E premte, 19.04.2024, 06:00 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Faktorët që ndikojnë në turizmin shqiptar

E enjte, 09.05.2013, 09:05 PM


Faktorët që ndikojnë në turizmin shqiptar

Nga M. A. Entela Binjaku - Fondacioni “Harriet Martineau”

Vendet evropiane të ish-Bllokut Komunist hynë në rrugën e tranzicionit nga një sistem i mbyllur, totalitar në një sistem të ri të hapur, demokratik duke u përballur natyrshëm me shumë probleme dhe sfida. Jashtë këtyre ndryshimeve nuk mbeti as Shqipëria. Në këto 20 vite të sistemit të ri, Shqipëria ka përjetuar ndryshime të mëdha politike, institucionale, shoqërore e ekonomike. Ndryshime të tilla sollën, krahas përmirësimit të kushteve të jetës, edhe afrimin e mundësive për të ndërtuar industrinë e turizmit, të panjohur më parë.

Për hir të pozitës gjeografike, Shqipëria konsiderohet një destinacion turistik në bregdetin e Mesdheut. Duke qenë se turizmi konsiderohet si një katalizator i rritjes ekonomike, ai merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Edhe në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) e vendit tonë turizmi ka një kontribut të konsiderueshëm, megjithatë potencialet që zotëron vendi, Shqipëria, janë të atilla sa duhet të kontribuojnë edhe më shumë në të ardhurat e përgjithshme ekonomike të vendit.

Në kuptimin që i jepet sot, për shoqërinë shqiptare, turizmi është një dukuri e re, por si për çdo shoqëri tjetër të mësuar me këtë koncept, mbështet nevojën për rigjenerim të shëndetit, dëshirën për të ndryshuar ambient, nevojën për të kultivuar ndjenjën e së bukurës, zgjerimin e njohurive kulturore historike, vendosjen e lidhjes me natyrën , shtimin e lidhjeve sociale etj., në kushtet kur bukuritë turistike të krijuara nga vetë natyra, apo të ndërtuara nga dora e njeriut, janë një ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm.

Turizmi është industria që përmbush disa kushte të rëndësishme për vendet e zhvilluara në përgjithësi e në zhvillimin e vendit tonë në veçanti. Ato janë:

Efektet ekonomike janë të njohura si kontributi në PBB, të ardhurat si rezultat i punësimit.

Efektet mbi mjedisin: Turizmi mund të ruajë një zonë të mbrojtur e cila mund të ishte shumë e brishtë ndaj zhvillimeve të industrisë.

Ekoturizmi është një koncept shumë i ri i cili synon të ruajë jetën genuine, autenticitetin, traditat kulturore e sociale dhe veçoritë e vlefshme të zonës.

Efektet kulturore: shkëmbimi ndërkulturor është një ndër efektet e njohura.

Efektet politike: Turizmi është një mundësi më vete për të afruar popujt, kulturat, besimet fetare, apo dhe traditat e vendit me ato të vizitorëve të ndryshëm.

Efektet sociale: Zhvillimi i turizmit në një zonë të caktuar ka një efekt me kahe të kundërt: krijon vende të reja pune dhe përmes rritjes së kushteve të përmirësuara ekonomike ndihmon në përmirësimin e roporteve sociale brenda familjeve, por nga ana tjetër orët e gjata të punës dhe shërbimit e zakonisht një program i ngjeshur i punës i bën njerëzit më pak social, dhe në një lloj mënyre bëjnë të heqin dorë nga të shijuarit e jetës së rregullt e të planifikuar.

Qëndrimi i individit ndaj punës, pronës, parasë, administrimit të të ardhurave në funksion të plotësimit të interesave materiale dhe sociale është në themel një diskutim që i prek sociologët. Studiuesit socialë trajtojnë sferën sociale të një veprimtarie prodhuese, ndikimin e faktorëve socialë (emigrimi, edukimi, arsimimi, shkalla e formimit profesional etj.) mbi rendimentin e punës apo prodhimit.

Arsyeja se përse hartuesit e politikave ekonomike e konsiderojnë turizmin si trendin e rëndësishëm ekonomik dhe social të vendit tonë lidhet edhe më rëndësinë e madhe që ka pasur ky element në këto vite tranzicioni, ku shihet si një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave, të mundësive të punësimit, të diversifikimit të ekonomisë, të mbrojtjes së ambientit si dhe të promovimit të shkëmbimeve ndërkulturore.

T? gjitha shtetet kanë përdorur një shumëllojshmëri metodash n? varësi t? filozofisë së zgjedhur për të zhvilluar një turizëm sipas standardeve të kërkuara dhe në përputhje me specifikat që paraqet secili vend.

Elementët socialë të industrisë turistike janë dy: vendasit dhe miqtë. Raporti midis tyre përcaktohet nga kushtet që të parët ofrojnë, kultura që pasqyrojnë në shërbimet që kryejnë, të kuptuarit e mentalitetit të turistit dhe arritja e fitimit vetëm si shpagim i kënaqësisë që ka marrë ky i fundit. Nga ana tjetër, miqtë janë subjekt i padiskutueshëm dhe që kanë gjithnjë të drejtë dhe ky është i vetmi koncept mbi bazën e të cilit turizmi mund të lulëzojë.

Midis këtyre dy grupeve të mëdha qëndron infrastruktura turistike: hotelet, restorantet, agjencitë turistike, shërbimet e transportit, operatorët turistikë, shërbimet e telekomunikacionit, ambienti artistik-kulturor etj.

Ndikimi i kontekstit shoqëror në zhvillimet e ekonomisë së vendit nuk është një dukuri e panjohur, përkundrazi, njihen një sërë veprash që konsiderohen njëherazi edhe si ekonomike ashtu dhe sociologjike. Ekonomia, si një çelës i zhvillimit dhe transformimit të shoqërisë, ka qenë objekt studimi i shumë studiuesve madje shpesh e njëjta vepër është konsideruar edhe sociologjike, si shkencë e lidhur ngushtë me të, edhe ekonomike njëherazi. Jo kaq rastësisht shumë mendimtarë të mendimit sociologjik kanë qenë edhe ekonomistë të shquar (Veberi, Marksi, Pareto, Hume etj.).

 

Edhe pse vihet re një rritje e turizmit të vendit tonë, duhet thënë që kemi ende një rrugë të gjatë përpara. Shqipëria duhet të punojë në shumë drejtime për rritjen e përgjegjshmërisë ndaj vlerave të turizmit, trajnimet në këtë fushë, shtimin e bashkëpunimeve me kompanitë që operojnë në tregun ndërkombëtar, shtimin e publicitetit mbi atë që ofron turizmi në Shqipëri, konsolidimin e frymës së bashkëpunimit midis operatorëve turistikë, liberalizimin e tregut të agjencive ajrore etj.

Turizmi në Shqipëri përbëhet nga turistët vendas, bashkatdhetarët nga vendet fqinje, bashkatdhetarët e mërgimit, si dhe nga të huajt e vendeve kryesisht evropiane. Kështu të gjitha këto grupe shoqërore kanë kërkesa të veçanta në kryerjen e turizmit dhe duhet të trajtohen ndryshe. Madje edhe grupmosha të ndryshme turistësh kanë kërkesa dhe objektiva të veçanta të cilat duhet të merren në konsideratë nga biznesi turistik. Në ekonominë aktuale të tregut, kur çdo aktivitet privat ka tendencë të profilizohet gjithnjë e më tepër në aktivitetin e tij, duhet menduar edhe në turizëm për një profilizim të aktivitetit si rezultat i kërkesave specifike të turistëve të ndryshëm. Do të ishte e pamundur që, për shembull, një familje në Malësinë e mrekullueshme të Valbonës të mund të plotësonte kërkesat e një grupi turistësh të huaj të moshës së re, së bashku me një grup turistësh nga Tirana në një moshë të thyer, e kështu me radhë. Ndryshimet e mëdha midis kërkesave të tyre na bën të mendojmë se profilizimi i bizneseve të ndryshme për kategori grupmosha dhe subjekte të ndryshme do të ishte më efikas. Për këtë është e nevojshme që nën dritën e rekomandimeve të specialistëve të fushës, të hartohen e të ndërmerren nisma të tilla që të shmangin dukuri të padëshiruara duke shtuar aktivitetin.

Nga ana tjetër, bizneset turistike duhet të krijojnë lidhje të vazhdueshme me operatorë të ndryshëm turistikë, jo vetëm për sigurimin e turistëve e kësisoj të zhvillimit të bisnesit të tyre, por edhe për të përvetësuar një kulturë të domosdoshme turistike. Shembulli i haneve të Valbonës të cilët janë instruktuar më së miri nga zonja Catherine Bohne, është një shembull i rëndësisë së kulturës turistike në vendin tonë.

Në Shqipëri vitet e fundit janë bërë mjaft përpjekje për arritjen e kontakteve profesionale mes agjencive vendase të turizmit dhe atyre të huaja. Pjesëmarrja e vazhdueshme në panairet turistike në çdo vend ku ato zhvillohen, si Gjermani – Berlin, Itali – Milano, Tel Aviv – Izrael etj., është një shenjë e kuptimit të rëndësisë së koordinimit të operatorëve tanë turistikë me ata të huaj. Por pritshmëria e rezultateve është akoma shumë më e madhe se sa efekti që këto kontakte kanë arritur.

Tërheqja e turistëve të huaj do të ndikojë që Shqipëria të shfrytëzojë kapacitetet turistike për të garantuar një përfitim maksimal nga futja e valutës së huaj, dhe do të ndikojë në funksionimin e sektorit të turizmit në Shqipëri me të njëjtat parime, me të cilat funksionon industria e turizmit në botë.

Politika e çmimeve, si pjesë e rëndësishme e kulturës në biznesin turistik, mbetet një nga elementët më të ndjeshëm, nga njera anë në rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë, nga ana tjetër e rritjes gjithashtu të të ardhurave nga ky aktivitet. Nëse kostoja e përgjithshme për një turist do të ishte më e madhe apo qoftë edhe e barabartë me koston e tij në bregdetin e Greqisë, për arsyen e propagandimit prej dekadash, traditën dhe emrin e mirë që ka fituar ky vend turistik, çdo turist do të preferonte që paratë e tij t’i shpenzonte në Greqi, por nëse çmimi do të ishte më i ulët, kurioziteti për të vizituar një vend pak të njohur, plazhet e virgjëra dhe mikpritja do të ishin arsye të forta për ta tërhequr çdo turist në vendin tonë

Gjithashtu, publiciteti në industrinë turistike është akoma në hapat e para e madje edhe konceptet mbi të janë ende larg me atë që realizohet në vendet e zhvilluara turistike. Të investosh për publicitetin, në konceptin e shumë operatorëve tanë të turizmit do të thotë të harxhosh para, ndërkohë që duhet kuptuar se është një investim i cili do të japë frutet e tij menjëherë. Kështu, p.sh., promovimi i vlerave kulturore të vendit do të shërbente si një mënyrë më e mirë për njohjen edhe të potencialit turistik të Shqipërisë dhe zgjerimin e këtij aktiviteti.

Nga ana tjetër, praktika evropiane na mëson se turizmi është ngushtësisht i lidhur me artin dhe kulturën. Festivalet, ekspozitat, koncertet apo aktivitete të ndryshme artistike në vendet e zhvilluara turistike si Itali, Francë etj., realizohen në qendrat turistike dhe kryesisht në periudhat e sezoneve turistike. Në Shqipëri, megjithëse flitet mjaft për ngritjen e aktiviteteve artistike në qendrat turistike, kjo ide është reduktuar në ndonjë koncert spontan, me nivele pothuajse amatore apo në diskot e hapura në plazhe.

Një ndër faktorët e rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në vendin tonë është qëndrueshmëria në kohë e disa elementëve të lidhur ngushtë me të siç janë uniciteti i produkteve, cilësia e lartë e shërbimit në plotësim të nevojave të grupeve të synuar.

Dihet se ndryshimin e mundësojnë njerëzit, dhe këtu fjalën e kemi për punonjësit dhe sipërmarrësit. Ata janë burimi me anën e të cilëve përmbushen kërkesat e turistëve. Nëse sipërmarrësit janë trajnuar sipas kërkesave të kësaj industrie, edhe mënyra e tyre e të punuarit ju mundëson ngritjen e strukturave tw posaçme, twrheqwse duke aftësuar personelin e punësuar në drejtim të shërbimeve që kanë në qendër  dhe si qëllim përfundimtar, kënaqjen e kërkesave të turistëve.  Natyra e bukur, traditat kulturore, gatimi tradicional, mund të shërbejnë si një burim i rëndësishëm me qëllim rritjen e interesit të turistëve si vendas ashtu edhe të huaj.

Pra, përvoja e vendeve të zhvilluara turistike na mëson se rritja e turizmit kërkon së pari kulturë dhe më pas kushte të përshtatshme për t’u zhvilluar. Në pikëpamje kulturore, mikpritja Shqiptare është një bazë e mirë nga e cila mund të zhvillohet turizmi individual apo familjar, por turisti nuk është më një mik, por një subjekt i cili kërkon përveç të tjerash pavarësinë dhe intimitetin e tij, apo atë që quhet “privacy”, kërkon marrëdhënie brenda mentalitetit të tij, kërkon kushte në të cilat është mësuar të kalojë pushimet si dhe të zbulojë të reja natyrore, historike, artistike, kulturore, sportive etj., të cilat do të mbushnin pushimet e tij aktive dhe do ta shndërronin atë kështu në një publicitet të gjallë për të ardhmen.

Në kushtet e një marketingu të ndërgjegjësuar dhe të përgjegjshëm, me burime njerëzore të cilësisë të lartë, nëpërmjet një plani krijues të produktit, një klimë biznesi me rregulla të qarta loje dhe me stukturë të qartë të përshtatshme për një qëndrueshmëri afatgjatë.

Në përfundim mund të konkludojmë se faktorët e rritjes së turizmit në vendin tonë janë të shumtë dhe të tillë që bashkëveprojnë me njëri- tjetrin. Vetëm harmonizimi i tyre mund të krijojë ekuilibra të favorshëm dhe rezultativ, ndërkohë që vlerësimi i caktuar vetëm në disa prej tyre nuk do të sillte asnjë rezultat pozitiv.

Turizmi shqiptar në përgjithësi po bën hapa të rëndësishëm përpara dhe nga një vend i pasigurtë dhe i panjohur për turizmin, po kthehet në një atraksion real i cili ka shumë gjasa të rritet me kalimin e kohës Në këtë moment, theksi më i rëndësishëm i duhet vënë ngritjes së mëtejshme të kulturës së gjithë elementëve të industrisë së turizmit, si dhe lidhjes së tij me idetë më të avancuara të vendeve të zhvilluara.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora