| E marte, 07.05.2013, 06:21 PM |
“Josip Rela” prezantoi vlera të larta artistike në Festivalin “Hasi Jehon”
Nga Milazim KADRIU
Edicioni
i 24-të i Festivalit Folklorik “Hasi Jehon”, i cili u mbaj në Kodrën e Pajtimit
në Gjonaj të Hasit, grumbulloi grupet më të mira folklorike nga trevat
shqiptare.
Shoqëri
kulturore nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria për tri ditë rresht
kënaqen shikuesit e shumtë duke promovuar vlerat e larta të folklorit burimor
shqiptar.
Në ditën
e tretë konkurruese në festival ishte edhe
Shoqëria Kulturore Artistike “Josip Rela” nga Besiana, e cila pati një
paraqitje të shkëlqyeshme .
Juria e
festivalit, e përbërë nga profesionist nga
fusha e folklorit, etnologjisë, kulturës muzikore dhe koreografisë, nuk
e pati lehtë të dallojë dhe shpërblejë më të mirët, meqë të gjitha shoqëritë
patën paraqitje të nivelit të lartë.
Në mesin
e 20 shoqërive garuese “Josip Rela” nga Besiana u shpërblye me dy çmime të
larta në këtë festival.
Për interpretimin e këngës “Pasha sytë e mi që i kam në ballë”, solistja Makfire Zeka mori çmimin “Nazmije Totaj Hoxha”, që ishte çmimi më i lartë i festivalit për kultivim të traditës muzikore popullore qytetare. Ndërsa, Vjollca Plakolli, u shpërblye si valltarja më e dalluar e festivalit, për vallen e përgatitur nga koreografja Etnike Plakolli.