E enjte, 25.04.2024, 12:02 PM (GMT+1)

Mendime

Jemin Gjana: Nxitja e prodhimit vendas në bujqësi

E hene, 12.05.2008, 06:07 PM


Nxitja e prodhimit vendas në bujqësi

Nga Jemin Gjana

Debati botëror për krizën e ushqimeve, që në vetvete përfshin prodhimin, mbulimin e nevojave dhe çmimet e tregtimit të tyre është prej muajsh temë e ditës. Rritja e shpejtë, për një seri faktorësh, e çmimeve botërore të disa prej produkteve kryesore të ushqimit, ka shtruar një seri të gjatë pyetjesh para politik bërësve, medias, publikut, institucioneve financiare, rrjeteve të tregtimit dhe fermerëve, të cilët kanë rastin të përfitojnë nga situata.

Janë një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje. Pse janë rritur çmimet e ushqimeve? Cili është roli i rritjes së kërkesës për biokarburante në këtë rritje? A kanë ndryshimet klimatike një rol të posaçëm që influencon në këto zhvillime? A do të vazhdojë rritja e çmimeve në të ardhmen? Cili është ndikimi i nivelit të lartë të çmimeve të ushqimit, çfarë përfitojnë prodhuesit dhe çfarë humbasin konsumatorët? Si po u përgjigjet politikbërja konsekuencave negative të këtyre zhvillimeve?

Të gjitha këto pyetje janë të vendosura edhe në tavolinat tona të debatit, me përmasat dhe ndikimet që ato përcjellin në zhvillimet tona të brendshme. Vazhdoj të mbroj me këmbëngulje pikëpamjen se vendi ynë nuk u përket brezit të vendeve dhe rajoneve që kanë mbi kokë dhe në horizontin e afërm krizat rrënuese të urisë. Ne kemi një ndikim të lehtë të tyre dhe kjo na detyron ta ndjekim situatën hap pas hapi për t’u përballur me sfidat. Them të vogël, sepse në mesataren botërore niveli i çmimeve të ushqimit është rritur me 40 për qind, ndërkohë që niveli i inflacionit për vendin tonë është vërtitur në një mesatare prej 3-4 për qind, pra dhjetë herë më i vogël. Them i vogël, se në shumicën e vendeve të rajonit inflacioni për këtë tremujor të parë është 3-4 herë më i lartë se ai i shënuar tek ne.

Paniku, pasiguria dhe vlerësimet jo reale që vërehen rëndom në folklorin politik dhe mediatik, janë qasja më e gabuar. Këtë nuk e them për të zbutur apo thyer tehun e kritikave ndaj qeverisë, e cila, në të gjitha këto zhvillime duhet të nxjerrë dhe ka nxjerrë mësimet, përgjegjësitë dhe alternativat e zhvillimeve për të kontrolluar situatën. Ajo që më shqetëson lidhet me faktin se çdo analizë jo realiste, çdo retorikë që i karakterizon zhvillimet jo thjeshtë bardh e zi, por vetëm zi dhe zi, ka brenda riskun të na adresojë në vendime të gabuara. Ne jemi një vend i vogël, me përmasa ekonomike të cilat nuk kanë shans të përmbysin konjukturat jo më botërore, por as edhe rajonale të zhvillimeve. Ne na duhet ta analizojmë me realizëm situatën dhe të shohim zhvillimet tona jo thjeshtë në konjukturat e momentit, por në perspektivat tona afat mesme dhe afat gjata të zhvillimit.

Duhet ta rrëzojmë konceptin se qeveria mund të marrë vendime për çmimet dhe mund të kontrollojë në mënyrë direkte nivelin e tyre. Kjo është vetëm një utopi që predikojnë ata që e pranojnë sistemin e ri ekonomik por nuk njohin funksionimin e demokracisë dhe rregullat e tregut. Dy janë rrugët e vetme për tu përballur me inflacionin. Nxitja e prodhimit vendas mbetet mjeti më efikas për frenimin e tij, ndërsa rimbursimi në paga e pensione mekanizmi më transparent për të neutralizuar ndikimin që ai përcjell në shtresat e popullsisë. Para se të komentoj disa prej masave të marra nga qeveria për nxitjen e prodhimit në bujqësi, si një masë kundër inflacioniste në këto zhvillime, dëshiroj të sjell një set të dhënash lidhur me prodhimin dhe konsumin e ushqimeve në vend.

Lidhur me këtë të fundit, ka një perceptim tërësisht jo realist. Është krijuar psikoza se ne ushqehemi nga importi. E pavërtetë. Ne kemi bilanc negativ në eksport - importin e ushqimeve. Por viti 2007 ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 26.9 për qind të eksporteve duke ecur drejt tendencës së zbutjes të këtij raporti. Ne vërtet ende importojmë rreth gjysmë miliard dollarë ushqime, po a mendojmë ndonjëherë sa përbën kjo në totalin e konsumit të ushqimeve. Le t’i bëjmë llogaritjet me nivelin e varfërsisë, pra me nivelin 2 dollarë për frymë. Për 3.5 milionë banorë, llogaritur me këtë nivel, del se konsumojmë mbi 2.5 miliard dollarë ushqime. Kjo do të thotë se prodhojmë në vend katër të pestat e tyre dhe importojmë vetëm një të pestën. Por siç citova më lart, në nivel varfërie, siç institucionet e besueshme deklarojnë, jetojnë vetëm rreth 500 mijë qytetarë të këtij vendi. Tre milionë të tjerë konsumojnë shumë më tepër se kuota e varfërisë. Kjo do të thotë se ne prodhojmë mbi 80 për qind të nevojave të brendshme për ushqime.

Në këtë tërësi të ushqimeve, janë disa produkte që importohen tërësisht ose me shumë se gjysma e sasive që konsumohen, siç janë sheqeri, orizi, vaji dhe gruri e mielli i grurit. Jam i bindur dhe i prirur të them se këto produkte do të vazhdojnë të kenë peshën kryesore të importeve. Shqipëria as ka qenë dhe as mund të bëhet vend konkurrues në tregje me këto produkte. As nuk duhet të synojmë për të punuar si në rrethim, për të plotësuar nevojat tona. Jemi duke ndjekur politika shumë të drejta për të profilizuar aktivitetin e fermave tona dhe për të ecur pa lëkundje në rrugën e specializimit të prodhimit bujqësor në vend. Trendi i përcaktuar po funksionon në drejtim të prodhimeve të frutikulturës, perimeve, ullirit, rrushit dhe produkteve blegtorale nga minifermat në rritje e modernizim. Askush nuk mund të pretendojë se në treg ka mungesa të ushqimeve apo produkteve të ndryshme ushqimore.

Ja cili është për vitin 2007 raporti mes pjesës që kemi prodhuar në vend dhe pjesës që kemi importuar në disa prej produkteve më kryesore. Kemi prodhuar 250 mijë ton grurë dhe kemi importuar 315 mijë ton. Me zvogëlimin e sipërfaqeve të pa mbjella, këtë raport mund ta përmirësojmë. Po të vëmë nën kulturë edhe rreth 50 mijë ha toka djerrë që kemi aktualisht, ne do ta reduktonim ndjeshëm importin e grurit dhe të ndonjë produkti tjetër. Kemi prodhuar 671 mijë ton perime dhe kemi importuar vetëm 17 mijë ton, ose më pak se 5 për qind të sasisë së konsumuar në shkallë vendi. Kemi prodhuar 155 mijë ton patate dhe kemi importuar vetëm 19 mijë ton. Kemi prodhuar rreth 21 mijë ton fasule dhe importuar vetëm rreth 300 ton. Kemi prodhuar rreth 148 mijë ton fruta dhe ullinj dhe kemi importuar 95 mijë ton. Krahasuar me pak vite më parë, përmirësimi është i ndjeshëm. Nëse në vitin 2002 kemi prodhuar vetëm 60 mijë ton fruta pa ullirin, në vitin 2007 janë prodhuar dy herë më shumë, 120 mijë ton. Prodhimi i mishit peshë e therur llogaritet rreth 75 mijë ton dhe importi i tij është 22 mijë ton. Janë prodhuar 736 milionë kokrra vezë dhe importuar vetëm rreth 0.1 milion. Prodhimi i birrës është 366 mijë hektolitra ndërsa importi është 299 mijë. Sallame e proshuta të prodhimit vendas janë 9 mijë ton, përkundrejt 4 mijë ton të ardhura nga importi. Djathë i vendit rreth 13 mijë ton, përkundrejt 1.5 mijë ton të importuara. Këto të dhëna e rrëzojnë mitin e rrënimit të prodhimit vendas, siç ndërkohë, pesha e lartë e disa artikujve të importit ka vend të përmirësohet ndjeshëm.

Në frutikulturë dhe në perime, objektivat janë shumë ambicioze. Mjafton të themi se numri i pemëve frutore në dy vitet e fundit është rritur me 31 për qind, i ullinjve me 11 për qind dhe i vreshtave me 14 për qind. Ndërkohë, në vitin 2007 janë prodhuar në vend më shumë se 2.5 milionë fidanë drufrutorësh dhe hardhish, dy herë më shumë se një vit më parë, duke dhënë kështu mundësi të mëdha në rritje të shtimit të mbjelljeve dhe në pak vite më vonë, të shtimit me ritme më të mëdha të prodhimit të këtyre produkteve. Prodhim i perimeve po bën progres dhe vetëm sipërfaqet e serave me ngrohje janë rritur gati dy herë në 2007 krahasuar me vitin 2005.

Në blegtori ne kemi të gjitha shanset të prodhojmë më shumë për vete por dhe për eksport. Ne kemi përparësi në të gjithë Ballkanin veçanërisht për të imtat. Nëse në gjedh ne kemi më shumë krerë se Kroacia, Bosnje-Hercegovina, apo kemi dy herë më shumë se Maqedonia etj, rezulton se kemi një numër më të vogël se Serbia. Por, sipas të dhënave statistikore të Ballkanit Perëndimor, numri i të imtave tek ne është më i madh se numri i tyre në Serbi, Kroaci, Maqedoni dhe Mal i Zi të marra së bashku. Ky është potencial i madh qe ne duhet ta mbështesim e administrojmë më mirë.

Përmenda kaq shumë shifra jo për të zbukuruar realitetin e bujqësisë në vend, por për ta njohur atë ashtu siç është, me pluset dhe minuset, me ecjet dhe ngecjet e veta. Bujqësia po merr peshë shumë më të rëndësishme nga situatat e krijuara së fundi. Programet e qeverisë kanë bërë që ajo të jetë nën vëmendje. Është kthyer realisht fytyra drejt saj, por dhe duart financiare të shtetit ka vend të zgjaten më shumë e më shpejt nga bujqësia. Vetëm dy vitet e fundit janë investuar në ujitje dhe kullim mbi 20 milionë dollarë. Më se 5 milionë dollarë janë investuar në infrastrukturën e marketingut të prodhimit. Vetëm në 2007 sektori privat ka investuar në bujqësi dhe agroindustri mbi 23 milionë dollarë. Gjithashtu kanë filluar përgatitjet për një projekt të ri për ujitjen dhe kullimin me një vlerë rreth 100 milionë dollarë për vitet 2009 – 2013 si dhe disa projekte në fushën e sigurisë ushqimore.

Në skemat e mbështetjes direkte për bujqësinë në dy vitet e fundit po përdoren rreth 15 milionë dollarë. Skemat kanë nxitur dhe mbështetur sektorë të tillë të rëndësishëm si krijimi i pemtoreve, ullishteve dhe vreshtave të reja, certifikimi i produkteve bio, ujitja me pika, prodhimi i fidanëve, mbështetja për zhvillime në blegtori etj. Vetëm mbështetja e dhënë për ndryshimin e impianteve në serat me ngrohje për të kaluar nga përdorimi i naftës në përdorimin e solarit, sjell reduktimin me 2 deri 3 herë të shpenzimeve për lëndën djegëse. Është marrë tashmë vendimi që për vitin 2008 solari për serat, por dhe për të gjithë sektorin e agro industrisë do të jepet pa akcizë, duke lehtësuar kështu ndjeshëm kostot e prodhimit. Janë shpërndarë kartelat e dixhitalizuara të fermerëve në të gjitha drejtoritë rajonale të bujqësisë dhe secili fermer do të ketë kodin e tij tregtar. Me këtë kod dhe me shitjet që ai do realizojë përkundrejt faturave tatimore do të ketë mundësinë e përfitimit të 6 për qind TVSH të rimbursueshme. Ndërkohë janë në proces përgatitje aktet nënligjore për krijimin në vitin 2009 të Agjencisë së Pagesave për bujqësinë, që do të jetë një institucion shumë i rëndësishëm i financimeve në bujqësi me fondet buxhetore dhe komunitare.

Edhe organizimi i këtyre Panaireve Rajonale, siç është dhe ky i Beratit, në një prej pellgjeve më të mëdha dhe më të mira bujqësore të vendit, ka për qëllim jo vetëm të promovojë produktet tona, por dhe të ndikojë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes për të rritur mbështetjen ndaj bujqësisë, si një sektor me potenciale të mëdha dhe me të ardhme të madhe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora