Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Paulin Selimi

| E enjte, 29.12.2005, 07:21 PM |


Flet shkrimtari i skeçeve, Paulin Selimi

“Përse s’ka më humor si në kohët e shkuara”

Zef Pali Tirana Observer

Shumë kush e kujton skeçin e famshëm të Zef Dedës “Kunati i shokut Xhemal” dhe pak kush është në dijeni se kush është autori i tij. Përveçse në Shkodër, atje njihet si numri një i humorit shkodran, Paulin Selimi është sot në një pozicion tjetër, mbase disi larg profesionit të një shkrimtari humori, por jo larg artit. Drejtor i shkollës artistike “Prenkë Jakova” jep kontribut në një fushë tjetër të artit, atë të përgatitjes të talenteve të reja në muzikë dhe në artet figurative. Selimi sheh me dhimbje zbehjen e humorit në Shkodër, që është djepi i tij. “Kunati i shokut Xhemal” (i njohur nga populli si “Xhemal katunari”), “Kola i dritave”, “Kushëriri nga Amerika”, “Jepi mami”, mbajnë pikërisht vulën e të mirënjohurit Paulin Selimi. Ka dhënë mjaft për humorin, por Paulin Selimi nuk do të ndalet me kaq. Ai nuk ka reshtur asnjëherë së gjeturi subjekte të bukura për t’i vënë në skenë me trupa të ndryshme. Aktualisht, shkrimtari është duke punuar disa materiale për skenare të filmave humoristikë. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Selimi rrëfen krijimtarinë e tij, fillimet e gati shuarjen e ngadaltë drejt të cilës duket se po shkon humori.
Sot jeni ndër penat e njohura të humorit. Kur zë fill krijimtaria juaj humoristike?
Shkrimet e para i kam bërë kur isha student, në vitin 1965, në gazetën “Studenti”. Ishin një sërë fejtonesh dhe pamfletesh, të cilat ishin si shkrime sporadike nga ana ime e jo se kisha krijuar bindjen se do të bëhesha shkrimtar. Në atë kohë kam lëvruar edhe poezinë serioze, por këshillat e dy studentëve, poetë të rinj atëherë, Xhevahir Spahiu dhe Spiro Dede, më bënë që të merresha me humor dhe që atëherë i hyra kësaj fushe, duke filluar në një rrugë pothuajse të pashkelur në prozë. Fillova me skicat, tregimet, novelat dhe më pas u lidha me estradat, duke shkruar skeçe, monologë, komedi, ku interpretimi me mjeshtëri i aktorëve profesionistë më solli një kënaqësi të veçantë. Librin e parë e shkrova më 1972-shin dhe për koincidencë pata recensent shkrimtarin e madh, Dritëro Agolli, i cili bëri të mundur që libri të kalojë censurën e botimit. Prezantimi i parë i këtij libri u bë me 6000 kopje, të cilat u shitën shumë shpejt. Për këtë një meritë të veçantë pati edhe karikaturisti i madh Tef Palushi, që e ilustroi kopertinën e librit me një nivel të lartë artistik dhe tepër modern për kohën, sa që i futi në grackë lexuesit që nxituan për ta blerë atë.
Pse u lidh Paulin Selimi me humorin. A ndikoi këtu fakti që jeni shkodran?
Natyrisht të qenit shkodran është të qenit shkodran. Madje unë mund të them se ky është faktori kryesor, qyteti i lindjes, qyteti i humorit, Shkodra. Kam lindur në lagjen “Gjuhadol” të këtij qyteti, që ka nxjerrë shumë figura në fusha të ndryshme dhe veçanërisht në atë të humorit. Dashje pa dashje në këtë mjedis, ku humori kalonte nga dyqani në dyqan, u rrita unë dhe në indet e mia u fut humori i mrekullueshëm shkodran, të cilin më vonë e reflektova në krijimtarinë time, kuptohet pa mohuar kulturën e të shkruarit, pasi kam mbaruar Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe përveç kësaj kam lexuar me mijëra libra, duke mos përjashtuar ato humoristikë, duke filluar nga Aristofani, Volteri, Molieri, Servantes, Çehov e të tjerë, të cilët ma plotësuan lukun humoristik. Do të thosha se leximi për shkrimtarin është si stërvitja për lojtarin, jo për plagjiaturë apo epiganizëm, por ta mban gjithmonë ndezur mekanizmin e shkrepjes.
Sot të gjithë ankohen se nuk ka më humor si në kohërat e dikurshme. Sipas jush, cilat mund të jenë shkaqet?
Humori i sotëm ka hyrë në hullinë e uljeve dhe ngritjeve, kjo për pasojë të ndryshimit të sistemit, të konjukturave dhe të koncepteve. U çmitizuan disa mite të humorit që ishin fryrë me pa të drejtë dhe dolën në pah disa të tjerë, që ishin lënë në hije padrejtësisht. Vë re se në disa raste ka humor banal, pa ide, ose e thënë ndryshe humor tavolinash, si dhe po bie në sy rruga e shkurtër e marrjes së humorit të huaj dhe duke e “transplantuar” në humor shqiptar, duke bërë që të hyjë në garë një humor pa autor. Më vjen keq që kohët e fundit po botohen pak libra me krijimtari humoristike, në një kohë që publiku pret akoma nga Dritëro Agolli, Qamil Buxheli, Dionos Bubani, Pëllumb Kulla etj., duke mos harruar edhe të rinjtë që shkruajnë për spektakle të ndryshme pa u dalë emri fare. Mendoj se mungesa e shfaqjeve të këtyre estradave vjen për arsye organizative. Një pjesë e madhe e shkrimtarëve të humorit nuk shkruajnë më për to, pasi tani shikohet dhe ana ekonomike, pagesat dhe honoraret që ofrojnë këto estrada janë me të vërtetë qesharake. Për ta konkretizuar këtë fakt, mund t’ju them se një skeç i shfaqur disa herë nga një trupë estrade profesioniste e vlerëson skenarin me 10 euro, ndërsa pagesa në shfaqje private është rreth 50 herë më e madhe. Kjo është edhe arsyeja kryesore që regjisorë të mëdhenj si Bujar Kapexhiu, Sheri Mita, Koço Devole etj., janë larguar nga estradat profesioniste, duke bërë që niveli artistik i shfaqjeve të tyre të ulet ndjeshëm, me përjashtim gjithmonë të ndonjë shfaqjeje që bëhet me projekte.

Kush është Paulin Selimi?
Paulin Selimi është një ndër shkrimtarët më të mirë të humorit, jo vetëm shkodran, por edhe atij shqiptar. Ka lindur në qytetin e Shkodrës, në vitin 1947. Studimet e larta i mbaroi në 1969, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në degën Gjuhë–Letërsi. Ka punuar për vite me radhë si mësues i letërsisë, për t’u emëruar më pas në vitin 2002, drejtor i shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër. Në periudhën 1991 - 2001 ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shkodrës dhe për vite të tëra ka punuar si bashkëpunëtor i radios, televizionit, shtypit si dhe i skenave të estradave. Shpërblim i punës së tij krijuese ishte dhe dekorimi i bërë nga Presidenti i Republikës në vitin 2002, me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Krijimtaria e tij në zhanrin e humorit filloi të marrë vrull që pas viteve ‘70, ku firma e tij u shfaq pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat e asaj kohe, jo vetëm për vlerat e padiskutueshme të shkrimeve të tij, por edhe sepse humori ishte dificitar. Materialet e shkruara nga Pualin Selimi përfshijnë një gamë të gjerë, ku numërohen me qindra pjesë të vëna në skenë, duke filluar nga grimca, dialogu, monologu, eseja, pantonima, skeçi, komedia me një akt, Vadevil (skeç muzikor) e deri te skenari i filmit artistik, vepra këto të vëna në skenë jo vetëm në Shkodër, por edhe në rrethe të tjera të vendit si në Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Elbasan etj. Në shtypin e kohës, si dhe në libra numërohen të botuara rreth 300 tregime humoristike, ku një pjesë janë përkthyer edhe në gjuhë të huaj e veçanërisht në bullgarisht. Paulini ka marrë edhe shumë çmime të ndryshme kombëtare për vëllimet me tregime, skeçe etj. Selimi është autor i disa librave me tregime humoristike, si “Gati orkestra”, botuar në 1972, “Një skeç për veten”, botuar në 1977, “Banor i shkallës së lartë” i botuar në 1981, “Nuk shihet fytyra vetëm te pasqyra” e nxjerrë në qarkullim në 1985, “E drejta e natës së parë” (dy botime) 1994, “Duel gjelash” 1997 etj.

Medaljet e Selimit
Tre vjet më parë, Paulin Selimi nderohet me medaljen e artë “Naim Frashëri”. “Më mirë vonë se kurrë. Thinjat e bardha shkojnë më shumë me arin e dekoratës”, tha Selimi me 30 vite karrierë mbi supe. Medalja i është dorëzuar shkrimtarit të njohur, në kohën kur Rexhep Meidani ishte Presidentit i Republikës, me motivacionin: “Për kontribut të shquar 30-vjeçar, si shkrimtar i humorit, duke ndikuar direkt në rritjen dhe zhvillimin e estradave profesioniste dhe amatore”. Medalja e artë nuk është e vetmja e marrë gjatë karrierës së gjatë të Selimit. Kështu, në vitet ‘81, ‘84, ‘87 dhe ‘89 merr çmime kombëtare për librat e tij apo dhe dekorime.
Humori shkodran dhe jo vetëm ai i 10-vjeçarit të fundit, lidhet direkt me emrin e shkrimtarit Paulin Selimi, i cili ka firmosur pjesë të tilla si “Kunati i shokut Xhemal”, “Kola i dritave”, “Pas mullarit”, “Kushëriri nga Amerika” etj., duke bërë që këto të ngelin si perla në fondin e humorit shqiptar.


Paulin Selimi: Humori buron nga jeta e përditshme

Paulini lindi në Shkodër në 1947. Në Shkodër ka mbaruar 7 vjeçaren dhe gjimnazin, kurse studimet e larta i ka mbaruar në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë në 1969. Për vite me rradhë ka punuar si mësues i letërsisë, kurse nga 2002–shi është drejtori i shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër. Nga viti 1991- 2001 ka qënë Kryetari Lidhjes së Artistëve të Shkodrës. Për vite me rradhë ka qënë bashkëpuntorë i radiove, televizioneve, shtypit dhe i skenave të estradave. Prej tij aty janë vënë në skenë qindra skeçe, monologje, komedi me një akt etj. Ka marë disa çmime kombëtare në konkurset e ndryshme. Pjesë nga humori i tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në 2002-shin është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Naim Frashëri” i Artë për krijimitarinë letrare. Ka botuar këto libra me tregime humoristike: “Gati orkestra ”1972, “Një skeç për veten” në 1977, “Banor i shkallës së lartë” 1981, “Nuk shihet fytyra vetëm tek pasqyra” (epigrame) në 1985, “E drejta e natës së parë” në 1994 dhe “Duel gjelash”në 97 dhe 99-tën dy botime.Çfarë mund ti shtoni kësaj CV-je tuaj?
Kam lindur në Gjuhadol, dhe kjo ka qënë një rrugë ku kam pasur fatin të ketë dyqane , mejhana , berberë, këpucar, filozofë, piktorë muzikantë, pra një rrugë që ka nxjerrë shumë njerëz dhe personalitete të shquar nga të gjitha fushat. Kështu dashje pa dashje përditë duke dëgjuar ato barcaleta, humore dhe poezi unë u formova në këtë rrugë. Pikërisht si te romani “Djemt e rrugës Pal” edhe ne ishim djemtë e kësaj rruge së cilës dikush tani po i kushton një libër për të gjithë personalitetet që ka nxjerrë kjo rrugë. Kurrë nuk kam pasur mendim se do të bëhem shkrimtar i humorit sepse kam pasur profesor shumë të mirë në letërsi. Kur isha i ri jam marrë edhe unë me poezi. Mbaj mend dy poetë të njohur Xhevahir Spahiu dhe Spiro Dede të cilët më thanë: “Paulin ti pse nuk merresh me humor?” Pse i pyes unë të merrem me humor se jeni ju nga jugu, prandaj duhet të shkruani poezi? Jo më thanë, por se ti ke humor dhe je “njish në humor”. Kështu që ata u bënë sebep, duke qënë studenta dy vjet më të mëdhej se unë, që të shkruaja, jo vetëm për qef, humor. Krijimet e para i kisha në Kukës me regjizor Ndoc Cefën. Më thënë të drejtën “fillova me shkrujtë” që njerëzit të kuptonin për të më sjellë në qytet. Këtu filloi rruga ime e cila vazhdoi edhe me skenën, radion dhe televizionet në të gjithë Shqipërinë.
Bashkëpunimi është shtrirë në të gjithë vëndin, po famë filluat të merrnit?
Nuk ka estradë në Shqipëri që nuk kam bashkëpunuar , por në atë kohë ka “pasur këtë të mirë”se nuk ka dalë kurrë emri i autorit. Ka dalë aktori, por regjisori ka qënë në mbrapaskenë. Biles krijimin e para disa viteve “Mbas mullarit” askush nuk e dinte se ishte i imi dhe se regjinë e kishte bërë prof Serafini.
Mund të më thuash lidhjen e humorit që bëhet dhe atij që shkruhet?
Patjetër që kanë një lidhje , por nuk duhet me harru se gjithmonë e para është fjala, dmth-në krijimtaria është A-ja, B-ja është regjosori dhe C-ja është aktori. Pra një regjozor i mirë din të ekslorojë mirë materialin dhe të ndajë rolet. Ky është suksesi, sepse kur prishen këto të tre konponentë skemi gjë. Kur kemi regjisor të mirë dhe vepër të dobët dhe në të kundërtën një vepër të mirë dhe regjisor të dobët vepra prishet. Ai regjisor që ka arritë të harmonizojë krijimitarinë me intepretimin dhe vënien në skenë ka pasur gjithmonë sukses. Unë kam pasur fat që Shkodra ka pasur regjizor të mirë dhe aktor të talentuar, duke bërë kështu që krijimitaria të dalë me nivelin e saj të mirë. Por nuk duhet të harrojmë se pa një krijimtari të mirëfilltë, nuk do të kemi atë kështjellën e humorit të sotëm.
Profesor Paulini, pa ju hequr asnjë milimetër aktorëve të Vlorës në talentin e tyre. A do të nxirrinin një skeç tëndin me po atë forcë si në Shkodër?
I kanë luajtur dhe shkëlqyeshëm Si Vlora, Fieri dhe Lushnja. Unë kam pasur këtë të mirë se jam frymëzuar nga Shkodra , por humorin nuk e kam lënë si zhargon. Ky lloj humori është pëlqyer dhe është vënë në skenë si nga jugu dhe veriu. Shumë herë kanë vënë pjesë të miat si Gjergj Vlashi në Durrës, Bujar Kapexhiu në Tiranë , Sheri Mita në Berat apo Pëllumb Kulla në Fier, duke më dhënë kënaqësi të madhe. Unë kam bashkëpunuar në Shkodër jo vetëm me estradën, por edhe me amatorët dhe them se ka qënë gabim ky emër, sepse kanë qënë shumë të zot.
Diçka për talentin?
Talentin ta fal zoti dhe mund të bëhesh, kurse për tu bërë regjisor dhe shkrimtar përveç talentit duhet punë dhe përkushtim. Talentet nuk mund të dalin në pension si përshëmbull regjizorët.
Profesor Selimi, po të ndajmë periudhën e humorit para dhe mbas 90-tës, a mund të thuhet se ka dallime?
Tashti, mund të them se para viteve 90-të humori ka qënë më i vështirë, ka kaluar në disa konjuktura dhe disa rregulla. Duhet thënë se kur ke “ba nji material ashtë dashtë me e pëlqy kolektivi” mbas kolektivit duhet ta pëlqente regjizori, mbas tij organizata e partisë dhe këshilli artistik. Por pastaj vinte drejtoria dhe komiteti eksekutiv dhe i partisë, duke kaluar në shumë hallka. Megjithë këto hallka të shumta , ai që ka qënë shkrimtar i zoti ka pas mundësi që të kalonte diçka që për sot mund të quhet e guximshme. Pra, shkrimtari është munduar të flasë me gjuhën e Ezopit, me metaforën dhe simbolin dhe jam i kënaqur që duke qënë se kam shkruar në të dy kohët, një pjesë e asaj veprimtarie me ka mbetur, sepse ka pasur raste kur duhej të ishe shumë konjuktural dhe sot duhet të më vinte turp pse e kam shkruajtur. Kurse sot ka më shumë liri dhe jo këto kontrolle, por ka shumë abuzim. Duke pasur këtë liri shumë “shkrimtarë” abuzojnë duke dhënë vepra pa vlerë dhe me banalitete, krejtësisht pa ide. Unë e kam të vështirë të shkruaj megjithse sot jam i lirë, sipas shijeve të X televizionit dhe X personi. Unë do të shkruaj gjithmonë humor me ide dhe jo banal.
Ka ndonjë ndryshim rrënjësor nga Estrada te Show që bëhet sot?
Duhet të ketë një unitet të formës me përmbajtjen. Sot mund të ndodhë të shohësh një shfaqe 1 orë dhe në fund nuk di asgjë të tregosh, sepse vetëm ke qesh me batutat. Ky mund të jetë një humor me u lexu dhe nuk mund të mbahet një spektakël me barcoleta. Çfaqet , spektaklet dhe komeditë merren me gjëra të mëdha dhe kanë një subjekt dhe një kompozicion, trajtojnë tema. Ndërsa në disa Shoë e kanë kollaj me kalu, sepse e trajtojnë humorin si në një tavolinë.
A është vështirë për të bërë humor?
Humori është më i vështirë, sepse po të shikosh edhe sot që ka inflacion prodhimtarie, në humor ka pak. Po ta marrim që nga lashtësia me Aristofanin e deri në letërsinë franzeze, del se vetëm Shekspiri është ai që ka shkruajtur dhe tragjedi dhe komedi. Por unë mund të them se humor i vërtetë është ai që ka brënda tragjiken dhe komiken. Kur ndërthuren të dyja. Kur ti qan, se nuk je i zoti me qesh dhe qesh se nuk je i zoti me qa. Kurse të tjerët janë humore limonatë apo koktej. A mund ta krahasosh koktejin me rakinë? Megjithatë koha do të tregojë. Unë them se ai që nuk di të bëjë humor mbështetet te banaliteti. Unë kam 30 vite që shkruaj humor dhe bëj humor, por nuk mbështetem te banalia.
A bëhet humor me banalen?
Patjetër, sepse ka popuj dhe tradita të ndryshme , por ne jemi mësuar me një humor tjetër Biles edhe humori anglez kur merret me banalen e ka me nënkuptim.
Çfarë po bëni tani profesor në punë dhe në drejtim të humorit.
Po punoj me një kolektiv artistash që është zemra e qytetit në fushën e muzikës në skulptur dhe pikturë. Kemi marrë çmime dhe kemi nxjerrë talente, por duhet më shumë përkrahje. Janë 450 nxënës dhe ka vështirësi, por do ti kalojmë. Kam disa bocete të filmave humoristikë. Kam disa botime dhe jashtë nga Bullgaria kam pasur telefonata për bashkëpunime, por edhe nga vëndi. Artisti jeton edhe me ëndrra , iluzione e sidomos me shpresë se kjo është që na mban gjallë. Shpesh herë mbyllim sytë, sepse kemi jetuar me ëndrra si artistë. Kemi fituar aq pak në aspektin material , por kemi fituar shumë në aspektin moral. Kemi mbetur romantikë në shpirt, kënaqemi me një fjalë të mirë me një përshëndetje dhe një falenderim.
Si ja kalon në Shkodër?
Njerzit shpesh herë mërziten , por unë mund të them se këtu është bërë një kështjellë e artit. Ne vëmë nga një gurë në të. Shkodra prap ka artista, filozofë muzikantë, letrar, politikanë. Sot, duke u marrë njerzit me tregëti e politikë, arti ka dallë si dorë e dytë. Pra duke mos qënë protagonist arti, kemi mbetur si figurantë. Kur ti vijë dita që do të vlerësohen arti dhe kultura si protogonistë, atëherë do të vlersohemi edhe ne. Unë them se do të kthehen këto ditë, sepse janë kthyer në kohë akoma më të vështira.

Intervistoi Besi Bekteshi