E enjte, 25.04.2024, 05:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Ukshin Morina: Dashuri e dhembje të kam

E marte, 14.05.2013, 07:11 PM


UKSHIN MORINA

 

 

SA LARG...

 

Gjithherë e mbytshme kjo vetmi, kjo ditë, ky det,

kjo pjesë e largët e kontinentit që fsheh sytë e mi

tej horizonteve

teksa kundrojnë zbraztirën më hynore të qiellit

Ti që larg prej meje ëndrron gjer në të agur të ditës,

mi fal zemrës ëmbëlsi

dhe sodit mendimet në argëtimet e gjata të mbrëmjes

në të qeshurat e mbytura të lumit tim,

këtu tek rrjedh gjaku më rinor

në psheretimen e ngjeshur fort larg prej teje

vetmitar në shkretin e vendit që linda

Ti ëndrra ime, kur nata të bie mbi ty,

mos urre timën kohë, që larg teje e ngrita si shtrat

për një gjumë ku të mund t’më pushojnë dhembjet,

këtu mes timit fat të mjerë, ku me sytë e shpirtit kundroj

tek fshihesh pas një kohe tjetër...

Oh, po të mundja dhe pse i lidhur pas hijes sime,

do i mbillja të rrahurat e zemrës në gjoksin tënd,

të kronometrojnë imazhin e të zëshmes jetë

E pra më thuaj tash, kur shpirti të rënkon sëlargu

atje kur hëna derdh dritën e saj ndër rrëpira,

ku gjuha s’ta thoshte ç’kishe shpirti që digjej!?

Ç’mendime të zymta lulet në duar, ç’aromë,

ç’ngushëllim për shpirtin tim???

E di, s’ke pak që je helmuar moj baronesha ime,

por s’mundja, dot nuk vija. Oh sa larg!

mjerisht i dëshpëruar,

po vdes i denuar nga përvëlimi yt.

 

 

DASHURI E DHEMBJE TË KAM

 

Ç’bën në mund të di, ti e fshehta ime,

atje pertej brigjeve të lagura vesore

s’mjaftohesh vallë me dhembje që m’pushton,

që në të agur të mëngjesit

s’ndalon deri sa mbrëmja fsheh driten e syrit nën qerpik?

Pra qetësohu ti,

e fundit të mbetet ky trishtim i shtrirë mbi tokën e butë zvetnuar

prej helmit me fytyrën e zymtë duke ëndëruar mbi qiellin e kaltëruar

Ç’bën në mund të di në pagjumësin e t’ethshmes zemër,

shumë larg jetës e harruar,

prej t’shenjtit zot e veshur me ehull anës lumit?

Mos i vdekur trupi me ermimin tënd pranveror,

mbuluar në t’ëmblin agim,

kur dielli i përflakur përshkëndin krejt i nemitur

në pyllin e bruzd që dhembjen ma zhurit?

Ç’bën në mund të di, që si gjeth përkundësh nga flladi i praruar,

përzhitesh ne vogellim?

Tjetërsohesh në diell e shi në të blertën tënde

dhe s’di ku mund t’kërkoj ndër fusha aromen

Ti e panjohura ime,

që në të rën të territ vjen si një mergimtare e huaj

me të zbehtën e hënzës dhe me kundron vajtushem

Oh të mund të isha një hënë a një yll,

të mund të shihja si një smerald grimcat e gezimit tënd,

por mjerisht i dënuar jam që në të ëmblen muzikë të shpirtit,

ty për dashuri e dhembje të kam...

 

 

PERËNDIMI I ÇDO MBRËMJE

 

Ndërsa jetcoptuar shumë larg teje e dashur,

s’mund të harroj dhe pse dita vdes dritëzimin hirëplot

që brenda meje fërgëllon

E ndjej tëndin shtrëngim dhe dritën e purpurt të yjeve

në perëndim të çdo mbrëmje

dhe të tuat buzë

kudo mbi trupin tim puthin ofshamën e zhurmëruar

Më thuaj pra, ti që më krahun përthyer

fle aty në të shenjtën natë mbi barë harbuar,

- s’ke mundur të ndjesh

në atë qetësi të gjelbërt drit të hënës!?

E pra, unë isha aty, në zërin e ëmbël të bilbilit

në timen ditë të majit ku zemrën lash në gjumin tënd

të përkundet në çdo degë a petal luleje

Aty në të shuar të yllit,

u rrëzua shpirti im, mbi maja t’kreshpëruara ra

por si një meteor i zjarmuar ku ndezi qiellin e plumbtë

Nuk e di në mund të vijnë britmat në tëndin gjeth të çelur,

gjëmima mbeti pas një kroni gurgullues

mes pyllit gjetheshumë ku lindi mengjesi i ri...

 

 

NË TË BUKURËN E HIJEVE TË ZGJATURA

 

Ti që mbi atë lulzim të gjelbëruar flen,

kur nata bjen dhe hëna ta kundron të bardhën fytyrë

Mbi ty pushon magjia e saj,

ashtu krejt e dëlirë në ato buzë të çelura

ku përthith dritën e saj të argjentë dhe regëtimen e puhis

në të bukuren e hijeve të zgjatura

që si vesa e agimit mbi gjeth firgëllin

Ti që mbi lule të egra flen në lëndinë,

ku drit e sanës zverdhon nga e bukura dritëzim i hënës,

unë aty rilind

në ritmin e frymarrjes tënde pulsoj si feniks

E shenjtë qoftë e bukura fytyrë,

në skai të horizontit

ku drit e yllit lind në të kaltren natë të bekuar

Dhe unë, në të parrugën time të shkretë,

dëgjoj monotonin e trishtimit tim

dhe lutëm të mos i ndjesh lengimet e mia

Më fal, por unë s’di të flas fjalë të bukura,

por zemrës i rrefehem kur hesht për ty,

aq sa dua të jap shpirt

këtu në strehëzen time stërrë të zezë

 

 

TI VAZHDO PA FRIKË SONTE

 

E ndërsa ditët shkojnë bashkë me perëndimin e diellit,

unë sërish këtu i dënuar të shkruaj veç për dhimbjet e mia,

të pikturoj në miniaturën e shpirtit

trazimin e dashurisë tënde

I rrekur pas natës, të mbaj zgjuar mbi qiellin tim

dhe zhytem brenda atij misteri të ëmbël si mbi dhimbjen

Ti puhija e ngrohtë e shpirtit që mbi gjeth rreshket e varur,

mbyllur je në brengën time si një plagë e moçme

dhe i nemitur digjem nën kurorën e gjelbërt të pemëve

Jo, unë s’mund ta dija që ti si cigare digjesh në buzët e mia

dhe hiri me djeg jetën që ëndërroja

I humbur si një shpend në lis të varrit këndoj,

për ty që larg meje rron

dhe krejt i këputur rrëzohem si një re nga malli yt i heshtur

në këtë natë të mpakur maji

Oh, ti moj hënë e bekuar, që s’di të shtjerrohet dritëzimi yt,

unë po aty si çdo natë i gurzuar pas faqes tënde

kundroj të mbështes trishtimin tim të mjegullt

Ti vazhdo pa frikë sonte,

me ler mua k’tu mes djerrinave të çmallem me peisazhin e qetë

që la vetëdija jote

të flas me ëndrrat dhe me sytë e tu të besuar...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora