E marte, 23.04.2024, 06:35 PM (GMT+1)

Mendime

Izet Shehu & Miftar Mehani: Dita e 28 prillit – Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes në Punë

E enjte, 02.05.2013, 08:07 PM


Dita e 28 prillit – Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes në Punë

Organizata Ndërkombëtare e Punës, që nga viti 2003 ka përcaktuar datën 28 prillin, Ditë Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Shëndeti në punë. ILO-ja, (Internacional Labour Organization), më e madhja organizatë ndërkombëtare që merret me çështjet e  punës, në vazhdimësi hulumton dhe përcakton forma e metodologji të mbrojtjes së shëndetit në vendet e punës, përmes akteve normative, konventave dhe rekomandimeve. Bie fjala, Konventa nr. 119  për mbrojtje nga makinat (1963), Konventa nr. 171 për punët e natës për të rinjtë në punë (1990), Rekomandimi nr. 164 për mbrojtje dhe shëndet në punë (1981) etj. BE poashtu, në mesin e një morie, ka të përcaktuara mirë kriteret përmbushëse në  sferën e sigurisë në punë dhe poashtu dokumentet obligative, për dallim nga konventat, të formuluara si direktiva, ta zëmë, Direktiva 89/654/EEC për kërkesat minimale për siguri dhe mbrojtje të shëndetit në vendet e punës, Direktiva 89/655/EEC lidhur me kërkesat minimale të sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit gjatë përdorimit pajisjeve të punës, e tjera.

Në shkallë kombëtare, secili vend duhet të ketë normat ligjore të cilat rregullojnë këtë fushë dhe një varg të rregulloreve të sferave të veçanta të përcaktimit të rregullave të veçanta për vendet e punës, sidomos atyre ku shfaqen faktorë të ndryshëm të rreziqeve që janë të pranishëm në vendin e punës. Këto rreziqe a dëmtues të vendit të punës, bëjnë që të shkaktohen lëndime në punë të tilla që çojnë deri në invaliditet si dhe shfaqjen e sëmundjeve profesionale dhe sëmundjeve të tjera në lidhje me punën. Një e dhënë e ILO-s, thotë: “nga 2.340.000 viktima në punë çdo vit, vetëm 321.000 janë për shkak të aksidenteve. Shuma e mbetur 2.020.000 vdekje janë të shkaktuara nga lloje të ndryshme të punës e që kanë lidhje me sëmundjet, dhe të cilat korrespondojnë me një mesatare ditore prej më shumë se 5.500 vdekje. Kjo është një mungesë e papranueshme e asaj që quhet punë e denjë.”

Në Kosovë nuk publikohen të dhënat statistikore të lëndimeve në punë, të vdekjeve në vendet e punës apo të paraqitjes së sëmundjeve profesionale dhe sëmundjeve të tjera të dala nga puna. Evidenca e fatkeqësive në punë është obligim dhe e normuar nga të gjitha dokumentet e mekanizmave ndërkombëtar të punës. Evidencat e këtij lloji, nga fusha e sigurisë në punë, është çelës i përcjelljes dhe avancimit të sigurisë. Evidencat janë kyç për politikat shtetërore dhe institucioneve profesionale në fushën e  sigurisë teknike në vendet e punës të secilit vend, shtet. ILO-ja ka një Kod të veçantë për format e mbajtjes së evidencave dhe raportimeve të rasteve të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale. Në industrinë kosovare kjo evidencë vazhdon të mbahet ashtu nga tradita, ndërkohë, në sektorin privat, është e qartë se ajo mbahet dhe zbatohet vetëm atje ku është e shtrënguar ta bëjë nga organet shtetërore, e për sa duket, janë një numër tejet i vogël i ndërmarrëseve që e bëjnë këtë.

Ndërkaq, gjendja e sigurisë në terren, në vendet e  punës, aq sa mund të përcillet nga mjetet e informimit, e cila, pa mëdyshje, është vetëm përafërsisht e saktë, raste të fatkeqësive në punë tek ne paraqiten më së shumti në ndërtimtari. Tanimë ky sektor i lënë kryekëput në duart e ndërmarrësve privat, firmave, të cilat duke operuar në kushte të një tregu që ka një çmim të lirë të fuqisë punëtore, çështjen e mbrojtjes në punë e kanë fare të fragmentarizuar. Te pjesa dërrmuese e subjekteve ekonomike në sektorin privat, kur përmenden rregullat e sigurisë mbeten “të habitur”, duke kërkuar sqarime sepse qenkësha e nevojshme të merren ato apo këto masa të sigurisë. Kjo na bënë me dije se ata, nga njëra anë, nuk janë në dije për masat e sigurisë që duhet t’i kenë të integruara brenda sistemit udhëheqës-menaxhues (OHSAS standardi), e nga ana tjetër, nuk janë as të shtrënguar që të jenë të detyruar në zbatim të legjislacionit që rregullon këtë fushë. Kur themi masat e sigurisë, në kontekstin tonë, kemi parasysh masat organizative të sigurisë, ndërkohë që për masat teknike gjendja është krejt ndryshe: teknikat e sigurisë në ndërtimtari janë të njohura për ndërtimtarët dhe gjendja detyrimisht, si pjesë përbërëse e teknologjisë së përdorur, është dukshëm më e avancuar.

Në kuptim të zbatimit të legjislacionit dhe rregulloreve as sektorët tjerë nuk janë në gjendja më të mirë se sa ndërtimtaria, porse aty, në ndërtimtari, parregullsitë manifestohen me raste të fatkeqësive në punë shkaku i pranisë rreziqeve më të mëdha dhe më të shumta në numër. Është fare e dukshme, kemi moszbatueshmërinë e masave mbrojtëse në formën e duhur. Shkaku është i qartë: punëdhënësit patjetër i duhet një lloj (1)investimi dhe (2)procedurat e zbatimit duanë pakëz kohë. Që të dyja janë të “dhimbshme” për ndërmarrësin, ndërsa punëtori, në anën tjetër, për shumë arsye, të qarta për çdokënd, nuk mund të kërkojë me këmbëngulësi zbatueshmërinë e masave të nevojshme mbrojtëse.

Çdo vend pune duhet të përmbajë (si formulim) procedura të procesit punues, procesit teknologjik punues, procedura të përdorimit dhe mirëmbajtjes të mjeteve të punës. Rreziqet që paraqiten në vendet e punës janë të grupuara në: rreziqe mekanike, rreziqe nga përdorimi i energjisë elektrike dhe rreziqet nga karakteristikat e vendit të punës. Janë edhe dëmtuesit ata që janë të pranishëm në vendet e punës, dëmtuesit e shëndetit të punëtorit, që ndahen sipas vetive të tyre fiziko-kimike, sikur janë zhurma e dridhjet, ndriçimi i pamjaftuar apo i tepërt, rrymimi i ajrit dhe lagështia e ajrit, mandej dëmtuesit e ambientit nga lirimi i dëmtuesve të mundshëm sikur janë gazrat ngulfatëse dhe ato helmuese, materiet e rrezikshme dhe zjarret. Të gjithë këta ndikues të ambienti punues kanë ndikim në shëndetin e njeriut punues.

Organizata Botërore e Punës, për vitin 2013 ka përcaktuar si temë trajtimi pikërisht sëmundjet profesionale, pra ato që dalin nga vendet e punës, me rastin e takimeve, konferencave apo edhe studimeve të paraqitura për hulumtim në shenjë të 28 Prillit - Ditës së Sigurisë në Punë. Është e qartë se në vazhdimësi organizmat e ndryshëm ndërkombëtar (ILO dhe BE) janë duke vënë në qendër të veprimtarisë së punës njeriun. Mbrojtjen e tij nga fatkeqësitë në punë dhe mbrojtjen e  shëndeti të tij nga dëmtuesit e ambienti të punës. Shtrohet çështja: Cila është gjendja e mbrojtjes së ambienteve tona të punës nga paraqitja e sëmundjeve profesionale? Në praktikën e shteteve me sistem të avancuar ekonomik dhe traditë në zbatimin e rregullave teknike dhe procedurale, të kodifikuara edhe me ligje dhe me një varg të rregulloreve të procedurave e fushave të veçanta të punës, mbrojtja nga sëmundjet që dalin nga vendet e punës, nga procedurat dhe teknologjitë punuese, është çështje e standardizuar. Kjo do të thotë që ekzistojnë nivele të standardizuara të asaj që quhet nivel i lejuar i paraqitjes së dëmtuesve dhe mundësia maksimale e lejimit të ekspozimit ndaj një dëmtuesi të shëndetit (bie fjala, niveli maksimal i zhurmës në nivelin prej 85 dB për ekspozim prej 8 orësh).

Sëmundjet profesionale dhe trajtimi i tyre janë fushë me ndërlidhje të Sigurisë në punë dhe Mjekësisë së punës. Në këtë kontest, secili vend, në shkallë kombëtare, bënë hartimin e listës së sëmundjeve profesionale dhe e vë në dispozicion të gjithëve që kanë të bëjnë me punën. Të gjitha vendet e rajonit e kanë një listë të tillë (Shqipëria në atë listë ka të përfshira rreth 80 sëmundje, Kroacia 176 sish, etj). Në Kosovë, fatkeqësisht, ende nuk e kemi një listë të tillë e cila do të shërbente si bazë për caktimin e të sëmurëve në vendet e punës. Dy institucione të mjekësisë së punës në vend : Instituti i Medicinës së Punës në Obiliq dhe Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë, pa dyshim që kanë kapacitetet intelektuale dhe njerëzore për të qenë pjesë përbërëse e profesionale e një projekti të tillë, që, më pas, vetëm do të rishikohej (në perioda të caktuara kohore, vjetore) dhe eventualisht të plotësohej, por gjithnjë në koordinim me ekspertët e sigurisë në punë dhe në bashkëveprim me sektorët gjegjës të dikasterit të punës në shkallë vendi. Të gjithë  këto kuadro e institucione janë, mungon mekanizmi që i vë në lëvizje.

Sëmundjet profesionale, në koherence me përcaktimet programore të politikave shtetërore në fushën e sigurisë në punë, do të hulumtohen nga studiues e institute të mjekësisë dhe në varësi nga rezultatet e shfaqjes së tyre do të përcaktoheshin edhe masat parandaluese dhe do të përcaktoheshin edhe procedurat adekuate të përdorimit të materieve të dëmshme për shëndetin e njeriut punues, shkallët dhe nivelet e lejuara të ekspozimit ndaj tyre dhe masat tjera gjegjëse mbrojtëse.

Mungesat e strukturave të caktuara, profesionale shtetërore, që veprojnë në kuadër të organizmave më të lartë të udhëheqjes shtetërore, te ne, bënë që shumëçka të lehet anash në çështjet e përkujdesit të shëndetit të punëtorëve. Bie fjala, mungesa e Këshillit Nacional për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambient të punës, që sipas Ligjit nr. 2003/19 për Siguri në punë...,(neni 1, pika 5) e themelon Qeveria e Kosovës dhe ku janë të përfaqësuar edhe shteti edhe punëdhënësi edhe ekspertët e sigurisë në punë, patjetër që do të zgjidhte shumë detyra dhe do të përcaktonte veprimet konkrete, gjegjësisht detyrat e të gjithë të involvuarëve në proceset e punës me qëllim avancimin e sigurisë në punë dhe zbatueshmërinë e anës legjislative vendore dhe rregulloreve gjegjëse ndërkombëtare.

Ndër masat organizative për parandalim të sëmundjeve profesionale, zbatohet kontrolli periodik mjekësor. Aty ku mund të vërehet që në nismë ndikimi i dëmshëm i dëmtuesve fizik, kimik organik e inorganik, materieve rrezatuese etj. Forma e rezistimit të trupit ndaj ndikuesve të dëmshëm është subjektive, andaj ka arsye të kontrollimit të rregullt mjekësor për të gjitha vendet ku ka dëmtues në procesin e punës. Një dilemë e shtruar në qarqet teoricienëve të sigurisë dhe atyre të mjekësisë së punës, e që vazhdon edhe sot e kësaj dite-të themi këtu se disiplina shkencore e Sigurisë në punë është mjaftë e re dhe daton vetëm në dekadat e fundit të shekullit të kaluar-pra dilema dhe përcaktimi i nevojave për periodikun e kontrollimeve mjekësore. A duhet që kontrollimi të bëhet për çdo vit? Cilat janë vendet që duhen përfshirë në kontrollimin e domosdoshëm mjekësore për çdo vit? Është e qartë se përgjigjet në këto çështje duhet të jenë rezultat i hulumtimeve në vetë vendet  e punës; ajo që quhet procedim i Vlerësimit të rrezikut në vendet e punës, si identifikim i dëmtuesve me përcaktim të dëmeve dhe bashkëveprim i mjekësisë së punës në përcaktimin e dëmeve dhe nevojës për mbikëqyrje periodike të lëndueshmërisë së punëtorëve ndaj një agjenti dëmtues në vendin e punës.

 

Prof. Dr. Izet Shehu

Mas. emergj. Miftar Mehani

Prill 2013

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora