E premte, 29.03.2024, 10:32 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Të persekutuemit a kanë pasqyrë?

E merkure, 08.05.2013, 07:05 PM


  PERSEKUTUEMIT  POLITIK  A  KANË  PASQYRË ?...

Nga Fritz RADOVANI

Ata që provuen plumbin dhe hunin…pjesa ma e madhe u “harruen” ose ikën me kohen… Ka shumë nga ata që me dashje “nuk i kujtohen” as hetuesit, gjykatësit apo drejtorët e kampeve të shfarosjes… Nuk i kujtohen as kur i takojnë në rrugë apo në ndonjë kafe... Nuk i kujtohen!!

Mendoj me vete dhe shpesh kam pyet “si ngjet kjo gja aty, ku na rrethonin 26 burgje !?”

Unë isha fëmijë kur Ahmet Suji erdhi dhe arrestoi vllaun...pikrisht me 10 maji 1950, apo kur, Nana ime më merrte me vete tek burgu i Kishës së Fretenëve në Gjuhadol në Shkoder, dhe tek dera dilte me sofratasa në dorë katili Dulaç Lekiqi apo Elez Mesi me zagarë dhe na i hudhte si kafshëve, “na merri...ik tashti, tjetri...”, dhe vazhdonte vargu i pafund i nanave, motrave e grave t’ atyne të mjerëve që ishin aty dhe kishin ditët e numrueme nga diktatura ma e mnershme që ka provue Shqipnia! As kjo nuk i kujtohet shumkujt që humben t’ afermit e tyne të dashtun!

Shtëpijat e kthyeme hetuesi, burgje e qendra torturash të kudondodhuna në qytet mbollën frikë, po me té, edhe urrejtjen e perjetëshme per sistemin komunist që kishim mbi kokat tona.

Bashkë me edukaten familjare të dashnisë per Atdheun dhe Gjergj Kastriotin, foto e të cilit qendronte gjithmonë në krye të vendit në dhomen e pritjes, ishte edhe edukata fetare që nuk ndahej per asnjë çast nga mësimet që na jepnin të moshuemit tanë. Këta virtyte nguleshin prej Tyne në Shpirtin tonë me një durim të pashoq. Në shkolla, rruga, apo sa njeriu vinte kambën jashta derës së oborrit fillonte propaganda per urrejtjen dhe krimin. Askund nuk shihej e drejta. Mashtrimi dhe rrena apo gënjeshtra u mësonin nder shkolla. Provat flasin edhe sot me librat dhe të gjitha botimet mbas vitit 1944, të shperndame në të gjithë boten edhe até Perëndimore. Po né që ishim mbrenda telave me gjemba, ku do ta mësonim të Verteten!? – Vetem nga prindët tanë! Ata edhe pse ndodheshin mes dy zjarreve: Çka me na dhanë me hangër në drekë apo çka me na ushqye shpirtnisht, per me na ruejtë nga ndjenja e frikës apo e terrorit që mbizotnonin kudo dhe që ishte burim i të gjitha të zezave per gjithë jeten, tue fillue nga agjentura në sigurimin e shtetit, e deri tek humbja e fisnikërisë së krishtenë dhe e ndjenjave qytetare të trashigueme në familje.

Gjyshja na fliste per të Parët tanë, per jeten e vështirë të tyne, per zemergjansinë që duhet të trashigojmë prej Tyne dhe si duhet të mundim të keqen që na rrethonte nga komunizmi barbar. Ajo kishte mësue shkrim e këndim në shkollën e Kush’ Mices rreth viteve 1880, dhe na thonte se sa shumë virtyte kishte humbë Shqipnia nga pushtuesit turqë, e prap ma vonë nga veglat e tyne, që vazhdonin me sundue Popullin Shqiptar. Dhunuesit nuk e donin pushtetin vetem per t’u quejtë pushtues e sundues hajdutë, po edhe per me shkatrrue vlerat tona morale, kulturore, shpirtnore e ato kombtare, me humbjen e të cilave Shqiptari, një ditë... do të “puthte” edhe prangat e veta!

Ishte mundue gjyshi im Pjeter Prennushi, me u dhanë shkollë fëmijëve! As nuk i shkonte kurrë mendja se djelmët e vet universitarë mbas vitit 1944, do të provonin ferrin komunist në hetuesi, burgje, kampe shfarosje, interrnimi, e besa, dhe vdekjen e djalit të madh Don Kolecit, nga vuejtjet e torturat në sigurimin e Shkodres, të cilin, e masakroi me duertë e veta terroristi që nuk besoj se e harron kurrë qyteti i Shkodres, kasapi kriminel Zoi Themeli. Mija e mija Shqiptarë kaluen nder ata podrume e labirinte tmerri, prej të cilëve shumë prej Tyne nuk u kthyen kurrëma!

Fatkeqsisht, edhe Ata, që mujtën me u kthye tek votra e vet e rrenueme e jo pak e dhunueme shpesh edhe moralisht, një pjesë u kthyen të tjetersuem. Ndoshta, një “deklaratë” e marrun me dhunë në tortura vazhdoi me i mbajtë “rob” edhe kur duhej të mos u topiste me kenë Burrë, me tregue: “Nenshkrimi i asaj deklaratë” më ndjekë mbrapa! I mungonte forca e karakterit dhe guximi me u “Rrëfye” botnisht!! “Harrojnë” se pranë saj asht Falja!

“Harrojnë” se, pasoja e kësaj mungese me u “Rrëfye”, mbulon nen guaskën e vet shumë emna me të gjitha poshtersitë e tyne si hetues, gjykatës, agjentë dhe të gjithë ata bisha e torturues që i kanë sherbye barbarisht me dhunë e terror diktaturës Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, po dhe emnat pasuesëve që sot në vend të flamurit marksizem – leninizmit kanë shpalosë paturpësisht një tjeter flamur të robnuesit,  ate të “vëllezërëve të gjakut të vet”, të anadollakëve turqë.

As këte nuk e kuptojnë të persekutuemit politik?! Çdo veper Burrnore duhet t’ ua mbushë mendjen se asht dashje ose padashje “një hapje dosjesh” per vrasësit e terroristët e kudondodhun deri në sferat e nalta të shtetit, nder gjykatat e nalta apo postet ma të nalta qeveritare.

Vetë emni i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, të ban me u mendue se per ke ban fjalë kjo Shoqatë!? Shoqatë të Persekutuemish politik… por edhe “Antikomuniste”, po, të persekutuemit politik komunistë, në cilen Shoqatë bajnë pjesë?! Nuk mjaftohen me kaq, po edhe “Demokratë”. Po “antidemokratët” a kanë Shoqatë?! Dhe fjalen të “Persekutuem” e kanë kthye në të “Perndjekun”… Të gjitha këta epitete janë vue per me u “perça” dhe me i coptue në disa grupe, si e si me u krijue lehtësi pushtetarëve “me i sundue”. Kjo

u intereson perçarsëve se me disa kafshata që ata ua hudhin si qenëve, shumë prej tyne që i drejtojnë këto shoqata, vazhdojnë skllavnimin e vet.  Po të gjithë të persekutuemit janë kthye në “qenje të pavetdijshme”, që nuk e kuptojnë  veten “plaçkë” të dhunuesëve barbarë të djeshem?!

Të persekutuemit politik sot mbas 22 vjetësh mashtrim të qeveritarëve “demokrat apo socialist” si thotë populli “një m…ollë e ndame dyshë”, nuk duhet assesi me u identifikue me mashtruesit dhe me ata që per 70 vjet i poshtnuen, i vorfnuen e i shnderuen, po me guxim e force duhet të ngrisin zanin e tyne. Zani i tyne asht zani i mashumëse gjysë miljoni Shqiptarë, që u masakruen nga terrori e komunizmi, e sot bahen objekt tallje i një grupi hajdutësh kapitalisto – komunistë e anadollakë, të cilët, të gjitha interesat e tyne i kanë të lidhuna me kolltukun dhe shkombtarizimin e Shqiptarëve në sherbim të kujtdo që ua mbushë xhepat e tyne...

Po afrohen votimet tjera...Po per ké mendojnë me votue tashti të persekutuemit politik?!

Cila parti, cilët deputetë, apo cili president tash 22 vjetë ka mbrojtë interesat e atyne që u persekutuen nga komunizmi, dhe as nuk i shkon mendja asnjenit me ua hjekë titujt apo dekoratat e fitueme me krime dhe vrasje nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha e vrasës tjerë?!

Mos heqja e titujve e dekoratave asht parathanje e një robnije të re!

Para se me shkue nder votime, a e shihni veten në “pasqyrë” bré burra...?!

22 vjetë, që ASNJË i persekutuem politik “nuk ka mujtë” me pergatitë djalin apo vajzen të shkolluem në universitetet Perëndimore, per me u kandidue në forumet e nalta të Shtetit!?

Kjo ngjet se para se t’ aprovohet një parti politike ma perpara mendohet “drejtuesi i saj”,

shumica e të cilëve, ashtu si mjaft shoqata të persekutuemish, drejtohen nga të “preferuemit”.

Po diaspora, çfarë i ka ndihmue të Persekutuemit politik në këte drejtim?! – Asgja!

Diaspora po, u ka hapë dyertë Ramiz Alisë e pasuesëve të tij në të gjitha shtetet e botës, e per fatin e keq kur i percjellë në aeroporte nga “permallimi” ua futë edhe nga një zarf në xhepa, që shpesh, ai asht “falnderim” per mos hapje dosjesh të veprimtarisë së tyne si agjenta të vjeter.

Janë pikrisht “ata”... me të cilët “E.Hoxha e R. Alia kanë ruajtë lidhjet e vjetra...”

A mundët me kenë edhe kjo një arsye që jo vetem nuk hapen “dosjet”, por “dyllosen” që mos të guxojnë kush as me e diskutue hapjen e tyne, e çka asht edhe ma turp e poshtersi që sot në Europën Lindore, të vetmit janë Enver Hoxha e Ramiz Alia që ruejnë dekoratat e titujt “Hero i Popullit” etj..! A e pyesin veten ndonjëherë Shqiptarët kur shtrohen nder biseda të pafund dhe të kota nder kafe apo bulevarde...të pakten, kur edhe ndonjë gotë raki ua ka torollosë trunin?

Presidentët, Kuvendi Popullor dhe qeveria shqiptare, stimulojnë me paturpësi “hipotekat ma të ngarkueme me agjenturë”, perderisa Shqipnia sot, asht i vetmi vend diktatorial në të gjitha shtetet e Europës Lindore jo vetem, që nuk hapë dosjet, por edhe i “zgjedhë” në organe shtetnore njerzit që i kanë sherbye sigurimit të shtetit. Sigurisht, me këte ata sigurojnë skllavërinë!

E cili diktator i shekullit XX ka ba mbi popullin e vet ate çka kanë ba këta bashkë me të gjithë pasuesit e tyne barbar e kriminela, pikrisht këta, per të cilët votoni ju sot?!

***

E mendja si padashje më shkon tek Dera e Ferrit e Dante Aligierit:

“KËNDEJ  KALOHET    QYTET  T’ MJERIMIT,

KËNDEJ   KALOHET  N’  DHIMBJEN  PA  KUFI,

KËNDEJ  KALOHET  N’ SHPIRTNAT  HUMBUN SHQIMIT.

KRIJUESIN  TIM  E  SHTY’  DREJTSIJA  E  TIJ:

VETË  PUSHTETI  HYJNOR    KA SAJUE,

MA  E  NALTA  DIJE,  E  PARA  DASHUNI.

PARA  MEJE  GJA  TJETER S’ U  KRIJUE

VEÇSE E PËRJETSHME, - E UNË  QENDROJ  PËRJETË:

O  JU QË  HYNI MBRENDË, KENI  MBARUE!”

Vertetë “keni mbarue”?!.. – Të shohim në Qershor!

Kjo ngjet me të gjithë ata që turpin vazhdojnë me e pasë per “nder”, e “nderin” per turp të vetin dhe të trashigimtarëve të vet. Kjo asht pasojë e asaj që “në Shqipni nuk ka drejtësi!”

Koha zbuloi prej veprave tyne të poshtra, ma shumë se na ka shkue mendja ne!

Unë do t’iu kujtoj vetem një gja bashkatdhetarëve të mij të persekutuem:

“Edhe tallja e sotme... asht vazhdim persekucioni per ju!”



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora