E premte, 29.03.2024, 01:07 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Shpallja e ''republikave'' nëpër katunde

E premte, 10.05.2013, 09:27 PM


SHPALLJA E “REPUBLIKAVE” NËPËR KATUNDE

NGA KALOSH ÇELIKU

Vite më parë, në prag të demokracisë, partitë politike shqiptare PPD dhe PDSH u përpoqën me të gjitha forcat politike e intelektuale, që Tetovën ta bëjnë kryeqendër kulturore e politike. Kohën e fundit rrugën e tyre e ndjek edhe BDI. Nuk e kam fjalën që këto parti politike, selitë e veta i kanë në Tetovë, por për veprimet e tyre “strategjike” - politike kur dalin në foltore me fjalime “luftarake” përpara popullit. Gabim historik. Publikisht, heqin dorë nga Shkupi, kryeqendra politike shqiptare e kulturore e rritur nëpër shekuj me ato vargjet e këngës antologjike popullore shqiptare: “… për çdo vjet e kemi nisur nga një luftë. / Herë me Krajl e herë me Mbret”.

Fatkeqësisht, përballë një historie të këtillë legjendare, edhe në Ditën e sotshme shqiptarët vazhdojnë të shpallin “ kryeqytete e republika” nëpër katunde. “Vëllezërit” nga një hap i këtillë pakrye i politikanëve tanë “çlirimtarë” për një të Nesërme, u ranë duarve shuplakë. U lumtë “truri” shqiptarëve! Vërtetë i kemi “vëllezër” besnik që nga koha e Baba Dovletit duke bërë “politikë madhore” nëpër katunde. Nëna në këtë kohë moderne, nuk ka gjithaq rëndësi historike. Shkenca e ka arritur kulminacionin: mund të na pjellë edhe një Nënë. Babën, kryesorja e kemi përballë oxhakut, në Shtëpi. Pushtuesit shekullor na kanë përçarë dhe na e kanë prishur Shtëpinë me “vëllavrasje” për pushtet. Armiqtë e Shtetit të “përbashkët”, le të plasin nga inati! Dorën në zemër, shqiptarët Maqedoninë e duan më shumë se ne “maqedonasit” si komb pa identitet (Babë e pa Nënë). Dhashtë Zoti, mbeten gjithë jetën me këto mend në kokë! Ose, siç thotë populli: Përderisa ka budallenj, do të jetojnë të mençurit. Ditën, kur budallenjt do të bëhen të mençur, o burra: mblidhni plaçkat dhe ikni nga “politika madhore”. Vërtetë, jemi popull i ri në Ballkan, të cilin e shpiku ose e shpalli pas lufte (1945) dhe na e dhuroi si shtet pa merita lufte Shoku Tito, po shqiptarët na dolën bese. E përkrahën Gruevskin, në vend të përmendores të Shokut Tito në sheshin “Makedonija”, në Shkup e ngritën Aleksandrin e Madh. Përmëkeq, vazhduan t’i përkrahin edhe përmendoret e Filipit të Maqedonisë dhe Olimbisë me gra të tjera antike plot fëmijë në gji, krah për krahu me Skënderbeun dhe Hasan Prishtinën, në Bit - Pazar.

Problemi madh historik në këtë Shtet, nuk janë shqiptarët, po ne “maqedonasit”. Historikisht, ne jemi pjellë artificiale e ulur këmbëkryq në mes të Ballkanit, që edhe sot e kësaj dite u ngatërrohemi nëpër këmbë shqiptarëve dhe i morëm më qafë me shekuj. Ama, të rrimë shtrembër në histori, po ta themi të vërtetën siç e thonë troç shqiptarët e Rekës të Josif Bagerit: pa shqiptarët, ne “maqedonasit”nuk mund ta mbajmë veten gjallë as edhe një ditë në këtë shtet të ri “demokratik” në mes të Ballkanit.

Publikisht, politikanët shqiptar hoqën dorë nga Shkupi, kryeqendra e Shqiptarisë nëpër shekuj. Qytet, të cilin Perandoria Osmane gjatë gjithë jetës e mbajti pranë zemrës si kryeqytet i Rumelisë. Jetë politike, kulturore e ekonimike bëri gjatë luftërave të përgjakshme ballkanike në një sofër me pushtuesit në Ballkan. Rasti ma kujtoi edhe këngën e vjetër popullore që na e këndonte shpeshë Xha Deralla ne fëmijëve para porte, kur na vënte pusi në rrugë: “Turku na e shiti këtë Rumeli/ e ka ble çaj Moskovi Zi, shtatë xhemi me alltan.” Këngë historike, të cilën shqiptarët, sot gati e kanë harruar dhe nuk e këndojnë më si dikur me krenari nëpër dasma në odën e burrave. Përkundër politikanëve tanë, që gjithë forcën politike dhe intelektuale e përqëndruan dhe e “harxhuan” në Tetovë. Tjetër punë është ajo se, edhe “vëllezërve” u pëlqente ta propogandonin Tetovën si kryeqendër politike e  kulturore të shqiptarëve. Qëllim i tyre tendecioz edhe sot e kësaj dite dihet, të cilin një ditë e vëretoi edhe koha në “Shtetin e përbashkët”.

Historikisht, kurrë Tetova s’ka qenë, as është dhe as nuk do të bëhet kryeqendër politike, kulturore e Shqiptarisë. E dini pse?! Jo, nuk e dini. Shkaku se, vite me radhë e mbytë bërlloku i vet politik para dere, që nga koha e Turqisë. Vërtetë, Fadil Sulejmani me shokë këtij qyteti i dhuroi Universitetin e parë shqiptar mes gërshërve politike shoveniste sllave, po nuk ia vodhën “zanatin” e të bërit Shtet. Luftën për pushtet e rrëmbyen vetë si politikanë me diploma të shkollave komuniste. “Vëllezërit” me ndërkombëtarët na e dhanë edhe një tjetër universitet (UEJL), për ta ngulfatur këtë vatër të dijes në emër të “bashkëjetesës” (foshnjë që lindi e vdekur, sipas Fërçkovskit), siç u përpoqë më herët me Fkultetin Pedagogjik në Shkup PPD -ja ta shuajë zjarrin, po xixa që hidhet në kashtë: një ditë ndizet edhe pa dëshirën e “vëllezërve” përkarshi Diellit me rreze. Përsëri, fituan shqiptarët, shkaku fajit të politikës teknefese ditore, u bëmë me tre universitete shqiptare. Inatin mund t’ia kesh dikujt, por kurrë nuk mund t’ia hash rriskun e fatin të cilin ia ka shkruar vetë me dorë Zoti. Punë tjetër është ajo se, “patriotët kuqezi” shqiptar kur dalin në foltore para popullit në Tetovë, dehen me çaj rusi dhe flasin jerm me orë të tëra para të pranishmëve: “Nëse Tirana dhe Prishtina nuk kanë forca politike të bëhen kryeqendra të Shqiptarisë, ne do ta bëjmë Tetovën kryeqytet të Shqiptarisë”?! Demagogji e pashoqe politike me tru shtatë pash thellë strukur në palarenë politike, rrëzë Sharrit Plak. Shqiptaria nuk mbrohet vetëm në Tetovë. Hurdhë e cektë patriotike, në të cilën pas darke këndojnë në kor bretkosat dhe e mbysin veten politikanët e sotshëm të “vëllazërim-bashkimit”. Dorën në zemër, pas shumë vështirësive politike me ndihmën e “vëllezërve” e fituam një “Teutë ilire”, si kryetare të komunës shqiptare, por kjo sot është shumë pak për ta shpallur Tetovën heroike si kryeqendër të Shqipërisë Etnike.

Shkurt dhe shqip: Tetova me këtë kapacitet politik, kulturor e ekonomik, kurrë nuk mund të bëhet kryeqytet i Shqiptarisë, përpara Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit! Përmëtepër, pas Luftës së 2001 - shit, siç nuk u bë “Tanusha - republikë”, sipas aventurave të disa kalorësve të arratisur “analistë” në mjetet e informacionit me në krye një komandant lufte. Amani, nëse nuk keni të thoni e shkruani diçka të mençur në këtë kohë rreziku, atëherë së paku heshtni para ngjarjeve historike, mos bluani krunde te Mulliri i Arapit! Punë tjetër është ajo se, disa partizanë të dalldisur dhe “vetëbegenisur” nëpër çajtore  të partive politike “gju më gju me popullin”, flasin nateditë jerm kur dalin symëshelë në foltore. Orë të tëra harrohen nëpër përvjetore politike e kulturore, mezi i lexojnë fletoret e hallvaxhinjve duke vazhduar të flasin përmendësh marrëzira politike. Gjumin e rëndë dimëror, përpiqen t’ia vazhdojnë këtij populli heroik e të përvuajtur nëpër shekuj me përralla të “pranverave arabe” në mes të Shkupit. Mjaftë. më me veprime të nënkryeme teknefese nëpër livadhe e Bit - Pazar, rrëzë Kalasë Dardane! Vorba me shekuj vlon në zjarr pranë dromaxhakut me kokë gjarpëri në oxhak që nga koha Ilire. Tymin mbi çati e përcjellë në qiell mes mjegullave. Edhe, kohën e fundit ka filluar të derdhet grosha mbi shpuzë. Mirë do të ishte në këtë kohë të rrezikshme (rrëshqitshme politike në akull), politikanët e harxhuar shqiptar, thirrin forcat e shëndosha patriotike dhe të kthehen krah për krahu në Katund, t’i kalojnë të lumtur ditët e fundit të pleqërisë në gjirin familjar.

Populli shqiptar, sot nuk ka nevojë për demagogji të shekullit. Marrëzira politike dhe fetare. Shpallje të “kryeqyteteve” të Shqiptarisë. Dhe, “republikave” nëpër katunde…



(Vota: 167 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora