E enjte, 28.03.2024, 06:12 PM (GMT)

Mendime

I ëmbli sukses i trishtë i Aida Shtinos

E diele, 11.05.2008, 09:39 AM


Gazetarja që gjeti rrugën e shpejtë të suksesit nëpërmjet një kalvari të gjatë historish dramatike. Ish-emigrantja në Greqi, që kapi numrin rekord të shikuesve, tregon fillimet në ekranet shqiptare, guximin kokëfortë për t’i shkuar gjërave deri në fund. Por dhe xhelozitë e të tjerëve, që suksesin nuk e kanë kapur menjëherë si ajo

Aida Shtino
Nga Elda Laze

Me Aida Shtinon as një copë udhë të shkurtër nuk e bën dot, pa u përshëndetur më parë me të paktën një duzinë njerëzish. Janë kalimtarë të rastit, të cilët guxojnë t’ia presin rrugën drejtueses së njohur të emisionit “Njerëz të humbur”. E thërrasin në emër, sikur ta njihnin prej kohësh, i shtrëngojnë fort duart, i rrahin supet me dashuri, i buzëqeshin përzemërsisht dhe njëkohësisht nxitojnë t’ia bëjnë të ditur se e ndjekin çdo të shtunë. Të tjerë akoma bëjnë beteja të vërteta me njerëzit e shtëpisë për të bërë të vetin pultin e televizorit, që të ndjekin më pas zemërthyer e me lot në sy historitë e dhjetëra të humburve. Por, nuk mungon as ajo pjesë e publikut, për të cilët Aida është thjesht “ajo e njerëzve të humbur”. Prandaj, kur e shohin në rrugë,  kthejnë kokën vetëm për të bërë ndonjë thashethem të llojit “Hë mi, se nuk qenka gjë” ose “Duket më e mirë në rrugë se në ekran”, “Qenka elegante kjo” e shumë të tjera, që nuk shkojnë përtej gjykimit të pamjes së jashtme. Nuk kanë ç’të thonë më shumë se kaq, sepse emisionin e kanë parë vetëm shkarazi, në rastin më të mirë, kanë gëlltitur me mundim lotët gjatë një puntate të vetme, por vetëm një ama, sepse nuk kanë duruar dot më shumë. Por kjo nuk ka ndikuar aspak në uljen e audiencës. “Njerëz të humbur”, që është ndër emisionet më të shikuar, jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë ku jetojnë shqiptarë.

E kishit menduar që në fillim këtë audiencë kaq të madhe?

Të them të drejtën, nuk e kisha menduar. Së bashku me stafin, e filluam për të kërkuar të humburit, duke mos ditur sa ishte numri i tyre në Shqipëri. Me kalimin e kohës, ky numër sa vinte e shtohej dhe ne u gjendëm përballë një fenomeni: humbja e njerëzve. Aktualisht numërohen mbi dymijë të tillë.

Por në fillim këto nuk i dinit, apo jo?

Përpara se të kthehesha në Shqipëri, pas 13 vjetësh emigrimi për të nisur këtë cikël emisionesh, kisha punuar si gazetare dhe në Greqi, për një emision me të njëjtën temë, në kërkim të njerëzve të humbur. Duke parë se aty vinin shumë raste nga shqiptarë, mendova se një emision si ai i televizionit grek ku unë punoja mund të realizohej edhe në ekranet shqiptare. Më vonë, kur puna kishte nisur, duke u përballur me historitë jashtëzakonisht të dhimbshme të njerëzve, kuptova që ai që kisha nisur thjesht si emision, po shndërrohej në një mision. Më pas erdhi edhe themelimi i “Fondacionit Kombëtar të Njerëzve të Humbur” për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi.

Me çfarë merret ky fondacion?

Drejtpërsëdrejti me kërkimin e njerëzve të humbur. Fillimisht rastet e reja shqyrtohen nga fondacioni. Në televizion ne publikojmë ato histori për të cilat mendojmë se nga publikimi i tyre në televizion dhe nga trajtimi i rasteve hollësisht mund të shkojmë deri tek gjetja e këtyre njerëzve. Fondacioni ka krijuar celulat e veta në të gjithë Evropën, në Amerikë, në Australi dhe deri në Zelandën e Re. Bashkëpunëtorët e emisionit tonë janë emigrantë që jetojnë në këto vende.

Fillimisht emisioni shfaqej te “TNSH”, që duhet thënë se nuk e ka shikueshmërinë e “Vizion plus”-it. Nëse nuk do ta kishit ndërruar ekranin, ndoshta nuk do të kishit arritur këtu ku jeni sot.

Vërtet që fillimisht emisioni shfaqej te “TNSH”-ja dhe mbante emrin “Ku je”. Por duhet thënë se, gjatë një viti e gjysmë transmetim në këtë televizion, emisioni ka pasur shumë shikueshmëri. Këtë e kam ndier nga telefonatat e publikut. Hapi i parë ishte sensibilizimi: fillimisht njerëzit po nisnin të mësoheshin me idenë se edhe këtu humbin njerëz dhe se ata duhet të telefononin për të dhënë informacion nëse dinin diçka për të humburit. Kur vendosa të largohem nga “TNSH”-ja, kisha ndërkohë edhe oferta të tjera. Por, te “Vizion plus”-i kam parë një imazh tjetër, një televizion që ishte shumë afër problemeve sociale, duke pasur edhe emisione të tjera me karakter social. Edhe emisioni im ka të bëjë drejtpërsëdrejti me histori njerëzore. Sigurisht që “Vizion plus”-i kishte shikueshmëri më të madhe, kishte tjetër imazh, transmetonte në satelit, shihej nga shumë shqiptarë anembanë botës dhe më dha një hapësirë krejt ndryshe nga ajo që lashë në Telenorba. Megjithatë, për mua, Telenorba ishte ajo shtëpia e vogël. Ndërsa tani “Vizion plus”-i është bërë shtëpia ime, familja ime, një shtëpi e madhe me shumë dritare drejt Shqipërisë dhe nëpër botë.

Sondazhet flasin për një shikueshmëri të lartë, që ndoshta të tjerë drejtues emisionesh, gazetarë me karrierë të gjatë, nuk e kanë. A keni ndier ndonjë xhelozi nga ana e tyre?

Kur nisa punën në ekranet shqiptare, kisha fatin e madh që vija me përvojën e punës si gazetare në Greqi dhe në shtypin e shkruar, me shkrime për Shqipërinë. Kjo më bëri që këtu të kthehem me një tjetër bagazh, me një përvojë tjetër, nga një vend evropian e me tradita të lashta, me një filozofi krejt tjetër për botën. Normalisht që xhelozi edhe mund të ketë pasur, pasi emisioni pati menjëherë audiencë. Por nuk duhet harruar se kjo audiencë nuk është e rastësishme: ka pasur një punë jashtëzakonisht të vështirë e sistematike, të cilën e kam mësuar diku. Dhe për këtë i jam mirënjohëse atij vendi ku punova për durimin që kam fituar. Kam mësuar të duroj: isha gazetare në një vend të huaj ku është shumë e vështirë të depërtosh, prandaj i shoh gjërat pozitivisht. 

Megjithatë nuk përmendët ndonjë rast konkret xhelozie?

Jo, nuk ka asnjë rast konkret. Se ç’mund të bëhet pas krahëve të mi, nuk e di. Por të gjithë janë treguar dashamirës me mua. Besoj se nuk ka nevojë për të pasur xhelozi. Unë të paktën kështu e mendoj. Secili ka fushën e vet, ka emisionet e veta. Varet se çfarë kërkon të bësh. Unë kam një qëllim të përcaktuar dhe shkoj drejt atij qëllimi.

Cili është ky qëllim?

Sigurisht që gjetja e të humburve.

Por, krahas këtij qëllimi, emisioni ka shërbyer për të zbuluar edhe se policia nuk funksionon siç duhet, apo jo? Të paktën duke iu referuar shumë rasteve të atyre të humburve që policia nuk u ka rënë në gjurmë prej vitesh, ndërsa ju keni bërë të mundur zbërthimin e historive të tyre në pak puntata, madje edhe t’i gjeni.

Po, ka shërbyer edhe për këtë. Megjithatë nuk kam dalë aty për të treguar cila është detyra e policisë. Unë jam gazetare dhe, siç më kanë mësuar pedagogët e mi, misioni i gazetarit është ai i ndërmjetësit mes shtetit dhe popullit të thjeshtë. Unë këtë kam bërë. Në momentin që kam parë se “policia ka fjetur gjumë”, e kam thënë edhe në emision. Siç e kam thënë edhe në raste të tjera, kur na ka ndihmuar. Por këto janë thjesht më shumë detaje të një historie; ato që më interesojnë janë vetëm historitë e njerëzve që ne kërkojmë.

Në ekran, kur ngulmoni në një argument, dukeni tepër kokëfortë.

Nga vetë natyra jam pak kokëfortë – që e vogël kam qenë kështu. Nëse i qepem diçkaje, i shkoj deri në fund. Në momentet e para kur kam nisur këtë emision, duke mos ditur çfarë më priste (jam larguar nga Shqipëria në 1993 dhe jam kthyer në 2005), më dukej vetja si një donkishote, që ishte nisur në një luftë me veten. Dalëngadalë dhe me shumë punë të bërë bashkë me stafin tim, krijuam besueshmërinë te instancat shtetërore, te publiku, që të mund të kërkonim më pas ndihmën e tyre. Tani që kthej kokën pas, mund të them se shpeshherë jam treguar më tepër e guximshme se ç’duhet. Megjithatë, frikë kam vetëm Zotin, asnjë tjetër.

Në ndonjë rast është dëgjuar ndonjë kërcënim edhe në transmetim... Nuk keni pasur frikë as në këto raste, as për njerëzit tuaj?

Të them të drejtën, unë nuk i kam bërë askujt keq që të kem frikë se do të më bëjnë keq. Kam bërë thjesht punën time dhe kaq. Me të tjerat pastaj, merret policia dhe Prokuroria.

Thatë që nuk i keni bërë keq njeriu. Megjithatë, ndoshta pa dashje i keni shkelur ndokujt në kallo, ndokujt që ndoshta nuk ka dashur të gjendet. Jeni penduar në të tilla raste?

Jo. Asnjëherë nuk ka ndodhur kjo gjë, që të kem shqetësuar dikë që nuk dëshiron të flasë ose që të takohet me familjen. Dhe nëse ka ndodhur që ndokush të më ketë marrë në telefon, duke më thënë se nuk dëshiron të bëhet publik dhe nuk dëshiron të flasë me familjen, gjithmonë e kam respektuar dëshirën e tij. Përsa i përket asaj “që ne kemi shkelur në kallo”, kjo mund të jetë e vërtetë. E kam fjalën për ato dhjetëra raste të vajzave që për mendimin tim mund të jenë të trafikuara dhe ne mund të kemi shkelur në kallo ata njerëz që i trafikojnë. Nëse ata kanë shkelur ligjin, unë nuk mund të korruptohem në këtë moment dhe të mendoj se po i shkel në kallo kësaj kategorie njerëzish.

Shumë histori të humburish u përkasin njerëzve që nuk kanë kontaktuar me familjen për arsye banale, si p.sh., kanë humbur numrin e telefonit apo adresën e shtëpisë.

Po, ka shumë histori të tilla.

Mendoni se histori të tilla e ulin vlerën dhe nivelin e një emisioni cilësor?

Jo. Nuk mendoj fare kështu, nëse një nënë vjen dhe kërkon të birin, që ka humbur prej shumë vitesh. Më kujtohet rasti i një nëne, e cila kishte shitur shtëpinë e saj për të mbledhur paratë, për t’i blerë të birit një vizë që të udhëtonte drejt Suedisë. Dhe pasi kishte mbërritur në Suedi, ai kishte harruar ç’kishte lënë pas. Është e pamundur që unë të mos e kërkoj atë djalë.

Po personalisht për këtë djalë të humbur çfarë ke menduar?

Se sa i papërgjegjshëm është. Kaq. Gjithmonë mbaj anën e atyre familjarëve që më vijnë në studio. Nëse nëna dhe babai kërkon të marrin vesh ku është i biri, unë bëj të pamundurën të gjej vendndodhjen e tij. Pastaj është tjetër gjë nëse ai do të flasë apo jo.

Tek ju, fama ka ardhur në mënyrë tejet të shpejtë.

Fama te unë ka ardhur shumë natyrshëm, sa nuk e kam ndier. Më kujtohet se si pas puntatave të para, kur jam gjendur në rrugë, njerëz të panjohur më ndalonin dhe më përgëzonin... Atëherë e pata ndjesinë që diçka po ndryshonte.

Si ishte kjo ndjesi e parë?

Shumë e mirë. Ata që takoja në rrugë, shfaqnin respekt dhe dashamirësi të jashtëzakonshme.

Njerëzit ju duan vërtet. Madje deri në atë pikë sa ju kanë quajtur edhe “Nënë Tereza”.

Po, është e vërtetë.

A nuk ju duket krahasim paksa i ekzagjeruar?

Në fakt po, është i ekzagjeruar (qesh). Nuk mund të krahasohem me Nënë Terezën. Unë jam thjesht një gazetare. Unë jam po ajo Aida që kam qenë dhe nuk ka sesi të krahasohem me idhullin tim, që është Nënë Tereza.

Ndërsa në qytetin tuaj të lindjes, Gjirokastër, para pak kohësh ju kanë nderuar si qytetare nderi.

Titullin “Qytetare Nderi e Gjirokastrës” e kam marrë si gazetare që u vjen në ndihmë njerëzve të humbur, familjarëve, të cilët kërkojnë fëmijët e tyre të humbur. E di që tingëllon jomodeste, por nuk mund të mos them se për gjithë ata familjarë, të cilët me vite të tëra kanë mbetur dyerve të Ministrisë së Jashtme, policisë, Interpolit, të paktën, unë bashkë me stafin tim kemi bërë gjithçka. Dhe për këtë jam krenare.

Megjithatë, ju thoni një gazetare që thjesht bën punën e vet, ndërsa formati i emisionit ka qenë pikërisht ky: ai i gjetjes së të humburve. A mos nderimet që ju bëhen ju personalisht u hyjnë pak në hak nderimeve që ndoshta duhej t’i bëheshin emisionit?

Siç jua thashë edhe pak më lart, ky për mua nuk është më thjesht një emision por një mision. Dhe duhet të dini diçka: është vërtet një punë, por është një punë shumë ndryshe nga shumë të tjera, ku mund të riskosh shumë gjëra. Shumë herë, unë, bashkë me stafin tim, kemi vënë jetën tonë në rrezik për familjarët e të humburve. Shpeshherë jemi gdhirë në zyrat tona, që besoj se ka gazetarë që e bëjnë, por ka edhe gazetarë që nuk e bëjnë. Nuk është e rastësishme që mua shpesh më ndodh të udhëtoj me bashkëshortin tim (sepse historia e njerëzve të humbur është bërë pjesë edhe e familjes sime tashmë) nëpër fshatra të humbura të Greqisë pa asnjë ndihmë nga shteti, pa asnjë mbrojtje, fillimisht duke vënë kokën time në rrezik dhe besoj se kjo nuk është pak në planin personal.

Ju është dashur ndihma e bashkëshortit?

Sigurisht që po; ai më ka mbështetur mjaft. Të mos harrojmë që unë jam femër.

Po, dhe madje një femër e bukur. Si jeni duke e përjetuar feminitetin tuaj momentalisht?

Si të gjitha femrat. Më pëlqen mosha ime, ndoshta të gjitha stadet i kam kaluar siç kam dashur. Dhe më pëlqen mosha që kam, tridhjetetetë vjeç.

Diku kemi lexuar: “Zonja Aida, që i bën meshkujt të sillen si zotërinj të vërtetë”.

Me të vërtetë?! (qesh). Këtë nuk e dija.

Si i bëni të sillen si xhentëlmenë? Në këtë rast, mund t’i jepni një këshillë edhe atyre grave që nuk e kanë këtë dhunti?

Nuk di ç’të them vërtet, nuk e kisha menduar që një ditë mund të jepja të tilla këshilla... Megjithatë, them se të gjitha duhet të mbeten vetvetja, të mos jenë të panatyrshme dhe me sjelljen e tyre të imponojnë respekt. Dhe të jenë të sigurta te vetja, ta shfaqin këtë siguri.

Jeni nëna e një djali 12-vjeçar. Sa kohë kaloni me familjen?

Shumë pak. Ky është meraku im më i madh. Madje u kërkoj falje për atë kohë që nuk jam. Mua vetëm dita e diel më mbetet për familjen. Zakonisht jam gjithë ditën në zyrë, ku na pret një punë e madhe, voluminoze. Shpeshherë, kur largohem për në shtëpi, tek im bir, njerëz nga stafi vazhdojnë të jenë në zyrë e të punojnë deri vonë.

Në një intervistë jeni shprehur se doni që emisioni të mbarojë shpejt, që Shqipëria të mos ketë më të humbur.

Po, është e vërtetë.

Por nëse mbaron emisioni me të cilin jeni identifikuar, ju ç’do bëni?

Të tjera gjëra, sigurisht. Në radhë të parë, sinqerisht, do të doja që në Shqipëri të mos kishte më të humbur, që rastet që vijnë në zyrat tona të vinin duke u reduktuar, derisa të mos kishte më… Dhe kur të vijë dita që emisioni “Njerëz të humbur” të mos ketë ç’të kërkojë më, kam menduar një tjetër projekt, vërtet të madh, që nuk ka për të dalë nga formati i gazetarisë investigative. Gjetja e të humburve nuk është misioni im i vetëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora