Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Apolonia antike

| E diele, 11.05.2008, 09:11 PM |


Nëse keni vendosur të vizitoni perlat e jugut shqiptar, mos mendoni gjithmonë ta filloni udhëtimin tuaj nga bregdeti i bukur i Vlorës.

Nga Jorida Pasku

Nëse keni vendosur të vizitoni perlat e jugut shqiptar, mos mendoni gjithmonë ta filloni udhëtimin tuaj nga bregdeti i bukur i Vlorës.Në një distancë 12 km nga qyteti i Fieri-it, afër fshatit Pojan,buzë një kodrine ndodhet një prej qyteteve ikona të lashtësisë, Apolonia.Shumë vizitorë, janë shprehur se ky qytet të ngelet në kujtesë sepse në çdo takim jo vetëm që është tërheqës, por të lë mbresa për t’u kthyer sërish. Ai ngrihet madhështorë mbi një kodrinë dhe zotëron gjithë zonën e gjelbëruar përreth. Bukuritë e veta i zbukuron pak nga pak, për të të mbajtur peng kureshtjen. Duke e filluar udhëtimin nga rruga kryesore, e para gjë që do t’ju bjerë në sy është ndërtesa e Akropolit që qëndron hijerëndë mbi kolonat e forta. Duke ngjitur shkallët, pak nga pak do t’ju prezantohet teatri i Odeonit, i cili edhe pse i zbrazët, duket sikur ju fton të ndiqni bisedat oratorike të filozofëve grekë, ose shfaqjet e bukura orkestrale. Më pas qyteti fillon e tregohet zemërgjerë, duke të dhuruar pamjet e bukura të monumenteve, tempujve, mozaikëve. Revista “Spektër” me anë të kësaj guide ju vjen në ndihmë për ta njohur më mirë Apoloninë antike...

TË DHËNA HISTORIKE

Historiku i qytetit të Fierit është i lidhur ngushtë me atë të depozitave të vajit, gazit dhe bitumit që ndodhen në rrethinat e tij. Ky qytet është themeluar nga familja Vrioni, bej beratas në shekullin e 18-të. Ai është një qytet i pasur me lëndë të djegshme,gaz natyror, mbetje këto që janë zbuluar që në shekullin e pare të erës së re. Burimet e naftës,të ndodhura në rrethinat afër tij,shpesh janë bërë problem për shëndetin e banorëve. Shumë mbetje bitumi janë të hedhura në rrjedhën e lumit Seman, po ashtu ka sasi të mëdha lëndësh të koncentruar në lumin Vjosë.Këto burime lëndësh të djegshme shpjegojnë edhe prejardhjen e emrit të këtij qyteti. Në kohënIlire, sipas mitologjisë, mendohet se në Apoloni ka jetuar nimfa e zjarrit në një shkëmb i cili lëshonte flakë. Poshtë tij kishte burime shpërthyese me ujë të nxehtë dhe bitum, bitumi i gërmuaru transportua në një kodër ngjitur kurse pjesët e mbetura u zëvendësuan me dhe të freskët.Për shkak të këtyre burimeve të zjarrit ( anglisht Fire) mendohet se ka marrë emrin qyteti i Fierit. Ai është 35 km larg qytetit bregdetar të Vlorës dhe qyteti më afër tij, me një distancë vetëm 8 km, është Patosi. Ky qytet është një qendër e rëndësishme industriale, bashkë me fqinjin e tij Patosin është qendra më e madhe e nxjerrjes së vajit, bitumit dhe industrive kimike në Shqipëri. Si në të gjitha qytetet e Shqipërisë së Jugut aty bashkëjeton popullsia e fesë ortodokse dhe asaj myslimane.Afër tij ndodhen dy qytetet antike Apolonia dhe Bylisi.

HISTORIKU I APOLONISË

Qyteti antik i Apolonisë, një nga kolonitë më të rëndësishme greke, shtrihet 12 km larg Fier-it. Kjo qendër, bashkë me Dyrrahun kanë qenë qytetet më të rëndësishme Ilire në pellgun e Adriatikut. Ajo shtrihet mbi një kodër 103 m mbi nivelin e detit,duke dhuruar pamjen e bukur të kodrinave përreth dhe fqinjës së saj, lumit Vjosa. Apolonia është pushtuar nga kolonitë e Korintit dhe Korfuzit në vitin 588 para erës sonë, ku udhëheqës I konistasve ka qenë Gylaku. Ka pasur mendime që emri i saj I hershëm ka qenë Gylakeia, në nderim të udhëheqësit Gylak, por që më vonë ndryshoi në qytetin e perëndisë Apolon. Shumë studiues e kanë quajtur Apoloninë në shkrimet e tyre si një qytet grek, por në dokumente historikë ajo tregohet saktësisht si vend me popullsi ilire e pushtuar nga kolonët korintas dhe korkyras.Ilirët vendas krijuan marrëdhënieinteresi reciproke me kolonët,për të zhvilluar jetën politike,ekonomike dhe shoqërore të vendit. Shumë shpejt ajo krijoi shkëmbime marrëdhëniesh tregtare me fiset e tjera ilire duke u bërë një vend i fuqishëm tregtar dhe rriti numrin e popullsisë me mërgimtarët helen.

PASURIA MONUMENTALE

Qyteti i lashtësisë Apolonia fsheh brenda vetes pjesë të histories greke, blaton në tempuj luftëtarët që e kanë bërë këtë histori dhe me teatrin e tij sjell përsëri në jetë diskutimet oratorike të kohës. Ai prezantohet me kolonat e larta të akropolit duke të ftuar ngadalë të gjesh aty shumë monumente që kanë një histori Brenda vetes, teatrin e Odeonit ku 200 spektatorë në kohën antike, kanë shijuar shfaqet muzikore dhe diskutimet filozofike. Qendra e qytetit e perëndisë Apolon,zbukurohet nga monumenti I Agnoteas. Ai ka formën e një gjysmërrethi dhe ka shërbyer si vendi ku mblidhej Këshilli i Qytetit për të diskutuar. Pjesa ballore është ndërtuar në një mënyrë shumë të veçantë, 6 kolonat bashkohen me pjesën kryesore sipas stilit korintas. Monumenti është ndërtuar nga luftëtarët më të mirë të ushtrisë dhe ka për qëllim kujtimin e çdo ushtari që bie në luftë. Agnotea daton rreth mesit të shekullit të dytë të erës së re. Në ditën e inaugurimit të monumentit,në qytet u bë një shfaqje ku 25 çifte gladiatorësh luftonin me njeri-tjetrin. Në perëndim të këtij monumenti, vizitorët mund të shohin tempullin më të hershëm,atë të Atemisit. Ky tempull i vogël është më i hershmi i pasurisë monumentale që ka vendi ynë.Pa u larguar nga këta tempuj,gjithkush ka mundësi të ngjallë kujtimin e leximeve rreth teatrove të lashtësisë. Shumë afër Agnoteas gjendet teatri i vogël i Odeonit, ai është ngritur përpara se Apolonia të pushtohej nga kolonitë.Teatri ka radhë stolash për 200 spektatorë ku ndiqeshin shfaqet.Mbi ta ngihej skena ku orkestralen organizonin shfaqjet muzikore.Por ky vend nuk ka shërbyer vetëm për të ndjekur recitale dhe muzikë,aty janë mbajtur shumë diskutime oratorie dhe filozofie. Çdo visitor bindet përse Greqia meriton të quhet vendlindja e demokracisë.Ky teatër shpreh hapur se diskutimet e hershme helene janë zhvilluar me pjesëmarrjen e shumë personave.

NJË SHTËPI ME MOZAIKË

Megjithëse një sy joprofesionist nuk thellohet në arkitekturën e tyre, çdo vizitor i thjeshtë e kupton e përmbajtjen e mozaikëve.Ata janë të të gjitha tipave, që nga figurat gjeometrike e deri tek ato mitologjike. Çdo figure gjeometrike karakterizohet nga perfeksioni dhe harmonia. Por zbukurimet që hasen më shpesh janë pamjet mitologjike me kafshë.Mozaiku që të bën më shumë përshtypje është e luftëtarit grek Akil, i cili shtrëngon mbretëreshën e bukur të Amazonës. Një tjetër vend në Apoloni ku historia merr jetë vetëm nga objektet, pikturat,mozaikët është muzeu. Ai ka 7 tenda të mëdha, një galeri dhe 2 portikë. Ky muze, bashkë me kishën e Shën Mërisë me kalimin e kohës e zbehin shkëlqimin, sepse nuk vihet dorë për mirëmbajtjen e tyre. Për kishën më parë janë kujdesur, por tani shumë pak piktura murale kanë rezistuar.Ajo mban datën e ndërtimit në shekullin e 14-të.

STILI ARKITEKTUROR

Sapo hyn në qytetin e Apolonisë dhe rrethohesh nga tempujt e kolonat, vë re se arkitektura e tyre është stisur nga dorë helene.Gjatë kohës së kolonizimit helenët ndërtuan në mjedisin ilir monumente dhe tempuj madhështorë duke i mbrojtur me mure të lartë rrethues, tipike kjo për të gjitha qytetet antike shqiptare. çdo tempull është uniformë me tjetrin, në harmoni me të gjitha ndërtesat përreth dhe kjo i jep qytetit një pamje të rregullt. Ky qytet ka pasur banesat me format më të zhvilluara për kohën. Ndryshe nga qytetet e tjerë tek të cilët dyshemeja shtohej me pllaka mermeri, guri, apo argjile të pjekur, në Apoloni janë gjendur gjurmë të shtrimit të dyshemesë me mozaikë. Shëtitorja , gjatë kësaj periudhe kanë qenë pjesë e formulimit urbanistik të qytetit.Ajo shquhet për mënyrën sesi është ndërtuar, galeria e mbuluar në pjesën e sipërme dhe e hapur ndaj ambientit ku shëtisnin qytetarët. Kurse teatri i Apolonisë ka tipike shkallaren në trajtë gjysmë rrethi, buzë kodrinës së gjelbëruar. Ballina e skenës është punuar sipas stilit dorik me kolona me kalenur. Ky teatër ka shumë të përbashkëta me atë të Butrintit dhe Bylisit.

TË DHËNAT ARKEOLOGJIKE

Qyteti i Apolonisë është themeluar rreth fillimit të shekullit të IV-të p.e.s. Gërmadhat më të hershme arkeologjike janë zbuluar në fillim të shek XIX-të. Gjurmët më të hershme janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbeturina të murit mbrojtës dhe të tempullit kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apolonatëve. Ky qytet është në fokus të arkeologëve shqiptarë pasi është një ndër pasuritë e mëdha të kohës antike. Në vitin 2006 të dhënat arkeologjike dëshmuan gjetjen e një skulpturës së një plaku, i cili personifikonte kultin e lumit Vjosë.Skulptura e gjetur në qytetin e lashtë të Apolonisë është prej mermeri të bardhë, me lartësi 49 cm dhe gjerësi 70 cm. Hyjnizim i lumit të Vjosës është një nga dëshmitë më të rëndësishme të mitologjisë së Ilirëve në lashtësi.Zbulimet më të mëdha në këtë qytet i ka bërë arkeologu francez Leon Rey sepse ai nxorri në dritë rrugë, mure, shtëpi. Për numrin madh të zbulimeve arkeologu e ka merituar emrin: rimëkëmbës I Apolonisë.

NË DITËT E SOTME APOLONIA

Është pasuruar me ambiente “moderne” që i heqin paksa madhështinë antike, por qe janë shumë të përshtatshme për vizitorët. Gjithkush ka mundësi të kundrojë për orë të tëra këtë kryevepër monumentesh dhe më pas të drekojë në lokalin afër saj. Ajo ka një numër të madh vizitorësh të huaj, vendas dhe miq të vegjël ekskursionistë.

NUK E NJIHNI QYTETIN ? JA ÇFARË OFRON GUIDA SPEKTËR...

Ndoshta leximi i këtyre përshkrimeve ju ka ngjallur interes për ta vizituar qytetin. Kjo guitë ju orienton me hotelet që mund të zgjidhni për të ndenjur në udhëtimin tuaj, gjithashtu edhe

restorantet më të preferuara nga vizitorët. Hoteli më i madh dhe komod i qytetit është hoteli me tre yje,”Hotel Fieri”. Ai ndodhet në zemër të qytetit dhe para viteve 90 është quajtur “Turizmi”. Hoteli trashëgon një traditë disa vjeçare mikpritjeje për të gjithë vizitorët,të huaj dhe vendas. Ai vazhdon të jetë një vend komod jo vetëm për vizitorët e përhershëm nostalgjikë,por për çdo vizitor të ri që largohet i kënaqur nga shërbimi.Nëse keni vendosur të qëndroni përsëri në qendër të qytetit, mund të zgjidhni hotel ”Shkëlzenin” i cili në sajë të shërbimit të tij meriton 3 yjet, po ashtu edhe “Luksi”.Nëse jeni më shumë i dhënë pas periferisë dhe ambienteve të qeta mund të zgjidhni për të ndenjur në Hotel “Europa” pak km në dalje të qytetit, duke shkuar drejt qytetit të

 “Lushnjes”. Këto restorante ofrojnë dhe një menu të pasur ushqimesh.Si vend jugor, pjatat e peshkut janë të pasura me shumëllojshmëri gatimesh. Kuzhinat e ushtrojnë artin e tyre më shumë në gjellërat me perime dhe kombinimet e llojeve të ndryshme të sallatave.Restorantet priren të shërbejnë gatime peshku të freskëta, tipike të një qyteti që ndodhet afër bregdetit të Vlorës dhe ku bujqësia është primare.

Spekter