e çkëlqyer e Kryeminsitrit Koço Kotta në Dhermi (Himarë)”, “Provimet e shkollës së Bujqësisë në Lushnjë”, “Turbullimet komuniste në Francë”, etj.

Misioni hiostorik i shpirtit shqiptar

“Tomori” është një gazetë interesante, tejet e pasur me artikuj të gjinive të ndryshme. Nga arkivi i Dr. Xhelku Maksutit na buzëqeshi fati t’i kemi si dhuratë disa faqe të numrit jubilar të 28 Nëntorit 1941. Në faqen e tretë lexojmë mbishkrimin “Përvjetori më i lumtur i Pamvarësisë Shqiptare”. Sipas burimeve elektronike, “Tomori” është gazeta e të gjithë shqiptarëve në kohë paqeje dhe lufte. Gazeta respektive pasqyronte frymën fashiste dhe ideologjinë e re që kishte hyrë në Shqipëri pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Këtë e dëshmon edhe artikulli “Shqipëria e Madhe e realizuar nga Bashkimi në ecje drejt qëllimeve të caktuara prej Duçes”, me një citat të kontit Ciano: “Bashkimi italo-shqipëtar është një ngjarje që i është kushtuar historisë s’onë dhe i është besuar nderit t’onë; s’ka fuqi njerëzore që të munt të matet t’a ndryshojë pa shkakëtuar kundërshtimin kompakt të të dy Popujvet.”  Shqiptarët nuk i ka dëmtuar bashkëpunimi me Italinë fashiste që dha impuls për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kombin tonë e ka dëmtuar më shumë komunizmi dhe islamizmi se sa fashizmi. Stalinizmi i Enver Hoxhës e shkretëroi ekonomikisht Shqipërinë, ndërsa islamizmi i sulltanëve të Stambollit e shëmtoi onomastikën tonë të lashtë, duke e bërë Gjergjin Aliosman dhe Kolën Ramadan.

Në kuadrin e artikullit të Ernest Koliqit “Me veprue”, bëhet fjalë për stërnipërit e Kastriotit dhe kremtimin e Ditës së Flamurit me zemër të pastër shqiptare. 28 Nëntori është dita përkujtimore më e madhe e historisë sonë. Në spektrin e Shqipërisë etnike “Nëpër valëvitje të ngjyrave tona kombëtare në horizont shkruhej vegimi i Kosovës e i Çamërisë së lirueme. Sot kjo andërr u sendërtue, e të gjithë ata që kanë gjakun ilyr ndër dej dhe flasin gjuhën krenare të shqipeve, sot për të parën herë mbas shekujsh robnimi e krajate, kremtojnë vllaznisht të kapun përgjithmonë ditën e shejtë të Flamurit.” Një artikull i mrekullueshëm me vlera psikologjike, është “Funksioni historik i shpirtit të lirisë në kombin shqiptar”. Në mes jepet një citat nga Jacomini: “Mbi këtë Flamur tonë, të kuq si dashurija jonë për këtë tokë, gjënden shënime qytetërimi që ndriçojnë botën: shqiponja luftarake e perëndimit dhe lindjes që heroi Skënderbe e ngriti mbi fortesën e Krujës.”

Hilmi Leka shkruan mbi qiellin e qartë të Shqipërisë dhe diellin e fitores. “Katundari më i përvuajtur ndjehet i lumtur, qytetari i pasur krenar.” Ai shkruan për misionin historik të Gjergj Kastriotit: “Vetëm një emër i madh kishte fluturuar mbi qiellin e errët të vëndit tonë dhe kishte mbushur botën me jehonën e trimërisë së tij epike. Horizontet ishin skuqur me flakët e lavdisë së tij të pavdekshme… Epoka skënderiane rreshton kombin shqiptar pranë kombeve të tjerë europianë, me ndihmën e tij të madhe gjaku të derdhur me shumicë për mbrojtjen e Europës, dhe e bëri të ndërgjegjshëm për misionin historik si roje të qytetërimit europian në portat e lindjes… Shqipëria skënderiane qe e madhe, kompakte, heroike, duke njohur për të parën herë dehjen e lirisë dhe të fuqisë.” Më tej autori përshkruan Shqipërinë e bashkuar që i falte Kurorën legjendare të Skënderbeut Mbretit Ushtar, dhe shuguronte me këtë gjest fisnik lirinë e saj, jetën e saj. Pason një poezi e gjatë e Asdrenit (“Për Kosovë e Çamëri”), që në kuadrin e këtij numri jubilar botohet me titullin “Shqipëria e Madhe”. Nuk duhet të trembemi nga kjo sintagmë, sepse kjo i përket historisë. Tani është koha e krijimit të Shqipërisë së bashkuar, por për fat të keq, këtë dëshirë të popullit nuk mund ta bëjnë liderët e partive politike që i kanë zëvendësuar interest nacionale me interesa personale.

Në faqen vijuese (4), Rosolino Petrotta boton studimin “Kontributi i rëndësishëm i Arbëreshëve t’Italisë për pamvarësinë e Atdheut tonë”. N. Kotte shkruan artikullin “Martyr i Lirisë”. “Vdiq heroj i madh i luftës pa rënë drita mirë, me nënëqeshjen e hyjvet të fundit në qiell… Fli i qetë o luan i malevet! Idetë e jetës fluturojnë, vuajtjet bëhen një dëshirë kaq e ëmbël sa edhe e hidhur dhe vdekja nënëqesh si ndonjë shpresë e ëmbël që nuk vonon të sjellë me vehte dëshirën e realizuar.” Në kuadrin e numrave tjerë të “Tomorit” botohen shkrime vlerash të larta historike, letrare dhe albanologjike, si “Karakteret e Shqipnis në lidhje me origjinën e emnit të sajë”, “Origjinaliteti dhe imitimi”, “Marshimi i jonë drejtë letrave”, “Gjuhët klasike dhe randësija e tyre për formimin e letrarëve të ri në Shqipëri”, “Puna e përkthimevet në gjuhën Shqipe”, “Si duhet të shkruhet Historia”, “Bushatasit Shkodralinj të panjohurë mjaftërisht”, “Kuvëndi i I-rë i Kulturës Kombëtare ku është zëri i Shqipërisë së Madhe të etur për dije dhe përparim”, “Shqiptarët dhe Ilirët”, “Migrimi i Shqipëtarëve në Itali pas vdekjes së Skënderbeut”, “Muhaxhirët shqipëtarë drejtë Kalabrisë mikpritëse”, “Ideja Perandorake e Shqipërisë”, “Një flakë që s’mund ta shuajnë shekujt”. Kaq sa për sot se u lodhëm. Po a lodhet shqiptari, mor vëlla!



(Vota: 21 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora