E enjte, 28.03.2024, 09:33 PM (GMT)

Kulturë

SOS për afresket e Ndoc Martinit

E hene, 12.05.2008, 05:25 PM


"Doktor Prela", veper e Ndoc Martinit qe ruhet ne GKA
Nga Alma Mile

Afresket e piktorit Ndoc Martini, që zbukurojnë tavanin e një ndërtese në Shën Mitër Korona, në Itali rrezikojnë të zhduken, për shkak të kushteve të pafavorshme ku ruhen. Rrezikojnë kështu të zhduken dhe ato të pakta vepra që na vijnë deri sot nga piktori i Rilindjes

Fati deshi që të ndahej nga jeta në një moshë fare të re, vetëm 36 vjeç, ndërsa sot indiferenca rrezikon të zhdukë gjurmët që ka lënë në të gjallë. Pas alarmit të tre dekadave më parë, lëshuar nga gjuhëtari arbëresh Francesco Altimari, sërish një S.O.S. për të shpëtuar ciklin piktorik të piktorit Ndoc Martini Camaj, një nga përfaqësuesit e Rilindjes shqiptare. Bëhet fjalë për 14 afreske që zbukurojnë tavanin e një salle në katin e parë të pallatit, ku dikur qëndronin rektorët e kolegjit italo-shqiptar "Shën Adriani". Janë portrete, peizazhe, si edhe një autoportret i piktorit, vepra këto që u bënë të njohura shumë vite pas vdekjes së Martinit. Këtë herë është e përditshmja kalabreze "Il quotidiano della Calabria", që bën një tjetër përpjekje për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve shtetërore ndaj veprave të autorit shqiptar. Afresket mësohet të jenë realizuar në vitin 1907 me porosi të autoriteteve të institutit historik, për të zbukuruar një sallë në katin e parë në ndërtesën, ku prej ndërtimit të tij, filluan të vendosen fillimisht drejtuesit e liceut e më pas rektorët e kolegjit. Ndërtimi i rezidencës është meritë e Angelo Scalabrinit, inspektor i përgjithshëm i shkollave italiane në Perëndim, që drejtoi në mënyrë ekzemplare fatin e institutit dhe liceut, duke forcuar lidhjet ekzistuese mes arbëreshëve dhe shqiptarëve të përtej detit. Që nga fundi i viteve '70 deri në 1995, pallati, që është në pronësi të kolegjit, shfrytëzohej si katedër e shkëputur nga të tjera institute profesionale shtetërore. Viti 1995 shënoi mbylljen e tij, për shkak të rënies së regjistrimeve, gjë që detyroi autoritetet arsimore të shkurtojnë katedrën e San Demetreo Coronës (Shën Mitër Koronës).

Prej atëherë, e mbyllur, e pa përdorur dhe prej vitesh e mohuar prej ndërhyrjeve mirëmbajtëse, për rezidencën e rektorëve nisi shkatërrimi i pashmangshëm. Gjendjen e rëndon së tepërmi futja e ujit të shirave përmes një të çare të konsiderueshme në çati dhe që depërton lehtësisht deri në katin e parë. Pra edhe në sallën e pikturave, duke rrezikuar dukshëm figurat e realizuara nga piktori shqiptar. Pikturat, përveç dy syresh, tashmë të dëmtuara nga lagështia, ruhen ende mirë. Në to paraqiten autoportreti i Martinit, dy peizazhe, mali Pulin dhe piramidat e Egjiptit, pesë portrete të figurave të mëdha Galilei, Dante, Rafaelo, Verdi e Mikelanxhelo, për të vijuar me 6 panorama e monumente të disa qyteteve, mes të cilave Shkodra, Roma, Napoli e Venecia. Sipas studiuesit Ferid Hudhri ("Arti i Rilindjes Shqiptare"), këto vepra shënojnë një fazë të re në krijimtarinë e piktorit, i cili deri në atë kohë kishte lëvruar më së shumti vizatimin dhe pikturën në bojë vaji mbi beze.

Sinjalin e parë për ekzistencën e këtyre pikturave dhe ndërhyrjen e shtetit e dha prof. Francesco Altimari, titullar i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Kalabrisë, qysh në vitin 1980 në faqet e revistës kulturore italo-shqiptare "Zjarri". Megjithatë, kanë kaluar shumë vite që atëherë dhe nuk është bërë asgjë për të shmangur shkatërrimin e ndërtesës dhe dëmtimin e pikturave.

Sot, në Shqipëri Martini është i njohur vetëm përmes portretit të "Doktor Prelës", të realizuar në kulmin e krijimtarisë së tij në Paris. Nuk na vjen ndonjë informacion i plotë mbi krijimin e kësaj vepre, por sipas studiuesit Hudhri, mënyra e pikturimit "na krijon përfytyrime më të qarta për kohën e realizimit, duke na dhënë atmosferën dhe psikologjinë e intelektualit shqiptar në fillimin e shekullit të kaluar". Sipas tij, ky portret është jo vetëm piktura më e bukur që na ka mbërritur prej autorit, por edhe më e realizuar në gjithë periudhën e Rilindjes. Kjo vepër, e cila sot ruhet në pavijonin e Rilindjes në Galerinë Kombëtare të Arteve, u ekspozua për herë të parë në Shqipëri në vitin 1923, 7 vjet pas vdekjes së piktorit. Në vitin 1923 shoqëria muzikore "Rozafat" organizoi për të parën herë në historinë e Shqipërisë, një ekspozitë të arteve figurative, me vepra të piktorëve shkodranë. Një ngjarje e madhe aso kohe, ku morën pjesë një numër i madh piktorësh, ndër të cilët Ndoc Martini, Kolë Idromeno, Simon Rrota, Andrea Athanasi, Zef Kolombi. U ekspozuan 170 piktura, ndër të cilat sipas gazetës "Shtypi", vetëm 50 kishin vlera të mëdha artistike. Veprat e Ndoc Martinit zinin vendin e parë, ndonëse nuk ishin të shumta, mbasi në ekspozitë nuk u paraqitën veprat e fundit të tij. Për të në shtypin e kohës u shkrua se "kje piktor me fantazi shumë e mjeshtër i thelluem për kah koncepsioni i pikturës. E dimë që shumë kjenë veprat e kryeme qi ky la, vepra me randsi dhe përnjimend artistike, pse mbrritën me i sjellë nji emën të madh deri në Akademi t'arteve në Paris". Përveç portretit të "Doktor Prelës", e cila u vendos në krye të sallës me një shirit të zi në anë, si respekt ndaj piktorit të vdekur, u ekspozuan edhe veprat "Shën Mri Magdalena" dhe "Malcore në ode të zjarrmit" (në pastel).

Piktori Ndoc Martin Camaj lindi në Shkodër në vitin 1880. Ishte nxënës i Kolë Idromenos, i cili e drejtoi atë në rugën e artit. Prej vitit 1904-1907 ishte bursist dhe frekuentues i Shkollës Normale në Kolegjin italo-shqiptar të San Demetrio Coronës. Gjatë kësaj periudhe realizoi edhe afresket e ndërtesës. Në të njëjtin vit vendoset në Paris ku për dy vjet ndjek një bursë studimi në Shkollën e Arteve të Bukura. Në vitin 1913 sëmuret nga tuberkulozi dhe në vitin 1916 ndahet nga jeta i vetëm dhe i varfër në një sanatorium të Parisit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora