E merkure, 24.04.2024, 04:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Në fytyrën e një gjethi (6)

E enjte, 16.05.2013, 07:30 PM


Sabit Rrustemi

 

 

DHE NË I FALËSH…

 

Shenjti im që shndrit në qiell

e rrënjët i ngul thellë

në këtë Dardani të lashtë

 

Ti që dite të heshtësh

e kë ta duash

dhe të keqit kur vdiq i the

ndjesë pastë

 

A mund t'i falësh këta shpirtngratë

që në emrin tënd thirren çirren

një botë përgojojnë

e me veten së fundmi zihen

 

Shtrijnë duart çallmat

dhe zorrët e jargët

para këtij populli që Ty të falet

deri në të mbramën kafshatë

 

E nuk të bën mall tregu

si këta trutharë

që faqe botësh na bënë berbat

 

O shenjt

 

Ta kishin prej mosdijes

do të lutesha dhe unë

 

Po ëndja sysh i verboi

e lutja jonë s'i kthjelloi

 

O shenjt

 

Dhe në i falësh o shpirtndritur

mbrapshtë do të sillen sërish

këta sy të panginjur

 

(22 prill, 2012)

 

 

SI NUK TË KAM THËNË

 

Pas një dielli që djeg

e një mize që kafshon

shiun ke mbi kokë

 

Po u vra mbi të Nemunat Bjeshkë

mblidhi veglat

e këmbët nisi për shtëpi

 

Prej veriut shi nuk ka

veç stërpika sa me të tha

 

Nëse erërat

i kryqëzojnë retë

mbylli dhe dyert e oborrit

 

Tjegulla të reja porosit

breshëri ka për të kositur

 

në secilën mbrëmje

shenjat e ditës që vjen

i ke në horizont

 

Atë që duket mos e moho

nën rreshta prore lexo

 

Sa herë të mashtron syri

vëre dorën në zemër

një është s'ka tjetër

 

(3 maj, 2012)

 

 

RROTA E SAMËS

 

(Për Nexhat Latifin, me të cilin ende një kafe s'e pimë)

 

Kurrë s'e pamë atë Rrotë

as prej gojës e hoqëm

 

Në cilin mal thua

osin t'ia kenë nxjerrë

tabanët a shinat

që veshët na i shpuan

 

Po atë spic

cili kovaç e ngopi me zjarr

 

Se ajo Rrotë vër pa të s'bën

 

E nuk e pamë

a në maje të gjuhës e mbajmë

 

Si nuk e bluam deri sot

nëpër dhëmbë

 

Kjo Rrotë Same na bëri përrallë

o thellë paska lëshuar rrënjë

 

Një mal vitesh

e sa shekuj

përmes saj u rrotulluan

 

Nëpër mullinj kohësh

u thërrmuan

 

Ajo s'doli që s'doli në shesh

hundë e buzë

sa herë na i bëri përshesh

 

Dhe prapë e dëshiruam

e kërkuam

e as tash nuk e harruam

 

Në Rrotë Samës po s'u gjet

 

Rrota e Samës

Rrotë e madhe mbet

 

Aq e madhe sa nuk shihet

 

(5 maj, 2012)

 

 

NË NATËN A MADHE TË SHËNGJERGJIT

 

Hoqa barin e keq tej rrethojës

një ekspertizë të thellë i bëra gojës

dhe kësaj dhembje që pushton vargun

pastrova dhe paraderën e nënpragun

nëpër teh kose një gotë ujë përbirova

qafës tatëpjetë nëpër dridhma notova

sa u kthjella këmishë tjetër vesha

gjunjët prej reume i ngjesha

E dola vrap kah Roga e Sherrave

për t'ua ngrehur veshët kakurekave

nëpër hithra preka për dreq

udhës kah Lugi i Keq

një mëllenjë pa frymë më la

në atë grumbull buburrecash qysh më ra

me një grusht kripë e dy vezë

fytyra s'mbetet pa u mërdhezur

malit që pritet nga s’e di kush

e për kumbullat që s'bënë rrush

se shi nuk ra kjo Natë erdhi e thatë

as përsheshi i kallamboqtë s'është në pjatë

riti i moçëm sa toka digjet si kashtë

kush nuk të pyet a ke dashtë

ai cung të ruhet se nuk i dihet

moti në çast ndërron prishet

zjarrit në vatër s'i fryjnë kotit

derisa të preket Kryet e Motit

 

Vonë i mbyllim sytë herët për t'u zgjuar

verën për ta zënë përditë pa aguar

 

(5 maj, 2012)

 

 

NËPËR TË THËNAT E FEHMI AGANIT

 

Durimi është rruga e zorit

arma më e fortë në shpirtin e robit

Me ëndje nuk e zgjodhëm

këtë përpjetëz që na ngufat

sado qoftë e gjatë

do ta ecim

rrugëve të mos mbesim

 

Se bota nuk sheh vetëm me sy

si veten nuk më ka mua ty

kjo botë që kërkon rend

do të na nxjerr në kuvend

kush shkon e kush vjen

durimin veç paqja e shpërblen

 

Po na duhet nga pak të përpushemi

zorrët e barkut s'nxirren në fushë

mos pritni krejt për t’ua thënë

shihni tjerët për vete ç'bënë

edhe në paçim shumë atllarë

duhet lidhur në një mullarë

për të mos u bërë gazi i botës

zjarr e jo tym i duhet vatrës

 

Edhe kur krejt s'bien në ujdi

veprimeve tona u duhet urti

që punët të mos i kapim prej bishti

mos e harroni rolin e një gishti

se pastaj e kruajmë kokën

ku e hedhim hapin kemi tokën

 

Të mos ia bëjmë vetes mjegull

se lehtë na ikë dhe një shekull

e bota s'pret tutje nxiton

vetëm ai që s'ndalet fiton

 

(6 maj, 2012)

 

 

AS KUR AJO ËNDËRR S’NXIHET

 

Gjarpri assesi të dëbohet prej ëndrrës

mësa vdekja prej këmishës së lëkurtë

 

E ti shëtit

herë mbathur herë zbathur

përditë mes jetëvdekjes

 

Sa çel sytë

lutesh për ditë të mbarë

sa i jepesh natës

me një uratë

 

Një sorrëshkinë

në degë të thatë

krrokat e krrokat

 

Bishtlazdruara

kobin mban në sqep si kafshatë

 

Ti s'jepesh

as kur ajo ëndërr jete s’nxihet

apo kur pelini përpihet

 

e shter të përkohshmen

si gotë uji a cigare duhani

 

Mes gishtash mbështjell kalendarët

 

Udhës kah e rrahën të parët

gjethe stinësh përzihen me fije bari

si ajo këmishë me lëkurë gjarpri

 

E ti shtrin krahët

brenda planetit që s'u bë i vjetër

kërkon dhe një jetë tjetër

 

(16 maj, 2012)

 

 

PASURI E PASOSUR

(Si ngushëllim për bacën Adem)

 

Miku im i urtë

vdekja na mpiu për pak

Na la pa fjalë

 

Lotët se si na u rishfaqën

mbrëmjes së vonë

si grumbuj thneglash

varg e varg

 

Ti u rizgjove

nëpër dashurinë tonë

ashtu i qetë

krejt i paqtë

 

Me pak fjalë

na i more zemrat

për të satën herë

 

Kur na the hapur

pa më të voglin hezitim

jeni ju

imja pasuri

 

I tillë mbete dhe tek ne

 

(17 maj, 2012)

 

 

SHPIRTI I JUSUFIT FOLI MBRËMË

 

Mbrëmë e pashë shpirtin e Jusufit

 

Nuk erdhi shtegut të vargjeve

as nëpër tela kitare

 

Bimës së Tij

gufoi

fjalëve të saj

si një engjëll mbrojtës

shpendi paralajmërues...

 

Ky s'është atdheu

për të cilin gjakun derdhëm

atdheun nuk e bëtë si deshëm

 

Mbrëmë

jo ajo

po Jusufi vetë

ishte mes nesh

mbrapshtitë tona

i nxori në shesh

pa zhurmë

ashtu qetë

si një shpirt i madh

i urtë

me dashurinë e pambarim…

 

Bëjeni atdheun

të tillë çfarë e ëndërruam

që më shumë

shumë më shumë ta duam

 

mbrëmë

ajo bimë e tij

si Jusufi vetë

rishtas bimoi mes nesh

 

(19 maj, 2012)

 

 

21 maj, 2012

 

Lule të njoma t'u këputën

nga trupi yt rrodhi gjak i ri

pjesë e kësaj dhembjeje

jam dhe unë

shqipëri...

 

(21 maj, 2012)

 

 

VARGU I POETIT NGROH

(Në kujtim të Rexhep Elmazit)

 

Plumbat vijnë

andej prej nga nuk i presim

Qëllojnë tinëzarët

 

Qenie të papërfytyrueshme

tërë një jetë veten hanë

dhe ambientin qelbin

 

Tinëzisht shkrepin

 

Plumbat nxitojnë qorrazi

shqyejnë mishra

mpijnë zemra

 

Dhe ngecin nën hije vargjesh

me kokë të ulur

mbuluar prej turpit

 

Plumbat nuk kanë sy

mësa tinëzarët fytyrë

 

Sa herë qëllojnë

qindra vargje mbijnë

si lapidarë

shndrisin në qiell

 

Vetëm pendlat e korbit

të zeza mbesin

dhe ajo dorë

 

Vargu i poetit

shpirt i gjallë

në çdo kohë

ngroh

 

Sa herë është shkrirë ai plumb

e s'ka mundur ta ftohë

 

(25 maj, 2012)

 

 

KY SHI QË PO BIE

 

Ky shi

që s'po rresht

ky shi që dhe tash po bie

përnjëmend e ka

këtë natyrë për ta larë

nga krejt ato pisllëqe

që ia kemi bërë

 

Le të bjerë

pa pra

 

Rigë e tij dua të bëhem

 

(27 maj, 2012)

 

 

KREJT BARDH

 

Nuk na trembi rizgjimi i ëndrrës sllave

në Ballkan

as një storie e re dhune në veri

madje sikur e pritëm dhe këtë vjedhje

në Pejë

dhe atë çirrje të pakuptimtë në një foltore

në Tiranë...

 

Mos ta përmend tash këtë skenën tonë

në Prishtinë...

 

Çorbë e prishur teshtinë

 

O miku im

 

Po t'i ç'pate

me këtë ikje të papritur

 

Ç'na shtove mërzinë

 

S'ngushëllon jo

as ai emër aq i ëndërrt

krejt bardh

 

Në e pafsh diku atë Jusufin e kitarës

të këngës e të vargut

 

Ktheja të falat e të tetëdhjetës

që varur më rrijnë në një cep të kujtesës

 

(1 qershor, 2012)

 

 

KOHË E SHKURTËR SHATI

 

Kohën e shatit

asnjëherë s'e lexuam nëpër libra

 

E mësuam prej etërve nëpër ara

 

Dhe krijuam Epokën e Bukës...

 

Shati për vjet na përvjel

e na shtrydh djersësh

 

Dyfish na bën për bishti

për ta ruajtur rrënjën

 

S'është si Kohë e Gurit

kjo Kohë e Shatit

 

Në tri stinë varur rri

për t'u kthyer përsëri

 

(3 qershor, 2012)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora