Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nertila Vreto: Folku shqiptar është i pashtershëm

| E hene, 13.05.2013, 06:08 PM |


Flet këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore, Nertila Vreto: Folku shqiptar është i pashtershëm!

“Jam indiferente ndaj thashethemeve”

Nga Albert ZHOLI

Një këngëtare që ka çarë me vështirësi, por bindshëm në mes këngëtareve të suksesshme të këngës popullore. Këngëtarja e njohur e muzikës popullore të jugut Nertila Vreto, megjithëse, fare e re në moshë ka realizuar shume albume, të cilët janë lançuar në tregun muzikor. Ajo ka bashkëpunuar me figura të njohura të muzikës si: Edmond Zhulali, Arben Duka, Genti Lako, Alban Furtuna, Sokol Marsi etj., duke e justifikuar plotësisht besimin e tyre.  Ajo tregon se përpiqet të alternojë në harmoni shkollën dhe muzikën, të cilat në jetën e saj tashmë plotësojnë njëra-tjetrën. Idhulli i saj i muzikës popullore është këngëtarja e njohur e serenatave korçare Eli Fara. Ajo dëshiron që të jetë autentike dhe vetvetja në tregun muzikor duke formatuar individualitetin e vet. 

Si ndiheni dhe çfarë ndjesie keni për publikun?

Eh, publiku….Publiku për mua është gjithçka. Unë këndoj për publikun dhe nëse zhgënjehem prej tij atëherë do të jetë fundi për mua. Më pëlqen kur më admirojnë, adhurojnë dhe kur i pëlqejnë këngët e mia. Mundohem që në skenë të jap gjithçka, pasi ai që vjen të të dëgjojë ty të respekton, të admiron dhe nuk e prêt kurrë zhgënjimin. Publiku të nxit, por edhe të gjykon. Në momentin që ai nuk duartroket, por vërshëllen dije se nuk ka më rrugë suksesi.

-A ndihesh e nevrikosur nga kritikat?

Të jem korrekte, lavdet i do çdokush, por që të ecësh para duhet të vlerësosh më shumë vërejtjet. Më pëlqejnë më shumë vërejtjet sepse e di që vërejtjet më vlejnë. Nga vërejtjet unë kuptoj se ku e kam gabimin. Normalisht që më pëlqejnë edhe komplimentet por kur janë reale dhe jo false. Sot në fakt jetojmë në një situatë, ku njeriu është dhe hipokrit dhe nuk tregohet real. Xhelozia është bërë pjesë e jetës, por kurrsesi nuk them që nuk ka njerëz korrekt që të kritikojnë në emër të së mirës.

-Artisti ka dy jetë, atë si qytetar dhe atë të skenës. Si është në përditshmëri Nertila?

Ke të drejtë. Ka ndryshimeve midis këtyre dy jetëve. Secila ka karakteristikat e veta. Mundohem të ruaj ekuilibrat në të dy jetët. Unë jam shumë e thjeshtë në jetën e përditshme madje edhe më e thjeshtë se duhet. Ka ndodhur që duke më parë nga ekrani më kanë cilësuar si mendjemadhe, por kur kanë arritur të më njohin nga afër kanë ndryshuar mendim. Jam një tip i qetë edhe i dashur. Dua që të kem një shoqëri të pastër. Jam një njeri pa komplekse. Nuk më pëlqejnë thashethemet.

-A reagoni ndaj thashethemeve, dhe a ju kanë trazuar në jetën intime pa të drejtë?

Deri tani jo. Por nuk i dihet ndoshta do dali më vonë diçka por sidoqë të jetë mua nuk do më interesojë. E di që artisti kudo është i paragjykuar. E mendoj se, një ditë edhe për mua thashethemet nuk do të jenë të panjohura. Jam e përgatitur. Sot nuk i vihet fre llafeve të botës. Kështu është ndërtuar ky rruzull.

-Cila është më e bukur për Nertilën dita apo nata dhe pse?

Secila ka magjinë e vetë. Ka të veçantat dhe të përbashkëtat. Për mua më e bukur është dita sepse nata më frikëson deri diku. Ndoshta tek frika ime për natën ndikon edhe fakti sepse unë jetoi vetëm dhe jam larg familjes sime. Pastaj edhe nata edhe dita kanë bukuritë e veta.

- Jeni femër krenare, të pëlqen pavarësia?

Sigurisht. Më pëlqen pavarësia sepse më ndihmon që të mësoj të përballem me jetën. Por familja për mua është gjithçka dhe më merr malli shumë për ta. Kur kam kohë të lirë shkoj gjithmonë dhe i vizitoj.

-Shumë këngëtarë në treg, e ndien konkurrencën Nertila Vreto dhe si përballet me të?

Kjo është një e vërtetë, sot është rritur shumë numri i këngëtarëve dhe në treg gjen një konkurrencë të fortë. Por nga ana tjetër dua të theksoj se çdo këngëtarë ka adhuruesit e vet. Unë nuk mund të marr adhuruesit e një këngëtari tjetër. Publiku pëlqen këngët e mia sepse i ka bërë Nertila. Unë kam këngët e mia që nuk mund t’i bëj një tjetër.

-Ndodh që dhe vetë këngëtaret kanë dobësitë e veta. Në tërë këtë rrugë ke patur ndonjëherë një këngëtare idhull?

Padyshim. Për mua idhulli ka qenë është dhe do të jetë Eli Fara. Një këngëtare elegante, plot nur, vezulluese dhe gjithmonë në formë. Ajo e sfidon moshën.

-Çfarë vlerëson dhe urren më shumë tek një njeri?

Tek njerëzit pëlqej respektin, të qenit i thjeshtë dhe njeri mbi të gjitha pa dalë nga natyra e vet. Urrej hipokrizinë dhe njerëzit që merren me thashetheme.