Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhevahir Cirongu: Intervistë me këngëtarin Asllan Ibro

| E hene, 13.05.2013, 06:33 PM |


Asllan Ibro, këngëtari  nga Vëndersha e Skraparit në udhën e medalionit të skenave të festivaleve folklorike

(Intervistoi Xhevahir Cirongu, maj 2013)

Më lindi nëna e më thinji flokët skena.

E kush nuk e njeh Asllan Ibro nga Vëndresha e Skraparit…! Me zërin e tij aq të ëmbël, të cilin edhe sot ndonëse me mosh të thyerë, e dëgjon kur ia merr këngës në takime të ndryshme qofshin këto edhe spontane; thonë me krenari: ‘’E dëgjoni atë zë bilbili që tingulli i këngës të ngroh shpirtin!? Ai është Asllan Ibro, këngëtari skraparas që gjithë jetën e tij së bashku me zërin brilant të këngëtarit u rrit dhe u thinjë nëpër skenat e festivaleve folklorike popullore.

…Dhe kjo është më se e vërtetë si drita e diellit.

Asllani ka lindur në vitin 1940. Për familjen e fisin Ibro kjo lindje ishte disi e veçantë. E themi këtë, sepse djali i sapo ardhur në jetë po rritej me këngën e bilbilave të dushkajave të fshati Vëndreshë në kodrat e Lipjanit sipër lagjes të Ibrollarëve. Si fidan lisi rritej edhe Asllani. Vitet kalonin e shpërthenin lastarët e tyre në trupin e këngëtarit të ardhshëm, sepse në odën e miqëve atje kënga e vallja gjëmonte e dëgjohej gjer në Tomorr. Thirrja e emrit të Asllanit atë ditë në lagjen e Ibrollarëve iu bashkangjit edhe kënga e gëzimit familjar. Ishte foshnje e Asllani s’mund të fliste dot në atë kohë, por meloditë e këngëve e të valleve i regjistroi në pentagramin e memories të çelsit të heshtur muzikor. Vitet kalonin në shtegun e tyre, por edhe Asllani hidhte shtatin e tij burrëror çdo ditë së bashku me këngën.                                                                                                                              Takojmë pas kaq vitesh këngëtarin në një kafene të qytetit të Durrësit. Kujtimet fluturojnë me cicërimën e zogjëve të dallandusheve nëpër vitet që ka lënë pas.  – Epo, gëzuar o Xhevo!,- më thotë e takon gotën me mua Asllani.  - Gëzuar qofshë edhe ti o këngëtari ynë, i them unë.  Kishim vite pa u takuar,- vazhdoi bisedën ai, dhe mori përsëri gotën e rakisë dhe thënë: ‘’- Një dolli shëndeti!Të jemi shëndoshë e gëzime paçim të gjithë sa jemi këtu në tavolinë…! Pastaj më gjeti mua ortak dollie e vazhdoi dy, tre, katër…gota shëndeti sipas traditës skraparase. Shokut në krahë i bie me bërryl  e ia merrin  këngës me zë të ulët. Në lokal sa njerëz ishin aty po dëgjonin këngën.

Kënga ,- djepi i jetës dhe oksigjeni shpirtëror i shqiptarit.

Kur e pyet Asllanin se kur ke dalë për herë të parë në skenë për të kënduar, ai të përgjigjet me modesti: As vetë nuk e di!...Dhe vazhdon rrëfimin e tregimit duke lundruar nëpër vitet e shkuara. Më kujtohet,- na thotë ai, se në ato vite të hershme të vegjëlisë, kur dilnim sipër kodrës së Lipjanit të lagjes Ibro; te vështroja lisat shekullorë e pemët e tjera të ngarkuara  supeve me pjergulla që rrinin varur vilat e rrushit si hoje mjalti, apo kur dëgjoje këngën e zogjëve, si të mos këndoja edhe unë së bashku me shokët kur kullosnim qengjat e kecat në atë peizazh të bukur frymëzimi natyror plot gjelbërim e lule! Aty shkoja edhe vetëm, por më shpesh me shokun tim të fëmijërisë Sali Bregu. Këndonim e kërcenim duke u kapur pas trungjeve të lisave e aty nën hijen e tyre ia merrnim këngës. Sa për iso kishim cicërimat e zogjëve të pyllit e oshëtimën e lumit Osum.

Në kodrën e Lipjanit- Vëndreshë.

A të kujtohet kënga e parë që ke kënduar?

Si të them! Fjala nënë e kënga e parë s’mund të harrohen aq lehtë. Ato ruhen në çdo qelizë të trupit për gjatë gjithë jetës. Ne do largohemi nga kjo jetë, kurse kënga e vallja mbetet e përjtshme në breza.Më kujtohet vallja ‘’Mollë e kuqe plotë lule/dil i mblidhi moj nuse e re!...’’. Në këtë kohë Asllani ende si kishte mbushur 17-18 vjet. Në vitet 1950 e në vazhdim,Asllani s’ju nda këngës popullore. Ai ishte një aktivist i dalluar në aktivitetet artistike e kulturore që zhvillonte shkolla me nxënsit.  U bë një aktivist i rregulli e pjestar i grupit kulturoroartistik të shkollës e të rinisë në shkallë zone. Vërtet skena e parë u bë kodra e Lipjanit, por profesionalitetin si këngëtar e vallëtar ia dhanë skenat e festivaleve lokale e kombëtare  që organizoheshin në shkallë vendi në qytetet e Shqipërisë. Pra, ajo që të thashë pak më parë është vallja që kam kënduar qysh në moshë 7-8 vjeç.

Përveç ambjentit rrethues, kush të ka nxitur që kënga të behej pjesë e jetës tuaj?!

-Sa për këtë, më ke zënë ngusht. Janë shumë faktorë. Po u tregoj për mësuesin tim, e s’kam arsyje ta fsheh. Atij ia detikoj sepse më jepte kurajo për të dalë para publikut në skenë e unë të këndoja. Ishte tjetër kohë atëherë, sepse mentalitetet e vjetra edhe të frenonin të ecje para. Dhe vazhdon duke na treguar: - Emri i mësues Izet Kocorri është skalitur thellë në memorjen time. Ai u emërua mësues në Spatharë. Ishte nga Konispoli i Sarandës. Kur erdhi mësues aty kishte me vete edhe nënën e tija. Në atë kohë ishte i ri në moshë. Me kalimin e viteve u lidh me një vajzë të fshatit Spatharë. Edhe ajo jetonte me nënën e saj. I ati nuk jtonte. Kështu, me vajzën që e quanin Shariko Zylyftari u martua e krijuan një familje të mrekullueshme. Izeti thoshte me krenari sepse Skrapari më bëri me nënë të dytë,ndaj edhe nuk u largua nga Skrapari e Spathara ku lindi, rriti dhe  arsimoi e edukoi fëmijë të mrekullueshëm në mes malesh skraparase në vendlindjen e dytë të jetës së tij.  -Mikëpritja e Skraparasëve është disi e veçantë, do të thosha hyjnore, në qoftëse më lejohet të shprehem kështu, - na thotë me krenari Asllan Ibro. Kush ka punuar në Skrapar është ndjerë si në shtëpinë e vetë.

Me sa dimë, në Skrapar përveç këngës traditocionale popullore këndohet edhe kënga popullore e kultivuar. Ç’mund na thuash për këtë variacion kënge?

-Kam shumë kujtime për të thënë,por juve po më ngacmoni me pyetjet tuaja që tani ato janë shumëfishuar aq shumë, saqë s’mundë të shkruhen dot në një shkrim, sepse mund të shkruani një libër të tërë e prapë janë pak. Do t’ju përmend vetëm disa prej tyre. Kudo që shkonim nëpër fshatra e qëndra kooperative publiku i  priste me kënaqësi grupet artistike e kulturore; sidomos ato grupe të këngës  tradicionale folklorike popullore. Por, më vonë, krahas folklorit tradicional hynë edhe veglat muzikore si fyejtë, firzamonika, klarineta me defin, pibzat etj. Në këtë mënyrë vatrat e shtëpitë e cultures u bënë qëndra të vërteta në edukimin atdhetar edhe me anën e këngës së përpunuar popullore.Kjo qe një revolucion që i dha impulse të reja traditës së këngës popullore skraparase. Sot ajo këndohet kudo nëpër Shqipëri e më gjerë. Të them të vërtetën Dule Malindi është kthyerë në ikonë të kësaj kënge që rrokë zemrat shqiptare. Asllan Ibro flet pak për vete e shumë për të tjerët.

Veshjet me kostumet popullore kombëtare të krahinës, ia shtojnë edhe më shumë vlerat grupeve që këndojnë këngën tradititcionale e atë të përpunuar popullore skraparase. Shfaqe të tilla grupi që ka marrë pjesë edhe Asllani kanë dhënë para publikut në fshatrat Vëndreshë, Therepel, Vërzhezhë, por edhe në Kajcë të Përmetit. Me bashkimin e fshatrave në një qendër të vetme ekonomie, në vitin 1971 në 8 fshatra si: 3 Vëndreshat, Therepeli, Valë, Spatharë, Lavdar, Buzuq, gama e shfaqeve të grupit folklorik të Vëndershës iu shtua intesiteti i aktivitetit  artistik duke u ngjitur shpeshherë në skenat me këngën folklorike popullore para artdashësve. Krahas punës e pushkës shqiptari se ka ndarë kurrë këngën e vallen, sepse ato kanë qënë e janë pjesë  e jetë. Pa këngë e vallen jeta s’ka kuptim. Ato janë pjesë e oksigjenit shpirtëror të shqiptarit në kohë të mirë e të keqe të trashëguar në shekuj.

Si e ndjeni veten sot kur dëgjoni të inçizuara këngët në radio apo televizor pas kaq vitesh?

-- Më kujtohen ato vite e mallin e shuaj  sadopakë kur dëgjoj këngët që kam kënduar. Kujtoj me mall shokë e shoqet e atyre viteve të rinisë e më vonë. I thonë një jetë të tërë , o mik!.. Kur këndonim në qëndër të fshatit në shtëpinë e kulturës edhe  gurët gëzoheshin e dëgjonin, e jo më njerëzit! Pikërisht, kjo ndikoi që Asllan Ibro të njihej me shumë këngëtarë të tjerë të zonës Vëndreshë. Si: Diafet Kushova,Skënder Duçellari, Dailan Çela,Barje Hysi, Hurma Çela ,nga Spathara, Bajram Dervishi, nga Therepeli, etj. Grupi folklorik i këngës popullore të Vëndreshës me interpretimin e tyre aq fines, vallet  karakteristike u bënë emër në Skrapar e më gjerë në gjithë trevat shqiptare në ato vite. Në konkurimin e vitit 1972 të këngës popullore, grupi i Vëndreshës mori flamurin e festivalit folklorik të rrethit. Në skenën e festivalit u ngjit për të kënduar edhe Asllan Ibro së bashku me Hekuran Mollën e Sali Bregun.  Pritësi i këngëve ishte Asllani.  Që nga ajo kohë e deri sa u nda nga jeta Hekurani, me atë kam kënduar shumë këngë e valle. I dridhet zemra e loton Asllani për shokët e këngës që janë ndarë mga jeta. Në video vendos një disk me këngë e dëgjojmë Hekuranin e Asllanin që këndojnë vallen brilane skraparase ‘’Hapëm ca ara në male’’,valle dyshe burrash.

Ju keni kënduar shumë këngë, por ndonjë këngë patriotike a mund t’ju kujtohet?!...

-Po, po më kujtohet kënga për Heroin e Popullit Riza Cerova. A mund t’ju them disa vargje?! Dhe vazhdon të na tregojë edhe me këngë vargjet që ka kënduar.

‘’Në Skrapar o Riza linde/ Në mjerim u rrite ti/ Trimi ynë Riza Cerova/Që s’të theu asnjë stuhi/…

Porn ë vitin 1972, - vazhdon rrëfimin e tij Asllani, kam kënduar edhe për dëshmorët e Vëndreshës me Sali Bregun. I kam të freskta si tani vargjet e asaj kënge për gjashtë dëshmorët e fshatit tonë. ‘’Një këngë do këndoj/ Do e marr me mall/ Gjashtë dëshmorë të Vëndreshës parë…/ etj.

Na treguat se keni qënë nëpër festivale folklorike kombëtare. Ç’mund të na thoni për këtë?

-Udhëtimi im si këngëtar ka shkelur shkallët e skenave në podiumet folklorike në disa prej tyre. Që nga viti 1973, 1978,1983,1988, kam qënë në Festivalet Folklorike Kombëtare në Gjrokastër.Kurse në vitin 1995 në Berat.( Këtu s’po përmend me dhjetra e djetra në skenat e këngës të festivaleve të rrethit).

A keni marrë ndonjë vlerësim për kontributet tuaja në fushën e kulturës? Më konkretisht  si këngëtar?

- Ato janë shumë, jo për mburrje, por më e rëndësishmja për mua janë këngët që kam kënduar se sa vlerësimet e tjera. Unë e kam dashur dhe e dua artin e këngës që ajo të këndohet edhe në brezat që do vinë më pasë. Kënga është thesari shpirtëror i një populli,- na thotë Asllan Ibro. Meqënse vitet kanë bërë punën e vetë, Asllani edhe në moshën 73 vjeçar si ndahet këngës. Sot ai është anëtar i grupit të këngës  folklorike popullore ‘’Riza Cerova’’ në Tiranë. Në vitin 2009 ka kënduar me Hekuran Mollën e Sulo Piperi në Prizren. Po kështu, me Bajram Haxhillari kanë  kënduar këngën për dëshmorin e kombit Astrit Suli; djalin nga Luzaj të Berati që luftoi për çlirimin e Kosovës më 1999. Por edhe për Vlushën heroike të Skraparit me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë.(Tekstet janë tuajat o xhevo, më thotë duke më falnderuar mua.)

Për kontributet që ka dhënë në fushën e kulturës e sidomos si këngëtar, Asllan Ibro është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Medalien ‘’Naim Frashëri’’ të Klasit Parë.   Edhe ne i urojmë jetë të gjatë sa vetë kënga Skraparasit  Asllan Ibro.

Durrës, Maj 2013