E enjte, 28.03.2024, 09:59 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Xhindihalli

E shtune, 04.05.2013, 04:03 PM


XHINDIHALLI *

NGA KALOSH ÇELIKU

E kthej shiritin e “Westerni film” artistik të trurit me njëzet vjet mbrapa në politikën shqiptare. Kohë e publikimit të librit: Trumbetat e tellallit (1992). Vitet e Pavarësisë së IRJ të Maqedonisë. Dyluftimet heroike të “24 pashallarëve” shqiptar në Kuvend për ndarjen e lugëve dhe enëve. Betejën historike, kur “vëllezërit” e Njerkës merreshin nëpër institucionet e Shtetit me ndarjen e pasurisë: arave dhe Shtëpisë. Ose, shqiptarët me protesta të kota demokratike në rrugë: gjuhë shqipe, shkolla shqipe, flamur kuqezi e të drejta kombëtare. Dyluftime politike, kur “vëllezërit” bënin luftë për pushtet e shtet. Vite, kur Haxhi Deputeti me xhaxhin Kiro (Tatkoto) u arratisën në Amerikë për shpëtimin e Maqedonisë pa asnjë kusht politik, “marrëveshje historike” nga ana e partive politike shqiptare. Edhe, tmerrohem kur para sysh më del Xhindihalli shqiptar, rrufjan i djeshëm që vinte nga një Çerdhe spiunazhi e “vëllazërim – bashkimit”, që me shumicë e pakicë në atë kohë na pillte viça të palëpi. Dudum i veshur me rroba të bardha fetare arabe e nalle me disa “politikanë” të tjerë partiak, i përcjellur haxhi në Mekë hipur mbi gomarin e Haxhi Rrencit. Që, ende pa mbërri në Kaçanik i cofi gomari. Fotografinë artistike, të cilën në atë kohë e botoi edhe gazeta fetare që dilte në gjuhën shqipe “Hëna e re”, në Shkup. Xhindihalli gjatë gjithë kohës e kishte ndjekur hap pas hapi veprimtarinë tonë arsimore, kulturore, fetare e politike. Nateditë me pare e pa pare, kishte informuar me besnikëri për çdo hap tonin “nacionalist e irredentist”, lexim mes rreshtave (Shqipëri të Madhe). Rrëfimin dhe “aminin” e kishte bërë para këmbëve të hoxhës në “xhaminë shqiptare”. Punemadhe, që ndonjëri besimtar, e kishte shitur veten për një post politik, vend pune, diplomë universiteti. Tjetri për titull shkencor, ambasador e anëtar akedemie te “vëllezërit” e Njerkës. Delezezat me “nishane” nga Zoti, kryesorja ishin në numër në vathën e Qeverisë së atëhershme “demokratike”.

Inspektori “vëlla”, që më mori në “bisedë informative” si “armik i rrezikshëm i shtetit”, pas gjithë atyre pyetjeve provokative, se unë gjoja isha i dërguar nga Kosova në Shkup për të vepruar në Maqedoni: takimet e fshehta në Bullgari, dërgimin e dhjetra mijëra markave Partisë Socialiste në Shqipëri… Përçudi, sipas tyre në shkrimet e mia publicistike - letrare e kisha sharë edhe Kur’anin?! Veprim “shejtani” sipas disa hoxhallarëve, për të cilin Kryetari atëhershëm i Bashkësisë Fetare Islame në Shkup e kishte angazhuar gjithë stafin e kuadrit arsimor fetar për leximin e shkrimeve dhe librave të mi satirik: ma gjeni ku e ka sharë Kur’anin, qoftë edhe mes rreshtave! Lajmin, ma përcolli rastësisht nën Rrap një profesor i Fakultetit të Shkencave Islame, në Shkup. Informata, më tha le të mbesë mes nesh si miq besnik shqiptarë të Baba Tomorit. I kemi lexuar të gjithë librat e tu me qëllim që të gjejmë ku e ke sharë Kur’anin. E, a gjetët, e pyeta unë me ironi?! Jo. Atëherë, paskan qenë shpifje dhe etiketime të kota për mua si shkrimtar. I kam sharë dje, i shaj sot dhe do t’i shajë edhe nesër interpretuesit e rrejshëm të Kur’anit. Përmëtepër, sipas akuzave: unë isha edhe ai kryesori (komandanti). Dhe, çështjen shqiptare doja ta zgjidhë me luftë.

Qesha. Aty për aty edhe iu përgjigja Inspektorit policor “vëlla”: unë dua të jem ai që e paskeni “zënë” si lepurin me qerre në mes të fushës. Artistikisht, siç thotë populli: me pelë për dore. Tekefundit, më vjen mirë si kalorës i penës, por e keni gabuar adresën. Fatkeqësisht, nuk jam aq trim i madh sa më paraqesin bashkëpuntorët e juaj në këtë “zbulim policor” si “armik i Shtetit të përbashkët”. Porosia ime si shkrimtar: mos më thirrni më për kësi budallakish “informative” policore. Jo, vazhdoi bisedën informative Inspektori. Njëzet nëshshkrime i ke në aktakuzë: shkrimtarë, gazetarë, mësuesë, hoxhallarë… A, do t’i shohësh me emër e mbiemër? Jo, iu përgjigja. E marr me mend dhe i di rrufjanët e Dexhallit me vulë në ballë. Edhe Xhindihallin që flet rrugëve vetmevete nëpër Bit - Pazar. Këngën e tij të përditshme në minare që ia ka lënë turku amanet. Përpiqet të imitojë Muhamedin a. s. duke shitur zarzavate në Pazarin e grave. Natën, pas teravisë të hedhë edhe ndonjë “filosofi fetare” të arnuar nga Kur’ani në mjetet e informcionit. Pejgamberi fundit i Fesë Islame, vërtet ishte “shërbetor” i Hatixhes, po nuk ka qenë me profesion tregtar. Hatixheja të cilën e martoi para shpalljes, kur ai ishte njëzet e pesë vjet e ajo dyzet vjet, ishte tregtare. Aisha ishte gruaja e preferuar e Muhamedit a. s. që u martua me profetin kur i kishte gjashtë vjet, dhe konsumoi martesën (kontratën e martesës) kur ajo ishte nëntë vjet, e cila qëndroi me të nëntë vjet deri në vdekje. Përfundimisht, për “myslimanët” e sotshëm me këmbët dhe trutë në legen, hazreti Muhamedi a. s. ka qenë burrë i shumë grave (shumica vejushka) të ligjshme e të paligjshme dhe filozof i madh i asaj kohe.

Viti 1993 ishte atëherë, kur “demokracia” na e hapi krah më krah derën e vathës mes egërsirave. Hoxha e thirri ezanin pa flamurin kombëtar kuqezi në minare. I madh e i vogël u turrëm livadheve. Shpatën e Skënderbeut e nxorrëm nga brezi. Flamurin kuqezi nga arka e gjyshes. Vjershën e xha Naimit me shokë nga podrumet shkollore. Kalin e bardhë me një këmbë të thyer në stadiumin e Tetovës. Arushën e Malit duke u rrok fytas me Skënderbeun në skenë tek drama tragji-komike e porositur nga Nëna Parti. Torbën e Hoxhës plot “mallëra sokaku” lidhur me grykë para syve të zonjave të rënda në skenë. Duartrokitjet frenetike të politikanëve me brekët nëpër këmbë. Vetëm se, edhe sot e kësaj dite nuk e di i sigurt kush ishin informatorët e Vetëshërbimit?! Komisioni Lustrues, përpiqet me çdo kusht t’i fsheh kodoshët në brekët e grisura neokomunsite. Përsëri siç duket, me shumicë e pakicë janë shqiptarët. Edhe atë, “patriotë kuqezi” të djeshëm, “demokratë” të sotshëm me një torbë taxhi për qafe me kokën nateditë në xhami e bythën përpjetë si palare në polici.

Inspektori policor edhe pse nuk ishte shqiptar, pas gjithë atyre “informatave” antishtetërore dhe pyetjeve, ma mundësoi edhe një dëshirë të fundit para gjykimit. I ke, më tha me emra e mbiemra në numër njëzetë denoncues si “armik i shtetit”. I do t’i shohësh emrat e atyre “burrave”? Jo, i thashë. Edhe pa i parë, i di se kush janë këta “patriotë kuqezi” shqiptar. Falë iu qofshin si argatë pa pare! Gjithë jetën ua kemi shitur dhe do t’ua shesim edhe në të ardhmen me pare e pa pare, në Bit - Pazar. Edhe Xhindihallin, u zgërdhi Inspekori na e shitni pa pare?! Po, edhe Xhindihallin e keni pa pare me gjithë “zarzavate” të kalbura nëpër tezgat e Bit- Pazarit, në Shkup.

Problemi i sotshëm?! Po ai, i djeshmi. Xhindihalli me shokë, për inatë edhe sot ndërsehet pas Trurit shqiptar me shpifje e etiketime në polici dhe mjetet e informacionit. Përgjumshëm flet e shkruan jerm duke gjetur strehim të përkohshëm në xhami, institucione të Shtetit “përbashkët” dhe parti politike. Kohën e lirë, pas faljes së “xhumasë”, e shfrytëzon duke shitur pemë e perime kopshti me afate të skaduara nga firma e mirënjohur “Tun – Batuni”, në Pazarin e zarzavateve. Nateditë, pesë vakte i falë në xhami (Shtëpinë e Zotit) në mes të udhëkryqeve nëpër Bit - Pazar. Edhe atë, merreni me mend: Shkupi kur i ka disa xhami e pak myslimanë të vërtetë me “Din e Iman” dhe ndërton të tjera shtëpi të Zotit me uzurpimin e pasurisë shoqërore mes Parkut të Çairit, në Shkup duke i sakatuar lulet, drunjt dhe gjelbërimin që na e fali Nëna Natyrë. Ose, siç dëshironi të thoni shpesh ju besimtarët, me “Din e Iman”, Zoti. Dorën në zemër, këtu, nuk do t’i përmendim xhamitë nëpër katunde me dy e katër minare, në numër më të madh se të shkollave fillore. E di, ju do të thoni: Po, “vëllezërit” e Njerkës ndërtojnë kisha. Kryqa edhe nëpër male. Ani. Përgjigjuni ju, për inatë me ndërtimin e shkollave dhe çerdheve të fëmijëve.

Përçudi, edhe sot investohet me të madhe për të Djeshmen e errët me një këmbë në varr, e jo për të Nesërmen te pragu i derës, ardhmërinë e popullit shqiptar. Përditë kokën e qitni në sexhade persie e bythën tek Partitë politike. Herë pas here tinëz, pasmesnate i luteni Zotit mbarë-prapë me bythët në hava e kokën në polici.

Xhindihalli nga minarja e xhamisë, përderisa katundarët janë duke punuar e derdhin djersën arave në fushë për Dimër, na e bën me dije përmes altoparlantëve nga qielli mes reve ne shqiptarëve: përderisa dje kemi pasur një Teutë, sot i kemi dy Teuta, voton për gratë e Muhamedit a. s. pa hamendje me të dyja duart. Demagogji e paparë publicistike. Përsëri, përpiqet të na pri si dje me shkarravina teknefese neokomuniste e hajmali të skaduara afatesh nëpër tezgat e Bit - pazarit nga hoxhallarë serbi, përzë edhe në Ditën e sotshme si “turq ehamdurila” në Turqi me tespihe kuqezi në dorë e bythët në hava për liri dhe Shqipëri Etnike nëpër stadiume e salla sportive.

O Imzot! Athua, edhe në Ditën e sotshme shqiptarët nuk kanë djem Nëne si Sulë Jetimi që dje i ndihmoi Zotit: Hoxhës në mes të ditës ia ngriti këmbët  në hava nga minarja e xhamisë duke e hudhur bythekrye në tokë?! Nuk e besoj. Shqiptarët kanë pasur, kanë dhe do të kenë djem, që gjithmonë Nënës do t’i dalin zot sa herë që të jetë në rrezik. Ashtu si në kohën e Fan Nolit te vjersha patriotike, Jepni për Nënën:

 

Sa kërkon e sa të duhen? 
Burrat nga detyra s'ndruhen! 
Trim i mirë do të japë, 
S'kursen jetën as paratë; 
Hithni, hithni tok dollarë, 
Të mos mbetemi të sharë. 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë. 
Se ke djemtë n'Amerikë…

 

1/. Burrë me xhinde (të meta psikike), që flet vetmevete rrugës marrëzira.



(Vota: 203 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora