E enjte, 28.03.2024, 04:30 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Qazim Muska - ''Era s’fryn si më parë''

E marte, 07.05.2013, 06:58 PM


QË MBI KËTË GLOB TË FRYJNË ERËRA TË REJA 

Vështrim rreth vëllimit me poezi “Era s’fryn si më parë” të poetit Qazim Muska

NGA PËLLUMB GORICA

“Era s’fryn si më parë”. Kështu e titullon vëllimin e tij poetik Qazim Muska. Fjala erë, nuk është thjeshtë një lëvizje e shpejtë e ajrit, por sintetizon në vetvete një simbolikë të fuqishme që nga kuptimi epokal “para erës sonë”, Pas erës sonë “ e deri tek  rrymat e reja ideologjike dhe filozofike, që lindin në një shoqëri të caktuar. Era s’fryn si më parë, do të thotë për poetin se po fryjnë erëra të reja. Erëra të reja fryjnë në shoqëri, në dashuri, në ekonomi, në  filozofi e ideologji. Poeti sikur ka fuqinë dhe dëshirën e madhe që tua ndryshojë drejtimin erërave që fryjnë mbi glob, duke e kthyer atë në një fllad ,që të shpërthejë vetëm pranverë, pranverë në mendje, në zemra, në zhvillim. Poeti kërkon të hapë portat e një epoke tjetër me vargjet e tij, mbi të cilën të fryjë  një uragan erërash që të çojnë përpara zhvillimin dhe të përplasin në shkëmbinjtë e qëndresës të keqen dhe të ultën.

Poeti është i shkrirë  trup e zemër, mendje e ndjenjë me atdheun e tij, dhe në çdo kohë e shqetsim është një grimcë e pandashme e tij.

Jam mali që barkun ma zbrazën me abort

Jam deti që më prenë me gërshërë si letër

jam pylli që më dogjën  dhe ndezën cigar

jam lumi që qaj për shtratin e vjetër.

Në faqen 25 të vëllimit , ka një poezi të bukur që nga detaji qëmtues të befason me një simbolikë të fuqishme fëminore që rrallë poet mund të ketë të tillë gjetje. Në funksion të përcjelljes së mesazhit artistik  në këtë poezi, poeti përmend  personazhe e autorë  veprash shumë të dashur për fëmijë si Guliveri, Xhon Silveri, Tom Sojeri, Zhyl Verni, Andersoni dhe kur e lexon atë,  pavarsisht nga mosha, gjithësecili bëhet për disa çaste fëmijë.

Poezitë e Qazim Muskës të ngajnë si copra kronikash të shkëputura nga një jetë që gjallon por që ka në brendësi edhe vuajtjen, kërkon përherë  dashurinë e sinqertë, por gjakoset për të drejtën, nuk e shuan kurrë shpresën, ndaj dehet nga një aromë luleje ,kënaqet kur puth  në gushë të dashurën por jeton edhe me shqetsimin e madh të kohës. Ai do ëdo grimcë të kësaj jete, me kafshët e njerëzit, me të mirët e të këqinjët, me sakatët e të verbërit, që të gjithë sëbashku mbajnë në këmbë konturet e një të ardhmjeje  që ska se si të mos jetë më e mirë. Shumë prekëse në këtë drejtim është poezia për të vebërit.

“Prej verbërisë suaj turpërohet drita

Drita njerkë që su ledhatoi kurrë.”

Më shkurt dhe më dhëmbshëm nuk ka se si shkruhet më. Një sintetizim i fuqishëm me një mesazh të papërballueshëm . Me katër vargje ky poet arrin të  zjarrmojë cdo zemër rinore:

“Kjo puthje nën gushë dogji dy buzë

tek i fryu zjarrit të dashuris ëshpuzë.”

Durimi shpresa, qetësia, admirimi, dashuria janë  flladitje zemrash e mendjesh  që poeti i përdor për shtytjen e anijes drej lumturisë, ardhmërisë e ndjesisë  njerëzore. Nga një ditë plot shqetsim e dashuri, nga imazhi i një vashe që puthet me të dashurin, tek Gërdeci që mban fshehur dhëmbjen, nga ushtari që rreshtin s’e mësoi dot, tek ikja e Eskilit e akrepat e orës, poeti sikur bën kapërcime të pakuptueshme, por në fakt është një kapërcim i këndshëm se ai përdor natyrshëm si një urë ndërlidhjeje një ndjenjë  të qelqtë, gjitmonë me një intimitet të brendshëm, që e shkrin atë e bën një në madhështinë e të thjeshtës duke u shprehur plot ndjesi :

“Ulem në prehërin e paqtë

Flutur mbi lule nektari

Ti livadhi në pritje

e unë blerimi në fije bari”.

Poeti s’don t’i vëjë në balancë dashurinë me hipokrizinë, të mirën dhe të keqen sepse është i vetëdijshëm për atë që ka zgjedhur dhe i përket e ardhmja, ndaj shkruan:

“Se mësova dot sa peshonte dashuria

Hipokrizia sa peshonte se mësova kurrë

Ndaj mbeta udhëkryqit pa tabela

Barkë pa spirancë dhe flamurë.”

Ai e ndjen veten ushtar të palodhur të kohës, të zhvillimit, të progresit :

“Aty jemi   unë dhe ti

Një pikë një gerëmë a një presje”

Shfleton faqet e lexon vargjet e këtij vëllimi dhe për një çast të duket vetja  sikur  je ulur me Robert Bërnsin  i cili të prêt me mall ulur në tavolinën plot, bashkë me tre shokët e tij, e herë ndjen  sikur kuvendon shtruar me Agollin e madh, kur i ngre lapidar  malesh Nënës Shqipëri, herë sikur flladitesh bashkë me Lasgush Paradecin, i cili ledhaton qenushin e tij e derdh dhëmbje për  plagët e nositit buzë liqenit, e pastaj ngrihesh e  vazhdon udhën dhe të del përpara Serembja  i përmallur nga dashuria për vashën që ka larg, dhe të prezanton  me Nerudën plot revolta me betimin për të ngritur një sistem sa më të drejtë shoqëror. Poeti duke qenë i shkrirë organikisht me ndjenjën e fuqishme të dashurisë, dhe duke e kuptuar atë si themeli dhe ferment i ripërtëritës së jetës, kërkon që të vdesë si dashnor i kësaj jete sado e vështirë të jetë ajo:

“Ndodh e ç’nuk ndodh me këtë jetë cinike

aq sa më i tmerrshmi labirinth mund të mbesë

E prap i dashuruar me këtë  “armike”

Në dashuri si një dashnor dua të vdes”.

Poezia e Qazim Muskës është e ndjeshme, prekëse, frymëzuese , sepse brumi me të cilin është gatuar ajo është mbledhur kudo, mes njerëve të thjeshtë e zemrave plot dashuri, nën rrezet e argjendta të hënës dhe dallgëve përkëdhelëse të detit, në fijet e barit e zjarret prometejane, në ashpërsinë e meshkujve dhe delikatesën e vajzave e kështu ai nuk e shuan kurrë  frymëzimin dashuror. Pra mielli me të cilin gatuhet ky brum  është mali dhe fusha, gëzimi dhe trishtimi njerëzor,yjet dhe retë, shiu e rëra, gjethi e lulja, lisi e shkurrja, e shkuara dhe e ardhmja, dhe vetë poeti është  një qelizë e tyre.

Kryesorja për poetin është  të ruhen  themelet të  pastra e të shëndosha, dhe të mbahet gjallë shpresa, se këto janë dy shtylla që sjellin vetëm ripërtëritje, prill të përhershëm. Duke e quajtur prillin si symbol të shpërthimit të ndjenjave dhe ripërtëritjes poeti shkruan aq bukur :

Prilli me dehu

por puthja jote ish gota e fundit

që piva i etur

dhe dehur mbeta përherë.

Poeti Qazim Muska dashuron, ëndërron, shpreson, e sheh ngadhnjyes veten nëpërmjet ndeshjes së  të kundërtave, duke i parë ato gjithmonë si burim  zhvillimi. Duke  parë se e kaluara është një histori plot trazira e marrëzira, glorifikime e dështime,poeti merakoset e kërkon që të mos trazohet e të mos merret me keqdashje asnjë me të. Aq më keq mos ngacmo dashurinë e kaluar, se ajo djeg përherë si prushi :

“Të thashë mos i fryj zjarrit të fikur

prushit të vjetër të ftohur disi

se ndodh të ketë mbetur ndonjë shkëndijë

Mbuluar me hirin dhe pak marrëzi. “

Poeti ka një merak që e realizon ndjeshëm në poezinë e tij: të jetë pjesëtar aktiv i  kësaj kohe plot trazira. Ai me mish e shpirt kërkon të jetë pjesë e gëzimeve dhe dështimeve, i halleve dhe fitoreve, i të rinjve dhe i pleqëve, i asaj kohe që iku dhe kësaj që jeton, kërkon të mbruhet me të gjitha dashuritë dhe urrejtjet dhe t’i shkarkojë ata për çdo njeri që i meriton. Ai kërkon që të mos e gjejë në gjumë asnjë e papritur, që të mos “ta vrasë koha ngadalë”. Ai asnjëherë nuk do të lodhet e përkulet, përveçse para mirësisë:

Prej dëlirësisë malin çoj në këmbë

dhe diellin lind nga dashuria

në u përkulsha ndodhtë ndonjëherë

përkulem veç nga mirësia.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora