E shtune, 20.04.2024, 05:47 AM (GMT+1)

Faleminderit

Kadri Rexha: Luigj Gurakuqi, poeti i qëndresës

E hene, 12.05.2008, 06:30 PM


Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi, poeti i qëndresës

Nga Kadri Rexha

Luigj Gurakuqi, njëra ndër figurat më të shquara të kulturës dhe të historisë së popullit shqiptar, me aktivitetin e gjithanshëm të orientuar në sfera të ndryshme të luftës dhe të punës, zë një vend të nderuar në traditën e lëvizjes çlirimtare të popullit tonë, në traditën revolucionare, demokratike dhe në atë të letërsisë. Ai la gjurmë të thellë sidomos në fushën e poezisë, të publicistikës, të teorisë së letërsisë (njihet si hartuesi i parë i metrikës shqipe) dhe të oratorisë. E gjithë jeta dhe vepra e tij është e lidhur ngusht me fatin e popullit tonë, i cili, asokohe, bënte përpjekje mbinjerëzore dhe flijohej për t’i fituar gjërat më të shtrenjta për çdo popull: lirinë dhe pavarësinë e atdheut, ashtu siç i kishin fituar edhe popujt e tjerë të Ballkanit.
Luigj Gurakuqi u lind në Shkodër, më 19 shkurt të vitit 1879, në kohën kur populli ynë, i prirë nga idetë flakëruese të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte ngritur në këmbë për t’i këputur zinxhirët e robërisë shumëshekullore dhe për t’i treguar botës, hapur dhe sheshit, se është zot i vetvetës dhe i truallit në të cilin jeton dhe se nuk do të lejojë askend të luaj me fatet e tij. I rritur dhe i edukuar në një familje me tradita të theksuara patriotike të frymës së kohës, personaliteti i Luigj Gurakuqit, në të ardhmën, do të shkëlqejë çdokund dhe do të bëhet pasqyrë besnike e përpjekjeve të një kombi të tërë në rrugën e përparimit dhe të afirmimit të tij të plotë. Në çdo çast të jetës së tij ai do të dijë të gërshetojë fjalën, penën dhe pushkën, të cilat përherë do të qëllojnë në sfera të ndryshme, por me një qëllim të vetëm në çështjen e çlirimit të atdheut, të bashkimit kombëtar dhe të afirmimit politik e kulturor të Shqipërisë.
Mësimet fillestare Luigj Gurakuqi i bëri në shkollat jezuite të vendlindjes, ndërsa ato të mesmet i vazhdoi në Itali, në kolegjin arbëresh në Shën Mitër Koronë të Kalabrisë. Në këtë kolegj, qe nxënës i poetit e patriotit të madh arbëresh, Jeronim De Radës, të cilin do ta kujtojë për të mirë gjatë tërë jetës. Pasi kreu gjimnazin i regjistroi shkencat e natyrës dhe ato të mjekësisë në Napoli. Që nga kjo kohë Luigj Gurakuqi do të aktivizohet dhe do të orientohet në fusha të ndryshme të politikës, të shoqërisë dhe të kulturës. Mendimet e tij i shfaqi hapur e me guxim të pashoq. Bashkë me patriotët tjerë të kohës, në mesin e të cilëve shquheshin Asdreni, Sh. Kolonja, M. Grameno, etj., Luigj Gurakuqi bëhet një nga shprehësit më të dalluar të dëshirave dhe të aspiratave të popullit tonë të shumëvuajtur. Pseudonimet e tij, Lekë Gruda e Jakin Shkodra, për idetë që përhapte, tërhoqen vëmendjen e autoriteteve osmane, të cilat e dënuan me burgim të përjetshëm në mungesë. Kjo masë nuk e frikon as e then fare djaloshin njëzet e pesë vjeçar. Përkundrazi, punën e nisur ai do ta vazhdojë edhe më me ngulm. Çdo punë, çdo veprim i tij do të kushtëzohet dhe do të bëhet në emër të atdheut. Ky qëndrim të tij do të gjejë shprehje, në mënyrë më të theksuar, sidomos pas shpalljes së Hyrjetit, kur Luigj Gurakuqi kthehet në Shqipëri me entuziazëm dhe ambicie të mëdha. Së shpejti ai do të inkuadrohet në radhën e udhëheqësve më të dalluar të Lëvizjes kombëtare.

Si përfaqësues i “Bashkimit” dhe i arbëreshëve të Italisë Luigj Gurakuqi mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u vendos albafeti i përbashkët i shqipes. Këtu ai u zgjodh nënkryetar i Kongresit dhe anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit, të cilin e shkroi me dorën e tij. Në vazhdën e aktiviteteve të tij atdhetare ai zgjedhet edhe drejtor i së parës shkollë të mesme në gjuhën shqipe, i Normales së Elbasanit. Në këtë shkollë Luigj Gurakuqi, bashkë me mësuesit atdhetarë Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, etj. i përvishet punës me zell dhe me guxim, derisa e mbyllën autoritetet osmane, në mes të vitit shkollor 1910-1911. Pas kësaj ngjarjeje të hidhur Luigj Gurakuqit nuk i metet rrugë tjetër pos të kalojë në lëvizjen e armatosur, meqë shumë heret e kishte fituar bindjen se liria e atdheut fitohet vetëm me pushkë. Prandaj, shumë kuptimplote na duket edhe kjo thirrje që ai i drejtonte popullit: “Të betohemi, pra, edhe një herë mbi lirinë e Atdheut, mbi varret e dëshmorëve tanë! T’i bajmë theror përpara altarit të Atdheut armiqësitë e smirat e zilitë e poshtme dhe të lidhemi e të bashkohemi të gjithë me një mend e me një zemër, që të përpiqemi e të punojmë tok, si vëllezër që jemi, për të shëruar plagët e Shqipërisë.”
Në kryengritjen e malësisë së Madhe Luigj Gurakuqin, me armë në dorë, e gjejmë krah për krah kreshnikut të Troboinit, Heroit të Popullit, Dedë Gjo Luli, i cili më 1911 e ngriti flamurin shqiptar në Deçiç. Nora e Hotit, një dëshmitare e asaj kohe, më vonë do të rrëfejë: “Luigj Gurakuqi ishte koka e kryengritjes e baba Dedë (është fjala për Dedë Gjo Lulin) ishte gishti i saj”. Kur shpërtheu Kryengritja e Kosovës, e kësaj treve që ruante aq të freskëta e aq të gjalla betejat e e përiudhës së Lidhjes së Prizrenit, Gurakuqi, pas shumë përipetishë arrinë në Shkup dhe bashkohet me udhëheqësit e saj. Në vitin 1911, sëbashku me Ismail Qemailin, Luigj Gurakuqi bëhët një nga veprimtarët kryesorë për organizimin e Kuvendit të Përgjithshëm Shqiptar, i cli më 23 qershor 1911 miratoi Librin e Kuq, të njohur me emrin Memorandumi i Gërçës, me të cilin i kërkohej qeverisë osmane njohja e autonomisë territoriale dhe administrative e Shqipërisë. Edhe pranvera e vitit 1912 Luigj Gurakuqin e gjen midis maleve si një nga udhëheqësit e Kryengritjes së përgjithshme të atij viti. Në këtë vit, pra, në vitin e kurorëzimit të përpjekjeve dhe të dëshirave të popullit tonë, në ditën e shpalljes së Shqipërisë si shtet i pavarur, në ditën e ngritjes së flamurit, pas afër pesë shekujsh, Luigj Gurakuqi, si dhe Isa Boletini, qe bashkëpunëtor dhe dora e djathtë e Ismail Qemailit – siç shprehet Noli.
Veprimtaria e Luigj Gurakuqit do të shtohet edhe më tepër pas pavarësisë, pas krijimit të shetit shqiptar. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës si ministër i Arsimit merr vendim për arsimimin e detyruar fillor për të gjithë fëmijët pa dallim gjinie. Gjatë viteve që pasojnë, në qeveritë e ndryshme, që aq shpejt formohën dhe bien, Luigj Gurakuqi do të zë vende me rëndësi për kulturën shqiptare. Gajtë pushtimit austro-hungarez hapi shumë shkolla shqipe, pastaj, si njëri ndër inciatorët e Komisisë letrare do të luaj rol të rëndësishëm në afirmimin dhe në njësimin e gjuhës shqipe.

Në vitin 1918, në Kongresin e Durrësit, Luigj Gurakuqi zgjedhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme dhe përfaqësues i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris. Gjatë viteve 1920-1924, si deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar, Luigj Gurakuqi udhëheq opozitën demokratike kundër qeverisë së Ahmet Zogut dhe bejlerëve të ndryshëm. Si një nga eksponentët kryesorë e më të shquar të lëvizjes demokratike ai, bashkë me Fan S. Nolin, parlamentin shqiptar të kohës e kthen në një arenë lufte, në të cilën i sulmon pa mëshirë të gjithë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Guximi dhe parashikimi vizionar i tij e çuan në atë shkallë sa t’i drejtohet satrapit Zog me këto fjalë: “A thue mos ëndërron ndonjë fashizëm, zoti kryeministër?” Në mënyrë të posaçme, nëpërmjet shkrimeve publicistike, ai u shpalli luftë të pakomromis përpjekjeve të shoqërive imperialiste që të fusin në dorë ekonominë shqiptare, sidomos vajgurin.
Në qeverinë e Hasan Prishtinës, që zgjati vetëm katër ditë, Luigj Gurakuqi emërohet ministër i punëve të brendshme. Po ashtu, Luigj Gurakuqi është njëri ndër frymëzuesit, veprimtarët dhe pjesëmarrësit më të flaktë të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Në qeverinë demokratike, të formuar pas Revolucionit të Qershorit, Gurakuqi emërohet ministër i financave. Gjatë këtij viti, në vazhdën e aktiviteteve të gjëra të qeverisë së re, Luigj Gurakuqi me Fan Nolin dhe Bajram Currin, shkoi në Gjenevë për të marrë pjesë në Lidhjen e Kombeve. Pas shtypjes së Revolucionit demokratik, klika zogiste, e ardhur në fuqi me ndihmen serbe, i kushtoi kujdes të madh asgjësimit fizik të kundërshtarëve të saj brenda dhe jashtë atdheut.
Kështu, në bashkëpunim me fashistët italian, më 2 mars 1925, në Bari të Italisë u kurdis atentati dhe e vranë duke e qëlluar me tre plumba poetin, demokratin dhe atdhetarin Luigj Gurakuqi. Vrasësi i Luigj Gurakuqit, Balto Stambolla, u ekzekutua më 1944 nga Avdi Kasella dhe Zymber Loshi në Peqin, me vendimin e gjyqit të LNÇ-së, si armik i popullit. Në fushën e letërsisë, Liugj Gurakuqi u paraqit shumë herët, qysh si student. Vjershat dhe shkrimet publicistike i botoi në shtypin e kohës me pseudonimet Jakin Shkodra dhe Lekë Gruda. Motivi kryesor i vjershave të tij është malli për atdhe, motiv kryesor i poetëve të Rilindjes shqiptare. Ato për të parën herë u mblodhën dhe u botuan në një vëllim në vitin 1941. Ndër vepra tjera të rëndësishme të Gurakuqit numërohen edhe këto: “Abetar i vogël shqyp mbas abetarevet të Bashkimit e të Stambollit”, Bukuresht, 1906; “Fjalorth shqyp-frëngjisht dhe freng-shqyp”, Napoli, 1906; “Vargënimi në gjuhë shqype”, 1906; “Këndimet”, tri vëllime, Athinë, 1912; “Vjersha”, Bari, 1941, etj.
Vepra e Luigj Gurakuqit, e patriotit dhe demokratit revolucionar, e letrarit dhe politikanit të shquar, e mësuesit dhe pedagogut të zellshëm, çmohet dhe vlerësohet lartë nga populli shqiptar. Dashuria, nderimi dhe respekti i popullit për veprën e tij, Luigj Gurakuqin e kanë vënë në piedestalin e kombit duke e pagëzuar me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”. (Ky shkrim per herë të parë është botuar në revistën letrare “Fjala”, në vitin 1979).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora