Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: ''Tirania e Tranzicionit''

| E diele, 05.05.2013, 02:46 PM |


PASTHËNIA E LIBRIT 'TIRANIA E TRANZICIONIT'

LIBRI IM MORI SHKAS E FORMË SI REAGIM NDAJ CENSURËS SË TIRANËS

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Libri im me publicistikë „Tirania e Tranzicionit“ që përmbledh disa nga shkrimet dhe essetë e shkruara dy vitet e fundit mori shkas e formë si reagim ndaj censurës së Tiranës. Të njëjtin format ka edhe «Traumat e tranzicionit - Ditari i një gazetareje» që është gati e pret dritën e botimit.

Sado absurde të duket, është e vërtetë. Shtypi dhe TV e shumta në Shqipëri janë nën kontroll të politikës dhe oligarkëve që prodhoi ky tranzicion gati çerekshekullor.

Kolegët e mi në Tiranë e dinë se kjo që pohoj nuk është fiksion. Një koleg i mirënjohur lajmëronte në Facebook se shtypi i lirë ka vdekur. Por nuk mjafton lamenti.

Në 1997 Pjetër Arbnori hyri në grevë urie për të kundërshtuar një ligj të miratuar nga Kuvendi i atëhershëm për mediat vizive. Asokohe u ndryshua ligji dhe u aprovua "Amendamenti Arbnori". Ndërsa sot gazetarët në Shqipëri shohin me indiferencë të plotë përçudnimin e fjalës së lirë, kulturës, monumenteve të saj të cilat po shfarosen për çdo ditë përpara syve tanë dhe shqiptarët rrezikojnë të mbeten pa identitet kulturor.

Shikoni se si kujdeset shteti austriak apo Vatikani për relikat e historisë e kulturës shqiptare. Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të kishte patur fund tragjik po të kish mbetur në mëshirën e tranzicionit shqiptar. Edhe Mesharin e Gjon Buzukut do ta përpinte fataliteti i tranzicionit me pjellën e saj makabre, indiferencën, ndërsa po humbasim për çdo ditë një e nga një shenjat identifikuese të qënies sonë kombëtare. Ne qëndrojmë indiferentë kur rrënohet shtëpia e Fishtës. Ne kthejmë kokën në anën tjetër për të mos parë gërmadhat e shtëpisë së Mjedës. Ne mbyllim sytë kur poetëve të Rilindjes ua shkallmojnë varret. Ne mbyllim sytë e veshët kur Onufrin e rrjepin barbarët, ndërsa në Shqipëri lulëzon kultura tallava. Ne heshtim kur fjalën e lirë e bunkerizojnë dallkaukët dhe sharllatanët që barkëthatë i gjeti tranzicioni dhe barkthatë po i le, paçka se si profiterë kanë përfituar miliona. Por nuk ngopen kurrë.

Konformizmi dhe frika nën pushtim apo nën diktaturë ishte i justifikuar. Në demokraci jo. Pjetër Arbnori pas 30 vitesh burgosje, në vitin e mbrapshtë 1997rrezikoi jetën për një ideal të madh, ndërsa sot, kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, gazetaria konformuese dhe dezinformuese ka marrë mision trushplarës dhe friksues përmes presionit psikologjik që ushtron pasqyrimi i krimit në kronikat e zeza. Duke ofruar atë që duan ata, si ta duan dhe çfarë të duan. Politika dhe oligarkët. Violinë të parë kanë gazetarët, që i përdorin si çinovnikë të tyre. Viktima është opinioni publik.

Merreni me mend, botuesit e Tiranës ia venë në dispozicion faqet e gazetave të tyre Nexhmije Hoxhës dhe ish-eksponentëve të diktaturës, ndërsa përdorin gërshërët dhe e gijotinojnë lirinë e shprehjes.

Opinionet dhe essetë e këtij libri janë të shkruara me nxitim, në përgjigje të ngjarjeve të ditës dhe të botuara në shtypin shqiptar në Perëndim, disa syresh edhe në Tiranë deri sa e mori fjalën censura.

Kam menduar gjithnjë se kapitalizmi në Shqipëri do të kujtohej për shtypin e lirë, por kapitalizmi në Shqipëri vazhdon të mbetet parak larg konkurencës së lirë dhe Shqipëria i ngjan një realiteti orwellian, ku Vëllai i Madh është diktatura e krijuar prej nepotizmit, tarafit, klanit, korrupsionit, politikës pa integritet, të cilës i intereson që pushteti i katërt të jetë refleks i fytyrës së tyre të shëmtuar.

Ka ardhur koha e lëvizjes së elitave, sepse u bënë 22 vjet që Perëndimi është pjesë e jetës të shqiptarëve, me dashje apo pa dashje, me zor e me hatër. Shqiptarët nuk meritojnë që t’i lejfenizojë tranzicioni i politikave të korruptuara, në kohën kur revolucioni teknologjik i ka thyer të gjitha barrierat e kufijve.

Shqiptarëve u duhet shtypi i lirë, sot më tepër se kurrë. Shkrimet e këtij libri janë antikonformiste dhe respektojnë të vërtetën, jo të vërtetën absolute, sepse ajo është pronë e absolutizmit, por të vërtetën si e mendoj unë.

Që demokracia dhe shteti ligjor të mos mbetet një iluzion në Shqipëri, të mos përçundohet e kthehet në një minierë ari për një grusht njerëzish dhe një realitet i frikshëm për shumicën. Shumica e shqiptarëve e duan Shqipërinë si Europa, jo si slogan por realitet. Andaj të gjithë duhet t’i shërbejmë kësaj ëndrre të bukur.

Jam për dialogun, për konstruktivitetin, për tolerancën, për bashkëpunimin, për heqjen dorë nga lufta e shqiptarëve kundër shqiptarëve, një reminishencë e luftës së klasave. Dua që shqiptarët të dalin nga ky mediokritet kolkozesh, ku populli është i detyruar që të duartrokasë liderin. Sepse në demokraci populli zgjedh dhe vendos vetë fatin e tij. Boll kemi duartrokitur e brohoritur në diktaturë. Dhe prandaj na duhet që të kemi në krah në jetën tonë të përditëshme një shtyp të lirë e demokratik.

Me shkrimet e këtij libri nuk e di sa ia kam arritur qëllimit, por të paktën, jam e sinqertë, pa maska dhe larg hipokrizisë puthadore të opinionistëve të Tiranës.

Me këtë rast, falenderoj redaktorin e librit Akademik Mark Krasniqi, për nderin që më bëri, i cili na ka mbështetur pa ngurrimin më të vogël gjatë dhjetë viteve kur kontribuonim tek „Bota Sot“. Shpreh mirënjohjen time të thellë për Jusuf Buxhovin, autorin e veprës monumentale « Kosova » si dhe dijetarin Dr.Përparim Kabon që, gjetën kohë dhe shkruan parathëniet e këtij libri, çka e vlerësoj si një përkrahje shumë të madhe e të rëndësishme. Një falënderim të veçantë shkon për botuesin e Onufrit, Bujar Hudhrin, që e bëri këtë libër të shohë dritën e botimit.

1 Mars 2013