E enjte, 18.04.2024, 03:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet poetja dhe shkrimtarja Violeta Allmuça

E merkure, 15.05.2013, 06:11 PM


Zhvillimet e reja letraro-artistike kanë mbështetje klanesh

Shqipëria është vendi i vetëm në botë ku mungon një institucion për shkrimtarët

Kemi harruar rolin e artit të vërtetë në shërbim të qytetërimit

Kritika letrare vazhdon të shfaqet si një humbje e misionit dhe fuqisë së saj

Shkrimtari duhet të reformojë veten si njeri krijues

Tek ne nuk funksionon sistemi dhe shkolla e kritikës

Letërsia e pas viteve të 90-të ka pak letërsi të mirëfilltë

Ai që di të bëjë vepra nuk shikon se ka fytyrë gruaje apo burri

Organizmat që merren me letërsinë e sotme thuajse nuk kanë lidhje me letërsinë e mirëfilltë

Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës

Nga Albert ZHOLI

Ajo është një femër energjike, plot dinjitet dhe me kërkesa ndaj vetes. Çdo ditë atë  e gjen në Bibliotekën Kombëtare duke shfletuar libra për të marrë frymëzimin e ditës, për një poezi, tregim, opinion pse jo dhe roman. Ajo është ndër femrat e pakta shqiptare ku librat i janë përkthyer në disa gjuhë të botës dhe ajo ka zënë disa çmime ndërkombëtare.  Këmbëngul gjithmonë për të drejtat e privuara të femrës në sistemin demokratik ku femra nuk ndihet e respektuar. Eshtë një femër shumë e disiplinuar ku për të drejtën e saj apo dhe të letërsisë shqiptare nuk kursen kritikat ndaj shkrimtarëve si Ismail Kadare apo Dritëro Agolli. Shkrimet e saj në gazetarinë e përditshme kanë kritikë, ku ajo nuk bën kompromis me asnjë parti politike për të drejtat e krijueseve, ku ajo thekson se janë nëpërkëmbur në mënyrën më të keqe dhe  s’kanë gjetur asnjë mbështetje nga asnjë parti politike. Sipas saj, shkrimtarët, këta prijës të mendimit të përparuar të shoqërisë janë lënë në hije, pasi nuk miklojnë politikën, reagojnë ndaj saj dhe  kanë një formim më të plotësuar se çdo politikan.

Sa e lehtë është për një femër shqiptare, të spikasë në art dhe të formojë personalitetin e vet para lexuesit ?

Nuk është e lehtë as për një femër, as për një mashkull të jetë krijues dinjitoz, aq më pak në letërsi, e cila për mendimin tim jo vetëm të shfaq identitetin, por edhe kërkon shumë punë e kohë. Është si një vitrinë ku duhet të ekspozosh shpirtin dhe talentin. Shkrimtari duhet të reformojë veten si njeri krijues, sepse ’’ UNI ’’i tij disa herë bëhet model ose merret si sinjal nga njeriu i thjeshtë.  Jemi në një shekull tjetër të cilin as e imagjinojmë se si është zhvilluar aq me perfeksion, ku informacioni për artin dhe botën e letrave vjen me një shpejtësi marramendëse dhe ku

gjithfarë rrymash e idesh përshkojnë botimet e sotme. Krijuesve iu duhet ose të ecin me zhvillimin e botës ose të ndjehen të harruar. Për fat të keq ende vazhdon koncepti i të shfaqurit veç e veç, të letërsisë femërore dhe asaj mashkullore. Ky fakt mua nuk më ka shqetësuar asnjëherë. As më pëlqen të kem përmasat e një krijuesi mashkullor e as të barazohem me ata. Secili ka vendin e tij. Gabriel Garcia Marquez, është Gabriel Garcia Marquez dhe Isabel Aljende është Isabel Aljende, Ismail Kadare është Ismail Kadare. Janë të ndarë vetëm në gjini. Por janë shkrimtarë. Bëjnë letërsi. Jo letërsi për fasadë apo për të ashtuquajtur “disidentë” që e shkruanin veprën dikur dhe sot në emër të sistemeve politike duke himnizuar “udhëheqësin” dhe veten. Po ashtu letërsia e sotme duket sikur i ka vënë vetes si detyrë të bëjë të njëjtën letërsi, apo “vepër” gazetareske e cila asnjëherë nuk quhet vepër letrare. Nëse një “shkruesi apo kopjaci” të tillë do t’i  mungonte reklama sot zëra të veçantë do të ishte mirë të bënin hije. Është e qartë se libra të këtij lloji vetëm për marketing dalin nga lloji i letërsisë së vërtetë dhe shuhen shpejt nga memoria letrare.

Gjithashtu edhe letërsia e pas viteve të 90-ta me lëvrimin e temave të së kaluarës, në veçanti letërsia e munguar e antikomunizmit ka shenja përshkrimesh jo të qarta, në mos do mbetet si një shkak për të paraqitur më shumë se vetveten e dënuar vetëm pak letërsi të mirëfilltë.

Si është sistemi juaj i mendimit dhe krijimit?

Sistemi im i mendimit dhe krijimit është jashtë këtyre kornizave, sepse të bësh një letërsi të madhe nuk është e domosdoshme të jesh vetëm burrë. Më pëlqen që edhe bota e femrës ka ditur të gjejë veten edhe në betejat universale. Është ashtu, siç ndodh në të gjithë botën e artit. Ai që di të bëjë vepra nuk shikon se ka fytyrë gruaje apo burri. Mjafton të jetë një fytyrë njerëzore që i jep kënaqësi lexuesit. Nuk jam aspak xheloze për seksin tjetër. Letërsia ka vend për të gjithë. Ndoshta mua më shqetëson një fakt i njohur. Kritika shqiptare është në krizë. Edhe ajo pak shkollë kritike që ekzistonte ka heshtur. Kritika është kthyer në një zë të dobët. Secili i thur lavde të tjerëve ose vetes, duke krijuar grupe ose klane në shërbim të njëri-tjetrit. Botohen aq shumë libra, sa nuk merren vesh as titujt, as emrat e atyre që shkruajnë. Nuk është keq se shtohet numri i krijuesve, por çfarë sjell diçka të re ky, apo iks libër. Organizmat që merren me letërsinë e sotme thuajse nuk kanë lidhje me letërsinë e mirëfilltë. Kanë heshtur. Nuk e di pse sot Shqipëria është ndoshta vendi më i rrallë ku mungon një institucion për shkrimtarët. Regjimet e quajtura hibride ia mohojnë krijuesve institucionin e tyre! Në këtë vend ku mungojnë edhe medikamentet mjekësore që shërojnë të sëmurët, duhet të ketë si çdo popull i botës shkrimtarët dhe artistët e vet që në fund të fundit shërojnë shpirtin e njeriut.

A mendoni se funksionon sa duhet kritika letrare këtu tek ne ?

Kritika letrare vazhdon të më shfaqet si diçka e padukshme në gjithëpërfshirjen e dukshme të letërsisë së sotme, prozë, poezi apo gjini të tjera. Më keq akoma, mund ta quaja një humbje të misionit dhe fuqisë së saj. Pa lënë mënjanë atë çka është bërë në të kaluarën, ose ndonjë përpjekje impulsive në kohën e sotme, mesazhet e kritikës së vërtetë kanë shterur. Në një numër marramendës të botimeve të reja të viteve të fundit nuk ka asnjë analizë serioze të krijimeve letraro-artistike. Kjo do të jetë një mangësi e mëvonshme që do të ndikojë në cilësinë e vërtetë të veprave të mirëqena. Nuk di si ta shpjegoj këtë paradoks. Tek ne nuk funksionon sistemi dhe shkolla e kritikës, e cila më bën të dyshoj se vlerat apo antivlerat do të mbeten në hije. Ajo çka më shqetëson më shumë pas një kohe relativisht të gjatë është se ne nuk kemi studime të mirëfillta mbi kritikën bashkëkohore si një zhvillim i domosdoshëm për artin dhe ndikimin e tij në shoqërinë njerëzore.

Çfarë anomalie sjell kjo mungesë në vendosjen reale e korrekte të hierarkisë së vlerave të gjykimit të saktë të veprave letrare ?

Sigurisht do të sjellë diçka të padëshirueshme në gjykimin e krijimtarisë së sotme. Kujtesa për një mendim realist, rreth asaj çka i duhet çdo epoke për të vlerësuar si duhet veprat letrare më shtyn të besoj se gjithçka mund të mbulohet me heshtje. Do të ishte njësoj si të përsëritej rituali i harrimit të kohës, përjetimit dhe tranzicionit kulturor. Më duket se edhe disa përpjekje jo profesionale, për arritjet apo mos arritjet në zhvillimet e reja letraro-artistike kanë mbështetje klanesh në median e shkruar dhe vizive apo komercializëm dhe aspak një gjykim vlerash realiste. Sa për hierarkinë, besoj se ajo ka mbetur në vend. Shpresoj që vetëm fryma e kritikës së vërtetë mund ta nxjerrë artin nga hullia ku ka mbetur. Deri atëherë, le të presim shpërblimin e vetëhumbjes. Në pikëtakimin me të ardhmen, duke kryqëzuar vlerësimin artistik, kemi harruar rolin e artit të vërtetë në shërbim të qytetërimit.

Femra shqiptare a ndihet e vlerësuar sot ?

Aspak, ende tek ne sundon fryma e maskilizmit ku femra shihet më shumë si amvisë shtëpie se sa si një njeri me po aq personalitet sa dhe mashkulli. Asnjëherë femrës shqiptare nuk i janë hapur rrugët e duhura si në politikë ashtu dhe në administratë. Për të arritur deri tek gjetja e vetvetes në Shqipëri femrës i duhen dhe disa dhjetëvjeçarë.

Pse politika e sotme shqipe është larguar nga shkrimtarët ?

S’ka se si të ndodhë ndryshe. Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë të çdo lëvizje qytetare.



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora