E premte, 29.03.2024, 07:23 AM (GMT)

Kulturë

Kujtim Mateli: Kujtim Dashi - ''Banca dello zio në...''

E merkure, 15.05.2013, 07:00 PM


“Njeriu i Shpresës së Bjerrun” e mbylli muzgun e karrierës moçaleve të korrupsionit .

(Shënime kritike për vëllimin me tregime e novela “Banca dello zio në tenxhere me presion” të shkrimtarit KUJTIM DASHI)

Nga Kujtim Mateli

Në vitin 2006, shkrimtari dhe publicisti i njohur Kujtim DASHI, botoi librin me tregime dhe novela  “Në muajin e nëntë...” (“OMBRA GVG”), që u pat mirëpritur nga lexuesit dhe kritika.

Në radhën e librave të këtij autori prodhimtar e cilësor, ky ishte i 20-ti, ndërsa  seria e tregimeve dhe novelave, për temën të cilën kishte fokusuar ta trajtonte, do të ndiqej dhe nga dy libra të tjerë, duke krijuar kështu një triptik, - diçka jo e zakonshme në prozën e shkurtër shqipe, - i cili është plotësuar tashmë edhe me dy veprat e tjera “Pesë yje mbi mjerim” (“LMG”, 2009) dhe, kohët e fundit, “Banca dello zio në tenxhere me presion” (“ADA”, 2012, libri më i mirë i vitit i kësaj shtëpie botuese).

Prozatori i talentuar Kujtim Dashi, si dhe në publicistikën e lëvruar, që për nga emri i krijuar për shkak të kurajos e të principialitetit të tij të pakompromis, shumë lexues ende e kujtojnë si “Kujtimi i Lezhës”, shquhet për trajtim të guximshëm të temave bashkëkohore. Në të tri këto vepra me rreth 85 tregime e novela, autori i ka bërë skanerin shoqërisë shqiptare. Si të tilla, tregimet e novelat e Kujtim Dashit mund t’i vështrosh si dëshmi autentike artistike të realitetit shqiptar, kryesisht në këto dekadat e fundit, me tërë shumanshmërinë, me tragjizmin e absurdin e tij, po dhe me protagonistët e tij.

Në to të shpërfaqet gjerësisht jeta shqiptare në një periudhë të vështirë e mjaft komplekse, siç është tranzicioni, shpesh e ndërthurur funksionalisht me të shkuarën, madje kjo vazhdon të jetë për të si një minierë; spikasin situata interesante të qëmtuara nga realiteti, por mbi të gjitha, do të thosha, dallohet për karakteret që tenton dhe, në rastin më të mirë, i realizon mjeshtërisht, të cilët s’të hiqen nga mendja, duke pasuruar kësisoj galerinë e tipologjinë e karaktereve, çka përbën një nga kontributet më me rëndësi të këtij shkrimtari. Në mes të të cilëve do të veçoja “Njeriun e Shpresës së Bjerrrun”, lideri, që arriti t’i injektonte tranzicionit shqiptar tiparet më negative të mundshme, duke përmbushur kështu dhe misionin e tij.

****

Në vështrim të parë të duket episodik a kalimtar, por si personifikim i udhëheqësisë shqiptare gjatë tranzicionit të pasegmetarizuar demokratik, siç shpjegon autori në një fusnotë për këtë krijesë të tij, - lexuesi lehtësisht e në çdo rast e nënkupton se për kë bëhet fjalë, - ai jo vetëm që s’është i tillë, por është dominant si askush tjetër më parë i skenës politike e sociale të vendit, është shkaktari i bjerrjes së asaj shprese, për të cilën e pompuan në fillim të proceseve demokratike puthadorës të të gjitha regjimeve, po dhe i krijimit të një neodiktature, të veshur me slogane demagogjike e tash së fundi nacionaliste të rrezikshme. Për lexuesit e vëmendshëm shqiptarë është lehtësisht i deshifrueshëm se kush është “Njeriu i Shpresës së Bjerrun”...

Padyshim, meritë e veçantë e shkrimtarit është sjellja për herë të parë në letërsi e këtij lideri shpresëbjerrës, paçka episodik a kalimtar. Siç duket, autori i krijon mundësinë lexuesit të “përplotësojë” figurën e tij me mbresa, gjykime vetjake, duke ndryshuar kësisoj edhe raportet nga episodik në qëndror. Këtë do ta konsideroja edhe risi në vizatimin e kësaj figure me plot detaje groteske efikase, mjeshtër i të cilave është autori, çka e ka nënvizuar disa herë edhe kritika letrare.

Shpesh herë tregimet e novelat, si të triptikut në tërësi, po dhe të librit “Banca dello zio në tenxhere me presion” të krijojnë përshtypjen sikur janë kapitujt e një romani me theks të dukshëm social, me kumte të drejtpërdrejta.

Nëse do të bënim një përvijim të shkurtër të asaj çfarë autori ka dashur dhe na e ka dhënë mjeshtërisht në këtë triptik (tri pamjesh), shkurtazi do të ishte: te pjesa e parë “Në muajin e nëntë...”, një titull metaforik ky, shkrimtari K. Dashi, përmes dy cikleve me tregime e novela, respektivisht “Kori i kinemasë” dhe “Ritual”, jep artistikisht atë periudhë të historisë sonë moderne, që në mënyrë të figurshme ai i thotë “shkrepja e demokracisë”. Në pjesën e dytë të triptikut “Pesë yje mbi mjerim”, satirizon marketingun që i bën mjerim-shkatërrimit shqiptar “Njeriu i Shpresës së Bjerrun”, ose lidershipi i qeverisjes aktuale, ndërsa në pjesën e tretë “Banca dello zio në tenxhere me presion” dëshmon pasojat e rënda sociale të kësaj farë demokracie dhe “marketingut”, që i bën “Njeriu i Shpresës së Bjerrun”. Autori ka arritur të zbërthejë karakteret e personazhet, të cilët janë formuar në një mjedise të tilla, ku e mira dhe drejtësia nëpërkëmben nga një palo pushtet që mbijeton në sajë të votave të vjedhura. Një pushtet që ngrihet mbi hajdutërinë, do të pjellë njerëz të tillë. Pushteti i sotëm e ka ngritur korrupsionin në profesion dhe pushtetmbajtësit mund të krahasohen me ata të vendeve më të korruptuara të botës.

****

Në suazën e këtij recensioni do të mjaftonte të përvijonim dy nga krijimet më të goditura të librit. Novela “Banca dello zio në tenxhere me presion” pasqyron jetën e një adoleshenti në vitet e tranzicionit demokratik, i cili fatkeqësisht prej një sërë rrethanash i është “dorëzuar” hajdutërisë. Nëpërmjet rrëfimit të tij para hetuesisë jepet gjendja e rëndë sociale e familjeve shqiptare, të cilat janë varfëruar deri në atë shkallë, sa nuk ndodhet gjë as për hajdutin. Ushtria e hajdutëve, kontigjent kryesisht i ushtrisë së të papunëve, - si është e mundur, zoti hetues, të gjithë i ditkeni për mua, vetëm një gjë, atë më kryesoren, s’e dini, që jam i papunë nuk e ditkeni, ku të ha unë, me se të jetoj-, i thotë në një çast hetuesit adoloshenti hajdut, - i cili i ka shtirë në një moment tmerrin kryeqytetit, saqë nuk guxon qoftë dhe një grua të dalë me bizhuteritë e veta. Po edhe brenda shtëpisë duhet të dijë ku t`i ruajë gjërat me vlerë. Një qytetari i kishte shkuar mendja që t`i ruante paratë e veta dhe të gjithë dokumentet më të rëndësishme në një tenxhere me presion. Autori jo vetëm e vë theksin në këtë novelë mbi autorët e vërtetë që kanë shkaktuar këtë gjendje pasigurie të shoqërisë shqiptare në këtë fillim të mijëvjecarit të ri, po duket sikur u bën edhe gjyqin shkaktarëve të kësaj bombe sociale. Gishti është drejtuar sërish tek “Njeriu i Shpresës së Bjerrun”, që e drejton vendin me metoda despotike, duke shpërfillur e rrëzuar parimet e funksionimit të një shteti demokratik.

*****

Një pamje tjetër, kësaj here në qarqet intelektuale, alibinë e fiktivitetin e titujve dhe gradave shkencore na e jep novela “Pas Guttenbergut, një filxhan çaj me kamomil”, e cila ka vetëm katër personazhe ku përfshihen tre brezat e një familjeje: gjyshja, djali, nusja dhe nipi. Autori nuk u ka venë emra, sepse janë mes disa dhjetëra mijëra zyrtarëve të kësaj qeverisjeje po dhe të këtij mentaliteti që sundon  jashtë dhe brenda në “fabrikat e injorancës”, në gjashtëdhjetë e ca universitete publike e jo publike, ku secili do të ndihej se bëhej fjalë për të. Autori i ka karakterizuar këto personazhe me mendësitë e kohës në të cilën jetuan këto tre breza.

Nipi i përgjigjet kohës më të vonë, është përfaqësues i atij brezi që pas vitit 2005 mbushën zyrat e qeverisjes demokratike duke mbijetuar nëpërmjet konvertimit politik shpesh herë, pavarësisht bindjeve e origjinave të tyre sociale. Thënë ndryshe “ia shitën shpirtin djallit”. Merita e tyre ishte se me bizneset që kishin krijuar në qeverinë e mëparshme kishin bërë ca para të cilat i konvertuan me vende pune. Po vendet e punës donin minimalisht një arsim të caktuar. Kështu prapë nga ato lekë që kishin fituar nxorën ca mënjanë dhe i bënë kartona diplomash e masetrash.  Madje, sa herë që dilnin jashtë, i shënonin si specializime, edhe pse në të shumtën e rasteve shkonin për vizita familjare, ose ndonjë shërbim të shkurtër. U frynë CV e zyrtarëve tanë nëpër zyrat e shtetit dhe bashkë me ta dhe personazhi i kësaj novele. Me të tilla përpjekje, nipi arriti që të bëhet drejtor i rëndësishëm i një ministrie.

Personazhi i novelës  “Pas Guttenbergut, një filxhan çaj me kamomil”, nipi i kësaj familjeje, arriti që të marrë dhe një diplomë masteri. Po tema që mbrojti ishte e tëra plagjiaturë. Frika i lindi kur për plagjiaturë në Evropë po ndëshkoheshin rreptë, edhe kur këta ishin ministra, madje dhe president. Ish-ministri i mbrojtjes, gjermani Guttenberg, ish-presidenti hungarez Schmidt apo ministri gjerman i kulturës, lanë vendet e tyre të punës pikërisht për plagjiaturat e dokumentuara. Po a do të ndëshkoheshin dhe këtu në Shqipëri? Shqetësimin e nipit, nuk e miratoi asnjë nga pjesëtarët e kësaj familjeje. Para se ndëshkimi të arrijë tek ti,- i thoshin,- ke një karvan të tërë përpara. Ke ministra që janë bërë me doktoraturë, deputetë, gratë dhe dashnoret e tyre, diplomatë dhe shumë njerëz të tjerë që tregimet historike, tashmë i konvetuan në tema shkencore e janë Doktorë e Profesorë. Qetësoheshin kur mendonin se karvani i këtyre pseudoshkencëtarëve ishte aq i madh sa, kur të arrinin tek masterat, masterxhiku i novelës kishte dalë në pension.

****

Autori stigmatizon në këtë novelë kulturën e pandëshkueshmërisë që është krijuar në institucionet tona e në tërësi në shoqërinë postkomuniste shqiptare dhe që ka lëshuar rrënjë të thella, saqë shumëkush mendon se shkulja e këtyre plagëve të rëndado të jetë shumë e vështirë dhe një proces i gjatë, por dhe një sfidë e prosperitetit të ardhshëm të atdheut tonë të shtrenjtë.

Frika, se një ditë do të ndëshkohen për paudhësitë që kanë bërë, nuk ndihet vetëm tek nipi. Tek fjalët ngushëlluese që i japin gjyshja dhe prindërit, ndihet ora e afërt që do të verë para përgjegjësisë këta pushtetarë që i përdorën zyrat e shtetit si qendra biznesi dhe shkatërruan vlerat demokratike që ishin krijuar në këto institucione.

Temat edhe të 14 tregimeve të tjera të shkrimtarit të talentuar Kujtim Dashi, si dhe të mëparshmeve në dy librat e tjerë të triptikut, janë gjetje interesante e origjinale, çka përbën një nga veçoritë më të qënësishme të këtij autori.

Kujtim Dashi është nga të paktët krijues të këtyre viteve të tranzicionit të stërgjatur, që të vërtetat e jetës i bëri pjesë thelbësore të veprave të tij. Shumë shkrimtarë  e vunë letërsinë në shërbim të pushtetit dhe, duke bërë këtë gjë, ndiheshin mirë, gjoja se po viheshin në shërbim të demokracisë dhe ndjeheshin mirë me këtë vetiluzionim përfitues, kurse në të vërtetë iu nënshtruan një pushteti arrogant dhe harruan se në të gjitha kohrat, detyra e shkrimtarit është të japë me realizëm kohën në të cilën jeton e kontradiktat e mëdha të saj.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora