Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lulzim Logu: Intervistë ekskluzive me poetin Gjon Neçaj

| E premte, 03.05.2013, 07:55 PM |


Gjithnjë nën diktimin e shpirtit

-Ose, GJON NEÇAJ, - një portret i poetit të Veriut..-

Ekskluzive per ZSh-në,  nga:  Lulzim Logu

Më mirë të shkruajmë edhe për njeri tjetrin. Sado miq të jemi, nëse themi të vertetën siç e ndjejmë, në njëfarë mënyre kompensojmë mungesën e kritikës përmanente”. (një thënie e Sejdi Berishës).

Në vënd të hyrjes:

Kam kohë që përpiqem të bashkëbisedoj me të në emër të lexuesve, të kuptoj për ata dimensionet e procesit krijues të tij, ta portretizoj figurën e këtij poeti bash si poet i veriut, jo në aspektin krahinor, porse si bartës i elementëve më të spikatur të natyrës dhe karakterit të një poeti që ka zgjedhur të mos e “ tradhëtojë” vendlindjen e vet, pa ajrin dhe pejsazhet e të cilës ai nuk mund të jetojë dot, ashtu si dhe poezia e tij aq e veçantë dhe e mirëdallueshme në raport me krijues të tjerë.

Duke e pasur shok dhe mik jo vetëm letrar, me frikën e rënies në kurthin e subjektivizmit të pashmangshëm të shprehjes për një njeri që e njeh tash tridhjet e sa vjet më parë, e kam shtyrë nismën time dhe i kam rezistuar tundimit tim, deri sa një ditë, ndërsa bisedonim për nevojën e pashmangshme të kritikës letrare për librin dhe autorët sot, poeti i njohur pejan Sejdi Berisha më cyti duke potencuar ndoshta një të vertetë:

“ Më mirë të shkruajmë edhe për njeri tjetrin. Sado miq të jemi, nëse themi të vertetën siç e ndjejmë, në njëfarë mënyre kompensojmë mungesën e kritikës përmanente”.

Fragmente jetësore :

Gjon Neçaj u lind me 17.06.1951 ne fshatin Peraj të  Nikaj-Merturit. Ka mbaruar studimet per financë në Tiranë. Me krijimtari letrare  ështe marrë që herët, duke botuar ne shtypin e kohës poezi, prozë e publicistikë.

Ka fituar disa çmime letrare. Bashkëpunon me gazeta të përditshme në Tirane, duke botuar herë pas here shkrime kulturore. Bashkepunon  edhe me shtypin kosovar, me shtypin on-line e sidomos me revisten e dashur ZemraShqiptare.

Poeti Gjon Neçaj banon në Bajram Curri, Tropojë. Me thjeshtësinë e tij ai duket sikur fshihet atje, sikur harrohet ...

Ai jeton në provincë, por kush e ka lexuar poezinë e tij ka dalë në përfundimin se ajo që ai shkruan s'është provinciale. Duke mos ditur makinacionet e "mjeshtrave" të ndërtimit të një poezie "moderne" ai e hedh poezinë në letër pa forcë, siç e përjeton, gjithnjë nën diktimin e shpirtit.

Ndaj poezia, ashtu si vetë jeta e tij, është e lidhur fort bukur me vendlindjen e tij;  me Perajn e Nikaj Merturit, me Bajram Currin, me Tropojën e agimeve e muzgjeve alpine, me ujërat e cekta e të kulluara ,me borërat e thella, me hijet e mrizave e lulimin e qershijave, me...

Edhe intervistën e koncepton si një bisedë, ashtu të çiltër, të thjeshtë, pa “kurthe” siç e emërton ai…

Poezia e tij sa është meditative e reflektive, është po aq e thjeshtë, e ngrohtë, e ndjerë, Gjoni sikur ka lindur enkas për poezinë dhe s'mund të jetojë asnjë çast pa të.

Deri me tash ka botuar:

Në hijen e mrizave - poezi, Tirane, 1994

Në folezë të kengës - poezi per femije, Tiranë, 2003

Hijet e shpirtit - novelë, Tiranë, 2005

Ju qe me shihni çdo ditë - poezi, Tiranë, 2006

Pezull-haiku, shqip-anlgisht, Elbasan, 2007

Tropoja - vendlindja ime - tekst mesimor, bashkeautor, Tiranë, 2008

Hëna pikon mbi Alpet e mia - poezi, Tiranë, 2008

Haiku i bjeshkeve, haiku,shqip-anglisht, Elbasan, 2009

Sinus, poezi, shqip-anglisht,italisht-greqisht,Tiranë 2011.

Bisedë pa “kurthe” :

L. Logu: Dikur jeni shprehur se që fëmijë keni dashur ti ngjani Martin Camajt, bile kini treguar një histori fëminie, në qëndër të së cilës vihet nëna juaj që ju tregon një lidhje të largët me Camajn. A mendoni se poezia juaj ka arritur të mbartë sadopak  frymën e Camajt në tematikën dhe ngjyrën e saj?

Përgjigje : Mbaj mend,se kur isha në shkollën fillore,andej nga klasa e katërt,kur kuptova edhe ngjizjen time të përhershme të të shkruarit, një mbasdite ,teksa pergatisja mësimet, nëna ime, ndjesë pastë, m’u afrua dhe më pëshpëriti diçka në vesh,që me thënë të drejtën nuk e dëgjova mirë,se isha zhytur në guaskën e të mësuarit. Mbaj mend se përmendi një emër që nuk e njihja,Martin Kola dhe një fjalë që s’dija çka do me thënë : Aeroplan.

Pra pikërisht atëbotë ishte kontakti im i parë me Martin Camajn,njeriu e ‘’hupun” siç thoshte nëna ime, me të cilin kishte lidhje gjaku, duke qënë fis me dajët e saj.

Vetëm pas viteve viteve nëntëdhjetë arrita ta lexoj krijimtarinë e Camajt,çka me ka frymëzuar dhe cytur në vijueshmërinë e të shkruarit poezi.Do isha i lumturuar sikur vetëm pesë përqind të ngjizej vargu im me të Martinit,

E pyetja juaj, se a ka arritur poezia ime të mbartë frymëm e Camajt, them se frymëzimi im që kur vargëzova vargjet e para kanë qënë dy poetë të brigjeve të epërme të Drinit, Martin Camaj dhe Anton ( Ndoc ) Papleka.

L.Logu : Hajku, një formë poezie e lëvruar nga ju së pari në anët tona, ka marrë sinonimin si hajku i bjeshkëve, titulli i librit tuaj të njohur në këtë gjini. Si mendoni, përse disa poetë janë kaq të dashuruar me hajkun? A mbart ai në vetvete aromën e njohur të tercinave të famshme popullore?

Përgjigje: Eh,tani i nderuar koleg dhe miku im Luli, më preke në tela, siç i themi në gjuhën popullore.Haiku, në të vërtetë është lloji i vargëzimit ndër më të hershmit, e siç e dini e ka zanafillën në Japoninë e  largët. Kur djemtë apo vajzat atje, kërkonin për t’u martuar, prindërit i vinin përpara një provë: të recitonin haiku për hënën, diellin, tokën apo qiellin...

Jo pa qëllim citova këtë parantezë për haikun, apo quajtur ndryshe në histroinë e letërsisë, tercina.Në parantezë, dua të them se nxitësi, apo “kumbara” që së pari më blamosi ,ose më mirë me thënë më joshi këtë lloj të veçanti vargu, është poeti i talentuar, Milianov Kallupi, ”babai” i haikut shqiptar.

Kam idenë se natyra ku jam lindur,rritur dhe vazhdoj të jetoj, mrekullia e alpeve shqiptare, Nikaj Mërturi, oazi i Jutbinës,Tropoja ,vendlindja jonë rrethuar me bukuritë natyrore, janë faktorët që ndikuan në lëvrimin e haikut.

Thënë më shkoqur, haiku merr fabulën nga një ngjarje për natyrën, ambientin që na rrethon, pra edhe tek unë ,fyrmëzuar nga bjeshkët e mia, lindi së pari haiku i bjeshkëve. Po ashtu edhe tek ju lindi haiku i Bujanit, një formë e veçantë e vargëzimit të tij.

Tashmë shumë poetë i janë “turrur” kësaj gjinie, por është një rrugë e gjatë per të arritur finishin ... Haiku, ashtu siç e cekni edhe ju, ka aromën e ëmbël të tercinave popullore.

L.Logu :   Kullat e veriut, pasaporta e Bajram Currit, Mark Krasniqi, Maks Lamberci në Tropojë, Gjama malësore...janë tituj të njohur të publicistikës tënde aktive keto dhjetë vitet e fundit. Në fakt çfarë është publicistika sot për Neçajn, plotësim i mosangazhimit politik, reagim qytetar, protestë apo një dimension real i krijimtarisë?

Përgjigje :  Publicistika më ka rrëfyer kurdoherë në udhën e jetës. Ajo ka lindur tek unë si domosdoshëri e njohjes dhe perceptimit të realitetit në një këndvështrim ndryshe. Dikur malësorët e mi thirrnin zërin kur vdisnin meshkujt, e thirrja e zërit ishte lajmi i kombshëm i vdekjes.Ndaj unë frymëzuar nga ky ritual i veçantë, zgjodha shkrimin për t'u trasmetuar të tjerëve lajmin.

Publicistika, në kuptimin e gjerë të fjalës, është mënyra e të shprehurit me fjalë për një ngjarje, personazh, ndodhi ,apo... shumë e shumë kendshikime të tjera në jetën e përditshme. Unë kam rreth 50 vjet që shkruaj publicistikë, pra krahas me poezinë kam lëvruar edhe këtë zhanër, por pas viteve nëntëdhjetë iu kam kushtuar më me vemendje temave prekëse për shoqërinë në këtë tranzicion të stërgjatur shqiptar.

Pra publicistika ime, miku im Lulzim, është si të thuash ashtu siç u shprehet ju në pyetje: një reagim qytetar përzier deri diku me dimensionin dhe pasionin e krijimtarisë.

Gazeta "Shekulli" për mua , si korespondent i saj, ka qënë dhe mbetet një shkollë e gazetarisë bashkkohore shqiptare dhe një përvojë në rrugën e publicistikës.

L.Logu:  I konsideruar shpesh si Aed i vendlindjes tuaj, Nikaj-Merturit, pavarësisht se jetoni më larg, fokusoheni vazhdimit në ritualet dhe zakonet e zonës, ndjeheni nostalgjik dhe i përmalluar. Cili ka qënë ndikimi i vendlindjes tuaj në artin tënd poetik?

Përgjigje:   Kam lindur një mëngjes qershori , nën hijen e një mrizi në bjeshkët e vendlindjes sime.Sapo dola në këtë jetë të mistershme, siç më ka treguar kur u rrita nëna ime, ndjesë pastë, agu i mëngjesit më freskoi me fëshfërimën e njomzës në qetësinë pluskore të qiellit të bruztë e të hënës në të perënduar të ngjyrës së saj kaltërore.

E siç më thoshte shpesh më pas, kur u rrita, unë kqyra kah qielli, atë mëngjes në të zbardhur, e hëna kundronte në hapësirën e paanë e zogjtë kishin nisur cicërimat e tyre të para të asaj fillimdite të re bjeshke. E bash në atë vend,pas dymbëdhjetë vjetësh kur linda, shkrova vjershën e parë....

Ndonëse kolegu im, Luli, etiketimi aed i vendlindjes është një peshë e rëndë për ta mbajtur,se unë thjeshtë jam një vargëzonjës, lindur, rritur dhe jetuar në këto vise të mahnitshme, të cilat janë dhe muza ime dhe frymëzimi im i pashtershëm, frymëzimet e mia janë pikërisht nga vendlindja, nga Nikaj Merturi.

Një krahinë e shtrirë në dy anët e lumit Curraj , e cila ka nxjerrë dhe vazhdon të prodhojë krijues, intelektualë të kalibrit kombëtar e më gjerë në fusha të ndryshme të jetës, çka nuk po i përmend, se tashmë janë të njohur, ndonëse braktisja ka krijuar turbulenca në zemrën dhe shpirtin tim, por ata përherë janë sa në Mserrin e pjesëzës fluskore të mrekullive, sa në Currajn e Epërm , ku akujt rrinë deri afër pranverës shkëmbinjve "ngrirë hej"…

L. Logu:  Gjithmonë mes miqsh dhe poetësh, në tribuna dhe mitingje poetike, ndoshta duke “thyer” konvencionin e provincializmit dhe periferisë, ju jeni më shumë se kurrë aktiv në gazeta, forume dhe faqe interneti, por edhe në rrugët e qytetit tuaj. Cila është dita juaj ideale, kur ndjehesh i realizuar dhe relaksohesh në vargje?

Përgjigje: Megjithëse  profesioni im  është financier, profesion që e ushtroj prej rreth 40 vitesh, krijimtaria është binomi i pandarë, e sikur edhe një ditë të mos hedh diçka në bllokun tim të shënimeve, mendja ime do vërtitej në pafundësinë e natës duke u sjellur në krevat sa në një anë në tjetrën, a thua jam ndonjë lypsar i devotshëm i pagjumësisë.

Diku në një bisedë me albanologun e shquar gjerman, përkthyesin e Camajt, Hans Lanksh,thotë pak a shumë se provincializmi nuk është në periferi, po në metropol, bash në Tiranë.

Për t'u ushqyer me mushtin e kulturës, historisë mbarëkombëtare, unë bashkëpunoj me shumë gazeta, forume. website , duke shkruar dhe komentuar ndodhitë e ngjarjet e përditshmërisë në jetën shqiptare.

Unë e quaj ditë me fat, kur shkruaj një varg, një rresht apo një haiku. Sidomos haiku më relakson, e lumturohem kur në rrugicat e qytetit tim lindin në mendjen time trevargjet haiku.

L. Logu :  Të shkruash a të mos shkruash, një dilemë e ashpër kjo sot, në rrokopujën e botimeve, në ankthin e mungesave monetare për botim dhe të kritikës profesionale, si e përballoni ju dhe shokët tuaj?

Përgjigje:   Deri më tani kam botuar nja 10 libra e po aq janë në pritje për të "lindur", po nëse dikur censura politike krasiste muzën tonë, sot miku im Lulzim, siç e keni provuar sa e sa herë edhe ju, është censura financiare.

Pra të shkruash a të mos shkruash, kjo është çështja, një perifrazim i Hamletit, duket sikur do na ndjek pas gjithë jetën deri në amshim,se poetët janë pa një lek në xhep, por zemrën e shpirtin e kanë mjaltë. Falë disa dashamirëve të kulturës, disa biznesmenë lokalë na kanë shtrirë dorën disa herë, çka përfitoj nga rasti t'i falënderoj sinqerisht.

L. Logu :  Familja, djali juaj dhe vendlindja përbënë trininë e shënjtë tuajën dhe të poezisë, një frymë origjinaliteti dhe rezistence ndaj shkulmeve të kohës apo jo?!

Përgjigje:  Eh, djali im,Visari ka qënë dhe mbetet frymëzimi im i përhershëm. Ka lindur pas 10 vjetësh martesë dhe është pinjolli i vetëm i të parëve të mi.Trinia e jetës sime mbetet djali, Nikaj Merturi dhe poezia.

Ka qënë shumë e zorshme për mua, e jo vetëm, përballja dhe rezistenca gjatë këtyre viteve e mbajtjes së tyre, kuptohet në një tranzicion shoqëror të vështirë si për djalin tim tashmë 22 vjeçar, për vendlindjen time, Nikaj Merturin tashmë të braktisur nga banorët dhe për poezinë që pak ose aspak lexohet këto kohëra të mbarsura me ankth, kur po dominojnë pafund mjetet informatike.

L. Logu : Çfarë do të presin së shpejti lexuesit prej jush në aspektin letrar dhe jo vetëm?

Përgjigje:  Të premtosh, duhet të punosh, ndonëse në krijimtari ndodh fenomeni i dyzimit,veçse dua të them se mjaft libra me poezi, haiku, publicistikë presin të botohen, mbase një ditë do "hapet strajca"  (po them strajca e jo thesi), e do marrin udhë për te lexuesi edhe të tjerë libra të mi.

.Me gjithë atë nuk mbetem i pezmatuar, se siç shkruan poeti i anëve të mia, Anton Papleka, aedët në Curraj Epër nuk mendonin për botimin e vargjeve të tyre. Ato kanë mijëra vjet që enden mendjeve shkulmuese të malësorëve të mi…

-Nga Tropoja, Maj, 2013-